Ngjela e Rama: Në 20 nëntor, barrikadë njerëzore në Tiranë

Ngjela e Rama: Në 20 nëntor, barrikadë njerëzore në Tiranë

Lideri i PS-së, Edi Rama deklaroi në protestën e Beratit se protestat nuk do të mbarojnë pa fituar të drejtën pë të parë votën.

Me poshte eshte fjala e plote e Rames ne protesten e Beratit:

Sot protesta jonë vijon këtu, në vendin ku u grabit një mandat i yni dhe nuk mbaron pa fituar të drejtën tonë që të shohim votën tonë.

Të dashur miq, qytetarë dhe qytetare të Beratit, që si qytetarë të ndershëm, doni që shteti të jetë i të gjithëve dhe jo shërbëtor i disave. Më lejoni t’ju përsëris edhe në këtë shesh bindjen time:

Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të dalim sot këtu.

Fati i kësaj beteje është në zemrat tona. Fati i kësaj beteje nuk varet nga dëshira apo vullneti i grabitësit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Fati i kësaj beteje varet nga kurajo jonë për të luftuar për lirinë e votës dhe barazinë përpara ligjit. Varet nga vendosmëria jonë përballë çdo lloj presioni dhe padrejtësie që do të na bëhet në këtë rrugë ku ne jemi me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën e ligjit.

Fatin e kësaj beteje nuk e dikton dot një pushtet i korruptuar, që buron nga vjedhja e votës së popullit. Fatin e kësaj beteje do ta diktojw e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli për t’u ngritur në këmbë, kur ligji shkelet me këmbë. E drejta që ka njeriu në demokraci për të kërkuar me forcë lirinë e votës së tij, e drejta që ka sot çdo shqiptar dhe çdo shqiptare për t’u bërë barrikadë përpara pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral.

Prandaj, më lejoni që edhe në emrin tuaj, edhe në emrin e të gjithë socialistëve dhe progresistëve në të gjithë Shqipërinë, t’i përgjigjem atij apeli që bëri këtu edhe avokat Ngjela: Më 20 nëntor në Tiranë, për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral. Në 20 nëntor në Tiranë, për të parë votën tonë, më 20 nëntor më Tiranë për të hapur kutitë e votave tona, më 20 nëntor në Tiranë për ta çliruar votën tonë nga presioni i deformuar i këtij shteti të bërë njësh me pushtetin. Në 20 nëntor në Tiranë, sepse ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse ne shumica e popullit nuk kemi vendosur për të dhe nëqoftëse Sali Berisha do të kërkoj ta mbaj forcërisht mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta përballim Sali Berishën dhe pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovrantitet të popullit.

Ne nuk kërkojmë të përmbysim me dhunë një pushtet të dalë me dhunë nga dhunimi i votës, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojw bashkë me këtë pushtet dhunuesish. Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti një herë e mirë dhe kurrë më të mos përzihet në një betejë elektorale për llogari të pushtetit dhe atyre që janë në pushtet, të cilët në rast se duan të qëndrojnë në pushtet, duhet ta fitojnë këtë betejë me votën e lirë të popullit, ku çdo zgjedhës e zgjedhëse të jenë të barabartë përpara ligjit dhe ku ligji të jetë i njëjtë për të gjithë.

Ne kërkojmë që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm që lidhet me to të hetohet nga Parlamenti, për të mos u përsëritur më kurrë, në radhë të parë duke i hapur kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë. Mospranimi për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke mos i dhënë popullit të drejtën që të shoh se çfarë çka brenda në kuti, është jo vetëm prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do ta mbrojmë me çdo kusht, pra frikë e pa lodhje deri në fund.

Duke ardhur për të folur këtu bashkë me Gramozin, Valin, Pandin, deputetë e deputete të tjerë të Partisë Socialiste, me avokatin, Ndre Legisin, Mustafa Muçin, Skënderin, Paskalin e gjithë të tjerët, dikush më tha: ju lutem mos na tradhëtoni, mos hyni në Parlament. Eshtë një kërkesë që e dëgjojmë kudo, e dëgjojmë përditë, e dëgjojmë në çdo bisedë me këdo që është i interesuar që kësaj maskarade zgjedhore që zgjat prej 20 vjetësh, por në 28 qershor arriti kulmin, t’i jepet fund.

Unë e përsëris përgjigjen time për të gjithë ju që e keni këtë merak: Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në parlament për t’u bërë bashkëfajtorw në mbylljen e syve për të parë të vërtetën e zgjedhjeve dhe të vazhdojmë mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera.

Kush shqetësohet nga mungesa jonë në parlament, duhet ta kuptojw siç e keni kuptuar ju, siç e kuptojnë të gjithë ata që vërtetë janë vërtetë të shqetësuar për fatin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, se ne jemi edhe më të shqetësuar për mungesën tonë në parlament, por boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në parlamentin e ligjit të shkelur, por vetëm beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike.

