Një legjendë arabike mbi një shpatë shqiptari

Ahmed

Primus registratum
Një legjendë arabike mbi një shpatë shqiptari

Mbi një shpatë ceremoniale të vitit 1814, janë deshifruar emrat e 6 heronjve legjendarë, emrat e të cilëve gjenden edhe në Kuran. Pastrimi dhe deshifrimi i kësaj arme po kryhet prej Laboratorit të Konservimit dhe një studiuesi holandez të shkrimeve të shenjta

Një legjendë arabike mbi një shpatë shqiptari


Alma Mile


Për t’i shpëtuar përndjekjeve, ata u mbyllën në një shpellë. Hyrjen e guvës e mbyllën me një gur të rëndë, por kur dolën prej andej panë se gjërat nuk ishin ashtu si ata i kishin lënë. Monedhat që kishin në xhepa nuk vlenin më asgjë. Kishin fjetur qindra vjet dhe tashmë i përkisnin një kohe tjetër. Kjo është legjenda mbi 6 luftëtarë, historia e të cilëve gjendet edhe në librat e shenjtë fetarë. Vetëm pak kohë më parë, është zbuluar që emrat e këtyre luftëtarëve gjenden të gdhendura mbi tehun e një shpate, që i përket vitit 1813 ose 1814. Arma, e cila prej viteve ’50 është në fondin e Institutit të Kulturës Popullore, i është nënshtruar procesit të restaurimit pranë Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, duke i bërë më të qarta mbishkrimet e arta, të gdhendura mbi të. Për deshifrimin e këtyre gërmave, sipas shefit të laboratorit, Frederik Stamati, është bashkëpunuar me profesorin holandez, Frederik Dejank, njohës i mirë i gjuhëve arabike dhe studiues i shkrimeve të shenjta islame, i cili ka vizituar Shqipërinë, gjatë zhvillimit të konferencës mbi bashkëjetesën e feve në vendin tonë. Sipas Stamatit, prej studimeve të deritanishme është arritur të deshifrohet lloji i shkrimit arabik, i cili i përket atij “kufi”, si dhe të shqipërohen disa prej fjalëve të arta. Këto fjalë janë pikërisht emrat e luftëtarëve të mbyllur në shpellë : Ya Makselina, Meslina, Mernus, Debernus, Sazenus Yemliha dhe Kefestayus. Pranë tyre lexohet edhe një emër tjetër, Kitmir, i cili mendohet të jetë emri i qenit, që njerëzit kishin marrë me vete në shpellë.
“Sipas profesorit hollandez, këta emra përkojnë me emrat e heronjve të një legjende që gjendet në Kuran. Por sipas tij, kjo gjendet edhe në Bibël, por me emra të tjerë”, - thotë Stamati. Kjo shpatë, e llojit damaskin (e prodhuar në Damask), mendohet që ka qenë pronë e Agait të Jasemisë, sipas vetë mbishkrimeve që janë gdhendur mbi të dhe që janë deshifruar pjesërisht. “Ende nuk mund të thuhet një përfundim i saktë për poseduesin e kësaj shpate, pasi ka të tjera fjalë për t’u deshifruara. Por nga gërmat e shkruara në ar, këllëfit të argjendtë me unaza të lara në ar, mund të kuptohet se ai që e ka zotëruar këtë shpatë, ka qenë prej shtresave të larta shoqërore. Ajo është një shpatë ceremoniale dhe jo luftarake, që dëshmon edhe një herë për pozitën klasore të pronarit të saj”, - sqaron Stamati, duke shtuar që leximi i gërmave arabe, po bëhet njëkohësisht me pastrimin e shpatës. Ai shton gjithashtu, se mes fjalëve gjenden edhe disa që përngjajnë me “Leskoviku”, ose me “Lleshi”, që hedhin dyshime, që pronari i shpatave, mund të ketë qenë edhe shqiptar.
“Do të ishte shumë e vështirë që gërmat e kësaj shpate të bëheshin të deshifrueshme, nëse mbi këtë armë nuk do të ishte ndërhyrë me një aparaturë të re, e cila shërben për pastrimin e metaleve. Kishim rreth 25 vjet që e prisnim, madje nuk e teproj të them se e ëndërronim këtë aparaturë, e cila ka kushtuar 19, 5 milionë lekë të vjetra dhe vetëm tani arritëm që ta kemi. Me anë të saj, brenda një kohe të shkurtër bëmë të mundur pastrimin e sipërfaqes së shpatës”, - shpjegon Stamati. Sipas tij, kjo aparaturë, e cila përdoret për trajtimin e sipërfaqeve të objekteve muzeale, pastron me anë të grimcave me presion dhe procese që kërkonin ditë të tëra pune, sidomos mbi armë zjarri, dhe arrin t’i kryejë vetëm për 10 minuta. Kjo aparaturë, është siguruar në Zvicër prej Akademisë së Shkencave. “Tashmë na është krijuar mundësia e restaurimit të objekteve arkeologjike prej hekuri dhe atyre etnografike, ku bëjnë pjesë edhe armët e ftohta, punë e cila ishte ndërprerë prej kohësh”, - thotë ai, duke shtuar që përveç shpatës së Agait të Jasemisë, janë edhe 20 shpata të tjera, të periudhave të ndryshme, që presin të pastrohen e më pas të deshifrohen, pasi edhe mbi to gjenden mbishkrime, ende të pakuptueshme. Ndërkohë ka filluar puna për restaurimin e objekteve të bronzta të Muzeut Historik të Durrësit, monedhave të gjetura në qytetin e lashtë të Finiqit dhe pritet fillimi i punës, mbi të tjera objekte në muzetë e qyteteve.

