Ndotja akustike në Tiranë, edhe diplomatët, letra ankese Ramës

Ndotja akustike në Tiranë, edhe diplomatët, letra ankese Ramës

Ankohen në Bashki Ambasadori Kroat Darko Javorski dhe ai rumun Viorel Stanila. “Duam qetësinë që kanë ambasadorët tuaj në vendet tona”

TIRANË- Zhurmat e lokaleve të natës apo edhe të mjeteve të transportit që sjellin aty banorët e orëve të vona kanë detyruar një grup funksionarësh diplomatikë t’i drejtohen për një zgjidhje Bashkisë së Tiranës. Këta funksionarë jetojnë në kompleksin e banesave “Torre Drin” në rrugën Abdi Toptani (pak metra larg Bashkisë së Tiranës). Në letrën që i drejtojnë Z. Edi Rama shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me dy lokalet verore që gjenden në këtë zonë. “Që nga fundi muajit prill e deri tani “The living Room” dhe “Folie Terrace” që gjendet pas Kinema Millenium, luajnë muzikë me volum të lartë deri në orët e para të mëngjesit, duke na lënë pa gjumë”,- shkruhet ne letrën e firmosur nga Darko Javorski, (Ambasadori kroat), Viorel Stanila, (Ambasadori rumun), Raffaella Valentini, (sekretarja e parë e Ambasadës Italiane), Clare Sears, (atashe kulturor në Ambasadën Britanike), Luigi Fabri, (administratori i Torre Drini), Geront Selenica dhe Besnik Sulaj (banorë), dhe Znj. Simpson (UNDP) si dhe Noorimasa Shimomura (UNDP).
Here në mënyre individuale e herë të përfaqësuar nga Administrata e godinës ku jetojnë, këta banorë i janë drejtuar disa here Bashkisë dhe Policisë së Shtetit por situata vazhdon të mbetet e njëjta. Madje në letër shkruhet se “Disa prej këtyre ankesave policia i është përgjigjur se diskotekat e përmendura kanë leje nga Bashkia për të luajtur muzikë në orët e vona”. Ndërkohë nga bashkia thuhet se asnjë lokal në Tiranë nuk ka leje për të qëndruar hapur gjatë natës.
Diplomatët e huaj me delikatesë i sugjerojë Bashkisë që te gjejë një mënyrë për të zgjidhur situatën. “Pa dashur të ndërhyjmë në procedurat tuaja administrative apo në biznesin e këtyre lokaleve, me mirësjellje do t’ju kërkonim të rishikonit situatën”,- shkruhet në letër. Me tej shpjegojnë se muzika në apartamentet e tyre dëgjohet më tepër për shkak të altoparlantëve që lokalet kanë vendosur në ambientet e tyre. Ato e përforcojnë edhe më shumë volumin, që i tejkalon disa here kufijtë e normales. Nëpërmjet kësaj letre/ankesë ftojnë zyrtarë bashkiakë që të vërtetojnë fjalët e tyre duke matur nivelin e zhurmës gjatë natës në këtë zonë. Madje në katet e larta ku banojnë ata, muzika amplifikohet dhe iu vjen më e fortë në formë jehone.
Por përpjekja e banorëve për të zgjidhur problemin nuk mbyllet me kaq. Duke qenë se ne vendin tonë janë mysafirë ata shkruajnë se Tiranën e konsiderojnë si shtëpinë e tyre dhe do të donin që të paktën këtu të kishin kushtet minimale të jetesës. “Si mysafirë zyrtarë në vendin tuaj, disa prej nesh do të dëshironin të kishim të njëjtën qetësi që ambasadorët shqiptarë kanë në vendet tona”,- mbyllet letra e depozituar në Bashki.
Y.Lezo

Koço Naso
“Jemi bërë gati të ndërrojmë shtëpi”