Ju jeni dëshmitar të një tjetër befasie aspak të pëlqyeshme përpara së cilës Sali Berisha dhe pushteti i tij e kanë vënë çdo shqiptar e shqiptare me marrëveshjen aspak transparente dhe thellësisht shqetësuese për kufijtë detar të Shqipërisë. E pra, e keqja e madhe që i është futur këtij vendi ka të bëjw në radhën më të parë me faktin se ky vend nuk lihet të zgjedhë lirisht as parlamentin as qeverinë e tij.

E keqja e madhe që është futur në çdo qytet, në çdo fshat, në shtëpinë e secilit, duke mos i lënë njerëzit e ndershëm të cilët duan të jetojnë me talentin, me forcën e imagjinatës dhe vullnetit të tyre në rrugë të ndershme, që të jetojnë ashtu siç mund dhe duhet të jetojnë në një vend si ky, që Zoti i ka falur gjithçka që duhet, për të qenë një vend që të mos ketë zili asgjë e askujt, ka të bëj në radhën më të parë me të keqen që lidhet me të drejtën e munguar për të zgjedhur lirisht, dhe sot ka vetëm një arsye që Shqipëria të mos ketë akoma zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve evropiane. Ka vetëm një arsye që Shqipëria të shkojw nga befasia në befasi, nga shpërthimi vrastar në Gërdec tek lëshimi i kufijve në jug, nga humbja ekonomike e përditshme e familjeve shqiptare te pamundësia e të rejave dhe të rinjve për të jetuar me pune të ndershme, nga mungesa e shanseve të barabarta për njerëzit që duan të jetojnë përmes punës së tyre të ndershme te pamundësia për të gjetur një rrugë tjetër përveç arratisjes nga atdheu. Kjo e keqe lidhet me një arsye të vetme: që quhet Sali Berisha.

A e dini pse zgjedhjet kanë dalë jashtë standardeve? A e dini pse kartat e identitetit nuk u bënë në kohë? A e dini pse listat mbetet plot gropa të zeza? A e dini pse kriminelët janë lëshuar rrugëve nga burgjet për t’ju kërcënuar ju që të mos shkoni të votoni për opozitën? A e dini pse arka e shtetit është bërë rrush e kumbulla elektorale? A e dini pse presioni shtetëror mbi zgjedhësit ka arritur kulme, si kurrë më parë? A e dini pse njerëzit e opozitës janë flakur dhe flaken çdo ditë në rrugë nga puna, ashtu siç ndodhë përditë edhe këtu në Berat, me plot gra e burra që sot gjenden të papunë, sepse kanë kontribuar drejtpërdrejt në aktivitetin e opozitës? A e dini pse kutitë janë marrë peng? A e dini pse Shqipëria po bëhet shqetësim për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë? Sepse Sali Berisha pushtetin e popullit e ka vënë në shërbim të interesit ekonomik të Familjes së tij dhe ky interes bie ndesh siç bie ndesh nata me ditën me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse duke kërkuar zgjedhje të lira, në fakt secili kërkon liri për talentin e punën e tij, për të drejta që përmes punës nuk do t’i mohohen askujt. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk negociohen dhe nuk falen. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme u minuan për të ricikluar pushtetin e Familjes që kontrollon qeverinë e Shqipërisë. Për llogari të saj dhe votat tuaja, votat e popullit opozitar, majtas dhe djathtas u grabitën për të ricikluar pushtetin abuziv mbi pronat publike dhe private të shqiptarëve. Pushtetin abuziv mbi arkën e shtetit të vënë në shërbim të pushtetit. Pushtetin abuziv mbi drejtësinë që po bie përditë e më turpshëm në gjunjët e Familjes në pushtet. Pushtetin abuziv mbi mediat që me hir a me pahir janë kthyer nga ana e pushtetit, ndërkohë që i gjithë Bashkimi Evropian është i alarmuar për gjendjen e lire së medias në Shqipëri, për gjendjen e lirisë së informacionit në Shqipëri, për gjendjen e lirisë së fjalës dhe së vërtetës që duhet të depërtojë në këtë mur përditë e më të lartë, që mediat janë vënë për shkak se ndodhen nën presionin e pushtetit të familjes .

Miqtë e mi, votat tuaja, votat e majta e të djathta, votat e popullit opozitar që nuk shkuan për Sali Berishës, por shkuan në shumicë dërrmuese për largimin e Sali Berishës, u grabitën për të vazhduar batërdinë me 1 euro, apo me hiç fare mbi çdo gjë që quhet Shqipëri.

