Re: Ngushellimet tona per Ibrahim Rugoven.
Lajmi për ndarjen nga jeta e njeriut tuaj të zemrës, mikut tim të dashur dhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka shkaktuar një dhembje të thellë tek të gjithë shqiptarët.
Nga vizita ime në Prishtinë dhe më pas nga vizita e Ibrahimit në Tiranë ruaj kujtime të paharruara, për mençurinë, urtësinë, qytetarinë, miqësinë dhe forcën udhëheqëse dhe imponuese të tij. Që nga shtatori 2005 kur Ibrahimi njoftoi për sëmundjen e rëndë, bashkë me familjen time pareshtur jam lutur për shërimin e tij. Ai nuk u dorëzua asnjëherë, me kurajo dhe vullnet të jashtëzakonshëm përballoi sëmundjen dhe e udhëhoqi Kosovën në rrugën e pavarësisë. Përvoja jetësore më ka mësuar se përballë dhimbjes që shkakton humbja e njeriut të dashur të qëndrohet me kurajo e vullnet, për ta mposhtuar atë, duke respektuar me madhështi kujtimin e njeriut tuaj të dashur, për të cilin ndjehen sot krenar Kosova dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Në këto momente tragjike të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe unë personalisht me gjithë familjen time ndodhemi pranë jush për t’ju ngushulluar dhe dhënë forcë ta përballoni me kurajon njerëzore që meriton, humbjen e njeriut që përveçëse një prind dhe qytetar shembullor, ishte simbol i paqes, mirësisë, mençurisë dhe pavarësisë. Ibrahim Rugova i përket atyre burrave të shquar të shtetit, që me veprën, punën dhe jetën e tij ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Edhe njëherë, në emër të popullit shqiptar, në emrin tim dhe familjes time, ndodhem pranë jush dhe Ju shpreh ngushullimet e mia më të thella".