Ngërçi, PS-PD nisin të lëshojnë pe

Ngërçi, PS-PD nisin të lëshojnë pe

Patozi: Duhet të vazhdojmë reformat. PS: Nuk kërkojmë ndryshim rezultati</p>


Mazhoranca dhe opozita fillojnë të “lëshojnë pe” ndaj njëra-tjetrës sa i takon situatës politike dhe kapërcimit të ngërçit. Pas raportit të OSBE-ODIHR-itm, i cili këshillon subjektet politike që të përmirësojnë Kodin Zgjedhor, palët kanë ulur tonet dhe në parim, me qëndrime në largësi janë dakord për ti bërë ato. Në momentin kur Parlamenti pritet të hyjë në funksionimin e tij normal dhe kur do të nisin diskutimet e nismave ligjore, Partia Demokratike i bëri ftesë PS-së që të kthehet në Kuvend, duke u treguar e gatshme që të fillojnë negociatat, të gjitha këto brenda kuadrit ligjor. Ndërsa Partia Socialiste u përpoq të shpjegonte dje se nuk kërkon që të ndryshojë rezultatin ose pushteti të kalojë në duart e saj, por kërkon vetëm transparencë. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ftoi zyrtarisht Partinë Socialiste të negociojnë për kërkesat e opozitës me qëllim rikthimin e deputetëve të saj në Parlament. Patozi theksoi se selia blu është e gatshme të bashkëpunojë me socialistët dhe kërkesat e tyre me të vetmin kusht që ato të jenë brenda kuadrit ligjor. “Unë jam këtu sot për garantuar dhe siguruar Partinë Socialiste se ftesa jonë për rikthimin e tyre në parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. Ne e duam opozitën në Parlament për të zhvilluar një debat normal politik në sallën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit. Ne duam opozitën në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese për të cilat vendi ka nevojë jetike”, deklaroi Patozi. Ndër të tjera, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës theksoi domosdoshmërinë e trajtimit, bashkë me opozitën të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBE-ODIHR-it, duke kujtuar se kjo ka qenë një praktikë që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral. “Por ndërkohë, ky bashkëpunim është tashmë një traditë e konsoliduar prej vitesh në politikën shqiptare. Nga ana tjetër, ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm, që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, nënvizoi Patozi, ndërsa shprehu keqardhjen që opozita do të mungojë sot në Parlament, ndërsa aty do të diskutohet projektligji për ndryshimin e buxhetit të vitit 2009. Ndërsa deputeti socialist, Damian Gjiknuri, shpjegoi se selia rozë kërkon hetimin e zgjedhjeve përmes një komisioni hetimor, hapjes së kutive, por nuk synon që të ndryshojë rezultatin, pasi ai është përcaktuar tashmë.</p>


Nga ana tjetër, ai u shpreh se edhe PS është e gatshme të kontribuojë në reformën zgjedhore. “Duam të bëjmë me dije se, komisioni nuk do ta zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Politika duhet të kuptojë se nëse do të lipset nevoja për një reformë ligjore për zgjedhjet apo qoftë edhe korrigjim të pjesshëm të praktikës, ajo duhet të fillojë me analizën e procesit që kaluam, përfshirë edhe hetimin parlamentar për shkeljet e pretenduara”, tha Gjiknuri duke vlerësuar se alibia se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ka vendim gjykate, është një përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti. Ndërkohë, sot do të mblidhet sërish Parlamenti i cili pritet të diskutojë për ndryshimin e projektbuxhtetit të vitit 2009.(Shqip)</p>
XP6sRUFrSmo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22914. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22914
 
Top