Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

xixa1956

Primus registratum
Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Ka të ngjarë që një libër diku përmban të vërtetën.
Por, për t’a gjetur këtë perlë të rrallë,
duhen lexuar të gjitha librat.


Epilog.

Gjithçka fillon në shekullin e XItë, dhe shkaktari i parë i këtij debati ndërballkanik që ka shkaktuar zënka të panumërta është një bizantin. Në të vërtetë, ai as që imagjinonte se dhjetë shekuj më pas do t’a quanin kësisoj. Në kohë të vet, çdokush vetëquhej romak (romaioi). Ndoshta romak i lindjes, por sidoqoftë romak. Ja edhe skeda identifikuese e tij :

Emri : Mihal Attaleiatès (lindur më 1028)
vendlindja : Attaleia – Pamfili (Azi e Vogël),
profesioni : historian
karriera: autodidakt, këshilltar juridik pranë prandorëve Roman i IV Diogjeni (1068-1071) dhe Mihal VII Dukas (1071-1078).

Ky Mihali ynë historian nuk dyshonte aspak që duke shkruar kronikën e bëmave të adashit të tij perandor do të hynte përfundimisht në Histori – dhe do të citohej aq bollshëm nga Wikipedia dhe Google. Sikundër çdo kronikan i ndershëm, ai mjaftohej të shkruante atë çka i shihnin sytë dhe të rregjistronte atë çka i dëgjonin veshët. Ai vdiq në vitin 1085. Ndërkohë, ai kish përmendur tre herë rresht në « Historinë » e tij emrin Allvanoi Allvanitai (lexo : Arbër).Nga ky moment, asgjë nuk rrodhi si më parë në Ballkan : koha u ndal për një çast dhe u dyzua – përpara çfaqjes së Arbërve dhe pas çfaqjes së tyre, ballkanikët humbën qetësinë, historianët gjumin. Në të njejtën mënyrë që Herodoti konsiderohet « babai i Historisë », Attaleiatès mund të mbahet si « babai i Arbërve ».


Misteri Origjinal.

Çdokush që jeton në ditët e sotme, i karakterizuar nga një shpirt racional dhe mendim kritik, e kalon informacionin e Attaleiatès nëpërmjet filtrit të dyshimit : a mos vallë është gabuar historiani në pohimin e tij ? Me fjalë të tjera, rilexon tekstin disa herë dhe përfundimisht fillon kërkon tekste të tjera të asaj periode. S’ka asnjë dyshim : autori i përmend disa herë Arbërit si grupim luftëtarësh që gjendet krahas grupeve të tjera Latinësh në Itali, në shërbim të gjeneralëve rrebelë bizantinas. Ky grup njerëzor ka të njejtat prerogativa sikundër latinët (lexo : bizantinasit) dhe që, përfundimisht, çfaqet rishtas në rradhët e një ushtrie rrebele në rrethinat e Dyrrachion (Durrësit), së bashku me Romanë dhe të tjerë Bullgarë. Kureshtarët mund t’a lexojnë tekstin (në anglisht) tek Dr Elsie : (http://www.albanianhistory.net/texts/AH1038.html). Më tej, informacioni përforcohet nga dëshmia e një bizantineje tjetër, Ana Komnena, e shkruar disa vjet më vonë.
Rrëfimi i Komnenës përshkruan fushatën ushtarake të babait të saj, Perandorit Aleks I Komneni (1048 - 1118), kundër normanëve të Robert Guiskardit në vitin 1081. I plagosur dhe i dëshpëruar nga humbjet e pësuara në Durrës dhe në luginën e Karzanes (Erzenit), Perandori i besoi qeverisjen e qytetit një fisniku, një farë Komiskortès, « me origjinë nga Arbëria ». Diku më poshtë, ajo shton se bëhet fjalë për një popull miqësor që shpesh herë e kish përkrahur pushtetin perandorak. Në një rast tjetër, megjithëse fort përafërsisht, gjithmonë e njejta bizantine përshkruan edhe vendin e këtyre Arbërve, Allvanon – Arbanon, diku rreth luginës së sipërme të Shkumbinit. Ndërkohë dëshmi të tjera vijnë dhe i ngjiten të parave : një dorëshkrim anonim serb riprodhon një tekst bullgar të fillimit të shekullit të XI ku Arbanasit - Arbër përmenden mes popujve të tjerë gjysëm besimtarë (jo ortodoksë) ; një historian tjetër bizantin përmend një fisnik Arianitès në shërbim të perandorit Vasil i II kundër bullgarëve të Samuelit të Irë….

Nga momenti që s’mund të vihet më në dyshim egzistenca e një populli të tillë, debati historik mer formë tjetër : nga na dolën këta Arbër – Allvanitai ? Ja pra cila është esenca e problemit më irritant dhe më të pazgjidhshëm që ngre Ballkani mesjetar, sipas Alen Dyseliesë, një historian francez i ditëve të sotme, ndoshta specialisti më i përmendur i Bizantit mesjetar.

Në funksion të qëndrimit ndaj këtij problemi, bota e historianëve ndahet në dy kampe :

1) Kampi i atyre që pohojnë se Arbërit janë të ardhur.

2) Kampi i atyre që mendojnë se Arbërit janë vendas.

Sejcili prej këtyre kampeve gjendet përballë një të panjohure të re, po aq të pazgjidhshme :

1) Në qoftëse Arbërit janë të ardhur, atëhere nga ç’vend i botës kanë ardhur për t’u ngulur në Shqipërinë e sotme ?

2) Në qoftëse janë vendas, cili është ai element lokal që krijoi këta Arbër dhe në ç’mënyrë u krijuan ?

Një nga metodat më të pagabueshme për të zbuluar djepin e origjinës së Arbërve është analiza e homonimeve dhe e toponimeve. Me fjalë të tjera : a ka ndonjë vend ose ndonjë popull tjetër rreth e qark ose në botë që përmban rrënjën Arb – Alb ? Natyrisht që ka; për shembull, një rajon të tërë diku pranë Lazios në qendër të Italisë quhet Albano. Pra, me pak përpjekje deduktive, Arbërit dalin në këtë mënyrë me origjinë nga Italia. Në një rast tjetër, Albany është emri primitiv i Skocisë – pra Arbërit paskan adhur nga veriu i Anglisë. Një i tretë vëren se dikur ka egzistuar një Albanie në Kaukaz – e njohur ndryshe edhe Aghbanie, Aghouanie, Aluanie – pra Arbërit qënkan me origjinë nga Azerbajxhani i sotëm. Mbetet për t’u eksploruar edhe pista e Albany-së të Sh.B.A – dhe me këtë rast të vërtetohet se Arbërit e Amerikës kanë përshkuar oqeanin Atlantik në sens të kundërt pesë shekuj përpara Kristofor Kolombit. Pra, ata braktisën Nju Jorkun primitiv dhe u ngulën në brigjet e Adriatikut.

Sidoqoftë, sejcili prej partizanëve të varianteve ardhacake duhet të reflektojë për t’ju përgjigjur të paktën tre pyetjeve thelbësore :

- përse ky popull u shkul me kuç e me maç ? (pasi në të kundërt do të kishin lënë gjurmë në vendin e tij të lindjes, ndërkohë që gjurmë të tilla nuk shihen kërrkund.. )

- për ç’arsye jetësore ai braktisi atdheun e tij origjinal për t’u ngulur në Shqipërinë e sotme ?
- si ka mundësi që syve aq të vëmendshëm Bizantinas ju ka shpëtuar një turmë e tillë laragane ? (pasi ata nuk na kanë lënë asnjë dëshmi lidhur me një dyndje të tillë!)

Të rrallë janë ata që vazhdojnë dhe mbështesin sot idenë e ardhjes nga larg të Arbërve. Sidoqoftë, mbetet shkrimtari dhe historiani serb Vuk Drashkoviç, politikan i kohës së tij, i cili vazhdon t‘i besojë variantit azeri të Kaspikut!

Përballë brishtësisë logjike të tezës së Arbërve ardhacakë nga fundi i botës, teza tjetër e krijimit në vend merr një vlerë të veçantë. Por në këtë rast, gjithë debati përqëndrohet në kuptimin e shprehjes « në vend » - për çfarë vendi bëhet fjalë ? Pjesa dërrmuese e historianëve shqiptarë është e mendimit që vendi në fjalë është Shqipëria e sotme si dhe viset e tjera të populluara nga popullsi që flasin shqip (Kosova).
Të tjerë historianë ballkanikë mendojnë se Arbërit vërtet janë një popullsi vendase – por në kuptimin ballkanik të fjalës, dhe kjo popullsi është ngulur në këtë vend - Shqipërinë e sotme, diku në fillim të Mesjetës së hershme.
Ata më radikalët mes historianëve të teorisë së nguljes janë të mendimit se koha e nguljes së tyre është edhe më e vonshme – shekulli i XIIItë ndoshta edhe fillimi i shekullit të XIV.
Me fjalë të tjera, aktualisht, debati zhvillohet mes partizanëve të «autoktonisë së Arbërve » dhe partizanëve të « Arbërve nomadë ».

