Mustafa Merlika Kruja

tola77

Primus registratum
Mustafa Merlika Kruja

MUSTAFA KRUJA – profil i një atdhetari

Në paraditen e dy qershorit, në varrezat e qytetit të Krujës, në atë log heshtjeje e përsiatjesh, në atë kënd të qetë ku është pika e takimit mes botës sonë dhe asaj të panjohure “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, u mblodhën rreth pesëqind vetë, të ftuar për t’i dhënë mirseardhjen dhe lamtumirën eshtrave e, nëpërmjet tyre, kujtimit të një biri të shquar të këtij qyteti që për shqiptarët, prej më se pesë shekujsh është simboli, deri në legjendë, i vlerave dhe personalitetit të tyre. Ato eshtra ishin pjesa e mbetur e trupit të Mustafa Merlikës, të cilit ky qytet i dha emrin e tij, të cilin Ai e skaliti në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, në shpalljen e Pavarësisë.
Mustafa Merlika lindi në Krujë më 15 mars 1887, në një familje që kishte origjinë nga malësitë e Kurbinit. Mori mësimet e para në mejtepin e qytetit të lindjes e pastaj shkoi në Janinë për të vazhduar atje liceun turk. U shqua për vijim të shkëlqyer në mësime, gjë që bëri të mundur vajtjen në Stamboll e hyrjen në Shkollën Civile Mbretërore, Mylkije, një farë ENA e Lindjes që kishte për mision pregatitjen e klasës drejtuese të Perandorisë. E mbaroi atë shkollë të lartë për Shkenca politike dhe administrative në moshën 23 vjeçe. Gjatë kohës së shkollës mori pjesë në lëvizjet studentore kundër absolutizmit të Sulltanit dhe pati polemika të forta në shtyp mbi çështjen kombëtare me një nga shkrimtarët më të shquar të Perandorisë, Sulejman Nazifin.
Në vitin 1910 u kthye nga Stambolli me diplomën e Mylkijes në xhep duke mos pranuar një post kajmekami në një cep të Anadollit, mbasi e quante veten pazgjidhshmërisht të lidhur me fatet e Vendit të lindjes. Puna e parë që filloi ishte ajo e mësuesit të matematikës në gjimnazin e Durrsit. Ishte një formë e “kushtrimit të të parëve”, mbasi matematika ka qenë pasioni i tij kryesor në liceun e Janinës. Po të mos kishte qenë ngulmimi i Esat Pashë Toptanit Mustafa Asimi do të kishte qenë një inxhinjer i aftë, ndoshta i patrazuar kurrë me politikën e, për pasojë, do të kishte patur një jetë tjetër, larg tallazeve të saj. Por i ndikuar nga fryma atdhetare e poezive të Naimit, të cilat i mësoi përmendësh që fëmijë, dhe nga arsyetimet e Samiut mbi gjëndjen politike të Perandorisë dhe pasojave të saj mbi Shqipërinë, formimi i tij moral e intelektual nuk mund të mos e nxiste në rrugën e politikës.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Mësues i ri bashkëpunon me Don Nikoll Kaçorrin, nënkryetarin e ardhshëm të së parës Qeveri të shtetit të pavarur shqiptar, në krijimin e shoqërisë “Vllaznia” të Durrësit, në perspektivën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithëshme me synim pavarësinë e Vendit. Para shpalljes së Pavarësisë së bashku me Abdi Toptanin shkoi në Shkup për të koordinuar veprimet me kryengritësit kosovarë të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës e Isa Boletinit. Më 28 nëndor 1912 ishte në Vlorë si përfaqësues i Krujës, ku firmosi bashkë me të tjerët, Pavarësinë e Shqipërisë dhe u emërua në fillim si zv. Prefekt e më pas sekretar i Këshillit të ministrave. Prej këndej shkoi në Elbasan ku ka marrë detyrën e Drejtorit të arsimit. Më pas luftoi rrebelimin e Haxhi Qamilit dhe përkrahu ardhjen e Princ Vidit. Edhe në qeverinë e Turhan Pashës u muar me organizimin e arsimit si këshilltar në atë ministri.
Zhvillimet politike të atyre viteve e bënë të marrë qëndrim kundër bamirësit të dikurshëm, Esat Pashës. Ky i fundit e detyroi t’i dorëzohet, e dënoi me vdekje, i fali jetën dhe e internoi në Favinjana të Italisë. Që aty u lirua si pasojë e ndërhyrjes së mikut të tij, gazetarit Sotir Gjika, i cili e emëroi kryeredaktor të së përjavëshmes “Kuvendi”, që botohej në Romë, mbasi kishte bashkëpunuar me të në gazetën e Barit “Il corriere delle Puglie”. Veprimtaria publiçistike do të vazhdonte më vonë me fletoren “Mbrojtja kombëtare” e Don Mark Vasës, me artikujt e botuar tek “Lirija Kombtare” e Gjenevës, e drejtuar nga Omer Nishani, apo tek “Shqipëria e Re” të Konstancës në Rumani. Për të përmendur disa organe të tjera të shtypit shqiptar të asaj kohe, në të cilat ka qenë e pranishme penda e Mustafa Krujës me pseudonime të ndryshme, mund t’i referohem “Hyllit të dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Agimi”, “Shkëndija”, “Albania”, “Atdheu”, “Ora e Shqypnisë”, “Vatra shqiptare”, “Bota e re”, “Ora e maleve”, “Koha”, “Roja Kombëtare” deri tek “Shejzat” në Romë mbas luftës.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

