Një dhomë për të shkruar

Një dhomë për të shkruar

Shkrimtarja britanike, Monica Ali, shpjegon se përse gjatë shekullit të fundit hotelet janë bërë vende ideale për të përshtatur një histori</p>


Përpiquni të imagjinoni: je një shkrimtar dhe ke një “afat skadence”. Sapo ke filluar të shkruash një libër dhe duhet të përqendrohesh. Nuk dëshiron të mendosh për jetën, por vetëm për punën. Të nevojitet një pusullë “Mos na shqetësoni” që ta vendosësh te doreza e derës dhe dikë që të të përgatisë ushqimin sa herë që dëshiron të bësh pak pushim. Ke nevojë të shkosh në një hotel. E kam bërë edhe unë. Kur hyn në dhomë je vetëm ti dhe katër faqet e murit. Thonë se Douglas Adams, dikur për të shkruar një libër u mbyll brenda një dhome hoteli. Kur e pyetën se si ia kishte kaluar, ai u përgjigj: “Unë shkruaja, ndërsa redaktori im më shihte i çuditur”.
Shkrimtarët kanë një raport të hershëm dhe shumë të ngushtë me hotelet. “Algonquin dhe “Chelsea” në Nju Jork, “Savoy” në Londër, “Hotel des Bains” në Venecia, “Ambos Mundos” në Havanë dhe “Raffles” në Singapor janë vetëm disa prej vendeve që kanë bërë historinë e letërsisë. Ashtu siç tregojnë dy libra të shkruar dhe të përshtatur në hotelin “Chelsea” të Nju Jorkut – romani “Qyteti i padukshëm” i shkrimtarit Joseph ONeill (2008) dhe romani im “In the Kitchen” (Në kuzhinë) që tregon historinë e Gabriel Lightfoot, kryekuzhinieri i hotelit imagjinar “Imperial” në Londër – hotelet vazhdojnë të shkaktojnë një tërheqje të fortë te shkrimtarët, jo vetëm si mbështetje e forcës krijuese, por edhe si subjekt i asaj krijimtarie.
Kërkimet e shumta për të shkruar romanin “In the Kitchen” zgjatën një vit. Lexova një mal me libra që kishin të bënin me aktivitetin e hoteleve dhe kështu arrita ta eksploroja atë botë. Kam kaluar shumë kohë në pesë hotelet më të mëdha të Londrës dhe marrëveshja ishte që nuk do ti kisha bërë të njohur. Fola me të gjithë, nga drejtorët te recepsionistët. U futa edhe në kuzhinë për të folur me personelin dhe për ta njohur më mirë atmosferën e atij vendi.
Siç thotë edhe një prej personazheve të mi, kuzhinat e hoteleve u ngjajnë asambleve të Kombeve të Bashkuara: janë burim historish të çdo lloj tipi. Janë vende ku punohet nën presion dhe ku krijohen një sërë përballjesh dramatike. Mund të thuash të njëjtat gjëra për çdo kuzhinë, por vetëm pasi ke hyrë në botën e hoteleve, e kupton se me asnjë kuzhinë tjetër ky krahasim nuk do të kishte funksionuar kaq mirë. Sfondi më lejonte të krijoja më shumë personazhe dhe të kontrolloja mendimet, tensionin dhe konfliktet e një pjese më të madhe të shoqërisë. Kisha aq shumë material sa nuk e dija nga tia filloja.
Portieri inxhinier
Pastaj mora një pjesë të prerë gazete që e ruaja prej kohësh. Tregonte për vdekjen e një ukrainasi shumë simpatik, i cili u gjet i zhveshur në bodrumin e “Cafe Royal” në Pikadilly gjatë pushimeve të Krishtlindjeve të vitit 2003. Portieri, që punonte ilegalisht për të mbajtur familjen tij, e cila kishte mbetur në shtëpi, jetonte fshehurazi në pjesën e kaldajës pa dijeninë e punëdhënësve të tij. Me sa duket flinte zhveshur nga nxehtësia dhe kishte humbur jetën nga një rënie aksidentale. Kjo histori tragjike, që thotë kaq shumë gjëra mbi këto botë të ndryshme që bashkëjetojnë brenda një ndërtese, frymëzoi vdekjen në fillim të romanit tim. Një vdekje që do të fiksojë protagonistin e librit.
