Myslimanët: Në Kushtetuese për shamitë

Myslimanët: Në Kushtetuese për shamitë

Çështja e shamive në shkolla të vajzave myslimane do të dërgohet në Gjykatën Kushtuese.

Këtë pohoi dje Saimir Rusheku, nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe ish-drejtor i Arsimit në këtë institucion. Duke e quajtur shaminë, jo një simbol fetar, por një pjesë të besimit të femrave myslimaneve ai tha se, tashmë në KMSH-ja ka nisur punën për përgatitjen e dokumentacionit të duhur për ta mbrojtur këtë pretendim para Kushtetueses. Në intervistën e dhënë për gazetën "Panorama", Rusheku pohoi gjithashtu se, midis nocioneve "shami" dhe "perçe" ekziston një keqinterpretim mediatik.
Zoti Rusheku, pak ditë më parë një vajzë myslimane, nxënëse e shkollës 9-vjeçare u largua nga klasa për shkak të shamisë që mbante në kokë. Cili është qëndrimi i Komunitetit Mysliman për këtë rast, të përsëritur?
Komuniteti Mysliman Shqiptar në kontekstin e zhvillimeve të ndodhura për frekuentimin e nxënëseve, që vendosin shami në ambiente publike, në respektim të ndjenjave të besimit islam i është drejtuar edhe në raste të tjera, precedentë të përsëritur me apelin e tij publik institucioneve arsimore e Ministrisë së Arsimit për t'i garantuar atyre mbi baza kushtetuese të drejtën universale për arsimim. Si dhe për t'i garantuar çdo individi që i përket besimit islam, përkatësisë fetare islame, të drejtën e ushtrimit të lirisë së besimit. Për rastin në fjalë KMSH-ja është duke ndjekur një procedurë të korrespondencës shkresore nëpërmjet së cilës, synon të sqarojë autoritetet drejtuese arsimore se mbajtja e mbulesës apo shamisë nuk përbën një simbol fetar, por ajo është pjesë apo komponent i ndjenjës së besimit. Në këtë kontekst hedhim poshtë pretendimin se shamia, ky simbol fetar, ndikon në indoktrinimin e nxënësve të shkollave. Ndërkohë përmendim se në këto institucione arsimore publike nuk ekziston një rregullore, që të përcaktojë uniformën e këtyre nxënësve. Madje, në rastin e fundit duke marrë parasysh që këto nxënëse ndjekin mësim në ciklin 9-vjeçar, që është dhe detyrim ligjor ndaj nxënësve dhe prindërve të tyre për përkrahje. Kjo çështje duhet të trajtohet nga drejtoria e shkollës mbi një frymë përkujdesjeje dhe respektimi të ndjenjave fetare. KMSH-ja me të drejtën e tij, si institucion përfaqësues i myslimanëve shqiptarë do të vijojë të angazhohet dhe përpjekjet e tij duke marrë përsipër të mbrojë dhe të ndërmjetësojë, në rastin në fjalë, drejt zgjidhjes, në respektim të principeve kushtetuese të çështjes.
Cili është ndryshimi midis shamisë dhe perçes?
Përsa i përket termit "shami" nënkuptojmë mbulim të kokës dhe shfaqjen tërësore të fytyrës së femrës myslimane. Më parë përmendëm që është komponent i besimit, normë kulture dhe është respektim i urdhrit hyjnor të Zotit të Lartësuar. Synimi i kësaj norme të etikës është që besimtarja myslimane të manifestojë vlerat dhe virtytet e besimit të saj etiko-moral. Ndërkohë me termin "ferexhe" të njohur në opinionin publik nëpërmjet interpretimeve mediatike, nuk nënkuptohet ky rast. Pra, kemi të bëjmë me keqinterpretim.
Si do të veprohet nëse institucionet arsimore, në rregulloret e tyre parashikojnë veshjen e një uniforme nga nxënësit?
Edhe në rastin kur institucionet arsimore publike parashikojnë një rregullore të veçantë për uniformat, nxënëset myslimane duhet të respektojnë rregulloren e veshjes së përcaktuar në ngjyrë dhe formë, por njëkohësisht duhet të mbajnë shamitë e tyre në kokë. Për raste të tilla mund të përmendim se edhe sistemet arsimore të vendeve perëndimore, të cilat në institucionet e tyre publike, nxënëseve të besimit islam u lejohet e drejta për të frekuentuar këto shkolla. Kjo duke mos u interpretuar sipas gjykimit të drejtuesve të institucioneve publike.
Mund të themi që në Shqipëri duhet të aplikohet një model i ngjashëm me atë turk, ku me kërkesë të myslimanëve u bënë ndryshime kushtetuese që u lejon femrave mbajtjen e shamisë në institucione publike?
Një model i përafërt mund të konsiderohet për t'u aplikuar për zgjidhjen e çështjes, ndonëse kemi dy realitete të ndryshme. Për nga pikëpamja legjislative arsimore ne gjykojmë që, një rast i tillë duhet të merret në konsideratë dhe të vlerësohet për të garantuar në këtë mënyrë të drejtën nxënësve myslimanë që të ushtrojnë lirinë e besimit të tyre, si në aktivitete private dhe publike, duke u mbështetur në parimin kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë, KMSH-ja po studion mundësinë në gjetjen e mekanizmave për të trajtuar juridikisht këtë çështje. Kjo duke pasur parasysh se të drejtën e trajtimit juridik të saj në frymën e interpretimit të parimit kushtetues e ka Gjykata Kushtetuese. Në këtë rast në mbështetje të nenit 10 dhe 24 të Kushtetutës, ku përcaktohen garancitë e lirisë dhe ushtrimit të besimit, Gjykata Kushtetuese duhet të trajtojë interpretimin e këtyre neneve në respektim të së drejtës universale.
Por nëse vendoset në disfavor të KMSH-së?
Nëse Gjykata Kushtetuese do vendosë në disfavor të së drejtës së besimit ekzistojnë mekanizma evropianë dhe ndërkombëtarë si Gjykata e Strasburgut, që mund të interpretojnë për precedentë të tillë. Duke argumentuar në optikën e shembujve dhe modeleve ekzistuese të vendeve të Evropës Perëndimore dhe SHBA.
Cili është ndryshimi i një besimtari të krishterë, që mban kryq në ambiente publike dhe një besimtareje që mban shami?
Të bësh një krahasim të tillë nuk është një element, që trajton zgjidhjen e këtij problemi. Në Shqipëri komunitetet fetare respektojnë dhe kontribuojnë për bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare, madje ata kanë edhe qëndrim konkret të përbashkët në çështje të karakterit etiko-moral. Sa më sipër përmendëm se shamia nuk përbën simbol fetar indoktrinues, por ajo është pjesë e besimit, e cila rrezaton vlerë dhe virtyt nga ana e aplikuesit të fesë. Ndërkohë ne respektojmë ndjenjën e çdo besimtari dhe besimtareje të një besimi tjetër monoteist dhe nuk krahasojmë ndryshimet ndërmjet tyre.