Si të parët dhe të dytët duhet t’ju përgjigjen pyetjeve të mëposhtme :

1) Mbi ç’bazë njerëzore të mëparshme u krijuan Arbërit ?

2) Si ka mundësi që Bizantinët (gjithmonë ata) i «zbuluan» vetëm në shekullin e XItë dhe jo më parë?

Lidhur me pyetjen e parë, duhet thënë se Ballkani i Mesjetës së hershme (fillimi i shekullit të XItë) ende nuk e ka marrë vehten nga vërshimi i baticës sllavo-bullgare. Ndoshta në kohën e sotme shprehja « sllavo-bullgare » tingëllon si një dyzim epitetesh me qëllime denigruese – e marrë nga fjalori i burrave politikë. Veçse në atë kohë, bullgarët – në të vërtetë me origjinë turkomongole, ende nuk ishin sllavizuar deri në pikën e tyre të fundit. Pra, krahas Romanëve të përhershëm që sot për një arsye misterioze quhen Bizantinë (disa të tjerë duan t’i quajnë edhe Grekë), kishte edhe Sllavë (antë, serbë dhe kroatë) si edhe Bullgarë, tashmë të instaluar përfundimisht në këto vise që prej katër shekujsh. Në veri të gadishullit lëvrinin Venedikasit, Hungarezët si edhe Franko-Gjermanikët. Nga ana e detit vinin herë pas here edhe Saraçenët (Arabët). Nga Azia e vogël, po afroheshin Turqit selçukë. Ndërkohë, nga brigjet italike kishin filluar të vërshonin Normanët, pra Latinët. Ku gjenden Arbërit në këtë skemë ?

Sigurisht jo në rradhët e Latinëve – megjithëse Attaleiatès diku thotë se ata gjendeshin edhe në Itali. Sigurisht jo në rradhët e Serbëve, të Kroatëve ose të Bullgarëve (pasi sot shqiptarët duhej të flisnin serbo-kroatisht ose bullgarisht – pra një gjuhë sllave). Sigurisht jo në rradhët e Saraçenëve ose të Turqve selçukë që çfaqeshin si hije. As edhe në mes të Hungarezëve ose të Venedikasve që sileshin diku në viset e Adriatikut verior. Pra, ata gjendeshin diku gjetkë - në gjirin e elementit Roman të hershëm.
Dhe me të vërtetë, për të krijuar elementë të tillë njerëzorë, të aftë të integrohen në ushtrinë bizantine, për të nxjerrë deri edhe udhëheqës si i famshmi Komiskortès ose edhe Arianitiès, këtyre Arbër ju është dashur një periudhë kohe, një fazë jetese në vend. Dhe kjo kohë, duhet vendoset në boshtin e kohës përpara atij momentit fillestar τ, të « zbulimit » të paharruar të Attaleiatès. Me fjalë të tjera, Arbërit janë ngjizur rreth shekujve të VI - VIII të erës sonë.
Çfarë përfaqson ky element Roman i hershëm ? Elementin e vjetër ballkanik, dikur të pushtuar dhe më pas të strukturuar nga Perandoria romake dhe të marrë në dorë në vazhdim nga administrata bizantine, i cili u cfilit përgjatë shekujve të tërë nga vërshimet e barbarëve Gotë (vizi dhe ostro), Gjermanikë dhe Hunë.

Le të marrim frymë thellë, të mbyllim fort hundën dhe të zhytemi në shekujt e errët të Antikitetit të vonët, në kërkim të paraardhësve të Arbërve. Sidoqoftë, le të sigurohen një herë e mirë të gjithë të interesuarit : megjithë misterin pothuaj si të Pashkëve që rrethon këtë çfaqje, këta shqiptarë që do të quhen ende arbër – të paktën deri në shekullin e XVIItë, tashmë do të jenë pjesë përbërëse e pejzazhit ballkanik. Ata do të jenë, nga afër ose nga larg, aktorë të pashmangshëm të të gjitha dramave ose tragjedive që do të luhen në Ballkan, deri në ditët e sotme dhe më tej ende.


Gjeneza e Arbërve.

Historia e viseve të Ballkanit të shekujve të parë të erës sonë është pandreqshmërisht e lidhur me fatin e Imperium romanum. Kjo perandori Romake zbuloi me kohë se brigjet përballë Adriatikut përbënin dashur padashur një rrugë kalimi të pashmangshëm, pasi gjithmonë sipas Polibit, vetë « fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën ». Nënështrimi i ballkanikëve të hershëm filloi rreth viteve 230 p.e.s, nga brigjet e sotme shqiptare, ku në atë kohë jetonin Ilirët, pra Illyrii propriedictii. Ai preku brendësinë e gadishullit rreth viteve 200 p.e.s, me fitoren e Romakëve kundër Maqedonasve të Filipit të IItë dhe disa vjet më vonë, e gjithë Greqia e lashtë dhe e lavdishme ish katandisur në një provincë romake. Rreth vitit 76 p.e.s, Romakët nënështrojnë Dardanët që jetonin në viset e sotme të Kosovës dhe gradualisht e shtynë pushtimin e tyre drejt veriut dhe veri-lindjes ku jetonin Dalmatët. Në fillim të erës sonë, Romakët kishin dalë në brigjet e Danubit të mesëm ; rreth viteve 40-45 të erës sonë legjionet e tyre mundën të nënështrojnë Trakën (pjesën lindore të gadishullit) dhe në vazhdim, rreth viteve 100 të erës sonë ata mundën të pushtojnë Dakinë dhe të robërojnë Dakët. Në këtë mëyrë i gjithë gadishulli ballkanik shëndrrohet në pjesë të perandorisë romake. Pas pesë shekujsh pranie romake në Ballkan, u desh vërshimi Got për të rivënë gjithçka në pyetje.

Shkurtimisht, historia e Antikitetit ballkanik mund të përmblidhet me disa rreshta :
« që prej kohësh që s’mbahen mend, mbi këto truaj banonin disa popuj të lashtë ballkanikë, të quajtur sipas vendit Ilirë, Trakë, Dakë ose Getë, Maqedonas dhe Helenë dhe të tjerë Dardanë. Ata jetonin në fqinjësi pak a shumë të mirë, gjë e cila nuk i pengonte të përlesheshin mes njeri-tjetrit, derisa përfundimisht erdhën Romakët. Këtyre të fundit ju deshën disa shekuj për t’i mposhtur dhe, nga kjo epokë dhe në vazhdim, i gjithë Ballkani ju bashkëngjit Perandorisë romake ».

Ku janë Arbërit tanë në mes këtij mishmashi ballkanik ? Për momentin duhet të tregohemi të duruar pasi ende nuk është çfaquar Vija e Theodhosit – ai makth i tmerrshëm sipas Aurel Plasarit (http://www.albanisches-institut.ch/pdf/text26.pdf), dhe bashkë me të, ndarja e botës antike më dysh : perandoria romake e Perëndimit dhe perandoria romake e Lindjes. Bile edhe pas heqjes së kësaj vije mbi hartë në vitin 393 – them mbi hartë, pasi nuk ma merr mendja që perandori Theodhos i Irë – i Madh, të ketë gërvishtur me dorën e tij një vijë të tillë mbi truallin ballkanik – Arbërit nuk kanë për t’u çfaqur. Siç e kemi thënë edhe më lart, ata do të çfaqen vetëm në shekullin e XItë, në kohën e Attaleiatès.
Të mos harrojmë se jemi duke kërkuar paraardhësit e tyre, meqënëse kemi bindjen se ata fshihen në masën e ballkanikëve të romanizuar – paçka se ende nuk dimë se si quhen këta paraardhës !
Cili nga popujt e lashtë ballkanikë mund të jetë paraardhës i Arbërve ? Duke lënë mënjanë hipotezën Helene dhe Maqedone – përndryshe, jo vetëm minoritarët e Dropullit si dhe emigrantët e Greqisë, por të gjithë shqiptarët e sotëm do të flisnin gërqisht – mbeten të tjerët : Ilirët, Trakët, Dardanët dhe Dakët.
Në këtë stad të rrëfimit tonë, mjetet historike çfaqen të pamjaftueshme. Ja përse historianët kërkojnë ndihmën e gjuhëtarëve dhe të tjerëve arkeologë. E keqja është se këto popullata tê lashta sikur kanë dashur vetë të ngatërrojnë historianët pasi, asnjëra prej tyre nuk ka patur gjuhë të shkruar, pra edhe gjurmët e tyre në tekste nuk janë të mjafta. Në këtë rast, mbetet mjeti i fundit : spekullimi, i mbështetur nga interpretimet e gjetjeve arkeologjike të rastit.

