Napoleone Bonaparte, Letërkëmbimet rreth Shqipërisë

Sekreti

Forumium praecox
Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz është tashmë e njohur. Historiani Auguste Bopp në librin e tij Napoleoni dhe shqiptarët tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleonit me Ali Pashën. Megjithatë fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleoni i vlerësonte shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik te Shqipërisë. Dhe kjo spikat pikërisht që me fillimin e “Fushatës së Italisë”, kohë kur ai pushtoi Italinë dhe kur krijoi në Korfuz “Republikën e ishujve grekë të Qefallonisë”. Madje atje do të formohej më pas “Regjimenti i shqiptarëve” prej 6 batalionesh të përbërë nga suliotë e came, mes të cilëve dhe komandantët Kiço e Marko Boçari si dhe Xhavella, etj. Dalmacia, brigjet më poshtë të Shqipërisë, nga Tivari e Kotorri gjer në Korfuz, duke zbritur pastaj drejt Prevezës e Artës, ishin pjesë e shtrirjes së influencës së tij. Oficerë të shumtë zbarkuan si në Janinë pranë Ali Pashës, ashtu dhe në Shkodër. Madje në luftën e Karamahmut Pashës kundër malazezëve, pashai ishte shoqëruar nga një grup oficerësh të zgjedhur të Napoleone-s, të cilët u vranë në befasi, bashkë me Pashain. E kësaj kohe është dhe letra nga shtatmadhoria e tij në Milano, më 16 gusht 1797, drejtuar Ibrahim Pashës, vëllait të Karamahmutit, që pas vdekjes së tij mori frenat e pashallëkut të Shkodrës: “Lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme lëvdimet tuaja në letrën e dërguar. Republika Franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë. Por ajo çmon në mënyrë të veçantë kombin trim shqiptar, i cili është nën pushtetin tuaj. Me dhimbje mora vesh atë çfarë i ndodhi vëllait tuaj të famshëm. Ky luftëtar i patrëmbur e kurojoz meritonte një vdekje të denjë si vetë ai. Ai vdiq nga një vdekje që vdesin veç trimat. Madhëria juaj do të gjejë bashkangjitur me letrën dhe urdhërin që kam dhënë tashmë që anijet me flamurin otoman të udhëtojnë nëpër Adriatik. Jo vetëm që turqit do të trajtohen si kombet e tjera por ata do të trajtohen në një mëyrë të veçantë… Megjithatë, në të gjitha rastet, unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të ishte kënaqësi për mua t’i jepja Madhërisë suaj një shenjë të vlerësimit tim dhe të konsideratës time të lartë. Si shenjë miqësie, do të dëshiroja të pranonit këto katër arka me pushkë, që po ju dërgoj”. Bonaparte.
Të njëjtën kopje të letrës ai ia dërgon dhe ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand me shënimin: “Pushtimi ynë i Korfuzit, Zantes dhe Qefallonisë kërkon që të lidhemi me pashallarët e ndryshëm të Shqipërisë. Ky popull i simpatizon shumë francezët.”
Po nga shtatmadhoria e ushtrisë në Milano më 30 korrik 1797, Bonaparte i shkruante gjeneralit Gentili: “Do doja të viheshit në kontakt me Pashain e Shkodrës në mënyrë që ta ndihmonim nëse Sulltani do të ndërmerrte diçka kundër tij…” Më 23 dhjetor të po atij viti, Bonaparte i shkruan presidentit të Direktoratit Ekzekutiv francez, zotit Barras: “Që kur kemi shtënë në dorë disa nga ishujt jonianë, ne jemi mirëpritur nga ana e Ali Pashës së Janinës dhe pashait të Shkodrës, nga turqit në Moré, por dhe nga vetë Porta e Lartë dhe kanë shfrytëzuar rastin që të na bëjnë të qartë vlerësimin e veçantë që kanë për francezët…” Disa muaj më vonë, më 19 shkurt, ai i shkruan gjeneralit Berthier që është dhe ministër i Luftës: “Rekomandoini Murat-it që t’i shkruajë Ali Pashës në Janinë për t’i bërë të njohur se kam një ndjenjë miqësie me të dhe se dua të kem një korrespondencë direkte me të…”
Por shqetësimi për të siguruar mbështetje dhe në brigjet shqiptare është e përhershme tek Bonaparte dhe në vitet në vazhdim. Shqipëria për të paraqiste një vend strategjik. Më 23 maj të vitit 1801, Bonaparte i shkruan ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand: “Ju lutem qytetar-ministër që të lidheni me qytetarin Charbonnel, komandant i batalionit të artilerisë dhe ta çoni me mision pranë Ali Pashës për të njohur qëndrimet e këtij Princi, nëse është gati të ndihmojë lëvizjen në Greqi.”