Vendimi im për ta përshtatur pjesën më të madhe të ngjarjeve në një hotel nuk është origjinal: hotelet kanë qenë sfonde të shumë romaneve gjatë shekullit të fundit. Çdo i ftuar ka një histori. Histori të tjera lindin nga bashkëveprimi i të ftuarve. Romani i vitit 1929 “Grand Hotel” i shkrimtares Vicky Baum (nga ku është bazuar edhe filmi më 1932-in) tregon këtë parim të përsosmërisë. Gjashtë persona ndalojnë në një hotel dhe gjatë pesë ditëve në vazhdim jetët e tyre do të lidhen. Romani i Baum lëviz vazhdimisht mes personazheve, historive dhe vendeve të ndryshme, por gjithçka ndodh në “Grand Hotel”. Stili i tregimit duket sikur nënvizon një mendim të vetëm: mos u ndikoni shumë nga klientët, shumë shpejt do të largohen dhe vendin e tyre do ta zënë disa të tjerë. Sinteza e stilit (që është i gjithi sipërfaqësor), përmbajtja (çdo klient është një personazh tip) dhe përshtatja (bota artificiale e hotelit) e bën këtë roman një klasik të modernizmit. Hotelet na kanë dhuruar shumë histori nga shkrimtarët. Prania e një të ftuari nuk është dhe aq e nevojshme. Mjafton historia e një dhome hoteli dhe e të ftuarve të saj (një President, një gangster, ose aktor). Edhe një objekt i vogël brenda asaj dhome mund të të japë një shtysë.
Gjithsesi, brenda një hoteli ka më shumë se një atmosferë të pasur me histori. Ambienti i hotelit ka shumë për të të ofruar, edhe atëherë kur autori vendos të përqendrohet te personazhet.
Simbol i kapitalizmit
Ideja e hotelit si skenë u ofron shkrimtarëve shumë mundësi dramatike. Të njëjtën gjë tregon edhe recepsionisti në romanin “Hotel Calcutta”, të Sankar, përshtatur në një hotel të vjetër të Kalkutës. “Ky vend duhej të quhej Teatri Shahjahan, në vend të Hotel Shahjahan”. Romani “Hotel Calcutta” i publikuar për herë të parë në vitin 1962 në gjuhën bengale, prej pak kohësh është përkthyer edhe në anglisht, të bën të kuptosh pse shkrimtarët e adhurojnë ti përshtatin romanet e tyre në hotele. Fillimisht dhe mbi të gjitha është një roman “social”, që studion padrejtësitë e shoqërisë përmes varfërisë së shumë nëpunësve (disa kamerierë janë të detyruar të flenë edhe në rrugë), ndërsa korrupsioni është hipokrizi e klientëve të pasur të Shahjahan-it. Asnjë përshtatje tjetër bashkëkohore nuk ofron të njëjtat mundësi për të përzier kaq imtësisht personazhet e pasura dhe të varfra.
Një ndjenjë padrejtësie sociale ushqen edhe “Hotel Savot” (1924) një roman i shkurtër i Joseph Roth. Këtu autori ka preferuar të mos e zbulojë ndarjen mes nëpunësve dhe të ftuarve të hotelit. Është hoteli ai që përfaqëson simbolin e kapitalizmit dhe shfrytëzimit. Në fakt, do të zbulohet që djali i edukuar i ashensorit, një prej punëtorëve më të poshtëruar të stafit, është pronari i vërtetë i hotelit.
Ndryshimet
Hotelet u premtojnë shkrimtarëve mundësi të mëdha dhe mund tu ofrojnë lexuesve disa detaje të shoqërisë nëse nuk do të zbuloheshin këtu, rrezikojnë të mbeten në hije. Tregimtari i “Hotel Calcutta” i kërkon Bose-da, përgjegjësi i recepsionit, se përse pas gjithë asaj që ka parë dhe jetuar në Shahjaha-n nuk shkruan një libër. Ja cila ishte përgjigjja e Bose-da: “E shkruara nuk i ka çuar njerëzit askund, thotë duke parë qiellin. Më kanë thënë se fjala e shkruar ka bërë shumë ndryshime në këtë botë, por unë nuk e besoj. Mendoj se nuk mund të ndryshojë asgjë në këtë botë të verbër, të shurdhët dhe të pandjeshme. Mund të ulërini nga maja e një çatie, mund të shkruani qindra Mahabharat-e, mund ta ndriçoni të keqen me llamba njëmijë vat, por do të jetë e kotë”.
Është e vështirë të mos jesh dakord. Arti nuk bën ndryshime, por nuk mund të ketë ndryshime pa art. Në shoqërinë tonë, e cila është në transformim të shpejtë, hoteli mbetet vendi më i përshtatshëm për të treguar historitë.</p>


Biografia
Monica Ali është një shkrimtare britanike e lindur në Daka, në Bangladesh, në vitin 1967. Ka studiuar në Oksford. Romani i saj i parë, “Brick Lane” u përzgjodh më 2003-in mes pesë finalistëve të çmimit “Booker prize”. Po në të njëjtin vit revista “Granta” e zgjodhi shkrimtaren e re më të mirë britanike. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Londër. Libri i saj i fundit është “In the Kitchen” (2009).(Shqip)</p>
YcSExO7bgOY

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/lifestyle-showbiz-kuriozitete/nje-dhome-per-te-shkruar.html. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/lifestyle-showbiz-kuriozitete/nje-dhome-per-te-shkruar.html
 
Top