Sadete Çuni rrëfen për “Gazetën Shqiptare” se prej kohës që djali i saj ka vdekur, drejtësia shqiptare nuk ka bërë asgjë për kapjen e personave përgjegjës për vdekjen e djalit të saj.
“Në asnjë vend të botës nuk është parë që të vritet në mes të ditës një 17-vjeçar duke punuar për të nxjerrë bukën e gojës, dhe vrasësit të lëvizin lirshëm,” pohon Sadetja me lot në sy.
Ajo ankohet pasi asgjë nuk është bërë nga shteti edhe pse gjithçka dihet.
“Asnjë gjë, thjesht heshtje. Nuk kemi komunikuar me forcat e policisë, kemi shkuar që të flasim me ndonjë person që të na japë një zgjidhje, por askush nuk di asgjë. Vrasja e djalit tim është zbardhur, por vrasësit lëvizin akoma të lirë”, shprehet nëna.
Ajo tregon se nuk kanë arritur të kontaktojnë me shoferin e furgonit.
“Vrasja e djalit tim do i rëndojë gjithë kohën, gjithë jetën në ndërgjegje. Prandaj ne kërkojmë që ai të thotë të vërtetën, vetëm të dëshmojë atë që di dhe atë që ka parë. Unë si nënë i bëj thirrje që të dëshmojë vetëm të vërtetën”, rrëfen Sadetja në GSH.
Ajo apelon që drejtësia të veprojë, përderisa vrasja e djalit të saj është e zbardhur dhe autorët dihen.