U kthye në Shqipëri nga fundi i vitit 1918 për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Post-Telegrafave dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e paqes në Versajë. Aty, së bashku me Luigj Gurakuqin, punoi për hartimin e të gjithë dokumentave që do t’i paraqiteshin Konferencës apo liderëve të Fuqive të mëdha. Po të lexohen me vëmëndje ata dokumenta, të përmbledhura e të botuara në dy vëllime, shihet qartë se me sa atdhedashuri, kompetencë, saktësi e pasuri argumentash është mbrojtur çështja kombëtare në një nga çastet më të vështira e më vendimtare të historisë bashkëkohore shqiptare.
Për një kompleks skrupujsh moralë nuk mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, megjithëse miratoi plotësisht domosdoshmërinë e mbajtjes së tij në atë periudhë tepër delikate historike. Më 1920, me armë në dorë, gjindet në Koplik duke luftuar për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Më 1921 u zgjodh deputet i Kosovës në të parat votime të Shtetit të pavarur shqiptar dhe u rrjeshtua me Opozitën, që kundërshtonte kryesisht ngjitjen e Ahmet Zogut në pushtet. Një nga pjesëmarrësit e Lëvizjes së marsit 1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin etj., mbas dështimit të saj shkoi në Jugosllavi. Brënda gjashtë muajsh mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu e botoi librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, shkruar nga Vlladan Gjorgjeviç, ish Kryeministër i Sërbisë. U kthye në Shqipëri, mbas fitores puçiste të Opozitës, në qershor 1924, duke u emëruar prefekt i Shkodrës.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Natën e Krishtlindjeve 1924 u largua përsëri në mërgim, kësaj here për një kohë të gjatë prej 15 vitesh. Qëndroi në Bari, në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë. Pjesëmarrës në KONARE, u shkëput më 1927, mbasi nuk u pajtua me qëndrimet prosovjetike të disa eksponentëve të saj. Në mërgim kryesoi grupin që mori emrin e tij e që financohej nga qeveria italiane.
Vizioni i tij i përgjithshëm që përcaktonte dhe kahet e pjerrjes së bindjeve politike në lidhje me strategjinë kombëtare, anonte nga Perëndimi dhe vlerat e tij. Në këtë kontekst idesh bindja e tij ishte se Shqipëria, në rrugën e saj të gjatë e të vështirë drejt përparimit, duhej të kishte si përparësi mbështetjen tek Italia. Kjo jo vetëm për peshën e saj si fuqi ekonomike e politike evropiane, jo vetëm për imazhin e saj ndjellës në lëmin e kulturës e të qytetërimit, por edhe për faktin se, nga të gjitha shtetet e mëdha të Perëndimit, Italia ishte më e interesuar dhe më e prirur për të ndihmuar çështjen shqiptare. Janë konsiderata që duhet të shqyrtohen në kuadrin e çastit historik dhe të kushteve gjeostrategjike të Shqipërisë së dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX. Sot, në botën e globalizuar, këta parametra të mendimit politik kanë ndryshuar, por ideja ka vazhduar të mbetet mjaft aktuale, megjithë traumat që, herë pas here, ka pësuar duke filluar nga Traktati i Londrës, marrëveshja Titoni-Venizellos e deri tek 7 prilli 1939.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Mustafa Kruja u kthye në Atdhe mbas kësaj date dhe u emërua Senator i Mbretërisë Italiane, në të cilën tashmë përfshihej edhe Shqipëria e pushtuar. Ishte më shumë një titull nderi se sa një impenjim politik. Në “Vetëparaqitja”, e cila është kërkesa që ai i bëri Departamentit amerikan të Shtetit për strehim politik, ai pohonte: “U ktheva atëherë në Vendin tim të pushtuar i vendosur mos me marrë pjesë në asnjë qeveri të Vendit të skllavëruar....” U muar intensivisht me Fjalorin etimologjik të shqipes, me kryeveprën e tij monumentale, së cilës i kushtoi pjesën më të madhe të kohës e të energjive të Tij shkencore e intelektuale dhe kryesoi Institutin e Studimeve shqiptare.
Ndërroi mendim kur kuptoi se lëvizja komuniste, e drejtuar nga dy të dërguar të PKJ, po fillonte të kërcënonte seriozisht t’ardhmen e Shqipërisë. Ofertës së Mëkëmbësit të Mbretit Françesko Jakomoni, i u përgjigj me një sërë kërkesash, si kushte për të formuar Qeverinë. Këto kërkesa, në pjesën e tyre më të madhe, mbetën të paplotësuara, megjithë premtimet e vazhdueshme të autoriteteve italiane. Bashkëpunimi me Qeverinë italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk qe një flert që zgjati shumë. I nisur si një “lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar” simbas ministrit të jashtëm Ciano, ai erdhi duke u dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar fondet për të ngritur në këmbë një korpus të milicisë shqiptare prej njëzet mijë vetësh, por italianët nuk i a realizuan kurrë sepse nuhatnin në të një rrezik për vetë qëndrimin e tyre në Shqipëri. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të Boshtit, këtë e bënin vetëm për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër sekret: të organizonte krijimin e një force të armatosur e cila, në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta nacionaliste, do t’i jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste të drejtuar nga jugosllavët. Për të filluar këtë plan strategjik ai mendoi t’a nisë nga Vlora, krahina më e fuqishme e kësaj lëvizje. Në këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si komisar i jashtzakonshëm i Qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë, nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jakomonit hetimin e shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorasve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. Vendosi të japë dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me atë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll kariera politike e Mustafa Merlika Krujës.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Në 13 muaj veprimtari Qeveria e Mustafa Krujës u përpoq të frenonte e të luftonte lëvizjen komuniste, e cila luftën për çlirimin e atdheut e kishte si një gjethe fiku për të mbuluar synimin për të marrë pushtetin e ardhshëm, në kuadrin e një strategjie botërore, të përpunuar në Moskë e në zyrat e Kominternit. Fakti që këtë luftë e filloi mbas sulmit të Gjermanisë BRSS nuk le mëdyshje mbi motivin e vërtetë të saj. Por ajo veprimtari u shqua edhe në dy drejtime të tjera: i pari ishte i lidhur me krijimin e shkollave shqipe dhe përhapjen e arsimit shqip në territoret e ribashkuara me “shtetin amë”, Kosova në rradhë të parë, kurse i dyti kishte të bënte me përndjekjen mizore karshi hebrenjve. Për territoret e çliruara u mobilizuan forcat më të mira e më idealiste të inteligjencës shqiptare, të drejtuara nga dy personalitete të kulturës të rangut më të lartë, si Ernest Koliqi e Xhevat Korça. Kosova i qe mirënjohëse Mustafa Krujës e Qeverisë së tij. Vizita e tij në të ishte një shfaqje në shkallën më të lartë e respektit dhe dashurisë për ish deputetin e saj dhe vendimi i administratës së Prishtinës jo sërbe, për të emëruar një rrugë të kryeqytetit kosovar me emrin e tij është dëshmia më e mirë e konsideratës që Kosova ende ruan për të. Do t’u lutesha të më lejonit që, në emër të familjes, të falënderoj nga zemra autoritetet e Prishtinës.
Drejtimi i dytë ishte i lidhur me një nga dukuritë më mizore e më të turpëshme të luftës së dytë botërore, atë të çfarosjes së hebrenjvet. Mustafa Kruja dhe Qeveria e tij patën meritën që Shqipërisë nuk i lanë njollën e vrasëses së hebrenjvet, por nderin e shpëtueses së tyre. Kërkesës së Komandës gjermane të Ballkanit për evidentimin dhe dorëzimin e çifutëve ata i u përgjigjën me një mobilizim të gjithanshëm të Administratës, në të gjitha nivelet, për të zhvendosur ata nga Kosova në jugë të Shqipërisë, duke i paisur me dokumente shqiptare e duke u shpëtuar jetët. Përgjigja negative që i u dha Komandës gjermane tregoi guximin dhe humanizmin real të Kryeministrit Kruja dhe bashkëpuntorëve të tij. Kështu Shqipëria e vogël u bashkua me Danimarkën, si të vetmet shtete në Evropën e pushtuar, në nismën tepër guximtare të mos dorëzimit të hebrenjvet. Ky fakt, që nderon në nivelin më të lartë Shqipërinë dhe popullin e saj, u mbajt i panjohur për gjysëm qindvjeti vetëm e vetëm sepse ata që e kryen ishin shqiptarë antikomunistë. Çdo koment për këtë veprim më duket i tepërt.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Arsyeja e trajtimit të figurës së Mustafa Krujës me ngjyrat më të errta nga historiografia komuniste nuk ishte thjesht i ashtuquajturi bashkëpunim me pushtuesin italian, për të cilin ka vënd për diskutim e rrahje mendimesh. Arsyeja e vërtetë ishte se Ai ishte një antikomunist i vendosur, se e quante sistemin bolshevik rrezikun më të madh që i kanosej Shqipërisë, për shmangien e të cilit do të ishte e pamjaftueshme çfarëdo lloj sakrifice. Kjo ishte credo-ja e tij politike, për të cilën nuk nguroi të verë në diskutim gjithë kapitalin e tij moral e politik. Nga lartësia e gati tre të katërtave të shekullit, me ndershmëri intelektuale dhe objektivitet shkencor, mund të gjykohet në dritën e saj të vërtetë vlera e asaj credo-je.
Besoj se nuk gabohem nëse pohoj se Ai qe një nga njohësit më të mirë të komunizmit si sistem, qoftë në formulimin e tij teorik ashtu sikurse edhe në zbatimin e tij praktik. Ata zotërinj, që kanë inventarizuar e shpënë në Bibliotekën Kombëtare librat e tij, mund të dëshmojnë se ç’përqindje të lartë zinin në ta ata që ishin shkruar për komunizmin. Meqënëse akti i fundit i jetës së tij politike iu kushtua përpjekjes jo frutdhënëse për të mos lejuar instaurimin e diktaturës së kuqe, kjo e fundit e quajti armikun e saj kryesor. Si pasojë historiografia, pasqyrë e gjallë e vijës politike të regjimit, me një të rënë të furçes, fshiu çdo meritë të tij edhe në fushat e tjera të veprimtarisë përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në shpalljen e Pavarësisë, duke dënuar a priori përjetësisht me etiketën e tradhëtarit një nga protagonistët e jetës politike e kulturore të Kombit. Ajo që bën përshtypje më shumë është se edhe në këta 17 vite të së ashtuquajturës demokraci pak ose aspak ka ndryshuar ky opinion në nivel akademik. Për të vërtetuar mund të sillet shëmbulli i botimit në 2005 të një fjalori enciklopedik të titulluar “Gazetarë dhe publiçistë shqiptarë” në të cilin emri i Mustafa Krujës as që përmëndet fare, në sintoni me traditën më radikale komuniste të mohimit të fakteve e të vlerave të kundërshtarit.
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Ajo ceremoni që u kremtua më dy qershor, ajo kuti e vogël me eshtrat e Tij që mrekullisht mbas një gjysëm shekulli do të prehen në tokën që e lindi na përcjellin një mesazh: atë të rrëzimit të tabuve të mashtrimit dhjetravjeçar e të kërkimit të së vërtetës, të shpalosjes së saj katërcipërisht, të debatit të hapur e pa paragjykime. Të gjitha këto i shërbejnë ecjes përpara të shoqërisë shqiptare, prandaj ajo ditë mban vulën e ndërrimit të kohëve, e futjes në rrugën e qytetërimit, sepse qytetërimi nuk pranon dogma por arsye, nuk ligjëron mashtrimin por të vërtetën, nuk bazohet në përfundimet e pasioneve të skajshme por në ata të gjykimit të ftohtë, nuk zbaton si metodë vlerësimi manikeizmin por analizën e paanëshme të bazuar në fakte, shkrime, dokumenta.
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

O zogu, ne radh te par ku e ble buken ti?
ne radh te dyte kete shkrimin kush e ka bo? dhe ku i ka mar referencat?
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

O zogu, para se me dal me ble buken neser lexo pak Sejfi Vllamasi dhe aty ke ca gjona te bukura per ket tipin. Deri tani mbetet ne fuqi kjo qe them un, edhe pse shkurt fare. Qe ky robi qe ti permend ishte nje fashist gjithmon sipas librit.
je e lutur te na japesh referenca ...
Apo ta kan dhen ket shkrim qe te futem un ne mes dhe te bi ne gracke? Hajde tani behu vajz e mbare dhe rrefeju "priftit"
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Letërkëmbimi i Mustafa Krujës me At Paulin Margjokaj (1947-1958)
Aleksandër Meksi
krujamargjokaj.gif