Ja vlen të thuhet që në fillim se, historianët shqiptarë e kanë ndarë hesapin, duke propozuar variantin Ilir. Me fjalë të tjera, ata aplikuan sillogjizmin e mëposhtëm :

1) meqënëse Arbërit u panë në territoret e Shqipërisë së sotme dhe jo gjetkë,
2) meqënëse këto teritore më parë kanë qenë të banuara nga Ilirët
3) atëhere Arbërit rrjedhin nga Ilirët.

E thënë me një gjuhë më shkencore, « vazhdimësia iliro-shqiptare », në rradhë të parë vjen si një « vazhdimësi e banimit » dhe më tej, ajo ndiqet nga një « vazhdimësi kulturore dhe etnike ». Vështirësia më e madhe që ngrihet përpara tyre përmblidhet nga fakti se, Ilirët vazhdojnë të përmenden deri aty nga fundi i shekullit të VItë , më tej askush nuk i përmend më. I fundit që flet për ta është një tjetër bizantin, kronisti Euagre (ose Evagre) – Skolastiku (nuk na u ndanë këta bizantinët !).
Vepra e tij « Historia Ekleziastike », e shkruajtur në fundin e shekullit të VItë dhe e botuar në vitin 594, përshkruan luftrat e perandorisë kundër Avarëve aziatikë. Por, megjithë këtë kronikë dhe « dëshmisë » së saj të fundit mbi ilirët, edhe logjika më elementare çon drejt mendimit që historiani Skolastik nuk ka mundur të shohë me sytë e tij çfarosjen e përfaqsuesit të fundit të species ilire dhe që, sipas të gjitha gjasave, ilirët ose edhe pasardhësit e tyre kanë vazhduar të jetojnë në malet e tyre ballkanike.
Sidoqoftë, historianëve shqiptarë ju duhet të mbushin me fakte atë "hiatus kronologjik të rëndësishëm mes [zhdukjes së] ilirëve dhe [çfaqjes së] shqiptarëve" . Ja përse ata mbështesin me aq ngulm konceptin e « kulturës së Komanit », kjo formë e qytetërimit të Mesjetës së hershme që vjen nga shekujt e VItë – VIIItë dhe shtrihet përgjatë brigjeve të liqenit të Shkodrës deri në brigjet e liqenit tjetër të Ohridit. Gjithmonë sipas mendimit të historianëve shqiptarë, ajo përbën « hallkën që mungon » mes Ilirëve dhe Shqiptarëve dhe dëshmon për vazhdimësinë iliro-shqiptare mbi territoret e Shqipërisë së sotme dhe ato rreth e qark.
Një grup tjetër historianësh ballkanikë dhe evropianë janë më pak kategorikë se sa kolegët e tyre shqiptarë dhe venë në dukje se terminologjia Ilir është fort e paqartë. Sipas tyre Ilirët s’janë gjë tjetër veçse një përzierje mes Trakëve dhe Dakëve që sipas rastit, mund të kqyret në brigjet e Adriatikut por edhe në thellësi të gadishullit. Edhe këta historianë thërresin në ndihmë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se shqipja e sotme vjen nga një gjuhë e lashtë iliro-trake, me ngjashmëri të dukshme me rumanishten (ja ku qenkan fshehur edhe Dakët). Me fjalë të tjera, pararendësit e Arbërve duhen kërkuar jo në bregdetin Adriatik por më thellë në gadishull, diku andej mes Rumanisë dhe Bullgarisë – le të themi nga veriu i Maqedonisë së sotme. Si shpjegohet atëhere që këta Arbër u panë për herë të parë diku rreth Durrësit dhe jo në rrethinat e Bukureshtit?

Në këtë moment kaq pasionant të rrëfimit tonë ndërhyn grupi i tretë i historianëve me tezën e „Arbërve nomadë“. Shih tekstin (në anglisht)(http://www.greekhelsinki.gr/pdf/cedime-se-albania-catholics.doc). Sipas tyre, është fort e mundur që paraardhësit e Arbërve, ato

"popullatat e gjuhës dako-mëziene të kenë qenë prezente (në pjesën perëndimore të Ballkanit), të përziera me grupet të tjera, diçka si puna e Romëve të sotëm. Nga ana tjetër, tashmë dihet se proto-shqiptarët ishin fort të afërt me Vllehët, të cilët gjithashtu jetonin në simbiozë me popuj të tjerë të rajonit. Ka shumë mundësi që proto-shqiptarët të kenë qenë barinj që jetonin në male dhe që niseshin në shtegëtim me bagëtitë nga një luginë në tjetrën. Mbetet fort e vështirë të përcaktuar se në ç’kohë dhe në ç’mënyrë këto popullata janë çfaqur në një krahinë të ngushtë, të gjendur mes jugut të Malit të Zi dhe Malësisë shqiptare. Sidoqoftë, është e sigurt që në fundin e shekullit të XVtë nuk takoheshin më proto-shqiptarë. Kjo popullatë fitoi një identitet shqiptar të veçantë, të përqëndruar mbi një organizim të fuqishëm shoqëror dhe ushtarak dhe në aleancë me Kishën katolike".

Kështu dhe gjithmonë sipas tyre, na duhet të pranojmë se
1) proto-Arbërit janë të afërt me Vllehët,
2) se kjo popullsi katolikë fillimisht u ngul në Malësinë e Veriut pranë Malit të Zi diku përpara shekullit të XIV, ndërkohë që popullsia lokale e vendit ishte një përzierje mes një shtrese të vjetër iliro-proto-ballkanike dhe Serbëve.

Në këtë mënyrë, shpërhapja dhe pushtimi i hapësirës perëndimore ballkanike nga ana e Arbërve shqiptarë fillon diku aty nga shekulli i XIV. Ç’është e drejta, analogjia e rastit mes çobenjve vllehë dhe barinjve shqiptarë, të quajtur shumë të afërt nga pikpamja gjuhësore dhe territoriale, përfundon në luginën e parë poshtë malit-vendlindje e tyre e përbashkët pasi, në qoftë se të parët vazhduan të ngasin delet më tutje deri në pafundësi, të dytët i braktisën menjëherë për t’u shëndrruar në luftëtarë që « pushtuan » Ilirinë e vjetër, ndërkohë e kthyer në « vend të serbëve ».
Me çka janë marrë këta Arbër – ose më mirë të themi këta proto-shqiptarë - nga momenti i çfaqjes për herë të parë në shekullin e XItë në rolin e mbrojtësve të Durrësit kundër trupave normane të Robert Guiskardit dhe shekullit të XIVtë, atëhere kur vendosin të ngulen në atë qoshe të humbur të Malit të Zi ?
Zaten, përse shkuan dhe u ngulën në mes të maleve të thepisura dhe shterpe të Veriut kur përpara tyre shtrihej një vend i tërë ? Askush – dhe aq më pak përfaqsuesit e kësaj teorie - s’është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të tilla.
Po qe se përmblidhet kjo çështja e çfaqjes së Arbërve, ja se çfarë rrjedh si esencë :

- Sipas prirjes së parë, gjuhëtarët, kryesisht ata të shekullit të XIXtë, kanë nxjerrë si përfundim atë afërinë mes një gjuhe shqipe unike dhe të paklasifikueshme dhe një gjuhe të vjetër ilire – duke i shtuar edhe disa grima të gjuhës trake, po aq ezoterike sa e para. Më tej, historianët kanë përpunuar hipotezën e lidhjes njerëzore dhe « gjenetike » mes shqiptarëve dhe ilirëve. Ideja e vazhdimësisë historike të këtyre grupeve njerëzore përforcohet nga vendbanimi i tyre i përbashkët – territoret e sotme të Shqipërisë, pa harruar njëkohësisht edhe ato të Kosovës.