Koço Naso është një nga banorët e zonës përreth lokalit “Steelwings”, një vend i njohur edhe për frekuentimin e “motoristëve”. Ai pohon se jeta në këtë zonë të bllokut është bërë e padurueshme dhe shumë nga banorët janë bërë gati të ndërrojnë vend.
Z. Naso, ju jetoni në zonë ku ka disa lokale nate. A ju shqetëson muzika e tyre?
Kanë ndërruar edhe marmitat e motorëve, kanë nga ato që bëjnë zhurmë. Po pate fëmijë të vogël në shtëpi i pushoi zemra nga zhurma. I ndezin motorët dhe lëshojnë gazin në maksimum. Sa fillon mbrëmja e deri në orët e para të mëngjesit krijohet një situatë e padurueshme. Sikur të bëhej një monitorim me kamera do të ishte më mirë. Mblidhen jo më pak se 30 motorë nga ata të mëdhenjtë dhe nuk kanë të reshtur nga zhurma. Këtu bëhet nami, shumë prej banorëve u është mërzitur shtëpia dhe duan të ikin nga kjo lagje.
Jeni ankuar në Policinë e Rendit apo në atë Bashkiake?
Të them të drejtën për shkaqe të ndryshme unë nuk jam ankuar por një pjesë e mirë e fqinjëve të mi i janë drejtuar policisë duke marrë në telefon apo edhe me letra.
Këto lloj lokalesh ekzistojnë në çdo vend, por janë në zona ta pabanuara, në periferi e jo në mes të pallateve dhe zonave të banuara. Nuk di se si lejohen që të shqetësojnë të tjerët në këtë mënyrë.

Luan Dallxhiu
“Zhurmat? Tashmë na ka ikur gjumi”

Luan Dallxhiu banon në një prej rrugicave të bllokut ku ndodhen disa lokale që mbajnë zërin e lartë. Ai shpjegon se në shtëpinë e tij mund të flihet gjumë vetëm në disa orare të caktuara, kur kanë baruar zhurmat e lokaleve të natës. Edhe pse janë interesuar në polici, përgjigjja që kanë marrë banorët e kësaj zone është se duhet që të bëjnë një peticion në bashki dhe ndoshta mund t’ iu vijë një zgjidhje.
Zoti Dallxhiu, jeni i shqetësuar nga zhurmat që shkaktohen në këtë zonë?
Po si të mos jesh, kur shumica e këtyre lokaleve që kemi pranë shtëpisë (për të mos thënë ngjitur) e mbajnë çdo natë muzikën me volum të lartë sa nuk flemë dot gjumë. Fillon muzika që nga ora 20.00 e mbrëmjes deri në 04:00 të mëngjesit, na çmenden. Këtu në këtë zonë ka shumë familjarë që duan të çlodhen në shtëpitë e tyre.
Si ia bëni me gjumin?
Unë fle në 01.00 dhe ngrihem në 04.00, tre orë gjumë ose përpiqem të fle ditën. Që kur kanë filluar këto lokalet përreth na ka ikur edhe gjumi tashme. Presim të mbarojnë ata qejfin njëherë. Nuk di se si do zgjidhet kjo punë.
Jeni ankuar diku?
Kemi marrë policinë e rendit dhe atë bashkiake por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Madje na sugjerojnë që kjo çështje mund të zgjidhet duke bërë një peticion në Bashki.
Një natë rreth orës 00.30 ka ardhur një furgon i policisë bashkiake për këtë punë. Muzika u ndal për pak dhe filloi përsëri. Nuk besoj të bëjnë gjë as Policia Bashkiake dhe as Policia e Shtetit pasi në momentin që vijnë, kam parë që pronarët e lokaleve i marrin brenda dhe i qerasin.
Zakonisht ka çdo natë muzikë të lartë apo vetëm ne ditë të caktuara të javës?
Thuajse çdo natë. Por më shumë zhurmë ka nga dita e mërkurë deri të shtunën.