Shpatat në rrezik
Por ndërsa aparatura e re, ndihmon për pastrimin dhe deshifrimin e shpatave dhe objekteve të tjera të metalta, është e pamundur të ndalet shkatërrimi i tyre. “Këto objekte janë në rrezik shkatërrimi. Për shkak të ndryshkut, në disa prej shpatave është vënë re prishje e mbishkrimeve të gdhendura dhe rënie e gërmave të arta. Eshtë e vështirë të thuhet se cili është shkaktari i shkatërrimit të këtyre objekteve, që më pas të marrim masa për ta parandaluar atë. Me sa kemi parë deri tani, kemi të bëjmë me një faktor, që nuk ka lidhje me lagështirën, apo me kushtet e kondicionimit të ambienteve, në të cilat ato ruhen”, - thotë Frederik Stamati, shefi i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore. Sipas tij, për të zbuluar se cili është ky faktor që stimulon procesin e oksidimit, është e nevojshme që të kryhen një varg analizash, që nuk mund të realizohen në vendin tonë. “Këto analiza mund të kryhen me “Difraksion X”. Deri para viteve ’90, në vendin tonë kanë ekzistuar 3 aparatura të tilla, tepër të kushtueshme, të cilat tashmë rezultojnë jashtë përdorimit. Kështu që kërkohen shpenzime për kryerjen e analizave në laboratorët e huaj”, - shton ai. Sipas Stamatit, është e nevojshme që këto analiza të kryhen menjëherë, pasi në të kundërt rrezikohet shkatërrimi i këtyre objekteve me shumë vlerë.

Sipas Stamatit, prej studimeve të deritanishme është arritur të deshifrohet lloji i shkrimit arabik, i cili i përket atij “kufi”, si dhe të shqipërohen disa prej fjalëve të arta. Këto fjalë janë pikërisht emrat e luftëtarëve të mbyllur në shpellë : Ya Makselina, Meslina, Mernus, Debernus, Sazenus Yemliha dhe Kefestayus. Pranë tyre lexohet edhe një emër tjetër, Kitmir, i cili mendohet të jetë emri i qenit, që njerëzit kishin marrë me vete në shpellë
 
Top