Kështu shkruan në edicionin e saj online e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, që citon një raport të Drejtorisë Rajonale të Antimafias, në të cilin dokumentohet angazhimi i minorenëve si gardianë apo transportues të armëve.
Bëhet fjalë për “muskujt” e rinj të mafias napoletane dhe parimi është i njëjtë me një të përdorur 30 vjet më parë: pasojat gjyqësore për një minoren janë shumë më pak të rënda nëse ai kapet në zotërim të armëve apo drogës.
Me pak fjalë, kamorristët preferojnë t’ua transferojnë rrezikun fëmijëve. Gazeta italiane ka intervistuar edhe një vajzë 17-vjeçare, nga një prej lagjeve më problematike të Napolit, e cila ka parë vëllezërit dhe shumë shokë të rekrutohen pranë organizatës kriminale.
“Një nga detyrat kryesore që u besohet minorenëve është pikërisht ajo e kujdesjes për armët. I pastrojnë, i çojnë në magazina, shkojnë i marrin kur duhen, etj”, thotë vajza në kushte anonimati.
17-vjeçarja tregon edhe për mënyrën e pagesës së të miturve për punën që bëjnë në shërbim të klaneve, mizoria e të cilëve duket se nuk njeh kufij.
“Përfitimet varen nga shitja e drogës. Buxheti javor mund të shkojë nga 1.500 në 2 mijë euro, ndonjëherë edhe 3 mijë për një shpërndarës. Kush mban armë fiton më shumë pasi kërkohet përgjegjësi, ndërsa kush është arkëtar fiton 500-600 euro në javë”, thotë vajza.
Ndërsa për vrasjen kriteret janë të tjera. “Kjo varet nga personi që po shkon për të vrarë. Natyrisht, çmimi është i ndryshëm nëse duhet të vrasësh një shpërndarës apo një bos rival”, sqaron më tej adoleshentja.