Re: Ndihme
Intervistë ekskluzive e kryeministrit Fatos Nano me kryeredaktorin e
gazetës
"TemA" Mero Baze
Unë, Berisha dhe të tjerë....
Për herë të parë Fatos Nano tregon raportet e tij me aktorët kryesorë të politikës shqiptare. Pse bashkëpunoi me Berishën dhe si i besoi atij. A
ishte e ndershme lufta kundër Fatos Klosit, apo ishte e motivuar nga raportet delikate me gruan e tij Xhoana? Cili është realisht pushteti i
kësaj të fundit në parti dhe qeverisje? Cilat janë raportet e tij me kundërshtarët politikë në PS dhe si do të jetë e ardhmja e tyre.
Raportet delikate me ambasadorët amerikanë dhe qëndrimet ndaj Limprehtit dhe Xhefrit.
Si janë sot marrëdhëniet me SHBA dhe a ka konflikt në qëndrimet BE, SHBA ndaj Shqipërisë. Si ka ndikuar vizita e Nanos në Kosovë dhe në trazirat atje. A do të ketë shanse për një marrëveshje të re Nano - Berisha?
Mero Baze
Për herë të fundit të kam intervistuar në burg. Kam idenë që ke qenë më i lirë ...?
Sigurisht, të paktën në një kuptim figurativ. E kam pohuar edhe në takime të tjera publike "robërinë" që të jep detyra. Aso kohe vërtet nuk kam qenë i lirë fizikisht, por kam qenë plotësisht i lirë në shpirt dhe në mendje.
Kjo nuk do të thotë se tash nuk e ruaj atë liri, vetëm duke qenë kryeministër, unë nuk jam i lejuar të jem po aq "i lirë" në veprimet dhe vendimet e mia, pasi kryeministri vepron mbi bazën e një sërë ligjesh, normash dhe
detyrimesh, të cilat e kufizojnë lirinë, edhe në krahasim me cilindo politikan tjetër, kryetar partie, deputet a shefi opozite...
Mst. Nuk i izoloj kundërshtarët e mi
Atëhere kundërshtarët i munde duke qenë i izoluar, tani i munde duke u përpjekur t'i izoloje?
Pa kundërshtarë nuk mund të ketë një jetë politikë normale demokratike.
Në kushtet e kësaj hapësire demokratike, detyra e politikanit është të konkurrojë dhe të fitojë. Sjellja ime politike nuk jep asnjë shembull
izolimi politik të kundërshtarit, përkundrazi, i kam mundur duke i lënë të lirë. Në Shqipëri, veçanërisht në jetën tonë politike, asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë demokraci dhe hapësira. Në politikë nuk mund të të izolojnë të tjerët, në politikë izolohesh vetvetiu nëse nuk je në gjendje të sigurosh mbështetjen e duhur në një parti apo në elektorat. Detyra ime, aq më
shumë mbetet zgjerimi i këtyre hapësirave dhe i kësaj mbështetjeje jo për mua personalisht, por për opsionet politike që unë kam së bashku me partinë që drejtoj. Dhe e kam arritur këtë gjë.
Kur u bëre kryeministër në vitin 2002 ishe kabineti më i mbështetur në vend, tani bilanci është nga e kundërta. Pse nuk arrite të ruaje mbështetjen?
Mua më rezulton e kundërta e bilancit tuaj. Lufta kundër korrupsionit dhe informalitetit, qeverisja jonë e gjatë, lufta e brendshme politike,
sigurisht që kanë krijuar kostot e veta, por qeveria vazhdon të gëzojë mbështetjen e plotë të nevojshme si në parti ashtu edhe në koalicionin
parlamentar. Në popull gjithashtu, siç e tregojnë jo vetëm zgjedhjet e fundit vendore. Ndërsa përsa u përket sulmeve që më bëhen, unë i konsideroj
më së shumti si provë e funksionimit të demokracisë, çka nga ana tjetër, përbën një provë të pakundërshtueshme të nivelit të lirive të shoqërisë që mbrohen me ligj sipas standardeve europiane. Sigurisht unë jam në gjendje të
bëj një analizë tërësisht racionale, të ndarë nga spekullimi, i cili është në modë te kundërshtarët e mi.
