Një fjalë e urtë tipike shqiptare

  • Thread starter Anxhela Çikopano
  • Data e fillimit
A

Anxhela Çikopano

Guest
Se më thotë njeri që politikanët shqiptarë bëjnë si elitarë dhe nuk i kanë më këmbët në popull, ia thava turinjtë. Politikanët shqiptarë janë taban i vërtetë popullor, folklor i gjallë, ja shikoni, fjalën e urtë popullore: "Shqiptarit bëji nënën të të thotë babë" e kanë moton e tyre të punës.

Që pas turkut shqiptarit ia bën nënën i veti: një herë pa bukë, pastaj pa të drejta, pastaj i hiqet fjala, pastaj prapë buka, pastaj paratë mënjanë, vazhdimisht pa bukë... sepse e dinë legenat! e dinë që kur nuk nxjerr dot bukën e fëmijëve nuk ke vakt të kërkosh të drejta qytetari; nuk ke vakt të thuash: "më bëj një park lodrash për fëmijët", "ma shtro rrugën gjer në Lalz të bëj ca pushime", "më krijo arsim më të mirë, që fëmija im të garojë rrotë më rrotë me francezin", "dua pak teatër të heq stresin e ditës".

Jo, këta e shtrydhin shqiptarin vazhdimisht, e helmojnë duke sharë shqiptarët e secilit krah partiak, e nxjerrin në shesh duke i mbajtur peng bukën e fëmijës. Se janë mësuar këta ta lënë t'i vejë thika në kockë e kur të mos mbajë më, të ngrihet ky populli i vogël, gjakënxehtë e kryeneç i shqiptarëve dhe të bëjë revolucion: të shkulë pllakat e Pallatit të Kulturës, të hedhë buste, të shqyejë depo armatimesh, të djegë kadastra, të vriten me njëri-tjetrin dhe pastaj të vijë pala tjetër e politikës-Mesiat ose ndonjë qeveri koalicioni, me tre mbretërit e urtë që na lexokan yjtë në qiell. Dhe kështu vazhdon rotacioni politik, duke u pështyrë e duke u lëpirë në atë sallë parlamenti, që nga ndyrësitë që nxjerrin nga goja ngjason me poshtëurat e Lanës.

Po shqiptarët? Shqiptarëve u bëhet nëna nga "babai": paguajnë pllakat që shkulën, paguajnë 7 tendera për rikonstruksionin e vendit ku rrinte busti, paguajnë taksat që u vënë ata që shitën armët e depove të shqyera, paguajnë gjykatësit se nuk e gjejnë dot më të drejtën e pronave në kadastrat e shkrumbuara, qajnë njëri-tjetrin dhe presin... presin të ndryshojë ky rotacion ndyrësish që "çuditërisht" nuk duket të ndryshojë...

Dhe vjen një ditë, vjen dita kur votojnë dhe nuk duan të shkojnë, se janë të zhgënjyer, se nuk dinë më kë të zgjedhin, se u ka ardhur në majë të hundës. Ore vëlla, moj motër, a e kuptoni se ç'po ndodh? A e kuptoni që po presin nga ju o të votoni ata, o të shkulni pllakat e Pallatit të Kulturës, se në fund të fundit ata janë të fituar? A e kuptoni se edhe vota jote, ajo njëckë në atë listë të gjatë emrash që duket krejt e parëndësishme është një gur për të ndërtuar shtëpinë. Po në mos e ndërtofshim sot, do ta ndërtojmë pas një viti, pas 10, nëse që të gjithë vëmë një gur një nga një, përherë, në çdo zgjedhje. Kur e ndava mendjen të provoja një herë se ç'do të ndodhte po të mblidhja ca firma për Gjergjin, zbulova që secili mendonte se ishte vetëm, se "hajt mo, po e jepte njëherë, pa tafti-bafti se nuk do bëheshin shumë" dhe ja ku në fund dolën më shumë se 13 000 "tafti-bafti" që nuk e njihnin njëri-tjetrin, që e ngritën dorën ta merrnin gurin, paçka se mendonin të ishin vetëm.

Mbase këto zgjedhje të vogla, ja këto administrativet që kanë si motiv ta bëjnë qytetin të na shërbejë dhe jo politikën të mbushë xhepat, janë hapi i parë që shqiptari të mos e mbajë më "babën" në kurriz, atë babën që i keqtrajton nënën dhe i ha bukën e fëmijëve. Harrojini pllakat vëlla e motër, në 2015 shqiptari duhet të ngrihet nga kafja, nga telenovela dhe nga çdo trumpirje tjetër që na servirin, për ta ndryshuar realitetin e tij me atë gurin e vogël, që vetëm në familjen e tij bëhet një dorë gurësh. Ngrihu shqiptar të ngresh shtëpinë tënde, një shtëpi ku "atij që të bën nënën të mos i thuash më babë"!


Continue reading...
 
Top