- Sipas tendencës së dytë, kjo teori është e krejtësisht e gabuar. Disa gjuhëtarë të tjerë kanë vendosur ngjashmëri të fuqishme mes gjuhës shqipe dhe rumanishtes së sotme, nga e cila vjen edhe një lidhje e re në gjirin e grupit të gjuhëve dako-mëze, dhe më tej në një kuadër më të gjerë në gjirin e një super familjeje të gjuhëve balto-sllave. Në këtë mënyrë hidhet tutje ilirishtja misterioze në favor të një dako-mëzishteje që është edhe më e mistershme se e para.

Duke parë afërinë gjuhësore, një ndërlidhje njerëzore dhe gjeografike imponohet vetvetiu : ja përse proto-shqiptarët dalin me origjinë nga një zonë ballkanike lindore, sigurisht e afërt me dakët dhe me mëzët. Dhe forcërisht, ata kanë mërguar për t’u vendosur në viset e Shqipërisë së sotme ku edhe u panë për herë të parë nga bizantinët, gjatë shekullit të XItë.

Në fund të fundit, nga vijnë këta Ilirë, Trakë dhe të tjerë Getë ? Cilat janë tiparet e tyre dalluese dhe elementët e përbashkët ? Përpara nesh shtrihet oqeani i paanë i parahistorisë ballkanike dhe në mënyrë të pashmangshme, do të na duhet të zhytemi në të, në kërkim të paraardhësve të paraardhësve – indo-evropianëve të parë.

(vijon)
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Georges, pershendetje per temen dhe sinqerisht me duket tema me e mire, me e plote dhe e llogjikshme e hapur ndonjehere me pare per Historine e Shqiperise. Prej kohesh perpiqem te gjej nje material te tille per Kosoven ne menyre te vecante, por duket se ketu do te gjej cdo gje qe me intereson! Mund te japesh burimin e informacionit, pasi do te me duhet te perzgjedh dhe perkthej shume rreshta, per t'i postuar me tej?
 

Al-Punk

Still here
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Georges,
Ndoshta duhet bere nje ndalese e vogel per mundesine e degezimit Pellazg ne Thrakas dhe Ilire. Mbeshtetur mbi argumenta gjuhesore dhe territoriale!
 

Florus

Forumium maestatis
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Quote:</div><div class="ubbcode-body">Në funksion të qëndrimit ndaj këtij problemi, bota e historianëve ndahet në dy kampe :

1) Kampi i atyre që pohojnë se Arbërit janë të ardhur.

2) Kampi i atyre që mendojnë se Arbërit janë vendas. </div></div>
1) Kane te drejte nqs si pike referimi merret popullsia para-indoeuropiane.
2) Kane te drejte nqs si pike referimi merren popullsite indoeuropiane.

<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Quote:</div><div class="ubbcode-body">Sejcili prej këtyre kampeve gjendet përballë një të panjohure të re, po aq të pazgjidhshme :

1) Në qoftëse Arbërit janë të ardhur, atëhere nga ç’vend i botës kanë ardhur për t’u ngulur në Shqipërinë e sotme ?

2) Në qoftëse janë vendas, cili është ai element lokal që krijoi këta Arbër dhe në ç’mënyrë u krijuan ? </div></div>
1) Kaukazi, nga ku erdhen dhe shume popullsi te tjera.
2) U krijuan ne perzirje me para-indoeuropianet te cilet i asimiluan.

Si perfundim autoktonia eshte relative. Madje edhe greket jane te ardhur nga diku nga brigjet e lindjes se mesme.
 

xixa1956

Primus registratum
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Parahistoria dhe « indoevropianët ».

Përpara se të bëjmë edhe një hap të vetëm në trojet e lashta parahistorike, le të përcaktojmë që në fillim si limit të sipërm njerëzit e shpellave. Është e sigurtë se në qoftë se do të aventurohemi më përpara në kohë, do të ndeshim me hominiden Luçie (Lucy) të Ethiopisë, përfaqsuesen më tê shquar të familjes së primatëve – më saktësisht të Australopitekëve. Fundja, duhet t’i vemë fre vehtes, pasi me këtë vrull do të përfundojmë tek amiba protozoare e oqeanit primar.

Pa asnjë dyshim, banorët primitivë të hapësirës së sotme shqiptare si dhe popullsia protohistorike e këtyre territoreve ishte po ajo e vendeve të tjera fqinje ose të pellgut të Mesdheut : popullsi të shpërndara të tipit neandertale - banorë të shpellave - që kishin ditur të zhvillonin industri të formës musteriane. Ata zhduken nga fundi i paleolitit të mesëm (40.000 – 35.000 vjet p.e.s) për arsye që ende nuk njihen mirë, për t’u zëvendësuar nga njerëzit e Kromanjonit (sipas shembullit të Orinjacienëve dhe të Magdalenianëve pa harruar që 15.000 vjet ndajnë të parët nga të dytët).

Njerëzit e paleolitit të lartë janë gjuetarë të shkathët dhe peshkatarë të zotë, që dinë të shfrytëzojnë veglat e strrallit të gëdhendura mirë si edhe bririn apo kockën e drerit. Sipas mendimit të përgjithshëm, jeta paqësore prej gjuetari – mbledhësish frutash e këtyre aborigjenëve të epokës së gurit të ri (neolitit) u ndërpre nga shtrirja graduale e popullatave të reja bujqish dhe rritësish kafshësh rreth viteve 6.000 – 5.500 vjet p.e.s. Këta të fundit, nëpërmjet shkeljes përsipër, përzierjes, përthithjes për të mos thënë asgjësimit të aborigjenëve, u imponuan në një zonë mjaft të gjerë gjeografike. Mendohet se kjo zonë fillimisht kufizohej në Ballkan dhe në rajonet fqinje danubiane, përpara se të përhapej mbi gjithë kontinentin evropian ose dhe më tej. Lidhur me bujqit–kafshërritës tanë neolitikë, pothuaj që të gjithë studiuesit dhe kërkuesit (historianë, gjuhëtarë apo të tjerë arkeologë), lenë të nënkuptohet bile edhe arrijnë të shprehen se ata janë me origjinë ose nga vetë rajonet ballkanike ose ata kanë ardhur nga zonat fqinje të Azisë të Vogël. Falë kapaciteteve të tyre të reja – gjenetike, morfologjike dhe intelektuale – ata bëhen jo vetëm shpikës të teknikave të reja bujqësore por njëkohësisht edhe krijues të « kulturës danubiane », e quajtur ndryshe edhe « kultura e Evropës së Vjetër » - kjo « bashkësi e gjerë që gjen burimin e vet gjatë neolitizimit të Ballkanit (mijëvjeçarin VIItë p.e.s.) dhe që vazhdon përmes gjithë periudhës kalkolitike deri në epokën e bronzit ».

Meqënëse kosheres ju gjet kështu origjina, debati përqëndrohet mbi motivet e roitjes së kësaj bashkësie, mbi shkaqet e shpërndarjes në të gjithë gadishullin evropian të popullatave që paraqisin një varg treguesish të përbashkët të natyrës materiale, gjuhësore dhe kulturore.
Një pakicë studiuesish ka shprehur një tezë të quajtur « anatoliane », sipas të cilës të gjithë fermerët e parë të Evropës kanë dalë nga vatra e tyre e origjinës, diku në pllajat e Anatolisë, rreth 7.000 vjet përpara erës sonë. Ky difuzim njerëzor është i pandashëm, për të mos thënë pasojë direkte, e mënyrës së re të prodhimit bujqësor që shkakton një rritje të vazhdueshme të popullatës. Me të arritur ngopjen e saj nga pikpamja numerike – gjë të cilës i duhen disa shekuj - kjo e fundit, zgjidhjen e problemit të saj demografik e kërkon në mënyrë krejt të natyrshme nëpërmjet çvendosjes progresive. Duke prekur fillimisht brigjet lindore greke, dhe më tej thellësitë e gadishullit Ballkanik rreth 6.000 – 5.500 vjet p.e.s, këtyre bujqve neolitikë ju desh gati një mijëvjeçar për të arritur në viset e Gjermanisë së sotme dhe një mijëvjeçar tjetër për të mbrritur në Angli ose në Skandinavi. Krahasimi i të dhënave arkeologjike dhe të studimeve gjenetike vërteton atë fakt pothuaj të pamohueshëm që në këtë rast bëhet fjalë për mërgimin e proto-indoevropianëve, të cilët imponuan teknikat e tyre bujqësore në një zonë gjeografike që përputhet me zonën e përhapjes së gjuhëve indoevropiane.
E parë nën këtë kënd vështrimi, gadishulli ballkanik, ky skaj i Evropës më i afërti me Anatolinë, paraqitet si një vatër dytësore e shpërndarjes së proto-indoevropianëve, segmente të tëra të të cilëve difuzojnë pak nga pak drejt zemrës së Evropës – dhe më tej, drejt zonave të tjera perëndimore. Nga pikpamja teknologjike, futja e ekonomisë bujqësore u ndoq nga një revolucion i vërtetë, që i lejoi paleolitikët e vonët të përkryejnë veglat e tyre të gurta, të lëshohen në rritjen e specieve të para të kafshëve ndërkohë të zbutura, të shpikin teknika të reja të poçerisë dhe të thurjes së pëlhurave dhe së fundi të zbulojnë egzistencën dhe përdorimin e metaleve. Duke u shpërndarë fillimisht me ritmet e shpejtësisë së çvendosjes së njerëzve, këto përparime teknologjike ndihmojnë në krijimin e artefakteve – ose kulturave të dallueshme një një epokë më të vonshme, sipas zgjedhjes së popullsive të ngulura në vend për t’ju kushtuar aktiviteteve të qëndrueshme të natyrës artizanale. Rasti i poçerisë dhe i keramikave është ndoshta shembulli më i mirë.