Gjatë kohës që opozita të mbështeste arrite të bëje reforma vetëm në SHISH.
Ishte motiv personal për atë që SHISH përhapi për gruan tuaj, apo e ndieje realisht që SHISH kishte nevojë për ndryshime?
Unë asnjëherë nuk kam vepruar si politikan dhe qeveritar mbi bazën e ndonjë interesi personal, pasi kurrë nuk e kam konsideruar qeverinë si kioskë timen, sidomos kur bëhet fjalë për të ndërmarrë reforma. Përsa i përket çka më thua se paska përhapur SHISH për gruan time, nuk më rezulton nga informacione zyrtare. Ky është një argument i fortë për reformën dhe ndryshimet themelore që u ndërmorën në SHISH.
Përsa u përket reformave, - kujtoj se nuk është kryer vetëm reforma në SHISH, por edhe shumë të tjera, ndërsa akoma më shumë janë në proces.
Ato janë pjesë e axhendës sonë integruese në strukturat euroatlantike dhe burojnë nga domosdoshmëria e zhvillimit të vendit.
Dyshuat ndonjëherë realisht se Fatos Klosi kishte bërë një dosje për gruan tuaj?
Dyshimi është pjesë e natyrës njerëzore, por gruan time nuk e njeh asnjë Fatos tjetër përveç meje.
Meqë jemi tek familja e juaj, ka zëra që thonë se gruaja e juaj ka pushtet të fortë mbi ato që ju bëni në krye të qeverisë dhe sidomos në politikën e kuadrit. Sa i pranoni këto zëra?
Më kishte marë malli për togfjalëshin "politikë e kuadrit" të cilin nuk e kisha dëgjuar qysh nga koha e Salës, jo thjesht e Berishës. Me sa duket
e kaluara mbijeton jo vetëm në filmat e socrealizmit. Për sa thua, i kam parë këto pretendime në shtyp. Më duken qesharake. Ne kemi një vendimarrje të standardizuar emërimesh sipas ligjit dhe fryma e konkurrimit të hapur që nga
koha që unë jam kryeministër, ka mbërritur deri në nivele drejtorësh të përgjithshëm shumë të rëndësishëm. Në këtë vendimarrje emërimesh, edhe
unë kam pak mundësi të kem akses. Aq më pak gruaja ime. Megjithatë më kujtoni t'ju kujtoj se ne, Nanot, jemi shumë konkurrues.
Mst: Në raportet me shtypin përdor të gjitha shqisat
Jeni bërë i ashpër me shtypin. Padisni gazetarë dhe kërcënoni botues. Pse jeni bërë kaq nervoz?
S'e kam këtë përshtypje. Përkundrazi, në marrëdhëniet e mia me shtypin, përdor të gjitha shqisat, por jo nervat. Jam unë i ashpër me shtypin, apo shtypi me mua? Besoj se e kuptoni pse ndodh kjo e dyta, sepse i kam hapur të
gjitha dyert për mediat, pa mbyllur brenda për vete asnjërën prej tyre.
Përsa i përket padisë në gjykatë, unë e vlerësoj si një akt të përgjegjshëm qytetar. Gjykata nuk është për të dënuar njerëzit, por për të dhënë
drejtësi dhe edukatë ligjore edhe për njerëzit që punojnë në shtyp.
Keni qëndrime të ndryshme ndaj shtypit. Fjala vjen një gazetë ju ka akuzuar se keni shtypur një njeri, ose ka hedhur dyshime mbi lidhjet e tua me
zonjën Xhoana, por nuk e keni paditur. Mua më keni paditur thjesht se kam krahasuar burgun tuaj me atë të kohës së komunizmit. Pse nuk guxoni ta padisni gazetën që ju ka akuzuar për vrasje. Keni frikë nga hetimi për Shkallnurin?
