Nëse ky është art, jeta del e tepron

Nëse ky është art, jeta del e tepron

Një realitet gjysmak artistik i bazuar në njohje fragmentare të fenomenit të gjakmarrjes.

Filmi “Gjallë” i Artan Minarollit, një Shqipëri as karikaturë jo, sepse autori deformon pa qëllim tipare, vende, njerëz e ngjarje

Filmi “Gjallë” i Artan Minarollit është një histori për gjakmarrjen në vitet dymijë: historia e një të riu student nga Veriu që përpiqet t’i shpëtojë një gjakmarrjeje të vjetër e cila pas vdekjes së të atit bie mbi të.

Sot, filmi një bashkëprodhim shqiptaro-austriak, duhet të ketë ditën e fundit në kinema në Tiranë.

Një pyetje: Ju ka ndodhur që pasi shihni një film, të ndjeni sa e pasur është jeta? Për disa, ky kuptim i jetës si përvojë e pasur ngjallet kur sheh një film të varfër.

Arti më i varfër se jeta? Nuk ndodh vetëm kur është e kufizuar forca e artit për t’u marrë me jetën dhe njeriun. Ndodh sidomos me një art profan që nuk ka njohjet e duhura dhe të thelluara për temën që ka marrë përsipër të bëjë violinën.

Filmi “Gjallë” i Artan Minarollit, paraqet një Shqipëri as karikaturë jo, sepse autori deformon pa ndonjë qëllim (humori apo grotesku) tipare, vende, njerëz e ngjarje. Është një realitet gjysmak artistik i bazuar në njohje fragmentare të fenomenit të gjakmarrjes.

Me udhëtimin e protagonistit Koli Frangu, Tiranë-Veri-Lurë- e kthim, regjisori, që është edhe skenaristi, tenton të ndërtojë një road-movie (alla shqiptar), domethënë t’i hedhë në rrugë ngjarjet, konfliktet, si gjasa të rastit, që na prezantojnë, na njohin dhe na zhvendosin bashkë me këtë njeri dhe me dramën e tij për diku, atje ku e di ai që tjerr këtë histori.

Autori në fjalë e lë jashtë fokusit historinë e tij, temën për të cilën dikur ka pasur ndër mend të bëjë një film. Prandaj e deformon kur mundohet t’i afrohet asaj dhe ajo i rrëqet fare kur nuk di ç’të bëj me të.

Ja si shprehen të rinjtë e Minarollit në skenën e fillimit ku prezantohet lidhja shpirtërore (është më e saktë të thuash mishtore) që kanë Koli dhe Diana dhe një i tretë në mes.
Kandidati – Akoma me këtë malokun ti moj?

Diana – Pse kishe gjë ti?

Koli – Ne do martohemi nesër.
Diana – Jo nesër, nesër do shkojmë në kinema.
Koli – Emo mirë, pasnesër. Ktu jemi ne.

Nëse ky është dialog, po rrëmuja si është?

Zhvendosja në Veri e ngjarjeve nxjerr zbuluar guximin e një kineasti për të keqpërdorur një mjedis të veçantë etnokulture, mënyre jetese, po edhe me karakteristikat antropologjike.

Veriu i Minarollit është i shpëlarë. Vdekja është një akt banal, gjëma është pickim mize. Kamera nuk qëndron, po numëron ca gra dhe burra figurantë që rrinë ulur në karrige, kurse i vdekuri u rri te këmbët.

Kamera as do t’ja dijë, sepse regjisori nuk do t’ja dijë që kjo është vdekje, dhe është vdekje shqiptarësh në Veri dhe kjo që po bën është film.
Mënyra e cekët se si shihet ky mjedis, zhvlerësimi i portreteve, detajeve, ritualeve, është një parodi në vazhdimësi.

Aktorët Rozina Kostani në rolin e motrës (që nuk shkrep asnjë fjalë gjithë filmit) dhe kunati i protagonistit (Bruno Shllaku) jepen me koka të lyera, njëra me ngjyrë patëllxhani, tjetri flokëkuq.

Shllaku është i veshur me kostum që pritet në mes nga një brez malësori. Kurse Reshat Arbanës, atë tip brezi ia kanë lidhur rreth kokës si mos më keq.

Aktorë pedagogë të mjeshtërisë së aktorit e të fjalës artistike në Akademinë e Arteve, apo aktorë karriere si Tinka Kurti e Reshat Arbana janë shfrytëzuar për emrin që kanë. Atyre u duhet të thonë ndonjë batutë, të citojnë ndonjë rresht nga Kanuni dhe humbasin si gjithë portretet që kalojnë tek “Gjallë”, pa lënë gjurmë.

Bashkë me ta heroi (Nik Xhelilaj). Minarolli tregon me personazhin e Kol Frangu se nuk e njeh botën e njeriut në gjak, nuk e di si reagon mendja e tij, po as trupi i tij, përndryshe nuk do ta hipte në lisharës personazhin e tij që sapo kishte shtënë nën dhe të atin, e ca më vonë ta hidhte nga një fustan nën tjetrin sikur të mos kish ndodhur gjë.

Kola nuk është Mersoja (I huaji, A. Camus) që nuk e habit gjë në këtë botë, as vdekja e nënës dhe as vetja e cila në mënyrë të pavullnetshme i shkreh armë “për shkak të diellit”. Kola nuk është një perëndimor i viteve gjashtëdhjetë, është një shqiptar i viteve dymijë dhe pas ka një sfond tradite dhe moderneje krejt specifik.

Personazhet e kësaj historie s’dinë ku të shkojnë se babai i tyre, Minarolli s’di ku t’i çojë dhe çfarë t’u vërë në gojë. Varfëria e dialogëve del hapur tek improvizimet e komikëve të “Portokallisë”, dialogët e të cilëve janë llokma nga rruga. Janë gati po aq qesharake kontrastet e portreteve femërore nga Tirana në Veri, Lurë e kthim.

Minarolli është skllav i një realiteti sipërfaqësor të dëgjuar me vesh, një realitet i paripërtypur. Banaliteti është hedhur në ekran. “Gjallë” është një film që i mungon pavarësia, trajtimi i fenomeneve në mënyrë të pavarur.

S’është film i bërë nga një autor, nga një individualitet, është film i bërë nga ca dëshira krejt të jashtme, që imponojnë një realitet akoma më të jashtëm.

S’është një film i bërë prej shqetësimit, prej dëshirës për të transformuar, për të krijuar, për të ndryshuar, forca që e bëjnë artin atë që është: aktivitet human i bazuar në aftësinë individuale, në studimin, në përvojën dhe njohjen e nevojshme për të përmbushur një akt final.

“Një kineast para se të ketë këtë apo atë cilësi, duhet të jetë në gjendje të kthjellojë shtatin e tij”, thotë Werner Herzog.

Sa për finalen, pasi është folur për gjakmarrjen gjithë kohës, nuk e quan dot tjetër veçse shkarje. Protagonisti ynë mbytet në anijen klandestine dhe titrat mbyllëse thonë se regjisori ia kushton këtë film viktimave të Otrantos.(Shekulli)

NntlBuilYMo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22773. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22773

Top