Në optikën shqiptare ku njerëzit klasifikohen me ne ose kundër nesh, domethënë armik (ka dhe më keq akoma: me udhëheqësin tonë ose kundër tij), njerëzit si Mustafa Kruja e majta shqiptare deri dje dhe vazhduesit e saj nostalgjikë sot, i klasifikojnë si armiq. Me sa e njoh unë historinë e shtetit shqiptar, vetëm nja pesë veta (njëri po i humb pikët) kanë aureolën e “karizmatikut” të vënë nga tifozët e tyre ( për ideale ose për interesa) apo nga kundërshtarët e hasmit të tyre. Vetëm ata lavdërohen, shahen por dhe mbrohen deri në sherr (edhe kur kanë vrarë me mija dhe kur janë të dhunshëm e pervers, mbase për këto i adhurojnë ), madje ju këndojnë dhe këngë. Me sa duket tek ata shohin “idealin” e tyre, dhe për këtë shpërblehen me mbrojtje dhe karierë sipas rregullave të klientelizmit feudal. Ndërkohë dikush po mundohet ta vejë vetë aureolën e lavdisë, duke marrë poza e duke kërkuar poste, duke sharë gjithçka e lavdëruar ndokënd, për t’i treguar se është shumë i zoti dhe i dobishëm për Kombin. Ka dhe sot ndër ne, për fat të keq, njerëz që mendojnë se shpëtimi vjen nga individë e nga duele prijësash ( me sharja e fyerje).
Mustafa Kruja (Merlika) nuk ishte si ata. Ai mbetet një figurë e rëndësishme e historisë së popullit tonë dhe e kulturës së tij. Për tridhjetë vite ai ishte një protagonist , duke filluar me pjesëmarrjen aktive në Kuvendin e Vlorës të 28 Nëntorit 1912 (madje unë mendoj se është ai që ka shkruar Aktin e Pavarësisë ), duke vazhduar me poste të ndryshme dhe të rëndësishme qeveritare dhe veprimtari politike si në atdhe ashtu dhe në mërgim. Mustafa Kruja u përfshi në krijimin e shtetit të parë shqiptar, duke mos ardhur nga rangjet e larta të zyrtarëve të Perandorisë Turke , të mbetur pa punë pas shembjes së saj, as edhe nga shtresat e feudalëve dhe bejlerëve vendas. Ai dallohej për formimin intelektual , për aftësitë e tija dhe ishte më bindës se të tjerët, sepse vinte nga shtresa e mesme e shkolluar. Nga bashkëkohësit ai njihej si atdhetar e antikomunist i flakët si dhe intelektual dhe gjuhëtar i dorës së parë. Ndërsa të tjerët e njohin për vitet e luftës, pa dëgjuar shpjegimet e tij, për qëndrimin dhe veprimtarinë , duke përsëritur tezat e veglave të armiqve të kombit.
Mustafa Kruja bën pjesë në atë grup shtetarësh shqiptar të gjysmës së parë të shek.XX-të si Ekrem Bej Vlora, Mehdi Frashëri, Sejfi Vllamasi, Faik Konica, Lumo Skëndo, Teki Selenica e të tjerë, që me penën e tyre dhe vërtetësinë e dëshmive të dokumentuara, ndihmojnë për të njohur historinë e trazuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudhën nga pavarësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studimet e tij, që mundi t’i ruante familja, letërkëmbimi gjatë kohës që ishte në emigracion, si dhe ato dorëshkrime historike që mori me vete apo shkroi kur ishte në mërgim, po botohen kohët e fundit nga të afërmit e tij, të cilët u vranë barbarisht, u burgosën dhe internuan, prej nga u kthyen pas vitit ’90 kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha e komunistëve në shërbim të të huajve, më e keqja, më çnjerëzorja dhe më gjakatarja, që njeh populli shqiptar gjatë mija vjet histori të tij.