Sigurisht që nuk kam frikë nga asnjë lloj hetimi. Këtë e kam thënë shumë herë. Pata rast ta përsëris edhe para disa ditësh. Përsa u përket
marrëdhënieve me ju, kam përshtypjen se po e shtrembëroni të vërtetën, kuptohet, jo pa qëllim. Ju nuk krahasonit burgun tim me atë të kohës së
komunizmit, sepse kjo do të ishte tërësisht e vërtetë, sa kohë që burgosja ime ishte politike. Për të tjera gjëra i jam drejtuar gjykatës, e cila, siç e thashë, jep drejtësi dhe edukatë ligjore.
Pse e penguat Komisionin Hetimor për këtë çështje?
Saktësoj se nuk e pengova unë, por parlamenti dhe ligjet në fuqi. Në lidhje me komisionet hetimore gjithashtu jam shprehur mëse një herë. Nëse
parlamenti do të ngrinte komisione hetimore për ngjarje të veçanta të pretenduara, atëhere nuk do të kishte pse të ekzistonte as policia gjyqësore, as prokuroria, as gjykatat. Ligji në lidhje me këta lloj komisionesh është i qartë.
Për "çështjen" në fjalë prokuroria ka hetuar dhe ka arritur në përfundime të ndryshme nga ato që pretendohen.
Gazeta që unë drejtoj ju ka mbështetur fort në periudhën që filluat lëvizjen për katarsis, por bilanci pas dy vjetësh është negativ. Nuk keni
mbajtur premtimet për ministrat e korruptuar, nuk keni mbajtur premtimet për shtypin e komprometuar dhe mbi të gjitha nuk keni ndryshuar stilin e
qeverisjes. Po përdorni përsëri dosjet e korrupsionit për të mbajtur një shumë numerike
votash të nevojshme për të mos u rrëzuar. Nuk kishit rrugëzgjidhje tjetër?
Faleminderit që më paskeni mbështetur në atë kohë. Mendoj se nëse kjo mbështetje do të ishte mbi kritere të interesit për të luftuar korrupsionin, dhe jo për interesa politike që janë evidente në gazetën tuaj, ju duhet ta
vazhdoni këtë mbështetje, pasi qeveria që unë drejtoj e ka prioritet luftën kundër korrupsionit, informalitetit, trafiqeve dhe krimit të organizuar. Kjo luftë, e filluar atëhere në parametrat e politikës, tashmë është
përthyer në ato të ekzekutivit. Nga politika në ekzekutiv gjërat ndryshojnë. Një kryeministër nuk mund të sillet si një kryetar partie, e aq më pak si lider i çfarëdo lëvizjeje politike, por si shef i ekzekutivit, i cili u bindet vetëm ligjeve që ka për detyrë t'i përsosë dhe t'i sjellë në standarde perëndimore, edhe në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qoftë edhe kundër metastazave të këtyre fenomeneve të shtrira në media të ndryshme. Asnjëherë, as edhe tani, nuk kam përdorur
teknologjinë berishiane të "kapjes së bishtit me portë", pra me dosje korrupsioni, për të
vënë nën kontroll cilindoqoftë.
Përsa i përket stilit të qeverisjes ju siguroj se e keni gabim. Ju ftoj të thelloheni seriozisht në këtë pikë që të jeni më i përgatitur kur të
takohemi prapë.
Mst. Ftesa për Pollon ka qenë e sinqertë
Në negociatat e fundit për kabinetin tuaj keni biseduar me zotin Pollo. Ishin bisedime realiste apo deshët t'u bënit presion aleatëve?
Jo. Ftesa ime ka qenë e sinqertë.
Nëse ishin realiste pse nuk e futët në kabinet?
