Demokracinë e ndërton një shoqëri progresiste
GAVROSH LEVONJA
Në një shkrim të disa ditëve më parë të M. Nanos më tërhoqi vëmendjen një pohim a përfundim sipas të cilit, "shoqëria shqiptare është shoqëria më reaksionare në Evropë". Ky është një realitet jo vetëm i pamohueshëm, por shërben edhe për të shpjeguar të gjitha fenomenet, shumë prej të cilave paradoksale, të cilat shoqërojnë kalvarin e demokracisë shqiptare. Nëse ndalesh në rolin e shoqërisë shqiptare në zhvillimet e vendit, mund të konstatosh se falë këtij roli lulëzojnë dukuri të tilla si korrupsioni, arbitrariteti, zvarrisjet deri në pambarim të qytetarëve për t'u dhënë një të drejtë që u takon e të tjera me radhë, të cilat burojnë falë mentalitetit të përdorimit të pushtetit si të ishte një pronë e trashëguar. Mirëpo gjallimi i këtij mentaliteti që është i pranishëm nga zyrtari më ordiner i administratës e deri tek kryeministri apo dhe presidenti i vendit, do të ishte i pamundur përballë një shoqërie të emancipuar që ka njohuri qoftë dhe elementare përsa i përket funksionimit të mekanizmave të demokracisë. Eshtë pikërisht shoqëria shqiptare ajo që jo vetëm është e familjarizuar me dukuritë e mësipërme, por edhe "kujdeset" në mënyra të ndryshme për zhvillimin e përsosjen e tyre në përputhje me rrethanat e imponuara nga koha. Me të vërtetë flitet për ministra e zyrtarë të korruptuar, por ama pakkush bën fjalë për palën tjetër të partneritetit në realizimin e një akti korruptiv, pra atë i cili ofron atë që quhet mitë apo ryshfet.
Shprehja "Qylin e do dhe mbreti" është e mjaftueshme për të vërtetuar se zyrtarët e korruptuar janë edhe produkt i një shoqërie, pjesa dërrmuese e së cilës edhe një të drejtë elementare që u takon, është e mësuar të mos e kërkojë ligjërisht, por duke "futur diçka nën dorë". Në gjithë periudhën e pas ‘90-ës, për të gjitha të këqijat që kanë pllakosur vendin duke e bërë tranzicionin një "pëlhurë të Penelopës" me shtyrjen në kalendat greke të objektivave të reklamuara në dhjetorin e largët vitit 1990, zakonisht fajësohen dy individë, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Dhe si ilaç për të shpëtuar nga të këqijat në fjalë, sugjerohet largimi i këtyre. Thua se me të ikur Berisha dhe Nano, Shqipëria dhe shqiptarët do të bien në qetësi dhe brenda një kohe të shkurtër do ta shohin veten aty ku dëshirojnë. Së pari, nuk ekziston asnjë garanci se të tjerët që mund të zenë vendin e Nanos dhe Berishës do të jenë të imunizuar nga simptomat që demonstrojnë dy aktorët kryesorë të politikës e të jetës shqiptare nga viti 1991 e këndej. Po kryesorja është se ata që mendojnë se me mënjanimin e Nanos e Berishës do të gjendet shpëtimi i vendit dhe shoqërisë shqiptare, duket se nuk e kanë në konsideratë rolin e kësaj shoqërie, ku si njëri, ashtu dhe tjetri gjejnë mbështetje më shumë se kushdo tjetër. Madje, që të dy janë produkt i vetë shoqërisë shqiptare, e cila ka treguar se nuk jeton dot pa idhuj të gjallë dhe në çdo epokë a sistem është e predispozuar t'i krijojë ata.