Kohë më parë lexova me përkushtim përmbledhjen me shkrime dhe studime historike dhe gjuhësore ?Antologji Historike ?, të Mustafa Krujës. Pas gati gjysmë shekulli që na ndan nga vdekja e tij ai na shfaqet në një dritë krejt ndryshe, në një dimension të ri jo vetëm nëpërmjet fjalës dhe veprës së tij por edhe nëpërmjet dokumenteve dhe fakteve historike që po botohen kohët e fundit, nëpërmjet monografive për figura historike, kujtimeve të bashkëkohësve e tje. I ngritur në kult nga pala që luftoi për një Shqipëri evropiane dhe që nuk ia arriti dot, dhe i anatemuar dhe i mohuar tërësisht nga pala tjetër që solli në pushtet murtajën sllavo-komuniste. Këta të fundit kishin edhe një arsye plus; veprat shkencore të Mustafa Krujës, kryesisht në fushat e gjuhësisë dhe historisë, me frymën e tyre thellësisht patriotike dhe shkencore, u mohuan për t’u përvetësuar dhe shfrytëzuar nga ?shkencëtarët e maleve me dëborë mbuluar?. Ka ardhur koha që vepra shkencore e studiuesve deri dje të mohuar tu kthehet bibliotekave dhe katedrave si pjesë e pamohueshme e shkencës dhe kulturës shqiptare.
Gjithsesi këto përvetësime, që nuk janë të pakta jo vetëm për këtë autorë por dhe për shumë shkrimtarë e shkencëtarë të shpallur ?armiq? nga diktatura, meritojnë studime të veçanta krahasuese, gjë që nuk është detyrë e këtij shkrimi që synon të paraqes edhe veprën e dytë të botuar kohët e fundit -?Letërkëmbimi? (1947 – 1958), ku janë përfshirë letrat ndërmjet tij dhe Pater Paulin Margjokaj, respektivisht 66 dhe 57 letra.
Vepra e parë, ?Antologjia historike ? shquhet për stilin akademik, për argumentimin e saktë shkencor, për trajtimin dhe interpretimin realist të historisë moderne të Shqipërisë, pa pasione ideologjike dhe shoviniste aq sa pa hezitim mund të themi se në të ardhmen , për historianët dhe albanologët e çliruar nga dogmat, veprat e Mustafa Krujës do të shërbejnë jo vetëm për referim por edhe si burim faktesh të dorës së pare. Sepse janë ngjarje të treguara prej njërit nga protagonistët më të shquara të këtyre viteve.
Ky emigrant i përjetshëm, kundërshtar si i mbretërisë së Zogut ashtu i diktaturës sllavo-komuniste që erdhi më pas, nuk e shkoi kohën kot në mërgim por gërmoi nëpër arkiva dhe biblioteka, krijoi dhe punoi në kushte të vështira jetese me përkushtim dhe pikësynime të qarta; për t’i lënë atdheut një trashëgimi të pasur. Energjitë dhe kohën më të madhe ja mori Fjalori i Gjuhës Shqipe, me 30 000 mijë fjalë dhe 2400 faqe, një vepër madhore, e pajisur me shënime edhe në aspektin etimologjik për shumicën e fjalëve, por që diktatura e zhduku “pa lënë gjurmë” (sigurisht që u përvetësua nga të tjerë, shkencëtarët komunistë), ndonëse ishte bërë gati për botim qysh në vitin 1943 .Ndoshta kërkimet e ardhshme nga një brez i ri gjuhëtarësh të pakompleksuar nga e kaluara, do të flasin më me saktësi edhe për këtë. Por padyshim, me këto që lexuam jemi të mendimit se Mustafa Kruja, është një ndër albanologët dhe historianët më në zë të mesit të shekullit të XX-të.
Shkrimet që na ka lënë si trashëgimi janë të natyrave të ndryshme dhe vetëm një pjesë e tyre qe e botuar në periodikët e kohës brenda vendit por më të shumtat në shtypin shqiptar të diasporës. Disa nga studimet gjuhësore i përmblodhi në vëllimin ?Kritiqizëm Gjuhsore? ku analizonte ?nëpërmjet një kritike ndërtimtare shtrëmbrimet gjuhësore të Aleksandër Xhuvanit,Mati Logorecit,Koço Tasit etj. Në këto kritika rrjedhë një frymë e pastër , pa pasione, pa mëni, themelue vetëm në shkencë, sikur i ka hije një studimtari.? (Karl Gurakuqi-revista Shejzat 1959).Kjo është vetëm një pjesë e punës së tij gjysëm shekullore.Shumë nga shkrimet dhe studimet e Mustafa Krujës presin të botohen. Ato janë pasuri kombëtare dhe kontribute në shkencën tone. Lista e dorëshkrimeve është e gjatë por ne po rendisim disa që na duken më kryesoret dhe që ende nuk kanë parë dritën e botimit, megjithëse vlerësimi dhe diferencimi u përket studiuesve të fushave përkatëse.
-Sprovë për një fjalor kritik-vetëm germa A dhe B-250 fq.
-Fjalor i Frangut të Bardhë- monografi,botuar pjesërisht në revistën ?Shejzat? (pjesa e pabotuar 130fq) .
-Shqipnia përpara Konferencës së Paqes në 1919, bashkë me dokumente zyrtare të Qeveris së Përkohshme në 1919.
-Kujtime vogjëlije dhe fëminije
Nga kjo bibliografi e rralluar vetvetiu të lind pyetja : Kush ishte Mustafa Kruja ?
Sigurisht që për mua ky emër është i njohur, së pari si studiues i spikatur dhe mandej si politikan, i cili ka qenë i pranishëm për dhjetëvjeçarë në politikën Shqiptare. Por për lexuesin e ri në moshë dhe që nuk ia ka dashur puna ta njohë këtë personalitet na duket me vend të japim një informacion të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së tij
- Lindi më 15 mars 1887 në Krujë ku dhe mbaroi shkollën fillore.
-Shollën e mesme e mbaroi në Janinë , në gjimnazin Zosimea , ku kishin studiuar edhe shumë patriotë shqiptarë si, vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi , Faik Konica e të tjerë .
-Më 1910 përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet e larta në universitetin Mylkije të Stambollit për shkencat politike dhe administrative.
-1911 filloi punën si mësues i matematikës në gjimnazin e Durrësit.
-Më 1912 Mori pjesë në kryengritjen e madhe të shqiptarëve kundra perandorisë Turke që numëronte muajt e fundit .
-28 Nëntor 1912 merr pjesë si një ndër përfaqësuesit intelektualë kryesorë në ngritjen e flamurit në Vlorë për pavarësinë e Shqipërisë, përkrah Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.
-Emërohet nënprefekt i Vlorës.
-1913 emërohet drejtor i arsimit në Elbasan.
-1914 përkrah ardhjen e Princ Vidit dhe së bashku me Abdi Toptanin luan një rol të dorës së pare në kundërshtimin e lëvizjes antikombëtare të Haxhi Qamilit duke mos e lejuar që ajo të triumfonte në Krujë.
-Më 1915, me urdhër të Esat Pashës arrestohet dhe dërgohet në burg, në Bari të Italisë, si kundërshtar politik i tij.
-1916 burgimi i kthehet në internim në ishullin e Favinjanës.
-1917 pas lirimit nga internimi vendoset në Romë ku punon si kryeredaktor i revistës politiko-letrare ?Kuvendi?, themeluar nga miku i tij Sotir Gjika .
-1918 kthehet në atdhe dhe menjëherë hidhet në veprimtari politike
-Më 25 dhjetor merr pjesë në mbledhjen e formimit të qeverisë së Durrësit me kryeministër Turhan Pasha . Emërohet ministër i Postë – Telegrafës
-1921 në zgjedhjet parlamentare për Këshillin Kombëtarë zgjidhet deputet i Kosovës.
-1922 merr pjesë në kryengritjen e Elez Isufit për rrëzimin e qeverisë.-Me dështimin e saj arratiset në Jugosllavi
-Kthehet më 1924 dhe merr pjesë në revolucionin e Qershorit. Emërohet prefekt i Shkodrës nga qeveria e Fan Nolit.
Pas dështimit të Qeverisë së Nolit, si shumë politikanë të tjerë kundërshtarë politikë të Ahmet Zogut, arratiset në Itali. Por kohën më të gjatë e kaloi në Zvicër.
-Pas pushtimit Italian kthehet në Shqipëri. Si studiues drejton Institutin e Studimeve Shqiptare dhe nuk merr pjesë në jetën politike.
-Duke kuptuar rrezikun e madh që i vinte Shqipërisë nga sllavo-komunizmi, rrezik që u bë realitet dhe vendi hoqi tmerret e tij për afro gjysmë shekulli, në fund të vitit 1941 pranoi të bëhej kryeministër , post që e mbajti për 13 muaj. Dorëheqja e tij qe e parevokueshme sepse qeveria italiane nuk ju përmbajt kushteve që u formuluan kur ai pranoi të marri postin e lartë.
-1944 shkon në Vjenë, për t’iu ndodhur djalit më të vogël pranë , në momentet e fundit të jetës. Fati i keq i djalit shpëtoi babanë. Në Shqipëri triumfuan komunistët dhe M. Kruja nuk u kthye më kurrë në atdhe.
-Pas kësaj jeta e tij qe një endje e vazhdueshme nga Austria në Itali, në Zvicër , më pas në Egjipt e Francë, pranë kundërshtarit të dikurshëm, Ahmet Zogut, për ta mbyllur jetën në SHBA, në qytetin Niagara Falls, duke u bashkuar me djalin tjetër dhe me motrën. Kampionia e demokracisë, Amerika, e kishte pranuar këtë ?kundërshtarë të tmerrshëm? qysh me kërkesën e pare për bashkim familjar dhe e kishte bërë qytetar të saj ndonëse në Evropë vazhdonin gjyqet e Nurembergut për kriminelët e Luftës së Dytë. Pra për shtetet e Bashkuara të Amerikës Mustafa Kruja nuk ishte i tillë . Dhe ata e dinin mire këtë.
-Vdiq më 27 dhjetor 1958, në moshën 71 vjeçare në Niagara Falls të SHBA .
Nga leximi i dy veprave të botuara të M. Krujës mendimi i parë që të lind është këmbëngulja e tij për të përforcuar tek bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe nënvizuar faktin shqiptarët kanë qenë gjithnjë në përpjekje për të ruajtur trojet dhe identitetin e tyre, për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira . Prandaj nuk është i rastësishëm edhe orientimi i punës së tij shkencore në fushat më të rëndësishme të përkatësisë kombëtare : Gjuhës dhe Historisë. Dhe në të dyja ai është kërkues dhe studiues i vërtetë. Teoria pellazgjike e prejardhjes së shqiptarëve që i bën ata populli më i lashtë i Ballkanit dhe gjuha shqipe një degëzim krejt i veçantë i familjes së gjuhëve indoevropiane, tashmë janë të pranuara jo vetëm nga shkenca shqiptare, veçse me autorësi të ndryshuar. Gjuha ka qenë pasuria më e madhe e kombit, që e ka ruajtur atë nga asimilimi dhe asgjësimi dhe ky deduksion meriton të vlerësohet.