Thellësisht antillogjike dhe me sa duket e keqinformuar : ky është opinioni i një numri të madh partizanësh të asaj teze mbizotëruese, e quajtur ndryshe edhe « e kulturës së Kurganeve », të cilët kritikojnë të parët për një përdorim të paarsyetuar të ndërlidhjes krejtësisht të gabuar mes bujqve neolitikë dhe proto-indoevropianëve. Thellësisht të bindur, këta studiues ngulmojnë në tezën e tyre që përcakton vatrën e origjinës të proto-indoevropianëve diku mes stepave që shkojnë nga Vollga deri në malet Ural. Me fjalë të tjera, paralelisht me kulturën neolitike danubiane – që ju përket bujqve – një kulturë e re lind dhe zhvillohet : ajo e pushtuesve të stepave – bujq të pazot por kafshërritës të shkëlqyer. Kjo kulturë e re, e ndihmuar nga fuqia e luftëtarëve të saj të paepur, nga shpejtësia e kuajve të tyre si edhe nga vullneti i përhapjes jashtë territoreve të njohura, fillimisht përmbyt dhe me tej transformon Evropën, duke sjellë me këtë rast edhe gjuhën proto-indoevropiane. Kështu me sa duket, indoevropianizimi i Evropës fillon në mijëvjeçarin e Vtë p.e.s.

Duke demaskuar në këtë mënyrë përgjegjësin e shpërndarjes së gjuhëve indoevropiane – qoftë përhapjen e ngadaltë të bujqësisë, qoftë shtrirjen e papërballueshme të blegtorëve, sejcilës prej teorive i mbetet nderi të çmontojë mekanizmin e ndërlikuar të ndryshimeve gjuhësore, të diferencimit të një gjuhe të përveçme duke u nisur nga trungu i përbashkët i gjuhës primitive – veçori e indoevropianëve të parë, bile përpara se sa t’i përvishet problemit ende më të ndërlikuar të formimit të grupimeve njerëzore të llojit etnos që dallohen nga njeri tjetri pikërisht me anë të përdorimit të gjuhës.
Cilidoqoftë hipoteza, në të perënduar të neolitit të lashtë për të parët apo në lindje të kalkolitit për të dytët, në gjirin e këtyre indoevropianëve që banojnë në gadishullin ballkanik fillojnë dhe krijohen gropime pak a shumë të dallueshme dhe të përveçme, me fjalë të tjera fillojnë dhe ngjizen popullsitë arkaike lokale, në pamje të parë fort tê ngjashëm mes tyre. Sipas të gjitha gjasave, duhet pritur fundi i eneolitit dhe fillimi i epokës së bronzit për të « dalluar » elementët përbërës të proto-helenëve të parë, bashkë me të ngjashmit e tyre, që do të quhen me tej jonianë, eolianë ose arkadianë – në rrethqarkun jugor dhe ishullor të gadishullit, të proto-maqedonasve dhe të bashkëngjiturve me ta – diku në veri-veri-lindje të të parëve, dhe së fundi ky trup shumëformësh i përbërë nga proto-thrakët, proto-getët si edhe proto-iliro-dardanët, në hapësirën kontinentale të gadishullit.
Po vetë Ilirët ku janë në këtë mes ? Cila është origjina e tyre dhe si mundën të çfaqen në këto toka ?


Gjeneza e Ilirëve, Trakëve, Getëve dhe të tjerëve si puna e tyre.

Bashkësia e pyetjeve të mësipërme përbën si të thuash atë shkëmb të nënujshëm ku vazhdon të përplaset mendimi shkencor – historik dhe gjuhësor, i përmbledhur nga termi shkencor ilirologji – pjesë përbërëse e albanologjisë të shquar. Siç mund të merret me mend, detyra e parë e saj është pikërisht të njësojë djepin e ilirëve.
Pikërisht, në lidhje me këtë djep të famshëm, ky mendim ndahet mes dy tezave të ndryshme :

- E para, e mbështetur nga një numur i madh studiuesish evropianë të shekullit të XIXtë dhe të gjysmës së parë të shekullit të XXtë, shpreh mendimin që ilirët janë një popullatë indoevropiane që vjen nga rajonet e Evropës Qendrore për të mos thënë të Veriut – sidoqoftë përtej Danubit të mesëm – dhe që ka marrë pjesë në atë dyndjen e madhe të popullsive dorike, egjeane ose panono-trake, që ka ndodhur në mijëvjeçarin e dytë p.e.s.

- Teza e dytë, e formuluar nga shkolla shqiptare bashkëkohore, e çmon kulturën ilire si « një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit ». Duke bërë sintezën e gjetjeve arkeologjike në një varg qendrash të përmendura si ilire, kjo teori e dytë predikon se « zhvillimi i pandërprerë i kulturës, jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik ».
I zhdërvjellë në këtë mënyrë, problemi i ndërlikuar i gjenezës së ilirëve paraqitet me një thjeshtësi emocionuese dhe imponohet si një shpjegim i shëndoshë, koherent dhe llogjik, të paktën për atë pjesë të publikut lokal që kënaqet me shpjegime të shëndosha dhe llogjike.

- Përtej këtyre tezave dhe në hapësirën mes tyre çfaqet një tezë e tretë, e formuluar prej kohësh por që çuditërisht, kohët e fundit ka gjetur një frymëzim krejt të ri. Në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm, ajo mbron me forcë egzistencën e një vazhdimësie ose të një "akulturimi" - gjithmonë jetësor dhe të ruajtur në një formë te mrekullueshme – që shkon nga Homo Sapiens-ët e parë të shpellave deri tek pellazgët, nga këta të fundit tek proto-ilirët ose edhe ilirët, ndërkohë që prodhimi i fundit mbetet të jenë shqiptarët e sotëm.
Ja pra se si dalin përpara nesh edhe Pellazgët hyjnorë !

Duke fshirë çdo gjurmë të indoevropianëve që, sipas Matjë Aref - një prej autorëve të fundit të kësaj teorie, s’përfaqsojnë gjë tjetër veçse « një neologjizmë të krijuar nga hamëndja, nga imagjinata ose nga fantazia e disa filologëve dhe gjuhëtarëve të shekullit të XIXtë », ajo sulmon botën mbarë me anën e një instrumenti – hapës universal, gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ajo jo vetëm pretendon të ketë zbuluar hallkën lidhëse të atij vargu kolosal popujsh tashmë të zhdukur ose ende të gjallë të Evropës por njëkohësisht, edhe esencën që ju ka munguar kërkimeve dhe studimeve të deritashme « që shpesh shmangen për mungesë këmbënguljeje ose saktësie ose përfundimisht, devijojnë nga përzierja në to e elementëve ideologjikë, mashtrues ose tendenciozë ».