Vite të tjera do të kalojnë dhe gjenerali Bonaparte kurorëzohet më së fundi perandor I Francës, “Napoleone”. Për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, shumë letra të Napoleone-it i referohen Shqiperisë. Sigurisht, atëherë Napoleone, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte gjithnjë e më shumë zotërimet në Adriatik, nga ku ushtria e tij mund të furnizohej nga tokat pjellore, veçanërisht në jugun shqiptar. Eugene, birin e Zhozefinës, Napoleone-i e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806, ai i shkruan të birit, princ Eugene, për organizimin e ushtrisë: “Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të pa armatosur. Veç tyre duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artilierësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhërat e tij gjeneralin Bourbon, i cili do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën, të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmësa francezë e italianë...”
Një ditë më vonë po nga Saint-Cloud ai i shkruan gjeneralit Lemarois, ku i kërkon ndër të tjera t’i dërgojë gjeneralit Lauriston barut, të transportuar me barka të vogla, të cilat duhet të evitojnë kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Peskara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri.” Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit te tij të jashtëm Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: - Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; - se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; - se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; - se duhet menduar se si ti bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; - se ai mund të mbështetet në ndihmën time; - se duke qënë që një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; - se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i jap pashait gjithë ndihmën e duhur; - se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes “Ylli i Bonapartit”. Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar shumën prej 60 mijë franga, të bisedohet me Marescalshi. Për këtë i shkruani dhe Pukëvilit (Pouqueville) dhe i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia nuk mund t’i a besoj atë veç Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë”.
Napoleone-i e ndjente se sigurimi i plotë i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor ai i shkruante sulltanit Selim-it për tentativat e rusëve që ti shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet t’i pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ndër të tjera, ai i shkruante gjeneralit Lauriston: “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtonte se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mij pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të kini të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull...”
Napoleone-i ndiqte në ethe edhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruan princit Eugene për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë rradhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës... Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe nuk mbjellim tmerr në shpirtin e tyre...”
Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleone-i me dy pashallarët shqiptarë. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri, ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe t’u bësh luftë malazezëve...” Po atë ditë, ai i shkruan dhe mareshallit Berthier, mikut të Pouqueville-t dhe njeriut që u morr me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer edhe pse shumë i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”. 24 janar 1807, vëllai i Napoleone-it, Joseph, mbret i Napolit, i shkruan perandorit: “Madhëri… sapo i dërgova dy anije me gjithçka që më kërkoi pashai i Janinës. Kam derguar barut, gjyle dhe topa…” (Napoleone donte ta vinte kundër rusëve, ndërsa pashai shpresonte se ai do t’i jepte ishujt jonianë dhe së pari Korfuzin). Disa muaj më vonë, më 15 qershor 1807, Josephe i shkruan përsëri Napoleone-it: “Madhëri… Pashai i Janinës më ka dërguar një oficer duke më ofruar një regjiment shqiptarësh. Duket se është shumë i angazhuar kundër rusëve. Por unë tani s’kam nevojë për shqiptarët… Një vit më vonë, më 26 janar 1808, Napoleone i dërgon një tjetër letër Josephe-it duke iu referuar shqiptarëve: “I shkrova Portës së Lartë se nëse anglezët arrijnë të zbarkojnë në Korfuz, ushtria jonë e Dalmacisë është gati të niset nga Kotorri dhe të përshojë territoret e Ali Pashës për të mbërritur para Korfuzit. Do të kem atje 20.000 ushtarë që nga Butrinti do të kalojnë lehtësisht në Korfuz, do të bashkohen me garnizonin tonë atje, duke hedhur në det ata që i kanë rrethuar… Marmont ka dërguar një konsull në Berat dhe unë i kam kërkuar Aliut, (për çka e kam urdhëruar me anë të Portës së Lartë), që tartarët të vendosen nga Butrinti deri në Kotorr meqë janë të shpejtë për të komunikuar”.
Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim.