Unë ju jam shumë mirënjohës që ju erdhët të gjithë sot për të manifestuar jo vetëm në emrin tuaj, por edhe atyre që këtu nuk mundën të vijnë, që nuk mundën të vijnë jo vetëm sepse distanca ua bëri të pamundur, por nuk mundën të vijnë edhe sepse janë të rrezikuar, jo më në vendin e punës, por në vendin e shkollës së fëmijëve të tyre. Të rrezikuar në vendin e punës të motrave dhe vëllezërve të tyre. Jo në vendin e tyre në punës, por në vendin e tyre në shoqëri. Ne do t’i japim fund kësaj gjendje të rëndë, që është gjendje e rëndë e demokracisë, e shtetit të së drejtës, por edhe ekonomisë. Për këtë arsye, unë dua t’ju jap të gjithëve ju shprehjen e bindjes time të thellë, se ne e kemi në dorë fatin tonë dhe se ne duhet të marrim në dorë edhe vendin tonë, duke refuzuar të jetojmë në një vend ku nuk dikton ligji, po ku dikton vetëm pushteti i një Familjeje. Për këtë arsye të gjithë bashkë vazhdojmë në këtë rrugë të rezistencës demokratike, dhe jemi të bindur se në këtë rrugë s’ka asnjë forcë që na ndal, s’ka asnjë forcë që na zmbraps, s’ka asnjë forcë që na mund. Dhe mos harroni se ka një arsye të thjeshtë, se pse, se kemi të drejtën e zotit që e ka populli Sovran dhe të drejtën e ligjit që është shkelur me të dyja këmbët për të mbajtur në këmbë një pushtet që ne do ta largojmë.

Ne do të vazhdojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë protestën tonë, për t’u ritakuar më 20 nëntor në Tiranë, në një manifestim të madh, në një manifestim të forcave të popullit sovran kundër pushtetit të atyre që duan të qëndrojnë kundër dëshirës dhe jashtë vullnetit të sovranit ”

Protesta e Partisë Socialiste mbështetur nga partitë e vogla për hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe hapjen e kutive është ndalur në Berat, qyteti i dytë pas TIranës ku kërkohet transparenca e 28 qershorit. Protesta e radhës ka qenë sërish nën moton “Ku është vota ime?”, “Hapni kutitë!.”

Deputeti i PS-së, njëherësh deputeti i Beratit Erion Braçe ka deklaruar në fjalën e tij gjatë protestës në këtë qytet se beteja për votën e lirë do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. “E drejta për votën është e drejtë themelore”- tha Braçe, duke shtuar se Berati është një nga qarqet më të vjedhura në Shqipëri.

Krerët e partive të vogla, të majta e të djathta, mbështetëse të PS-së në këtë protestë kanë deklaruar se hapja e kutive është një e drejtë që nuk mund të mohohet.

Paskal Milo ka deklaruar në fjalën e tij se i duhet dhënë fund njëherë e mirë vjedhjes së votës. “Progres raporti i KE-së nuk shënoi progres për Shqipërinë, sepse standardi më thelbësor ai i zgjedhjeve nuk u përmbush”-tha Milo, duke shtuar se qeveritarët tanë të mbrapshtë me në krye Berishën nuk përqendrohen tek qytetarët, por te vjedhja e manipulimi i votës.

Për një bashkim në një fron të përbashkët është shprehur Spartak Ngjela gjatë kësaj proteste. Sipas tij, është koha të mendohet për solidaritetin kombëtar dhe për mbrojtjen e të drejtës së votës.

Me tone të ashpra ka folur edhe kreu i PDS-së Skënder Gjinushi, i cili ka deklaruar se Berati votoi për largimin e Berishës. “Shërbëtorët e Berishës thonë se mungojnë faktet, kur fakt është që PS-ja ke edhe një mandat tjetër në Berat”- tha ai, duke shtuar më tej se hapja e kutive do të mjaftonte të tregonte maxhorancën e vërtetë.

Kryetari i PS-së së këtij qyteti, Selman Hodaj, më parë ka bërë publike detajet e këtij tubimi.

Sipas kreut aktual të selisë rozë në Berat, kjo protestë do të jetë më e madhja, e zhvilluar ndonjëherë dhe më e motivuara, për faktin që Berati është një nga qytetet ku vjedhja e votës ishte e përmasave të mëdha.

“Qytetarët e Beratit e kanë të qartë se Sali Berisha dhe paterica e tij, Ilir Meta, nuk mund të qeverisin vendin me vota të vjedhura dhe me një pushtet ilegjitim, prandaj është detyrë qytetare, që të protestojmë fuqishëm ndaj kësaj maskarade.

Kjo është dhe arsyeja, që qytetarët e Beratit nesër do të jenë të gjithë në sheshin para Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” për të protestuar paqësisht për votën e vjedhur nga pushteti grabitqar i Sali Berishës,”- tha Hodaj.

Kryetari i PS-së së Beratit njoftoi gjithashtu, se socialistët e këtij qyteti mbështesin qëndrimin e Kryesisë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, për bojkotin ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit.(Shekulli)

4CYkZg5s5qw

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24197. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24197

Top