?Antologjia Historike ? e Mustafa Krujës (botuar në vitin 2001) jo vetëm që është e mbrujtur me fakte dhe interpretime të drejta dhe origjinale të historisë por për periudhën që ai ka qenë protagonist , d.m.th nga viti 1912 e deri në vitin 1944, kthehet në një dëshmi konkrete që as nuk mund të mohohet dhe as mund të ndryshohet. Nuk ka mënyrë më të mire për të njohur historinë e një populli sesa nëpërmjet figurave të njohura politike. Po kështu, përkthimi i librit të L.Thalloczy-it “Vëzhgime iliro-shqiptare”, botuar në vitin 2004, si dhe libri mbi Aleksandrin e Madh.
Në emigracion ai nuk u bashkua me ata që përpiqeshin për çlirimin e vendit nga diktatura komuniste sepse e kishte kuptuar; bota ishte ndarë në dy kampe dhe ndryshimet mund t’i sillte vetëm një luftë e përbotshme gjë që ishte e pamundur, kurse Atdheu i tij ishte i destinuar të kalonte diktaturën më të egër të Evropës, të jetonte deri sa rendi absurd socialist të degradonte. Rivaliteti midis dy superfuqive e kishte lënë atë në ?zonën e askujt?, të ngujuar në varfërinë e vet. Profecia e M. Krujës u realizua tri dekada pas vdekjes. Megjithatë ai ishte i bindur se herët a vonë kjo do të ndodhte.
Por përmasat e vërteta të M.Krujës si shkencëtar, si patriot,si politikan dhe njeri dalin më të plota te përmbledhja ?Letërkëmbim?, përgatitur për botim nga Bashkim Mërlika dhe Daniela Dukagjini.Një vepër e veçantë në botimet tona jo vetëm për përmbajtjen por edhe për formën epistolare. Në të janë renditur, në bazë të kriterit kronologjik, 123 letra midis Mustafa Krujës dhe priftit të ri katolik Pater Paulin Margjokaj OFM. Një korrespondencë që ka zgjatur për më se njëmbëdhjetë vjet, një letërkëmbim midis miqsh, midis një politikani dhe studiuesi të madh dhe një prifti të ri , midis një katoliku dhe një myslimani, dy intelektualë me interesa të larta shkencore dhe atdhedashurie që politika ekstreme i la përjetësisht në mërgim.
Kush ishte Patër Paulini? Dr. Paulin Margjokaj lindi në fshatin Kçirë të Shkodrës më 26 shtator 1908. Emri i tij para hyrjes në shërbim të fesë ishte Bibë Doda.
Më 1925 hyri në Urdhrin e fretërve të Shqipërisë.
Më 1932 shugurohet meshtar
Nga viti 1938 deri më 1941 shërbeu si sekretar i Provincës shqiptare dhe si mësues i historisë dhe gjeografisë në liceun ?Ilirikum?.
Më 1941 – 1943 shkoi për studime të larta në Itali (Torino) ku mori doktoratën në histori dhe letërsi .
Për shkak të ardhjes së regjimit komunist në pushtet nuk u kthye ma në atdhe.
Shërbeu si prift në Sud Tirol, Kaltren dhe në Bozen deri në vitin 1951.
Pas kësaj shkoi në Vjenë dhe në Grac , sa më pranë Shqiptarëve të mërguar. E deshi vendin e vet si dhe banorët e tij me gjithë shpirt. Dhe kështu vdiq më 30 korrik 1975, besnik i idealit të tij në traditën françeskane të Provinces shqiptare.
Shkroi shumë artikuj dhe la dy vepra në dorëshkrim në gjuhën shqipe. Me Mustafa Krujën e lidhën idealet e përbashka të shqiptarizmës dhe shkencës.
Letërkëmbimi ndërmjet tyre përqendrohet në ndodhitë historike në harkun kohor ndërmjet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në të vizatohen me vërtetësi, në raport me qëndrimet e tyre ndaj lirisë dhe çështjes kombëtare, mëse pesëdhjetë personazhe të njohur të politikës shqiptare ; qysh nga Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Midhat Frashëri, Myfit Libohova e shumë të tjerë.
Tematikën e këtij letërkëmbimi përgjithësisht e diktojnë ?pyetjet e pafundme? të priftit të ri për të gjithë zhvillimet historike . Dhe Mustafa Kruja përgjigjet me bujari, pa u lodhur dhe pa u mërzitur, duke i siguruar historianit të ri ?lëndë të pare? kualitative për Historinë e Shqipërisë në të gjitha fushat e saj. Përgjithësisht letrat janë rrëfime të sinqerta, pa paragjykime plot nerv artistik që e bën leximin e tyre të këndshëm. Siç e thamë, ngjarjet historike përshkruhen me vërtetësi dhe me thjeshtësi, ndonëse në shumicën e tyre M. Kruja ka qenë protagonist përsëri ai është modest; meritat u le të tjerëve dhe ndonjë gabim e mban për vete. Nga letra në letër zbulohet karakteri i tij i fuqishëm , stoiçizmi kundrejt sfidave të emigracionit, mungesave dhe fatkeqësive familjare, që bashkëbiseduesi, At Paulini, ja ve në dukje shpesh në letra. Ata kishin nevojë për t’i shkruar njeri tjetrit , për ?të zbrazur zemrat dhe mendjet?. Por?dhurata? që i bënte Mustafa Kruja ishte e paçmuar. Ai i kishte vënë në dispozicion gjithë qenien e tij, me njohuritë , përvojat dhe dëshmitë si protagonist i shumë ngjarjeve të rëndësishme historike.
Nga ana tjetër letrat ishin edhe një pasqyrë e gjendjes shpirtërore dhe gjykimeve të tyre për problemet e së kaluarës së afërt dhe atyre të kohës krahas personaleve.
Mustafa Kruja( Mërlika) nuk la autobiografi ndonëse shokët dhe të afërmit e tij ju lutën shpesh ta bënte një gjë të tillë. Por ky letërkëmbim, prej më se 400fq, fare mire mund të shërbejë për hartimin e një monografie të plotë, sepse materiali është shumë i gjerë. M. Kruja është shkrimtar me penë të artë për të cilin Ernest Koliqi në revistën ?Shejzat? në 1957 thotëConfused Aty ku Mustafa , mandej arrin në përsosje letrare , asht stili epistolar. Ata qi paten fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to asht derdhur një visar i paçmim i shqipes?.
Korespondenca e M.Krujës është e gjerë ; disa letra kanë humbur , të tjera duhen kërkuar dhe mbledhur, sepse ka të dhëna të sigurta për to , por megjithatë, edhe kjo përmbledhje flet shumë. Siç thamë ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë në një kohë të trazuar që nis me ngjizjen e shtetit shqiptar më 28 nëntor të 1912 ku nuk ishte e lehtë të orientoheshe. Gjithsesi Mustafa Kruja kishte vetëm një orientim mbrojtja e çështjes shqiptare edhe kur vendi ishte fushëbetejë e superfuqive të kohës dhe e fqinjëve (1912-1924), dhe kur vendi ishte pjesë e perandorisë italiane. Për të zgjidhja e çështjes kombëtare dhe shmangia e rrezikut sllavokomunist ishin terreni mbi të cilën ai punonte.
Për figura të tilla historia, gjatë këtyre 15 vjetëve, mendoj se ka pasur mjaft kohë për ta thënë fjalën e vet me objektivitet, pa pasione dhe kufizime apo tabu primitive politike dhe ideologjike.
Në të vetmin shkrim që paraqet disa element të autobiografisë, në formën e një vetëparaqitje apo vetëprazantimi, që në të vërtetë është Kërkesa që Mustafa Kruja i drejtoi autoriteteve amerikane për strehim politik më 1952, do t’i jepte përgjigje edhe pyetjes që të lind vetvetiu pas leximit të dy veprave M.Krujën: Çfarë e shtyu atë që të bashkëpunonte me okupatorin kur njihej patriotizmi i tij”. Ai mbas kthimit në Shqipëri nga emigracioni refuzoi tri herë rresht propozimet italiane për të marr pjesë në qeveri por, më vonë duke shikuar rrezikun që përbënte për shqiptarët komunizmi, që sa vinte e forcohej me ndihmën e të dërguarve sllavë, ai si luftëtar i çështjes shqiptare dhe si antikomunist i papajtueshëm pranoi postin e kryeministrit me disa kushte që Jakomoni i miratoi .Kushtet ishin këto: Rikthimi në fuqi i vendimeve të 12 Prillit,d.m.th. abrogimi i traktateve që kishin të bënin me shkrirjen e forcave të armatosura dhe marrëdhënieve me jashtë; krijimin e një milicie shqiptare në varësi të Ministrit të Brendshëm; kthimin e flamurit kombëtar në formën e vet origjinale. Prej tyre u pranua vetëm ajo që lidhej me flamurin. Dhe siç thotë vetë Mustafa Merlika : “Mbas nji vjeti lufte të pa barabartë kundra komunizmit nga nji anë dha pengesave të italianëve e të bashkatdhetarve të mij vetë, qi nga ana tjetër duhej të më përkrahëshin, vendosa me dhanë dorëheqjen”.
Paskëtaj Mustafa Kruja u tërhoq nga politika aktive, duke parë se edhe nacionalistët po bashkëpunonin me komunistët. Sidoqoftë i dha përkrahjen Lëvizjes së Legalitetit, mërgoi nga një vend në tjetrin duke u marr me kërkime shkencore, deri sa ju dha strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe ndërroi jetë siç pamë më lartë më 27 Dhjetor 1958 në moshën 71 vjeçare. Për të vlejnë fjalët e Ernest Koliqit “Deshti ma fort Shqipninë se popullaritetin e vet”
Pavarësisht nga kjo, do të jenë historianët dhe studiuesit e ardhshëm, të çveshur nga indoktrinimi, interesat politike dhe inatet tipike shqiptare, ata që do të thonë me drejtësi dhe paanësi fjalën për jetën dhe veprën e këtij atdhetari dhe shkencëtari të shquar. Po kështu duhet të vazhdojnë përpjekjet për botimin e dorëshkrimeve të tij, që puna dhe mundi i tij të kthehet në pronë të të gjithëve. Prandaj mendoj se ia vlen t’i mbyll këto mendime dhe mbresa nga leximi i veprave të Mustafa Krujës duke perifrazuar një thënie të njohur tashmë ?Ai nuk ka nevojë për ne kurse ne kemi nevojë për të?.
Së fundi do t’i bëja apel gjuhëtarëve të vjetër dhe atyre të rinj që të përpiqen për të gjetur dorëshkrimin e Fjalorit të tij, që të mund të botohet, çka është një detyrim dhe nder për ta.