Do të detyrohemi të mbajmë një distance nga këtë teori të fundit, për shkak të pohimeve dhe përfundimeve të saj që tejkalojnë cakun e guximit të thjeshtë dhe shpesh kthehen në paradoksale, megjithë dëshirën e saj të dukshme për të na kujtuar ne, Shqiptarëve të thjeshtë dhe fort pak të stërvitur me shkencën e madhe, se stër-stër-stër-stërgjysërit tanë kanë qenë jo vetëm krijuesit e çdo qytetërimi antik – pra, të të gjitha qytetërimeve, nga ai egjiptian i Piramidave deri tek ai grek i Athinës, ai trojan i Trojës e më këtej – por edhe rrënja e të gjithë popujve të Evropës, ndoshta edhe të botës mbarë.
Personalisht, duke lënë mënjanë krenarinë e paanë që më jep fakti kur mësoj se disa nga fjalët e shqiptuara dikur nga Faraoni Tutankhamon mund të kuptohen me anë të shqipes së sotme gegë, preferoj të ve në lëvizje mendimin tim dhe të kqyr me kujdes ato çka më serviren të gatshme për t’u gëlltitur. Në të vërtetë, edhe sikur të pohojmë se këta Pellazgët kanë egzistuar rreth e qark pellgut mesdhetar dhe se dikur kanë populluar viset tona, teoria e tyre është e paaftë të shpjegojë të paktën dy elementë :

- në ç’mënyrë kjo popullsi e stërlashtë (flitet për mijëvjeçarin e VI p.e.s) u « teletransportua » deri në ditët e sotme dhe u mishërua tek Shqiptarët – duke kaluar natyrisht nëpërmjet « Ilirëve » - pa pësuar ndërfutje dhe ndikime të ndërsjellta të popullsive të tjera të mëvonshme, siç ka qenë rasti i të gjithë popujve të tjerë ballkanikë, mesdhetarë ose evropianë ?

- si ka mundësi që ky fenomen « trashëgimie gjenetike » dhe më tej gjuhësore u kufizua vetëm tek ilirët veriorë, ndërkohë që të tjerë pellazgë të jugut u tretën pa lënë gjurmë nga çorba Greke, Midease, Fenikase, Egjiptiane, Etruske, Kelte bile deri edhe Baske (për të mos përmendur të tjerë « uzurpatorë ») ? Cila është e veçanta e këtyre Ilirëve që ju ka siguruar dhe mbrojtur prejardhjen e tyre hyjnore ?

Le t’i kthehemi përsëri Arefit, i cili nuk heziton të gërmojë në burimet e veta për të na kujtuar herë herë që « .. pjesa më e madhe e ilirëve u strehua .. në malet e tyre të pamposhtur, duke ruajtur në këtë mënyrë fondin e tyre gjuhësor… », herë herë që « stërgjyshërit e tyre mundën të mbijetojnë ndaj asimilimit të plotë dhe mundën të ruajnë kulturën e tyre, si dhe zakonet ose gjuhën duke u strehuar në vende të paarritshme, të egra ose malore ».
Nuk është e vështirë të konstatohet se masivet malore shqiptare janë nga më të thepisurit e Ballkanit por nga njera anë, jemi ende shumë larg nga dekori himalajan dhe nga ana tjetër, mbetet shumë e vështirë të pranohet që kemi të bëjmë me një popullatë Jeti ballkanike e cila, që nga epoka eneolitike e pelazgëve "..ka qenë mësuar me këtë topitje që e ka shtyrë t’i dorëzohet mënyrës së jetesës si luftëtare në strofkat e saja të paarritshme" dhe "që ajo zgjohej vetëm për të zbritur nga fortesat e saja malore me qëllim që të luftonte kundër pushtimeve sporadike dhe sulmeve të ndryshme".

Ndërkohë, analiza e dy teorive të para më të besueshme lejon të shihet menjëherë se origjina përtej-danubiane e ilirëve tashmë duket e vjetëruar dhe në mospërputhje të plotë me interpretimet bashkëkohore të mërgimit të popullsive proto-indoevropiane në kontinentin tonë. Përsa i përket « të vetmes » që mbetet më këmbë - ajo e shkencëtarëve shqiptarë – asaj i duhet të mbrohet kundër një varg sulmesh dhe kundërtezash, të zhvilluara nga historianët ballkanikë.

Përtej pohimeve të saj monolitike, me thekse të një gjuhe të ngurtë dhe shpesh stereotipe, një vështrim i vëmendshëm mbi këtë teori të ilirëve ve në dukje një shumllojshmëri nuancash dhe huazimesh, të marra nga shtresa doktrinale më të vjetra, të cilat bashkëjetojnë me kontributin origjinal të shkencës shqiptare të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Për të shpjeguar thelbin e saj, do të na duhet të përdorim një gjuhë mjaft të ndërlikuar dhe me këtë rast, i kërkojmë ndjesë publikut. Nuk e di përsenë, por sa herë që bëhet fjalë për teori që zhyten në mjergullën e kohës dhe që rrezikojnë të humbin sensin e logjikës së zakonshme, aq më hermetike bëhet gjuha e shkencëtarit, aq më e stërholluar bëhet shprehja e tij – dhe me këtë rast, aq më të pakët janë ata që kuptojnë diçka. Të tjerët enthusiazmohen nga dituria e të diturve dhe heqin dorë nga loja, duke u mjaftuar me pranimin pa kushte.
Ja edhe linjat kryesore të kësaj teorie të Ilirëve kaq të përfolur :
- Primo : ky « proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton » fillon « me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit » diku andej nga mijëvjeçari i IIItë p.e.s, në origjinën e të cilit mbetet shtegtimi indoevropian që përmbyti treva të gjera të Evropës dhe të Azisë. Mungojnë vetëm kalorësit e stepës dhe kuajt e tyre për të qenë brenda teorisë së Kurganeve sipas të cilës, të ardhur nga stepat lindore, grupe dhe grupime të një popullate kafshërritëse ose baritore, depërtuan në Ballkan ne formë valësh njerëzore të dallueshme dhe të përsëritura gjatë mijëvjeçarit të IIItë p.e.s. Fillimisht, ata prekën viset lindore të gadishullit dhe në një kohë të dytë ata u përhapën në zonat perëndimore, duke përfshirë edhe territorin e Shqipërisë së sotme.
- Secundo : procesi i etnogjenezës së popullsive të vjetra ballkanike kryhet mbi bazën e një përzierjeje të plotë mes popullsive autoktone dhe të porsaardhurve, të cilët « mundën t’i impononin me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, në një farë mase edhe zakonet e veta ». Me fjalë të tjera, përzierjet e natyrës etnike dhe kulturore mes popullsive neolitike autoktone para-indoevropiane dhe të porsaardhurve indoevropianë të stepave përbëjnë edhe themelin mbi të cilin ngrihen proceset e etnogjenezës të popullsive të vjetra të Ballkanit perëndimor. Ky është « rrjedhimisht edhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire » (1).
- Tercio : duke patur karakteristika autoktone, « kultura eneolitike e vendit tonë - në lidhje të ngushtë me kulturat bashkëkohore ballkaniko-egjeane - ju nënshtrua shndërrimeve ekonomike e shoqërore të kohës e veçanërisht procesit të rëndësishëm të indoevropianizimit ». Në fund të eneolitikut, kjo çoi në formimin e një bashkësie të madhe kulturore, indoevropiane në planin gjuhësor – një substrat protohistorik që në mënyrë konvencionale mund të quhet pellazge.
- Quarto : duke ardhur më në fund tek ilirët tanë, etnogjeneza e tyre kërkoi një hark kohor të rëndësishëm – një mijëvjeçar – gjatë të cilit, një varg procesesh « tashmë të njohura të diferencimit, të integrimit dhe të asimilimit » ishin të nevojshme për të farkëtuar individualitetin e tyre etnik. Nga pikpamja historike, nën kushtëzimin e e faktorit relativ autokton si dhe nga një sërë përparimesh që u bënë në disa degë të ekonomisë, vazhdon të thellohet më tej procesi i diferencimit të elementit etnik që paraqet tashmë karakteristika të reja ilire, por njëkohësisht fillon të veprojë edhe procesi i integrimit – procese që në bashkëveprimin e tyre, çuan në lindjen e etnosit ilir gjatë periudhës së bronzit të mesëm.

Është krejt e tepërt të shtojmë që kjo tezë paraqet një vizion nga më tërheqësit lidhur me fazën fundore të parahistorisë së Ballkanit si dhe të protohistorisë së tij, me një varg përfundimesh të rëndësishme në rrafshin praktik. Ideja e formimit « në vend » mbi bazën e « autoktonisë » i ofron një thellësi të pamatshme asaj çështjes aq delikate të gjenezës, duke i paraqitur Ilirët si një nga popujt më të vjetër, për të mos thënë më të vjetrin e Ballkanit. Nga teza në tezë dhe pas një kërcimi të vërtetë në kohë për të pranuar më në fund që këta të fundit janë stërgjyshërit e banorëve të sotëm të Shqipërisë, kjo gjë i bën shqiptarët përfaqsuesit e vërtetë të parahistorisë së kontinentit tonë.

