Mishi i përpunuar, kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Një studim botuar në revistën mjekësore BMC tregon një lidhje mes ngrënies së mishit të përpunuar dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit.
Një nga vështirësitë në matjen e pasojës së të ngrënit mish në shëndet, është efekti i ngatërruar i stilit të jetesës. Shpesh vegjetarianët kanë një stil jetesë më të shëndetshëm në krahasim me popullatën e përgjithshme; ata janë më pak të prirur për të pirë duhan, janë më pak mbipeshë, dhe kanë më shumë gjasa të jenë fizikisht aktivë. Vetëm brenda një studimi shumë të gjërë, mundet që pasojat e ngrënies së mishit dhe mishit të përpunuar të ndahen nga zgjedhja e stilit të jetesës.
Në studim u përfshinë rreth 500 mijë persona nga 10 vende të Evropë. Rezultatet treguan se në përgjithësi një dietë me shumë mish të përpunuar shtonte mundësitë për prekje nga shumë sëmundje. Burrat dhe gratë që hanin mish të përpunuar, zakonisht përdornin më pak fruta e perime dhe kishin më shumë gjasa për të pirë duhan. Meshkujt të cilët hanin shumë mish ishin të prirur për të konsumuar shumë alkohol.
Rreziku për vdekje të parakohshme u rrit me sasinë e mishit të përpunuara që një person konsumonte. Por një sasi e vogël mishi të kuq duket të jetë e dobishme për shkak se mishi është burim i rëndësishëm vlerash ushqimore dhe vitaminave.
Shkencëtarë nga Universiteti i Zyrihut, që udhëhoqën studimin thonë se rreziqet e vdekjes së parakohëshme nga kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare rriten edhe me shtimin e sasisë së ngrënies së mishit të përpunuar. Studimi vlerëson se 3% e vdekjeve të parakohshme çdo vit mund të parandalohen nëse njerëzit hanë më pak se 20 gram mish të përpunuar në ditë.

b.gif
 
Top