Për t'u realizuar një marrëveshje ka shumë kushte. Me sa duket nuk kemi qenë në një mendje për të gjitha.
U acaruat me opozitën sidomos kur tentuat të blenit deputetët e saj. Nuk ishte guxim i tepruar përdorimi i Ballit apo Legalitetit në ndihmë të
partisë që "krenohet" me partizanët?
Për hir të së vërtetës opozita më "acaron" shpesh, jo me qëndrimet që mban ndaj meje, por me papërgjegjshmërinë dhe sjelljen aspak serioze ndaj proceseve të reformave integruese. Shumë veta në të besojnë se po të mbajnë të bllokuar parlamentin, po të bëjnë sherre të pafund, do ta kenë më të lehtë të vijnë në pushtet. Ata ende nuk janë ndërgjegjësuar për detyrat dhe përgjegjësitë e opozitës në një vend demokratik. Përsa i përket asaj që thoni për blerje deputetësh, bij partizanësh apo ballistësh, më duken histori librash mediokër.
Mst: E kam besuar Sali Berishën
Të kthehemi tek Berisha. E besuat ndonjëherë atë?
Po. Unë e kam edhe këtë cilësi njerëzore, besoj tek njerëzit.
Çfarë mendoje kur ishe në paqe me të? Si e përfytyroje fundin apo vazhdimin e Marrëveshjes?
Mendoja, dhe jam ende i bindur për këtë, se marrëveshja do të sillte një ritëm tjetër të reformave tona integruese. Unë asnjëherë nuk e
konceptova këtë marrëveshje si shuarje të luftës politike, por si një provë të pjekurisë së klasës sonë politike dhe të përgjegjësisë së saj për
përshpejtimin e ndryshimeve. Për gjashtë muaj Berisha, për fat të keq mbështetës i një grupi interesash të së shkuarës tradicionale, i paaftë
për një konkurrencë të civilizuar opsionesh, që nuk e kupton dot politikën pa sharje, burgje, hakmarrje dhe përfaqësues i një politike thellësisht kanunore, nuk u "ndie mirë" brenda saj dhe e prishi atë. "Sebep" u bënë zgjedhjet e parakohshme në një zonë të Elbasanit. Duke qenë thellësisht emocional dhe duke mos zotëruar një aparat të menduari normal, Berisha kishte kujtuar se marrëveshja mund të shërbente edhe për t'u tallur me votat e qytetarëve, dmth, ne të dy të vendosnim edhe për deputetët, duke shkatërruar kështu bazën e demokracisë së një vendi. Unë sigurisht nuk mund ta pranoja këtë gjë.
Zgjedhjet e fundit treguan se ti investove personalisht mbi një grup të ri njerëzish brenda PS. Kandidati i Durrësit, Shkodrës dhe ndonjë tjetër ishin modele të njëjta, biznesmenë që i kishe afruar personalisht ti. Nuk ke frikë
që nesër ata shkojnë tek pushteti dhe jo tek partia?
Ky nuk është një model i krijuar nga unë. Kujtoj se shumë parti, madje edhe PD, bëri të njëjtën gjë. Kjo vjen sepse tashmë sipërmarrësitshqiptarë
janë një realitet që duhet respektuar. Përsa i përket pyetjes suaj më duket pa sens: ata u zgjodhën pikërisht për këtë gjë: për të qeverisur. Nga ana tjetër, dyert e Partisë Socialiste janë të hapura për kontributin e të
gjithëve.
Mst: Nuk kam bërë kompromis me opozitën kundër Edi Ramës
U duk se i hape rrugë në distancë degradimit të rizgjedhjes së Edi Ramës në krye të Bashkisë dhe përpjekjeve të tij për të kandiduar në Kongres. Si i përjeton zërat që ai është rivali yt i ardhshëm?