Ky ndërtim teorik i admirueshëm shtjellon në mënyrë të përsosur dinamikën e evolucionit njerëzor që zhvillohet në një territor të caktuar : substratin etnik para ilir – atë popullsi jo indoevropiane, mesdhetare neolitike e eneolitike ; elementin indoevropian – valët dyndëse të popujve baritorë, të ardhur nga stepat e Azisë gjatë mijëvjeçarit të IIItë p.e.s ; indoevropianizimin e vendasve – atë proces të gjatë zhvillimi, që fillon diku gjatë epokës së eneolitit, ku nëpërmjet një proces asimilimi dhe disimilim kulturor dhe etnik çfaqet ajo bashkësi e gjërë kulturore, kultike dhe pjesërisht etno-gjuhësore që u formua gjatë eneolitit në Ballkanin Perëndimor, pra ata pellazgët tanë; vazhdimësinë kulturore dhe etnike nga epoka eneolitike në atë të bronzit të hershëm – atë përbërësin etno-kulturor eneolitik, i cili mori pjesë aktive në formimin e etnosit ilir gjatë epokës së bronzit, nëpërmjet ngjizjes mes përbërësit vendas dhe atij të ardhur ; formimin e etnosit ilir mbi një bazë autoktone – atë proces të ndërlikuar të zhvillimit të brendshëm që zhvillohet në bazë të disa parimeve të përgjithëshme, tanimë të njohura: të diferencimit, të integrimit, të ngjizjes të asimilimit dhe të konvergimit, fillimi i të cilit gjendet diku gjatë bronzit të mesëm ose të vonët.
Për të ilustruar atë çka u përmend më art, ja edhe një nga opinionet më të pjekura të ilirologjisë shqiptare të sotme lidhur me ngjizjen e bashkësisë etnike – etnosit – ilir :

Në periudhën e bronzit të vonë, si rezultat i përparimeve të shënuara në të gjitha fushat e ekonomisë, u zhvillua me shpejtësi procesi i ngjizjes së bashkësive më të vogla në bashkësi më të mëdha dhe, si rrjedhim, në fund të epokës së bronzit u krijua një bashkësi e gjërë ilire me tipare të përbashkëta kulturore, kultike dhe gjuhësore. Duhet theksuar se jo të gjitha dukuritë që karakterizojnë bashkësinë etnike ilire u zhvilluan krahas dhe arritën të njëjtën shkallë njësimi, sepse siç dihet, njësimi i kulturës materiale të popullsisë së një territori të caktuar bëhet më lehtë e më përpara se sa njësimi i gjuhës, e cila zhvillohet me ritme shumë më të ngadalta. I pari prin të dytin dhe është bazë për njësimin gjuhësor dhe të dy bashkë çojnë në formimin përfundimtar të bashkësisë etnike. Kështu, gjatë periudhës së bronzit të vonë, në trevën ilire ngjizja gjuhësore duhet të ketë qenë më mbrapa, kurse krejt ndryshe ishte gjendja në zhvillimin e zejtarisë dhe sidomos punimi i bronzit, të cilat kishin çuar në marrëdhënie intensive ndërfisnore dhe madje në marrëdhënie të ngushta me botën mikene. Si rrjedhim, edhe shkalla e zhvillimit të njësisë kulturore në trevën ilire, gjatë epokës së bronzit të vonë, është më e lartë sesa shkalla e zhvillimit të njësisë gjuhësore. Prandaj në përcaktimin e karakterit etnik të bashkësisë ilire duhet patur parasysh ky shpërpjestim kohor i njësimit të kulturës me gjuhën, si dhe fakti që mbetjet gjuhësore zenë vendin e fundit në krahasim me të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore.

Ç’është e drejta, kjo teori përmbledh absolutisht të gjithë elementët e duhur përveç njërit : lidhjet e shumëfishta – dhe të vjetra – mes gjuhës shqipe me një varg gjuhësh tashmë të zhdukura që i përkasin grupit etnik trako-dakë, pa harruar edhe ngjashmëritë e habitshme me greqishten e lashtë - të vrojtuara me aq këmbëngulje nga helenistët shqiptarë. Përse kjo ngjashmëri e thellë kufizohet pikërisht me grupin e gjuhëve trako-dake ? Në lidhje me këtë çështje, na duhet të pranojmë që teoria jonë e mësipërme jo vetëm që nuk di t’i përgjigjet kësaj pyetje por njëkohësisht, ajo mundohet t’a shmangë – me anë të piruetave të llojit të mësipërm.
Nuk ka asnjë arsye të mendojmë që ai mekanizëm i formimit « in situ » mbi bazën e « autoktonisë » të asaj përzierje mes aborigjenëve dhe nomadëve të stepave, pra indoevropianizimi eneolitik, të ketë qenë një fenomen i izoluar dhe origjinal që ka prekur vetëm ilirët. Edhe sikur të ardhurit rishtas të kenë mundur t’u imponojnë vendasve vetëm gjuhën e tyre, duke « pranuar » të treten në masën vendase sikundër thonë specialistët tanë të ilirologjisë, ky proces që ka ndodhur gjithandej në trojet evropiane – bile edhe në ato aziatike të Lindjes së Afërt – duhej të kish prodhuar gjithandej një varg situatash të ngjashme. E thënë ndryshe, ilirishtja duhej të ngjiste jo vetëm me trakishten por edhe me paraardhësit e gjuhëve sllave, me ato gjermanike, me ato italike, me ato keltike… për të mos përmendur edhe të tjera. Për çudi, gjuhëtarët deri edhe Çabej i shquar ngulmojnë dhe përsërisin se ilirishtja e zhdukur pa lënë gjurmë dhe sidomos, shprehja e saj e mëpastajme – gjuha shqipe – ngjasin veçanërisht me gjuhën trako-mëze. Si rrjedhim, ose duhet pranuar se

- ilirishtja është një dialekt i gjuhës trake dhe anasjelltas ;

- ose që karakteri iliro-thrakas i gjuhës shqipe duhet shpjeguar me faktin se ilirishtja me trakishten rrjedhin nga një burim i përbashkët, meqë një varg karakteristikash gjuhësore të ilirishtes përputhen me ato të gjuhës trake.

----------
1) Në këtë pikë precize të teorisë, Korkuti – një nga udhëheqësit e shkollës ilirologjike shqiptare, sjell shumë më tepër detaje. Ai vëren një diferencë të prerë mes konceptit « etnos », tipari më i qënësishëm i të cilit është gjuha, me atë të « kulturës », e përfaqësuar nga tërësia e tipareve kulturore që formojnë fytyrën e saj të veçantë. Duke aplikuar këtë gjë në studimin e formimit të ilirëve dhe më saktësisht të substratit proto-ilir, ai mbërrin në përfundimin se shkrirja e elementëve heterogjenë – nga pikpamja etnike – është realizuar nëpërmjet një procesi të asimilimit, balanca e të cilit mund të « matet » me anë të karakteristikave gjuhësore dhe kulturore të « produktit » përfundimtar. Në rastin konkret, meqënëse rezultatet e gërmimeve arkeologjike tregojnë një vazhdimësi të kulturës materiale duke filluar nga një periudhë të mëparshme (eneolitike) deri në atë të mëpastajme (epoka e bronzit), mund të arrijmë në përfundimin që të ardhurit rishtas mundën t’ju imponojnë gjuhën e tyre por jo edhe kulturën aborigjenëve ose dhe më tej, furacakët indo-evropianë u « shkrinë » në masën autoktone që me këtë rast indo-evropianizohet, duke mbetur gjithnjë « autoktone ». Me fjalë të tjera, meqënëse « kultura e bronzit të hershëm në treguesit themelor ka tipare të njëjta në Shqipërinë Juglindore, Jugore e Brendshme dhe Veriore – pra në të gjithë territorin kombëtar, ndërkohë që Maliqi, Bënja dhe Gajtanët e tjerë janë mishërimet e saj primitive - dhe meqënëse në formimin e saj kulturor dhe etnik vendin kryesor e zë përbërësi autokton eneolitik, përbërësi tjetër - ai me origjinë lindore, i ardhur si rezultat i dyndjes së fundit të nomadëve të stepave - shpejt u dobësua dhe u shkri me përbërësin vendas ». Mbi këtë subjekt, shih : Muzafer KORKUTI - Parailiret - Iliret – Arberit, Bot. Toena, Tiranë, 2003.