Rrëfimi i njërit prej banorëve të rrugës Vaso Pasha ku zhurmat e motorëve e kanë kthyer vendin të pabanueshëm
“Ministrat marrin pjesë në festat e zhurmshme”

Vangjel Nako banon në rrugën pranë lokalit “Steelëings” dhe zhurmat janë kthyer në një stres të vërtetë për familjen e tij. Ai dhe banorët e lagjes kanë menduar që të ankohen por nuk kanë se ku pasi edhe pushtetarët marrin pjesë në festa të ndryshme që organizohen aty. Pak kohë më parë ishte ministri i Kulturës, Ardian Turku dhe homologu i tij kosovar që ndodheshin në atë festë dhe përshëndesnin motoristët.
Zoti Vangjel jeni i shqetësuar nga zhurmat e lokaleve e të natës?
E kam shtëpinë pranë një lokali të tillë këtu në rrugën “Vaso Pasha”. Zakonisht ka zhurma që shkaktohen ose nga muzika e lartë e lokalit ose nga motorët.
Si e përballoni këtë situatë?
Po ç’të bëjmë, më këto kushte jemi të detyruar të përshtatemi.
Jeni ankuar diku për këtë problem?
Unë jo, po janë ankuar shumë banorë nga lagjja. Madje flitet se do të bëhet një peticion dhe do t’i dërgohet bashkisë. Po s’ke edhe kujt t’i ankohesh. Mbaj mend një natë, rreth dy a tri javë më parë, ishte një festë e këtyre grupeve që kanë motorë. U mblodhën këtu tek rruga, duke bërë shumë zhurmë. Madje aty ishin edhe ish-ministri ynë i Kulturës, Ardian Turku, bashkë me Ministrin e apo zëvendës ministrin e i kulturës së Kosovës. Erdhi policia dhe ata (motoristët) filluan të tallen me policinë. Madje e kam dëgjuar edhe nga brenda shtëpisë kur thërrisnin me altoparlant, “Tani do të përshëndesë ministri Kulturës i Shqipërisë” apo “E ka radhën ministri i Kulturës së Kosovës për të na përshëndetur”

Frederik Hadëri pohon se banorët janë duke përgatitur një peticion ku kërkojnë që t’i jepet një zgjidhje këtij problemi
“I kam dërguar e-maile Ramës por pa përgjigje”