Mendoj se jeni autosugjestionuar nga intrigat e medias dhe të një pjese të politikës. Ai kandidoi në Kongres. Ai foli hapur në kongres, nuk fitoi
dhe prapë ka mbështetjen time si kryetar i bashkisë së Kryeqytetit. Përsa i përket rivalizimit me mua, ai nuk është as i pari as i fundit. Kjo është Partia Socialiste: një parti demokratike e konkurrimit të lirë dhe të
hapur.
Asnjëherë nuk do të bëhemi si partia e Berishës. A nuk ju bën përshtypje se askush nuk mund të quajë Partinë Socialiste të Shqipërisë "Parti e
Nanos", kurse me PD kjo ndodh normalisht, ajo quhet vetëm "Parti e Berishës", sepse realisht ajo është e tillë.
Mst: Me Ilir Metën do të sillem si me një ish
Ç'do të bësh me Ilir Metën? Ai vazhdon të sillet si ish kryeministër...
Ç'kisha për të bërë e kam bërë me Ilir Metën. Se si sillet ai, ky është problemi i tij, por në fakt ai një ish kryeministër është. Nëse ai di
t'i përdorë hapësirat e lirisë që ne kemi krijuar në partinë tonë, apo i shpërdoron ato, po ashtu është problemi i tij.
Do t'i rikandidosh mbështetësit e tij?
Për këtë nuk vendos Fatos Nano, por strukturat përkatëse të partisë dhe zgjedhësit e saj. Jo vetëm në statut, por edhe në 13 vjet jetë politike unë nuk kam pasur asnjë të drejtë ekskluzive në PSSH, përveç autoritetit të
fituar me votën e lirë. Edhe ky është një ndryshim i madh i yni nga partia e Berishës.
Raporti i fundit i BE, thekson qartë kushtin për zgjedhje të lira në vend çka kuptohet se nuk do të mbyllen bisedimet para zgjedhjeve të reja.
Ndieni përgjegjësi për këtë?
Kam bindjen se me një analizë të thjeshtë, referuar edhe deklarimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, zgjedhjet u hoqën zvarrë në raunde të pafund dhe me pretendime që synonin të zbusnin shijen e humbjes nga opozita. Ajo duhet
të ndihet përgjegjëse për çka ndodhi. E kam thënë disa herë: në Europë nuk do të shkojë vetëm qeveria, as vetëm koalicioni për integrim: në Europë do të shkojmë të gjithë së bashku, përfshirë edhe opozitën, sidomos atë opozitë
që humbet zgjedhjet dhe pranon rezultatin. Ky është gjithashtu një standard i BE që kushtëzon marrëveshjen me të.
Mst: Nuk më shqetëson lëvizja "Nano Ik"
E pranojnë të gjitha palët se "Nano Ik", (siç ka thënë dhe ambasadori Jeffrey), testoi mungesën e popullaritetit të qeverisë. U shqetësove?
Jo. E vlerësova dhe vazhdoj ta vlerësoj si një provë tjetër të keqkuptimit të opozitës për demokracinë dhe të mosrespektimit të saj për shtetin ligjor.
Ndërsa unë pata rastin të vlerësoj të kundërtën: që popullariteti i qeverisë, pavarësisht keqpërdorimit të peshës së reformave, vazhdon të
jetë i lartë. Demokraci serioze si SHBA-të kanë shumë instrumenta për të matur popullaritetin e cilitdo. Ndershmërisht dhe ju duhet ta pranoni,
ambasadori Jeffrey nuk ka sjellë asnjë shqetësim në Shqipëri, ca më pak për mua.
U duk qartë se deshe të fryje së tepërmi pjesëmarrjen në një ceremoni për nder të zgjerimit të NATO-s në Shtëpinë e Bardhë? Mendon se të ka ndihmuar vërtet në aspektin politik?