2) Teza që vlerëson popullatat arkaike pelazgjike si substratin madhor të qytetërimeve antike mesdhetare është një teori sikundër dhe të tjerat, të cilat mundohen të venë pak rregull në atë rrëmujë postneolitike. Po qe se i besojmë të dhënave që vijnë nga autorët e botës antike, duke përfshirë dhe Homerin, këta « pelazgë hyjnorë » barbarë dhe autoktonë (lexo : jo-helenë), paskëshin populluar një zonë të gjerë të jugut të Ballkanit, që shkon nga Azia e Vogël, nëpër Thesali dhe Epir dhe që vazhdon edhe më tutje nëpër Evropë. Deri njëfarë kohe, pjesa më e madhe e historianëve shqiptarë i përmbaheshin mendimit që nuk egzistojnë të dhëna serioze për të krijuar ndonjë lidhje trashëgimie mes pelazgëve dhe ilirëve, ndërkohë që këta të fundit konsiderohen pa diskutim si stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Megjithatë, pista e pelazgëve, e formuluar në mënyrë instiktive gjatë « Rilindjes » shqiptare të shekullit të XIXtë, u ndoq përgjatë një kohe, e frymëzuar veçanërisht nga punimet e homeristëve lokalë. Kohët e fundit, një tezë e re mundohet të vërtetojë që pelazgët janë stërgjyshërit origjinalë të ilirëve – dhe këta të fundit stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve të sotëm. Ajo niset nga hipoteza që qytetërimi pelazg ka shërbyer si përbërës kryesor i të gjitha qytetërimeve të mëpastajme të rrethqarkut mesdhetar si dhe në përgjithësi të gjithë Evropës, dhe në mungesë të provave materiale direkte, ajo përdor gjuhën e sotme shqipe – në variantin e saj gegë – si një çelës për të deshifruar një tog mbresëlënës fjalësh të të gjitha gjuhëve bashkë. Shih mbi këtë çështje një nga përfaqsuesit e saj më të hershëm : Spiro KONDA – Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tirana, 1964 si edhe më të riun : Mathieu AREF – ibidem.
 

olti

Neo
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Bej disa citime nga ku je bazuar per te shkruar keto teza!
 

xixa1956

Primus registratum
Re: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit.

Ja edhe një bibliografi e burimeve që janë përdorur për këto shkrime. Sa për citimet, ato janë shkrirë brenda tekstit: sa herë që hasni një shprehje në thonjza teksti i të cilës është në italik, bêht fjalë për një citim - thënie të shkëputut nga një burim. Lidhja mes thënies dhe burimit nuk është theksuar pasi de të duhej një listë prej disa dhjetra linjash në fund të shkrimit.

Bibliografi.

1. Acad. des Sciences d’Albanie - Les Illyres et l’Illyrie chez les auteurs antiques. Sources choisies sur l’histoire de l’Albanie, vol.1, Tiranë 1965.

2. Acad. des Sciences d’Albanie - Les siècles VIII - XV. Sources choisies sur l’histoire de l’Albanie, vol. II, Tiranë 1965.

3. AREF Mathieu – Albanie (Histoire et Langue) ou l’incroyable odyssée d’un peuple préhellénique. Collection Mnémosyne, 2003.

4. CABANES Pierre, CABANES Bruno – Passions Albanaises, de Berisha au Kosovo, Éd. Odile Jacob, Paris 1999.

5. CABANES Pierre – Les Illyriens de Bardylis à Genthios, IVè – IIè sièle avant J. C., CDU - SEDES, Paris 1988.

6. Collectif d’auteurs (Institut de l’Histoire - Académie des Sciences d’Albanie)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II (Histoire du peuple albanais, vol. I et II), Éd. Toena, Tiranë, 1994 - 2002.

7. Collectif d’auteurs - Historia e Shqipërisë (Histoire de l’Albanie). Tiranë 1959.

8. Collectif d’auteurs - Les Illyriens - Aperçu historique, Tirana, 1985.

9. DEMIRAJ Shaban - Prejardhja e shqiptareve ne driten e deshmive te gjuhes shqipe (La genèse des Albanais sous la lumière des témoignages de la langue albanaise), Tiranë 1999.

10. DUCELLIER Alain - L’Albanie entre Byzance et Venise X - XV siècle. London, Variorum reprints 1967.

11. DUCELLIER Alain - L’Arbanon et les Albanais au XI siècle, Travaux et Mémoires, III, Paris 1968

12. DUCELLIER, Alain - La Façade maritime de l’Albanie au Moyen Age : Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle, Institute for Balkan Studies, Thessalonique, 1981.

13. ERMENJI Abaz – Vendi që ze Skënderbeu në historinë e Shqipërisë (La place qu’occupe Skënderbej dans l’histoire d’Albanie), éd. Çabej, Tiranë 1996.


14. GARASANIN Milutin - The beginnings and origins of the Illyrians, Illyrians and Albanians - Serb Academy of Arts and Sciences, Belgrade 1988.

15. JACQUES Edwin - Shqiptarët, historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme ( Les Albanais, l’histoire du peuple albanais de l’antiquité jusqu’à nos jours), Fondation Abraham Linkoln, Tiranë, 2000.

16. KONDA Spiro – Shqiptarët dhe problemi pellazgjik ( Les Albanais et le problème pélasgique), Tirana, 1964.

17. KORKUTI Muzafer - Parailiret - Iliret – Arberit (Les proto-Illyriens – les Illyriens – les Arber), Éd. Toena, Tiranë, 2003.

18. LINS Joseph – Illyria, dans : The Catholic Encyclopedia, Vol VII, Copyright © 1910 by Robert Appleton Compagny.

19. METAIS Serge. – Histoire des Abanais : des Illyriens à l’indépendance du Kosovo. Ed. Fayard, Paris 2006.

20. POLLO Stefanaq, PUTO Arben - Histoire de l’Albanie: des origines à nos jours. Éditions Horvath 1974.

21. ZAVALANI Tajar – Historia e Shqipnisë – që nga koha e Ilirëve der në ditët e sotme (Histoire de l’Albanie – dès Illyriens à nos jours). Tirana 1998.

22. DERENS Jean – Arnault – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. Dans : http://religion.info.

23. LAKSHMAN-LEPAIN Rajwantee - Catholics of Albania, MINORITIES IN SOUTHEAST EUROPE, Center for Documentation and Information on Minorities in Europe - Southeast Europe (CEDIME-SE), septembre 2000.

24. McCLEAR Susan A. - Albanians and Their Culture: A Study of Their Defining Character And Uniqueness. Thesis of Faculty of California State University Dominguez Hills, December, 2001

25. ANAMALI Skender– Le problème de la formation du peuple albanais à la lumière des données archéologiques. Dans : L’ethnogenèse du peuple albanais, - Les rapports, Académie des Sciences de la RPSA, Tirana, 1982.

26. BURY John Bagnall - History of the Later Roman Empire, Ed. Macmillan & Co Ltd, London 1923.

27. CASTELLAN Georges - Histoire des Balkans (XV – XX siècle), Éditions Fayard 1991.

28. KAZANSKI Michel - Les Slaves. Les origines (Ier-VIIe siècle après J.-C.), Collection des Hesperides, Errance, Paris, 1999.

29. NORWICH John Julius – Histoire de Byzance (330 – 1453), Librairie Académique Perrin, 1999.

30. OSTROGORSKY Georges - Histoire de l’Etat byzantin. Editions Payot & Rivages 1996.

31. USPENSKIJ F.I. - Istorija Vizantinskoj imperii, VI – IX vek – Izd. Misl, Moscou 1996.

32. VLASTO Alexis P. - Entry of the Slavs into Christendom: An Introduction to the Medieval History of the Slavs , Cambridge, 1970.

33. BRAUDEL Fernand – Écrits sur l’histoire, Éd. Seuil, Paris 2001.

34. CABANNES Pierre– Histoire de l’Adriatique, Éd. Flammarion, Paris 1977.

35. CAVALLI-SFORZA L. L. - Gènes, peuples et langues, Éd. Odile Jacob, Paris, 1996.

36. JONES, A. H. M - Le déclin du monde antique 284-610. Paris, Éditions Sirey, 1970. Coll. « Histoire de l’Europe ». Tome I.

37. MALLORY J. P. – A la recherche des indo-européens, Éd. Seuil, 1997.

38. RENFREW Colin - L’énigme indo-européenne : Archéologie et langage, Éd. Histoires/Flammarion, 1992.

39. SERGENT Bernard – les Indo-Européens, Histoire, langue mythes, Éd. Payot, 1995.
 
Top