Frederik Hadëri është një nga qytetarët që e vuan zhurmën e lartë që shkaktojnë lokalet e natës. Ai e ka shtëpinë tek rruga “Vaso Pasha”, pikërisht një kat më lart lokalit të quajtur “Steel Ëings”. Përveç muzikës së lartë familja Hadëri duhet të përballet edhe me zhurmën e motorëve të klientëve të këtij lokalit. Frederiku thotë se ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake por situata vazhdon të jetë e njëjtë. Nisur nga kjo eksperiencë ai rrëfen se i ka humbur besimi në institucionet qendrore apo ato lokale duke shpresuar vetëm tek sensibilizimi i qytetarëve të Tiranës që të gjithë së bashku t’i japin fund këtij stresi të përditshëm. Ai i kërkon të gjithë “bashkëvuajtësve” të tij që të mos tregohen indiferentë ndaj kësaj çështjeje por të organizohen për një zgjidhje të përhershme të saj.
Zoti Frederik jeni i shqetësuar nga zhurmat e lokaleve të natës ?
Poshtë shtëpisë kam një lokal i cili po ma vështirëson jetesën sa jam detyruar të marr një shtëpi tjetër me qira për të banuar. I mbaj të dyja shtëpitë dhe këtu vij herë pas here. Kam gjashtë vite me këtë histori. Më parë aty ka pasur një biznes tjetër i cili gjithashtu shkaktonte zhurma të shumta. Tashmë që është bërë ai lokali nuk mund të jetohet më aty. Jo më larg se pardje, rreth orës 03.00-04.00 të mëngjesit kishin ngritur volumin e muzikës edhe pse në lokal nuk kishte mbetur njeri tjetër përveç kamerierëve. Pastaj filluan të ngulin gozhdë, duke na zgjuar sërish nga gjumi. Nënën e kam të sëmurë, për shkak edhe të moshës ka probleme me të fjeturin imagjino që edhe ta zgjojnë sapo e zë gjumi.
Jeni ankuar për problemin tuaj në bashki, polici apo diku tjetër?
Vazhdimisht. Hera e fundit ka qenë jo më larg se parmbrëmë. I kam dërguar e-mail edhe Kryetarit të Bashkisë, zotit Edi Rama, por deri tani nuk ka një masë konkrete për zgjidhjen e problemit. Më parë jam ankuar edhe te Policia e rendit kurse tani tek ajo bashkiake. Vazhdimisht kam vënë në dijeni ish-nënkryetarin e bashkisë, Eduard Shalsin. Ka pasur raste edhe që i kam çuar mesazh në telefon në orën 24.00 të mbrëmjes dhe policia bashkiake ka ardhur e ka ndaluar muzikën për një periudhë shumë të shkurtër. Menjëherë pas ikjes së tyre ka vazhduar sërish.
Ka pasur raste kur kam kërkuar ndërhyrjen e Policisë Bashkiake dhe nuk ka ardhur njeri.
Po me pronarët a jeni përpjekur të bisedoni?
Kam folur me pronarin e lokalit, por ai e ka dhënë me qira dhe aktivitetin e zhvillon dikush tjetër. Ai më kërkoi falje për shqetësimin mendova se u zgjidh kjo punë por, dy ditë më pas vazhdoi e njëjta situatë.
Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
Brenda pak ditësh mendojmë t’i dërgojmë një peticion të firmosur nga banorë të lagjes Bashkisë. Më shumë se tek institucionet e shtetit apo tek bashkia kam besim tek një lëvizje qytetare. Do të ishte më mirë që qytetarët e Tiranës të sensibilizoheshin për këtë problem dhe të kërkonin një zgjidhje përfundimtare të tij. Kjo çështje duhet të zgjidhet nga ata persona që e kanë mbi kurriz.
E.Senja

Banorët:
“Zhurmat e natës po na torturojnë”

Një herë e një kohë të ishe banor i Bllokut ishte një privilegj por tashmë është kthyer në një stres zhurmash. Banorë të ndryshëm të kontaktuar nga “Shekulli” pohojnë se jeta e tyre është bërë e pamundur për shkak të zhurmave të shumta gjatë natës dhe ditës. “Zhurmat po na stresojnë deri në çmenduri. Nuk mund t’i durojmë, se jemi të moshuar dhe të sëmurë”,- pohon banorja e ish-zonës së Bllokut, Afroviti Ropi. “Jetojmë në një trysni zhurmash të vazhdueshme. Nuk na lënë të flemë gjithë natën. Jemi të moshuar dhe kjo situatë është e padurueshme për ne”
Stresi i tyre më i madh është nata. “Këtu nuk zbatohet asnjë limit. Dëgjojmë muzikë me zë të lartë deri në orën 4 të mëngjesit. Edhe dita është e zhurmshme, kështu që prej vitesh nuk kemi kaluar asnjë natë të qetë në shtëpitë tona,”- pohon e moshuara Olimbia Kodra, banore e ish-zonës së Bllokut. Ndërsa bashkëshorti i saj, Kostandin Kodra, pohoi se vitet e fundit ka filluar t’i humbasë dëgjimi, ndaj e ndien veten më me “fat” se banorët e tjerë, sepse e përballon më shumë torturën e shkaktuar nga zhurmat. “Jam me aparat në vesh, siç e shikon, dhe e vendos sa herë dua të dëgjoj dikë kur flet. Në të kundërt e heq dhe nuk dëgjoj atë zhurmë të padurueshme që mbizotëron në zonën tonë”,- pohon ai.(Shekulli)

i9FtZ33SCKQ

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22902. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22902

Top