Pjesëmarrjen në këtë ceremoni unë e konsideroj shumë të rëndësishme dhe një çertifikim të progresit që ka bërë vendi im, Shqipëria. Fryrja apo keqpërdorimi janë spekullime mediatike. Mendoj se ishte e pafalshme që pak media e vlerësuan faktin që flamuri ynë kombëtar u ngrit në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, sfumuan rezolutën e Kongresit Amerikan për anëtarësimin
e tre vendeve tona në NATO dhe u morën me investigime të nivelit të një klubi fshati lidhur me ekzistencën e një fotografie. Por ky është
problemi i tyre. Nëse dikush tjetër mpaket nga xhelozia primitive, kjo nuk do të thotë se jam fryrë unë.
E kuptoj ndryshimin tuaj nga një lider tradicionalist i të majtës së vjetër
antiperëndimore në një lider socialist properëndimor. Po partia juaj a u ndjek dot pas? Ka shumë mllef dhe dyshime brenda saj për Perëndimin...
Nuk më rezulton fare kështu. Unë e njoh mirë partinë time dhe deklaroj se e gjithë masa e anëtarësisë së saj, në të kundërt të paragjykimit tuaj, ka veneracion për Perëndimin. Më besoni se kjo është ndjenjë xhenuine e socialistëve, dhe jo false si në parti të tjera, sepse Partia
Socialiste është parti e progresit.
Po tentoni të luftoni opozitën, mes të tjerash duke përdorur argumenta fetare. Po flisni për kundërshtarë fondamentalistë? Jua kanë rekomanduar këtë lloj lufte, apo e shihni vërtet si rrezik?
Kam përshtypjen se jeni shumë i ndjeshëm dhe keni një koncept të mangët për kuptimin e fjalës fondamentalist, të cilën asnjëherë nuk e kam përdorur për opozitën, por për liderin e saj. Fjala fondamentalist nuk lidhet vetëm me
fenë... Pak më sipër përmenda disa nga cilësitë e Berishës. Në atë kuptim të gjerë, pra jo vetëm në atë fetar, ai mbetet një fondamentalist.
Keni pasë probleme me ish ambasadorin amerikan Limpreht, për shkak të mbështetjes që ai kishte për kryeministrin Meta. Disa herë jeni bërë
nervoz me të. I kujtoni këto momente kur përdoni vend e pa vend ambasadorin Jeffrey?
Ju kujtoni se marrëdhëniet mes shteteve janë ekskluzivitet i ambasadorëve?
Ky është vetëm gjykim kafenesh. Për të ndjerin Limpreht ruaj të njëjtin respekt, si edhe për ambasadorin Jeffrey, të cilit përfitoj nga rasti
t'i përsëris urimin tim për një shërbim të suksesshëm në detyrën e lartë që iu besua.
Po krijoni idenë sidomos pas raportit të fundit, se Brukseli ju sulmon se shkoni mirë me Uashingtonin. E besoni vërtet këtë?
Këtë ide futuriste e keni krijuar ju. Unë nuk jam kaq naiv. Unë e njoh mirë politikën dhe e di se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, pavarësisht diferencave që ka ndonjë shtet në lidhje me çështje të caktuara, janë dy aleatë të mëdhenj të progresit demokratik të mbarë globit.
Mst: Në Kosovë mund të jenë vrarë dhe shtetas shqiptarë. Shkuat në Kosovë pak para trazirave ndërkohë që disa nga mbështetësit tuaj
në Kosovë, fjala vjen Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, i mbrojtën trazirat. Ju kanë vënë në pozitë të vështirë me të huajt?
Edhe kjo është pjesë e një gjykimi semplist dhe të kapërcyer tashmë nga realitetet e zhvillimeve globale. Parimi komunist se rri vetëm me ata
që mendojnë si unë, apo që më servilosen, është i huaj për mua. Politika ka për funksion organik të sajin bashkëjetesën dhe mbajtjen gjallë të
opsioneve të ndryshme politike. Përsa u përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, tashmë
mbarë publiku shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar, e njeh dhe e vlerëson lart rolin e Shqipërisë dhe timin personalisht për përcjelljen e një vizioni
modern, që i shërben stabilitetit, bashkëjetesës dhe integrimit tonë, pra të të gjithëve ne, shqiptarëve dhe ballkanasve, në institucionet
euroatlantike.