Tiranë më 1.12.2006

Botuar në”Shqip” më 3.12.2006
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

salvatore, meqe dhe ti po jep te dhene per kete "tipin" qe ka qene perfaqsues i KRUJES ne ngritjen e flamurit ne Vlore,ka qene sekretari i Ismail Qemalit ne qeverine e Vlores, ka qene nje nder atdhetaret shqiptare kunder pushtetit te Zogut etj, po te them se kete shkrim e ka shkruar i nipi i tij Eugjen Merlika, dhe une e kam mare nga gazeta me lejen e vete shkruesit. Ne qoftese ke ndonje pikepyetje per keto qe lexon apo shkruan meqe je dhe Itali mer lexo ditarin e Cianos (nqs qypi jot e njeh) dhe do vertetosh e krahasosh se si e quan ai kete qe ti e quan fashist.Me nderime, Kuklla.
(I lutem moderatoreve dhe aministratoreve te mos lejojne qe tema te behet kot)
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

vazhdimi i shkrimit me siper (kuklla)
Ajo ceremoni që u kremtua më dy qershor, ajo kuti e vogël me eshtrat e Tij që mrekullisht mbas një gjysëm shekulli do të prehen në tokën që e lindi na përcjellin një mesazh: atë të rrëzimit të tabuve të mashtrimit dhjetravjeçar e të kërkimit të së vërtetës, të shpalosjes së saj katërcipërisht, të debatit të hapur e pa paragjykime. Të gjitha këto i shërbejnë ecjes përpara të shoqërisë shqiptare, prandaj ajo ditë mban vulën e ndërrimit të kohëve, e futjes në rrugën e qytetërimit, sepse qytetërimi nuk pranon dogma por arsye, nuk ligjëron mashtrimin por të vërtetën, nuk bazohet në përfundimet e pasioneve të skajshme por në ata të gjykimit të ftohtë, nuk zbaton si metodë vlerësimi manikeizmin por analizën e paanëshme të bazuar në fakte, shkrime, dokumenta.
Rishkrimi i historisë, bazuar në këta kritere mbetet një detyrë e ngutëshme e studjuesve tanë, sidomos atyre më të rinj e më të paindoktrinuar. Nga ky rishkrim jam i bindur se figura komplekse e Mustafa Krujës do të fitojë vendin e saj edhe zyrtar në galerinë e visareve të Kombit.
Pasuria më e madhe e një Kombi janë njerëzit e tij, mëndjet mbi mesataren, ata që paraprijnë me idetë në shtigjet e vështira të ecjes përpara. Fatkeqësisht, varfërisë sonë proverbiale në fushën materiale, në gjysëm shekullin komunist i shtuam edhe vetëvarfërimin në sferën intelektuale, duke i hequr mekanikisht historisë e kulturës së një populli të vogël ndihmesën e sa e sa njerëzve të shquar, “mëkati” i vetëm i të cilëve kishte qënë mospajtimi me komunizmin. Kështu e gjithë ndihmesa madhështore e klerit katolik në fushat e kulturës e të formimit atdhetar të shqiptarëve u reduktua në njohjen e gjithsej tre katër firmave. Pjesa tjetër ku bënin pjesë Fishta, Harapi, Marlaskaj, Prenushi, Shantoja, Sirdani e të tjerë ishte për kulturën zyrtare të regjimit regres, obskurantizëm, shërbim Vatikanit, madje tradhëti e interesave kombëtare. I njëjti metër përdorej për emra të njohur të politikës, të gazetarisë, të publiçistikës, të letërsisë si Konica, Resuli, Sotir Gjika, Mehdi Frashëri, Lumo Skëndo, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Branko Merxhani etj.
Terrorizmi kulturor që pësoi shoqëria shqiptare në sferën e saj të superstrukturës, me mohimin dhe përndjekjen e trashëgimisë kulturore të ashtuquajtur “reaksionare” apo “regresive”, paralel me atë shtetëror në grabitjen e pasurisë së qytetarëve, apo atë politik në asgjësimin e plotë të kundërshtarëve ishin pasojat tragjike të “cunamit” që mësyu Shqipërinë në atë fund nëntori, tashmë të largët, të 1944-ës.
Mustafa Kruja i shpëtoi në vetë të parë fizikisht këtij “cunami”, jo për vullnetin e tij, por për një vendim të Perëndisë që i merrte djalin më të vogël njëzet vjeçar, në këmbim të lirisë së tij. I thirrur urgjentisht nga mjekët e një klinike të Vjenës ku ishte shtruar Besimi, u nda për së gjalli me Dheun e lindjes dhe gjithshka të dashur kishte në të, në moshën 57 vjeçare, në një ditë shtatori të vitit 1944. Pjesa tjetër e jetës kaloi me dhimbje të thella në shpirt, jo vetëm për djalin e vdekur në lulen e moshës, por edhe për kushurinjtë që humbën jetën në luftë me komunistët, për vëllezërit e bijtë e burgosur, për gruan dhe të renë të degdisura në kampet e çfarosjes, për miqtë e bashkëpuntorët e idealit të shkuar në plumb ose në burgime të përjetëshme. Efektet rrënuese të tragjedisë vetiake të ndërthurur me atë të Kombit të rindarë e nën diktatura, i barti me vete deri sa mbylli sytë përgjithmonë në një klinikë amerikane, pranë kataraktit të famshëm të Niagarës më 27 dhjetor 1958, në Vendin simbol të demokracisë që i dha strehimin politik. Pati pranë në ata vite vështirësish skajore edhe materiale motrën e tij Xhiren dhe djalin e tij Bashkimin, të cilët me ngrohtësinë e tyre u munduan t’i lehtësojnë dhimbjet e t’i japin ndonjë çast ngushullimi.
Vlen të theksohet qëndrimi disavjeçar i atij mërgimi në Aleksandri të Egjyptit, ku u ftua prej Mbretit Ahmet Zogu, me sugjerim të një tjetri biri të shquar të Krujës, mikut të vjetër Abaz Kupit. Qëndrimi i Mustafa Krujës në oborrin e Mbretit në mërgim është një leksion stili dhe fisnikërie. Dikur shokë rinije, megjithë ndryshimin në moshë, më vonë kundërshtarë të rreptë politikë, në ata vite dëshmojnë respektin e ndërsjelltë që shkon deri në një miqësi të vërtetë. I konvertuar në përkrahës të Mbretërisë si institucion e të Zogut si Mbret që më 1943, në funksion të së ardhmes së Atdheut, të cilën Ai e shihte të siguruar vetëm në atë kuadër, Mustafa Kruja do t’i jetë mirënjohës bujarisë e burrërisë së ish kundërshtarit të Tij politik për gjithë pjesën e mbetur të jetës së Tij.
Madje, siç tregon zoti Fuat Myftija, në një rast kur Mbreti rrezikohej edhe fizikisht nga policia naseriane e i kishte larguar të gjithë miqtë e familjarët nga rezidenca e Tij, Mustafai u kthye së bashku me një revole, i gatshëm, po ta lypte puna, të luftonte deri në vdekje për mikun e bamirësin e vet. Ky është një episod që hedh dritë mbi personalitetet e personazheve që dikur qeverisnin Shqipërinë e që, instiktivisht, të çon në një krahasim me pasardhësit e tyre në drejtimin e Vendit që nuk bënë tjetër veçse të vrisnin njëri tjetrin duke e etiketuar si tradhëtar.
Mustafa Kruja ishte një idealist. I përkiste asaj aradhe intelektualësh që hynë në vorbullat rrëmbyese të politikës shqiptare të varfër e mbetën gjithë jetën të tillë, sepse ishin të ndershëm, se kishin dinjitet, se parësore për ta ishin interesat e Atdheut. Ideali i tij ishte Shqipëria e bashkuar në kufijtë e saj natyrorë, zhvillimi i saj ekonomik, mirëqënia e qytetarëve të saj dhe futja me ritme të shpejta në botën e qytetëruar. Ky ideal u kthye në lejtmotiv e qëllim jete si pasojë e padrejtësive të historisë së shekullit të shkuar ndaj Vendit tonë. Për Te dita e bashkimit të trojeve shqiptare në një entitet të vetëm administrativ u quajt “dita më e bukur e jetës”. Përfytyresa e s’ardhmes së Shqipërisë nuk ndalej në këtë pikë, por bashkohej me ëndrrën rilindase të “Zvicrës së Ballkanit”.
Strategjia e formuluar për t’i paraprirë sendërtimit të ëndrrës mbështetej tek arsimi e kultura, Vetëm nëpërmjet këtyre dy elementëve thelbësorë të formimit të një populli mund të synohej ecja përpara në rrugën e qytetërimit. Demokrati Kruja e predikonte arsimin për të gjithë, nuk i besonte elitës së zgjedhur të kastës së çfardo lloji. Për Te vlente vetëm një kriter, ai i meritokracisë, si i vetmi parametër që duhej respektuar në formimin e strukturave të Shtetit. Modeli për t’u marrë për shembull është ai i shoqërive liberale perëndimore, të organizuara mbi parimet e respektimit të lirive vetiake të qytetarëve, të pronës së tyre, të besimeve fetare dhe të ligjeve. Për të synuar objektivat bashkëkohore Shqipëria duhet të ishte një shtet ligjor, në të cilin ligjet, të miratuara konform të gjitha rregullave të demokracisë, duhet të gjenin zbatim në të gjitha hallkat e organizimit shtetëror. Serioziteti i një klase drejtuese vihet në provë kryesisht në këtë drejtim.
Për Mustafa Krujën një tjetër çështje themelore e efikasitetit të një shteti ishte përtëritja e vazhdueshme e klasës së tij politike. Ai mendonte se e ardhmja e Vendit ishte e lidhur me hyrjen e të rinjve, kryesisht të shkolluar, në të gjitha sferat e jetës së Kombit.
“Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyre shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”
Sa aktuale tingëllojnë edhe sot, mbas 65 vitesh këto mendime të shprehura në një bisedë me gazetarin e njohur italian Indro Montanelin.
Admirimi për qytetërimin perëndimor nuk e pengoi Mustafa Krujën të vlerësonte e të ngrinte në piedestal cilësitë morale të popullit të tij, për të cilat ishte krenar kudo që ndodhej. Bindja e tij ishte se Shqipëria, e prirur në rrugën perëndimore, duhet të ruante si një gjë të shenjtë formimin dhe vlerat e saj tradicionale etike, pa i përdhosur këto nga disa shfaqje të shoqërive të përparuara. Modernizimi i shoqërisë shqiptare duhet të kalonte nëpërmjet filtrave të ruajtjes së karakteristikes shqiptare. Nuk është ky qëndrim një shprehje konservatorizmi frenues, por vlerësim i asaj pasurie të brëndëshme që ka përcaktuar mbijetesën e personalitetit të Kombit në të gjitha furtunat e historisë së tij.
Me pak penelata ky ishte portreti i Mustafa Krujës, i një atdhetari që filloi në qytetin e lindjes jetën e Tij për t’u ngjitur në majat më të larta të elitës kulturore e politike të Vendit të vet. Por ky portret do të ishte i mangët pa përmendur këtu shkrimet e Tij të vyera në lëmin e gjuhësisë dhe të historisë, shkrime që ishin frute të një pune të gjatë e sistematike në vitet e vështira të mërgimit të fundit.
Dorëshkrimet e ruajtura me kujdes e dashuri nga motra Haxhire panë dritën e botimit në sajë të punës ngulmuese e plot pasion të të birit, Bashkimit, gjatë gjashtë viteve të fundit. Kështu sot lexuesi shqiptar mund të krijojë imazhin e tij nga leximi i “Antologjisë historike”, “Vëzhgimeve iliro-shqiptare”, “Aleksandrit të Madh”, “Letërkëmbimit”, “Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë” e të tjera veprave që do të plotësojnë kuadrin. Mëkatë që në këtë galeri veprash mungon kryevepra, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, aq shumë i vlerësuar nga studjues me peshë si Xhuvani, Çabej, Karl Gurakuqi, Petrotta, Koliqi etj. dhe i humbur pa gjurmë. Po t’i shtohet kësaj prodhimtarie ndihmesa në fushën e publiçistikës e të gazetarisë do të na plotësohej kuadri i një jete intelektuale intensive që pasuron ndjeshëm trashëgiminë kulturore të popullit tonë.
Ajo ceremoni rivarrimi plotësoi një amanet, duke i besuar dheut të Krujës eshtrat e birit të saj të shquar, por njëkohësisht theu një tabu duke nderuar kujtimin dhe veprën e njërit prej Etërve themelues të shtetit shqiptar, mbi figurën e të cilit padrejtësisht është hedhur shumë baltë, por që pret sot nga historia e vërtetë rivlerësimin e tij objektiv e zyrtar.

Qershor 2007 Eugjen Merlika
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Lamtumira e fundit Mustafa Merlika Krujës me lutjen Zotit t’a prehë të qetë ...
rrëzë Sarisalltikut të Tij