MASH: Shkollat janë laike

Për Ministrinë e Arsimit moslejimi i simboleve dhe veshjeve fetare në shkolla është i përcaktuar në një ligj të veçantë. "Marrja e kësaj mase është e mbështetur ligjërisht. Shkollat janë laike", sqaron zyrtarisht MASH. Sa i përket uniformës në shkolla, sipas këtij dikasteri është nxjerrë një udhëzim i posaçëm për vendosjen e saj në secilën prej tyre. "Ministria ka nxjerrë një udhëzim të veçantë për uniformën në shkolla. Sipas këtij udhëzimi, do të jenë vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit që do ta përcaktojnë atë dhe më pas duhet të vishet nga të gjithë", bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, i takon drejtorive të shkollave dhe atyre arsimore që të kontrollojnë dhe të marrin masa për zbatimin e kësaj rregulloreje


Përjashtimi
Dy motra, nxënëse të shkollës "28 Nëntori" në lagjen e Laprakës në kryeqytet, nuk janë lejuar të hyjnë në mësim për shkak të veshjes fetare. Gentjana Hasani, nxënëse e klasës së tetë bashkë me të motrën Marselën, që ndiqte klasën e 6-të, kanë rreth një muaj që qëndrojnë në shtëpi. Vendimin e ka marrë drejtoria e shkollës.

Udhëzimi
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, thuhet se çdo shkollë duhet të ketë uniformë. Ajo caktohet nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Më pas secili prej tyre është i detyruar ta zbatojë këtë kusht të vendosur në rregulloren e shkollës.
 
Top