Ne nuk kemi terminal as Tiranën, as Prishtinën dhe sigurisht jo Beogradin.
Terminali ynë i përbashkët është Brukseli, në kuptimin se atje janë selitë edhe të NATO-s edhe të Bashkimit Europian.
Flitet për katër shtetas shqiptarë që janë në morgun e Prizrenit. Jeni interesuar?
Sigurisht. Kam dhënë urdhrat e duhura organeve kompetente.
Tentuat t'i përdorni trazirat në Kosovë kundër lëvizjes "Nano Ik". Funksionoi?
Nuk e kam tentuar një gjë të tillë. Është Berisha i cili "për çudi" kryen disa veprime që dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë - pra jo timin -
kur më shumë se kurrë një imazh tjetër u duhet shqiptarëve. Nuk flas këtu për imazh të trukuar nga propaganda, por imazhin e vërtetë të vendit tonë, për imazhin e miliona shqiptarëve që përmirësojnë jetën e tyre çdo ditë në paqe dhe
siguri. Prandaj edhe e shijova mirëseardhjen e sinqertë që më dhuroi Kosova.
Keni menduar një ofertë për paqe me opozitën para zgjedhjeve sidomos pas këmbënguljeve nga ndërkombëtarët për një Marrëveshje të Re?
Asnjëherë nuk më ka munguar vullneti për këtë. Ju kujtoj se kjo nuk është bërë thjesht për shkak të "ndërkombëtarëve", të cilët për konceptin tim
janë partnerë, por sepse vazhdimisht jam mbështetur në filozofinë se demokracia
është pjesëmarrje, bashkëpunim, marrje përsipër përgjegjësish, ndarje e sovranitetit me të tjerët. Këtë na mëson edhe eksperienca e vendeve më të zhvilluara. Siç e kam thënë edhe para disa kohësh, ne nuk mund të integrohemi në Europën e Bashkuar pa u integruar së pari mes vetes, pa
u integruar në rajonin në të cilin jetojmë. Me këtë nuk kam asnjëherë parasysh "unitetin" fals të kohëve të shkuara, as ndërprerjen e luftës politike që është oksigjeni i demokracisë.
Opozita po shkon drejt një vendimi politik që të mos hyjë në zgjedhje nëse ju do të jeni kryeministri i zgjedhjeve. Ju shqetëson kjo?
Gjatë këtyre shtatë vjetëve që jemi në pushtet, kam dëgjuar për shumë vendime e betime të opozitës që nuk janë realizuar asnjëherë. Të tilla kanë qenë ato vendime dhe betime se "në mars do të vijmë në pushtet"(!!!), "vjeshta na gjen pa Nanon", "Në plazh do të shkojmë pa Fatosin", "Vera do të jetë e nxehtë" etj.. Eshte e lehtë të kuptohet se opsione të tilla
obstruktive, jologjike dhe që reflektojnë një mentalitet antidemokratik minimalisht janë jorealiste. Prandaj edhe nuk shqetësohem. Unë kam
detyrim para zgjedhësve, kam detyrim politik para partisë dhe koalicionit qeveritar, kam detyrim para parlamentit që më ka votuar, kam detyrim edhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kur të vijë Berisha në pushtet, nëse vjen ndonjëherë, atëhere do të ketë të drejtë të përcaktojë edhe
kryeministrin.
Këto janë rregullat e demokracisë, rregulla të cilat nuk bëjnë dot vend në logjikën thellësisht të kalamendur të Berishës.
Mst: Tani është moda e "berishkave"
Dhe nëse shkoni në zgjedhje pa opozitën, do të tentoni të formoni një opozitë "tuajën"?