Dhe lidhur me prirjen për të krijuar kulte kemi një mpleksje të idolatrisë së adhuruesve naivë me servilizmin e karrieristëve dhe interesaxhinjve të paskrupullt. Një shoqëri disi ndryshe, me parametra normalë qytetërimi, po të ishte puna që dy individë mbajnë peng vendin, do t'i kishte kapur me kohë për brekësh duke i flakur aty ku e kanë vendin, në koshin e plehrave. Nga ana tjetër një shoqëri e tillë që prodhon idhuj nuk mund të jetë as objektive. Kjo është e kuptueshme, pasi për të çfarëdo produkti që mban etiketën e idhullit është i shkëlqyer, për të mos thënë se merret si kriteri i së vërtetës. Shembuj për këtë gjen me shumicë kudo edhe në fusha që nuk kanë lidhje me politikën. Por mungesa e objektivitetit sjell pashmangshmërisht shkuarjen drejt zgjidhjeve jo optimale deri dhe të gabuara. Veç këtyre, në një shoqëri të tillë "idhujprodhuese" është e pamundur të gjallojnë e aq më pak të triumfojnë vullnetet reformatore. Eksperienca ka treguar se kushdo që kërkon të ndryshojë gjërat, duke predikuar rrugë e forma të tjera që kapërcejnë kufijtë e tradicionales duke cënuar idhujt, shikohet me skepticizëm e dyshim përsa i përket të qenit të tij normal. Ndoshta mund të jem gabim, por nuk di që ndonjë popull tjetër të ketë një fjalë të urtë të ngjashme me "Hapi rrugë budallait". Kjo ka bërë krahas dhe faktorëve të tjerë që Shqipëria të jetë gjithmonë vendi i fundit në kthesat e rëndësishme në epoka të ndryshme. Shembulli më i freskët është braktisja e sistemit komunist, ku Shqipëria ishte e fundit nga gjithë vendet e Evropës Lindore që i hapi rrugën pluralizmit. Madje, po të mos ishin zhvillimet e jashtme, edhe sot e kësaj dite do të kishim PPSH, komitet qendror, sigurim, parada 1 maji etj. Në parantezë, lidhur me këtë ata që i bien gjoksit se "rrëzuam komunizmin" duken qesharakë. Ndoshta e ndërgjegjshme për rolin e faktorit të jashtëm, shoqëria shqiptare vuan gjithashtu edhe nga servilizmi ndaj këtij faktori. Vështirë se mund të gjendet vend në botë ku ambasadorët e huaj kanë tagrin për të dhënë verdiktin, për të bekuar apo anatemuar edhe për gjërat më të rëndomta e banale ndonëse kështu, në sytë e botës Shqipëria duket si vend pa ligje apo ku këto janë sa për formë. Gjithashtu, politikanët shqiptarë janë shndërruar në lolo në përpjekjet për të qëmtuar ndonjë deklaratë apo fjalë të ndonjë të huaji për ta paraqitur si shenjë përkrahjeje. Por, nga ana tjetër të mësuar t'i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve, shoqërisë shqiptare i mungon aftësia për të krijuar një farë solidariteti minimal për të mbrojtur të drejtat e saj. Ky solidaritet i munguar është pasojë e një mentaliteti tjetër që gjeneron ngecje në vend, në bazë të të cilit, secili "shikon çatinë e tij" duke mos e çarë kokën kur fqinjit të tij i bëhet një padrejtësi e aq më pak kur cënohet interesi publik. Por, në këtë mënyrë nuk kalon shumë kohë që e keqja të bjerë mbi kryet e indiferentit. Në aspektin politik, në zhvillimet në dy partitë kryesore shqiptare ka shembuj konkretë ku ata që me votën e tyre për interesa meskine i kanë shërbyer fuqizimit të një individi, më pas e kanë pësuar vetë në mënyrë të ngjashme. Si shumica e shqiptarëve të sotëm, kisha bindjen se defektet e mësipërme të shoqërisë shqiptare lidheshin me faktin se ajo dominohet nga "njeriu i ri" i krijuar nga komunizmi, por një mik këtu, në Amerikë, ndonëse antikomunist i kahershëm më thoshte vazhdimisht "harroje Enverin". Dhe po të arsyetosh, duke analizuar të kaluarën e largët, do të konstatosh se diktatori Hoxha e ngriti dhe konsolidoi makinën e tij represive edhe falë karakteristikave të mësipërme të shoqërisë shqiptare, e cila nuk mundi të prodhonte Havelë, Jan Palashë, apo revolta masive si në Çekosllovaki, Hungari, apo Poloni.