Shkruar nga : Mërgim Korça
Të dashur bij të të ndjerit Mustafa Merlika, Fatos edhe Bashkim, me gjithë nipër, mbesa edhe gjinorë gjaku ose lidhjesh, miq të ngushtë të familjes Merlika që ndodheni sot në këtë ceremoní mortore rrëzë Sarisalltikut, si edhe pjesëmarrës të tjerë.
Lejomëni, ju lutem, t’a kem nderin t’i shpreh edhe unë disa konsiderata sot që urna me hirin e Mustafa Merlikës po varroset përfundimisht në Krujën e Tij të dashur.
Ishim së bashku me Nënën ditën kur e ndjera Fitret, e motra e Mustafa Merlikës, për t’a ndarë të keqen e madhe që ndjente, erdhi së bashku me njerën nga të bijat e na tha se Mustafai kish ndërruar jetë. E mbaj mënd si të ishte sot. Na u shkreh një vaj i mbytur ...
Kaluan që atëherë shum’e shumë vite, thuajse plot pesë dhjetëvjeçarë. Nuk janë më mes nesh as Fitreti e as Qazimi me Asllanin, si brez i parë me Mustafën e ndjerë. Mirëpo koha e ka bërë të vetën se pranë tyre n’Amshim, gjënden edhe bijtë Petriti me Besimin, të shkretët, së bashku me të ndjerat Cajen e Mustafës, Nailen e Qazimit, Gianna-n e Asllanit edhe Elenën e Petritit. Ah, sa shumë njerëz, të vdekur tashmë!
Kurse sot në këtë ditë të veçantë, bijt’e Mustafës Fatosi e Bashkimi, me gjithë nipin e tyre Eugjenin, së bashku me bashkëshortet e tyre të mira, e bënë të mundur që, më në fund urna me hirin e Mustafës së ndjerë, të prehet në qetësin’e përjetëshme mes njerëzve të Tij nga më të dashurit ! U mbyll kështu edhe ai qark peripecishë i jetës personit të cilit, kur ishte student në Stamboll, siç e mbaj mënd nga e ndjera Nënë, një fallxhore i kish pasë thënë (pak a shumë) ... me duart tuaja fatin e vëndit do brumosësh ... thuajse larg vëndit gjithmonë do jetosh ... shumë mbas vdekjes, nderi do të të dihet ...
Dhe unë pyes, e bashkë me ju edhe veten : Si ka mundësí që, kaq vite mbas shkërmoqjes diktaturës aq barbare komuniste, vazhdojnë të mos i njihen Mustafa Krujës ato virtyte e vlera aq të vyera madhore që ai kish si bashkëthemelues i “Mëvehtësísë Kombëtare”, (tek dokumenti themelor i së cilës për 47 vite, nënshkrimi i tij nga komunistët i u maskua) ? Lihet në heshtje shtati i tij madhor si gjuhëtari nga më të shquarit kombëtarë ? Mirë se i a përvetësuan e pastaj edhe e zhdukën, por si nuk i a japin as sot meritën si hartues i fjalorit shqip – shqip të cilit albanologët e shquar të kohës i a ngrinin lart vlerat ? Si anashkalohet fakti se ai qe nismëtari dhe zbatuesi i shpëtimit të treqind’e njëzet familjeve hebreje të paisura, me urdhër të Tij, me pasaporta shqiptare e të sjella nga Kosova në Shqipëri. As zihet në gojë fakti, (ndonëse ka dokumenta përkatëse), që kur në muajin mars të vitit 1939 Giovanni Giro, përfaqësuesi i Mussolinit, i paraqiti Mustafa Krujës projektin e ri të ndërtimit të marrëdhënjeve me Shqipërinë mbasi të rrëzohej Mbreti Zog, Mustafa Kruja i përbuzi ato duke i thënë t’ia bënte të qartë Duce-s se më mirë të rrinte në fron 100 vite ish armiku i M.Krujës, se sa t’a sundonin Shqipërinë italianët ! Ky pozicionim i Tij skajshmërisht patriotik sa u takon pikësynimeve fashiste ndaj Shqipërisë, u mbajt qëllimisht i fshehur nga diktatura pasuese komuniste e cila veç vrer edhe mashtrime propagandoi rreth Tij. E unë pyes, si ka mundësi që akoma sot nuk i njihen zyrtarisht këto vlera këtij personaliteti kaq të shquar të çështjes kombëtare ? E përgjatë kësaj hullije nuk mundem mos t’ju ve në dukje, zotërinj të nderuar, vazhdimin e qëndrimit të Mustafa Krujës përkundrejtë Aleatëve të Luftës II-të Botërore mbas mbarimit të vetë luftës. Ky qëndrim i tij nuk ka se si të mos konsiderohet një monument graniti personaliteti si edhe karakteri. Letra me të cilën Ai u drejtohet autoriteteve qeveritare amerikane duke u kërkuar strehim politik, është një akt akuzë ndaj Aleatëve që vepronin në kahje të kundërtë me interesat e vëndit tonë dhe Ai, nga njera anë u kërkon ndihmë, por ndihmë gjithë dinjitet e personalitet, e nga ana tjetër u thotë shquar e hapur se Ai nuk u bashkua me ta gjatë luftës sepse shkeleshin interesat e Atdheut të Tij, Shqipërisë ! Edhe ky qëndrim i Tij akoma sot nuk bëhet publik e prandaj unë pyes : përse ?
Me këto pyetje karakteri retorik, dua t’i shpreh sot botërisht para urnës me hirin e Mustafa Krujës, bindjen si edhe besimin tim se, do të vijë një ditë që mbështetur në dokumenta dhe vetëm dokumenta historike, aktiviteti atdhetár si edhe shkencor i Tij do t’a zenë vëndin që u takon. E mbështes këtë bindje në faktin se kur Kosova, ndonëse gjëndet akoma në syrin e ciklonit për fitimin e pavarësísë, figurën e Mustafa Krujës nuk stepet dhe e përdor si gur themeli të pavarësísë saj dhe emrin e Tij i a vendos njërës prej rrugëve kryesore të Prishtinës, pikërisht asaj përpara Parlamentit. Mbështetur në këto realitete e shpreh bindjen se do të vijë dita që të shkunden edhe drejtuesit e Shqipërisë e kësisoji, figurës së ndritur të Mustafa Krujës, do t’i a japin vëndin e duhur në Panteonin e atyre që kanë qenë të shquarit dhe ndéri i Kombit tonë.
Kjo dëshira, bindja si edhe urimi im !
2 Qershor 2007
 