Napoleone në
Shqipëri

Deri më sot nuk dimë se Napoleone ka qënë në Shqipëri. Por disa të dhëna historike të fundit vërtetojnë se kjo duket se është e vërtetë. Por data nuk është saktësuar. Madje as vëndi konkret se ku, në ç’vënd të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?
Në shënimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Emmanuel Las Cases, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleonit në Shën Helenë. Por së pari, cili është konti Las Cases, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleone? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj, apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjënd rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleone-it nga Parisi për në portin francez Rochefort nga ku bashkë me 30 personalitete të tjerë, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës. Las Cases nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleone. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjëndjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte Evangjilin dhe recitonte pjesë nga Corneille, të cilat i dinte përmëndësh. Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri “Odisenë”.... Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez për të cilin thoshte: “Asgjë nuk mund ti shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Napoleone-i kishte dëshirë të rinte me fëmijët dhe tu tregonte atyre përrallën Qëngji dhe ujku. Kur Las Cases i sillte me ceremoni supën që do të hante, ai i thoshte “Mjaft më me ceremoni, pasi ne të dy jemi tashmë si ushtarët që hanë në të njëjtën gavetë”. Megjithatë nuk janë të pakta përshkrimet e dëshpërimit të madh të tij për Francën, familjen...
Ja çfarë shkruan Las Cases në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: „E premte, 17, (1816). Gjithë natën kam qënë sëmurë. Perandori hëngri në kopësht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërmuar. Nuk ishte aspak mirë. Pas drekës ne shëtitëm rreth shtëpisë për një kohë të gjatë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte hije fare. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte, nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe takova në kopësht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrandit (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selim i III-të... “
Në një pasazh tjetër, Las Cases mban shënim historitë që tregon Napoleone-i për jetën e tij dhe luftrat e shumta. Një të djelë, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleone i thotë: “Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie...” Las Cases shton: „Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës... Dhe nuk ishte larg kësaj.” Napoleoni vazhdon: „Kur isha buzë Adriatikut gjatë „Fushatës së Italisë”, i shkrova Direktoratit se para syve të mij shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit... Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë...”
Napoleone-i ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën komandën e tij. Por akoma më e jashtëzankonshme është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori “Fushatën e Spanjës”, fushatë që reflektuar njëkohësisht në tablotë e Goy-as. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga, është e keqe. Fshataret të kallin frikën dhe kanë në kokë nje kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errta dhe kanë kepucë si ato të shqiptarëve...”
Sigurisht, Napoleone nuk mund t’i njihte këpucët e shqiptarëve nëse nuk do të kishte qënë në Shqipëri, ku rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut te Francës. Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil” botoi ditarin e Napoleone-it që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleonit në një antikuar, ku ishte mbyllur në një sunduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleone-it por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi ta shkëpuste ditarin për pak ditë nga antikuari dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi ai dyshoi se duhej të ishte diçka e vyer. Sigurisht, i premtoi se do t’a lejonte ta studionte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas, ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi. Libri i botuar është mjaft interesant. Napoleoni ndjehet tejet i vetmuar dhe i fyer... Perandori shkruan: “2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishul i varfër dhe i xhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez se sa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zingjirë por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zëmër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Sainte-Hélène...” Në vazhdë të këtij ditari, interesant është shënimi për birin e tij, ku ai shkruan: “Kur në gusht të viti 1810, Maria Ëalevska më njoftoi se priste një fëmijë, e falenderova atë nga thellësia e zëmrës. A do ta kisha më së fundi atë trashëgimtar, aq të dëshiruar? Më së fundi, më 20 mars 1811 lindi “mbreti i Romës”. Me lot në sy e falenderova gruan time të shtrenjtë. Edhe ajo qante nga dhimbja dhe gëzimi, pasi lindja e atij fëmije e kishte bërë të vuante shumë. 101 të shtëna topi i njoftuan parizianët për lindjen e Princit, atij që pas vdekjes sime do të bëhej perandori i tyre me emrin Napoleone... Tashmë vetëm im bir më ka mbetur. Ai është i vogël, por vitet do të bëjnë të vetën. Ai do të rritet dhe do të mësojë historinë; do të zbulojë fatin tim dhe atë të Francës, atdheut të tij. Ndoshta një ditë ai do të angazhohet ashtu siç bëra dhe unë në rrugët e nderit dhe të lavdisë. Atëherë uroj që Zoti ti japë atë pjesë të mënçurisë që mua më mungoi...”
 

Hank

Valoris scriptorum
Shume shkrim i bukur.
Megjithate duket qarte qe Napoleonit i interesonin rebele e pashallare te vegjel rebele kunder Otomaneve ne territorin e Ilirise dhe besoj per kete arsye i shihte Pashallaret Shqiptare si aleate.
 
Top