Koha e Sali Rexhepëve ka perënduar. Tani është moda e berishkave. PD duhet ta ketë të qartë se as hyn, as vendos të mos hyjë në zgjedhje për
hatrin e Fatos Nanos. Ajo hyn në zgjedhje për të mbrojtur interesat e votuesve të saj. Në të kundërt do të kemi sërish një raport të përmbysur të parimeve të demokracisë: do të kemi votues që sillen kështu apo ashtu për hir të lidërshipit të një partie të caktuar. Ja, edhe ky koncept është
thellësisht komunist, madje fondamentalist i shokut Sali.
E ndieni pengesë apo aleat Presidentin, tani që keni opozitën kundër?
As pengesë, as aleat. Ai është në pozicionin e tij kushtetues dhe marrëdhëniet tona mendoj se janë modeli i marrëdhënieve mes një kryeministri
dhe një presidenti. Flas gjithnjë përmarrëdhëniet institucionale. As kam synuar ndonjëherë t'i mburrem Presidentit se nuk do të zgjidhej pa
mirëkuptimin dhe votat e pozitës, as për të kundërtën.
34 - Faleminderit !
34 - Me nder qofsh!
Box1.
Raportet e mia me Xhoanën
Përsa i përket çka më thua se paska përhapur SHISH për gruan time, nuk
më
rezulton nga informacione zyrtare. Ky është një argument i fortë për
reformën dhe ndryshimet themelore që u ndërmorën në SHISH.
...Kemi një vendimarrje të standardizuar emërimesh sipas ligjit dhe
fryma e
konkurrimit të hapur që nga koha që unë jam kryeministër, ka mbërritur
deri
në nivele drejtorësh të përgjithshëm shumë të rëndësishëm. Në këtë
vendimarrje emërimesh, edhe unë kam pak mundësi të kem akses. Aq më pak
gruaja ime. Megjithatë më kujtoni t'ju kujtoj se ne, Nanot, jemi shumë
konkurrues.
Box 2
Raportet e mia me shtypin
Jam unë i ashpër me shtypin, apo shtypi me mua? Besoj se e kuptoni pse
ndodh
kjo e dyta, sepse i kam hapur të gjitha dyert për mediat, pa mbyllur
brenda
për vete asnjërën prej tyre. Përsa i përket padisë në gjykatë, unë e
vlerësoj si një akt të përgjegjshëm qytetar. Gjykata nuk është për të
dënuar
njerëzit, por për të dhënë drejtësi dhe edukatë ligjore edhe për
njerëzit që
punojnë në shtyp.
Box3
Një Marrëveshje e re me Berishën?
Mendoja, dhe jam ende i bindur për këtë, se marrëveshja do të sillte
një
ritëm tjetër të reformave tona integruese. Unë asnjëherë nuk e
konceptova
këtë marrëveshje si shuarje të luftës politike, por si një provë të
pjekurisë së klasës sonë politike dhe të përgjegjësisë së saj për
përshpejtimin e ndryshimeve.
Box 4
Marrëdhëniet me ambasadorët amerikanë
Ju kujtoni se marrëdhëniet mes shteteve janë ekskluzivitet i
ambasadorëve?
Ky është vetëm gjykim kafenesh. Për të ndjerin Limpreht ruaj të njëjtin
respekt, si edhe për ambasadorin Jeffrey, të cilit përfitoj nga rasti
t'i
përsëris urimin tim për një shërbim të suksesshëm në detyrën e lartë që
iu
besua.
Box 5
Nuk do të tentoj opozitën fasadë
Koha e Sali Rexhepëve ka perënduar. Tani është moda e berishkave. PD
duhet
ta ketë të qartë se as hyn, as vendos të mos hyjë në zgjedhje për
hatrin e
Fatos Nanos. Ajo hyn në zgjedhje për të mbrojtur interesat e votuesve
të
saj. Në të kundërt do të kemi sërish një raport të përmbysur të
parimeve të
demokracisë: do të kemi votues që sillen kështu apo ashtu për hir të
lidershipit të një partie të caktuar.