tola77

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

shkruar e lexuar nga i biri Bashkim Merlika
NEKROLOGJI

Në fillim, edhe n’emën të gjithë fisit, dishroj me falënderue nga zemra të gjithë sa keni ardhë sod për këte ceremonì. Asht nji nder i madh për né, por sidomos për emnin e Mustafa Merlika-Krujës.
Këtu sod, më 2 qershor 2007, mbyllet nji rreth qi filloi më 15 mars 1887, kur në nji shtëpi pak hapa larg prej këtu, leu Mustàfa i Metit i trungut Merlika, mâ vonë Mustafà Xhenan, Mustafà Asim Kruja, Merlika-Kruja, alias Mustafà Kruja.
Âsht nji rreth qi deri sod përfshin numrat e tre shekujve, i nji njeriu qi ka shkelë dhe ka jetue në katër kontinente të botës, mbasi u shkul prej Kruje për herë të parë si djalosh 15 vjeçar, në drejtim të fatit të tij.
Nji jetë e shqetësueme plot me ngjarje, me shumë ngjarje dhe me nji ideal mbi gjithshka, ideali i Atdheut.
Kishte nji etje të madhe për dije, i pari krutan nxanës në nji gjymnaz dhe mandej n’Universitet. Suksese këto edhe mâ të çmueshme, po të mbahet parasysh se vinte nga nji familje jo e pasun dhe prej nji vendi ku ishte rreptësisht e ndalueme me lexue apo shkrue gjuhën shqipe.
Megjithaté ai u bâ nji ndër studjuesit dhe shkrimtarët mâ të dijshëm në gjuhën shqipe. Kryevepra e tij, e hartueme gjatë mâ se 15 vjet pune, ka qênë ( do të dojsha me thânë âsht ) Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe qi, për fat të zì, ka humbun në çakërdisjet e luftës dhe të mbas luftës. Nji humbje e rândë sa s’mund të përshkruhet. I vetmi ngushllim âsht qi Auktori jetoi deri në fund tue ushqye shpresën qi nji ditë Fjalori do të gjindet diku. Dashtë Zoti!
I ndjemi ka lânë shumë shkrime tjera qi janë botue e vazhdojnë të botohen edhe me pseudonimin Shpend Bardhi, me karakter historik dhe gjuhsie, tue shtue atê qi sa ka dalë, “Kujtime vogjlije e rinije”, ku gjinden shumë pjesë prekëse, sidomos për qytetarët e Krujës.
Po kush ka qênë Mustafa Kruja?
Nji bir i tij, siç jam un, mundet vetëm t’a lavdrojë babën e vet me bindje të plotë por, për të vërtetue po i drejtohem Ernest Koliqit e Tahir Kolgjinit, dy prej të cilëve i a kanë njoftë deri në fund shpirtin, karakterin dhe punën.
Ka shkrue ndër të tjera Ernest Koliqi:
“Mustafa ushqei besim në fuqin e punës. La shembull se jo me fjalë tringullore e haparí krenare atdhedashunie krijohet në kët shekull fati i lum i nji kombi por me veprimtarì të panndáme, të ndritun, vetmohuese. Mustafa ç’prej moshës mâ të blerët, kur mpronte të drejtat e Shqipnís në fletore të Stambollit tue shkrue me pseudonimin “Asim Djénan” e deri në Niagara Falls, ku e mbylli jetën me pendë në dorë, punoi me nji cenë të pakëputun vigâjsh.
Ushqei besim në fuqín qytetnuese të kulturës sepse vetëm tue luftue paragjikimet dhe tue lirue trût e bashkatdhetarve nga mjegulla e padijes ai ish i bindun se shpejtohet të gëdhimit e asaj dite ku nevoja e vllaznimit, tue i u shfaqun të gjithve e qartë, do të lidhte tok zêmrat mbi të cilat themelohet lumnija e atdheut. Kulturën, Mustafa e adhuroi vetë, edhe nxiti tjerët t’a adhurojnë; asaj i kushtoi ajkën e fuqive të veta, në frymë të saj u frymzue.
Ushtroi, pa lakime, normat mâ fisnike të burrnís shqiptare. Kur i u mbush mendja se nji nisjativë a vepër mund i siellte sherbim atdheut e shqiptarizmit, nuk muer parasŷsh trillet e turmës as zhurmën e vikamës brohoritëse a poshtënuese. Dijti të flîjojë n’altar të Shqipnís të mirat mâ të shtrênjta njerzore dhe shqiptare: nâmin dhe popularitetin. Potera e prozhmuesave nuk i a mbuloi kurr zânin e ndërgjegjes qi e shtynte me marrë qendrime shpesh në kundërshtim me andjen e turmave. Deshti mâ fort Shqipnín se popularitetin e vet. E ky shêmbull âsht shum i rrallë si në Shqipní ashtu në botë....” ka shkrue ndër të tjera, Ernest Koliqi.
Në nji shkrim tjetër Ernest Koliqi kujton nji kohë kur erdhi për vizitë në Zara në Dalmatí, ku banojshim atëherë në mërgim, e tregon:
“ N’ato dit, unë pata fatin m’u pritë si njeri i shtëpís në rreth familjar të Mustafës e ishte ajo mikpritje, larg votrës s’eme atnore n’at moshë të ré, nji dhurayë e veçantë qi m’i zbutte mallengjimet e mergimit. Thithej n’at familje nji frymë e shëndoshtë e këndellse njerzore, levitte n’at atmosferë shpirti i thellë i dokeve t’ona, të cilat, kur interpretohen prej nji zot shtëpije mêndendritun edhe ushtrohen me rithëm të mbajtun por edhe t’âmbël njiherit, i apin zhvillimit të jetesës së perditëshme nji hijeshi të pashoqe. Nji moral i naltë, i natyrshëm. I gufuem nga palci i zakoneve mâ bujare të fisit arbnuer frymzonte çdo sjellje, çdo shprehje të të parit dhe të mbrâmit n’at ambient të qetë e qetësues. Kjo suazë morale ndihmon me kuptue figuren e Mustafës. Atdhedashunia e tij lindet e forcohet në vokësí të votrës. Për tê atdheu âsht familja e familjeve. Ai kryen detyrën e vet ndaj atdheun me mënyrën mâ të thjeshtë pa u përpjekë m’u vû në dukje. Urryes ç’prej lindjet i çdo theatraliteti demagogjik, punoi për vend ashtu si kreu detyrët e veta ndaj prindët, ndaj të bijt, ndaj mbarë farefisin. Mësim i çmueshëm qe për né koha qi me tê kaluem...”
Shkruen Tahir Kolgjini: “ Po të vréhen të gjitha së bashku, vlerat e Tija, kisha me thanun se, në botën shqiptare, sod për sod, Mustafa Kruja, ká qênë i pá zavêndsueshëm. Janë të rrallë ata njerz, qi t’iu ketë dhuruem natyra kaq cillsina të mira si ato të Mustafës...”
Ky pra âsht njeriu Mustafa Kruja, qi anmiqt e tij politikë e kanë përçudnue si tradhtar e kriminel për disa dhetëvjeçarë. Kurrë këto fjalë nuk janë përdorë mâ rrêjshëm e me qëllim të keq, mbasi Mustafa Kruja e ka dashtë Shqipninë mbi çdo interes vetiak ( “deshti Shqipninë mâ fort se popularitetin e vet” ), dhe ka qênë largpamës, tue i pasë kuptue me kohë të zezat qi e pritshin kombin po të binte, ashtu si ndodhi, në dorë të nji regjimi utopist qi do t’i shkaktonte prapambetje dhe mjerim pa fund. U mundue me e shmangë këte fatkeqësí, nuk ia mbrrîni. Humbi por historia, qi sheh të vërtetën përtej pasioneve sektare, jam i bindun se do t’i japë vendin e merituem tue mohue si të pavërteta akuzat e sipërpërmenduna.
Prova kryesore, po t’ishte nevoja, âsht qi mbas luftës Mustafa Kruja fitoi strehim, si njeri i panjollë, në SHBA, djepi i demokracisë moderne e liberale (demokracia vërtetë). Kosovarët i kanë kushtue nji rrugë kryesore në kryeqytetin e tyne si shenjë nderimi dhe patriotizmi të shqiptarisë. Sod âsht skalitë në mermer emni i tij si atdhetar ndër ata qi kanë shpallë dhe nënëshkrue Pavarësinë në Vlonë më 1912. Kjo dihet, âsht ylli mâ i shkëlqyeshëm i tij. Do të shtoj edhe nji ngjarje qi duhet kujtue: gjatë luftës, kur ishte Kryeministër, ai i shpëtoi jetën qindra hebrenjve kosovarë, tue refuzue dorzimin e tyne gjermanëve qi i a kishin kërkue. Edhe këtu diftohet naltsia morale e Mustafa Krujës qi lurrë nuk ka ba dallime askujt në bazë të fésë.
Kam folë shumë, kam thânë pak, në krahasim me sa i jam borxhli babës t’em, por respekti, kujtesa dhe dashunia janë për ty pa fund, o Lalë.
Tashti, mbas nji udhëtimi kaq të gjatë prej nji toke në nji tjetër, prej nji shekulli në nji tjetër, je kthye në shtëpí, mes ullinjve të Krujës t’ate të dashtun. Tashti pusho o Lalë. Pusho afër Nanës Caje, Besimit dhe vllaznet tuej. Tashti ti, qi ke qênë besimtar i bindun, pusho në paqë, në dritën e Zotit.
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Me fjalet "tema te mos behet kot" kuklla nenkupton te mos kundershtohet patiotizmi i flakte i Mustafa Krujes. Kryeminister KUISLING. Biles ne kot qe lavderojme Ismail Qemalin se merita i takon Mustafa Merlikes. Meqe ra llafi ai armiku i Merlikes (Zogu dmth) ishte po aty perkrah Ismail Qemalit kur u ngrit flamuri. Meqe ra llafi prape. Edhe ai patrioti tjeter, Esat Toptani bente pjese ne qeverine e I.Qemalit. Dhe biles jo sekretar (si i shumenderuari) po Minister i Brendshem.
Nejse Mustafai detyren e beri. I sherbeu ca pushtuesve tane, po gjera te vogla pa pasoja serioze.
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Leje mer leje, se gjynaf goca, se njifka nipin e mustafait, ai qe ka shkrujt ket.
S'ja vle me fol mo per ket teme.
Nuk eshte tem historike me shum tem mirnjohje nga familja meqe ka pas emer. kupto ti?
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

Ky Mustafai qe thoni ju, gjithmon ka qen ne dem te Shqiperise, dhe bashkpunonte me prifterinjt e Duces.
Ky mbasi u be e lire shqiperia ne 1912, beri te pamunduren qe te percahej e te ngelte ne dore te italianeve, por edhe me krijimin e shtetit te dyte te njejten gje bente.
Kur tregon ish kryeministri i Shqiperise Mehdi BEY Frasheri problemet shqiptare ne librin e tij ne faqen 89 shkruan:-
Ne muajin dhjetor te vitit 1921, nje nate, Mustafa Kruja me Raiz Dacin dhe me Zija Dibren i vene ne hotel Pandeli Evangjelit, qe kryesonte qeverine qe kishte ardhur ne fuqi, pasi ra kabineti i iljaz Vrionit, dhe me arme ne dore e urdherojne te jape doreheqjen, te cilen Xha Pandeliu e dha per te mos derdhur gjak.
Keshilli i Nalte i Regjences, kete dhunim te paligjshem e pranoi dhe formoi kabinetin nen kryesine e Hasan Bej Prishtines. Mbi kete ngjarje, gjithe nepunesit e shtetit ee lene punen, duke dhene doreheqjen, si shenje proteste per qeverine e paligjshme te Hasan Prishtines.
Ahmed Bej Zogolli me Meleq Frasherin, te cilet ndodheshin ne Mirdite per veprime ushtarake ( /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/lol.gif ), me nje ushtri te formuar prej batalioneve te reja dhe pjeserisht prej vullnetareve te Mirdites e te Dibres, duke pasur edhe mbeshtetjen morale te nacionalisteve dhe Intelektualeve, e zbriten qeverine e Hasan Prishtines dhe vune qeverine e Pandeli Evangjelit, qe kishte dhene doreheqjen prej kercenimeve te bame.
Kur u mblodh Parlamenti, autori i ketij libri, qe ishte deputet i Elbasanit, celi nje bisede dhe nje kritike te rrepte mbi dhunimin e bere nga ana e Mustafa Krujes dhe te shokeve te tij mbi pandeli Evangjelit, qe kishte dhene doreheqjen prej kercenimeve te bame.
Kur u mblodh Parlamenti, autori i ketij libri, qe ishte Deputet i Elbasanit, celi nje bisede dhe nje kritike te rrepte mbi dhunimin e bere nga ana e Mustafa Krujes dhe te shokeve te tij mbi Pandeli Evangjelin dhe te mbyllurit te syrit te Keshillit te Nalte, sidomos te Aqif Pashes e te imzot Bumcit, qe ndodheshin ne Tirane e qe miratuan qeverine e hasan Prishtines, si fryti i frikesimit te bere mbi pandeli Evangjelin.
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Mustafa Merlika Kruja

po ti po me ngatron me veten??? Ti deri me tani nuk ke nxjere asnje reference, un ta kam then me siper por e shof te nevojshme ta perseris prap.
Mehdi BEY Frasheri problemet shqiptare faqe 89.
Mehdiu qe ta moresh vesh ti njihej si anti fashist, dhe ishte ky qe per mendet me siper si autor i librit qe beri kritike te rrepte ndaj Mustafa Krujes. Ai i urrente aq shume Italianet fashiste saqe . Mehdi Frasheri, ky patriot i familjes se ndritur te Frasherllinjeve e tregoje dhe nje here dashurine e flakte per Atdheun. Ai mori komanden ne zyren e Bashkise, ku ishte vendosur radio Tirana, i rrethuar nga shume intelektual te rinj, ne te gjithe gjuhet e medha iu drejtua Botes se Lire se nje Komb i vogel po sakrifikohej per hire te politikes imperialiste fashiste. Mesazhi historik i Mehdi Frasherit drejtuar Musolinit, per me ia hedh ne fytyre krimin qe ishte uke bere, kumboi ne radiot e Botes. Mehdiu i permendi diktatorit breshkaman fashist fjalet qe kishte thene ne nje rast tjeter "Nuk meriton lirine nje popull qe nuk eshte gati qe te vdes per te".
 
Top