Mero Baze e Ylli Rakipi: Sali Berisha, si e kemi njohur ne!

Mero Baze e Ylli Rakipi: Sali Berisha, si e kemi njohur ne!

Ylli Rakipi e Mero Baze, botues dhe analistë flasin për të sotmen politike të vendit, krizën e thellë në të cilin ai është zhytur mbas zgjedhjeve të diskutuara të 28 Qershorit dhe demokracia në rrezik. Dy ish – miqtë e ish -Presidentit Berisha hedhin sfidën: Doktor, ne të njohim mirë!

Gazetari Mero Baze, kërkon sërish ndjesë në telefon. “Ju lutem, shikoni mos ka shpëtuar ndonjë gabim drejtshkrimor. Nuk pata kohë ta rishoh intervistën për ta korrigjuar. Më merren mendtë”.

Të enjten pasdite, pak ditë mbas agresionit që pësoi nga biznesmeni i karburanteve Rezart Taçi, Baze ndjehet ende i dobët fizikisht, por vazhdon të jetë po aq i hidhur në të shkruar.
Ylli Rakipi, botues dhe analist është gjithashtu mjaft i hidhur në mënyrën e tij të të shprehurit. Të mërkurën ai hapi protestën e gazetarëve dhe qytetarëve të Tiranës përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave, një protestë e mbajtur në shenjë solidariteti të fjalës së lirë dhe dhunimit të saj nga qeveria. “Sa kohë nuk kapet agresori, agresori është qeveria”,- tha Rakipi në fillim të protestës. I agresuari ishte Mero Baze.

Një ditë më pas, në një intervistë të përbashkët, Rakipi e Baze, së bashku flasin për politikën e ditës, parashikimet për të ardhmen, por dhe për detaje të së shkuarës. Në të vërtetë, dy oponentët seriozë të zotit Berisha, dikur konsideroheshin si njerëzit e tij më të afërt dhe janë njerëzit që njohin më mirë se kushdo tjetër të shkuarën jo fort të largët të Kryeministrit të sotëm. “Sali Berisha, është shembulli i transformimit të madh nga një njeri i pagdhendur, në një kukull në dorë të mafias”,- thotë Baze duke kujtuar spiralet e pabesueshme të karrierës politike të njeriut, që sot qeveris vendin, që në fillim të viteve ‘90, konsiderohej shpresë, por shpejt mbyti çdo shpresë, që ra në humnerë i shtyrë edhe nga kondakë kallashnikovësh dhe u rikthye në pushtet më i fortë se kurrë më parë me vota dhe me dredhitë e tradhtitë tipike ballkanase.

Rakipi është jo më pak i drejtpërdrejtë, por në kontrast me Bazen e gjykon Berishën nën një dritë tjetër: “Në këtë botë ndryshon gjithkush dhe gjithçka. I vetmi që nuk ka lidhje me një gjë të tillë është Sali Berisha. Ai është sot, njëlloj siç ka qenë dhe dje”,- thotë Rakipi.
Dhe me siguri, ky individ që i dha portretin e tij gjithë këtyre 20 vjetëve post – pluralizëm, portretin e tij të nesërm historik, me dashje apo pa dashje, do ta kalojë dhe nëpërmjet gjykimit, kujtimeve dhe arsyetimeve të dy ish – miqve të tij të mëdhenj, tani kundërshtarë të tij. Dhe po me siguri, nuk do ta ketë të thjeshtë të gjejë në gjuhën e tyre penela të imët; dy kolegët Baze e Rakipi, janë mjeshtër të dritëhijeve, aq më tepër për një subjekt që ata e kanë për zemër, që e kanë parë nën drita e hije të forta, aty ku shumëkush tjetër e kishte të ndaluar dikur të hynte.

Në një intervistë të përbashkët, dy gazetarët Rakipi e Baze anashkalojnë me elegancë detajin e të hënës në mbrëmje, vetë Baze, ra viktimë e profesionit të tij, i sulmuar nga biznesmeni Taçi, që ata vetë e kanë konsideruar një zgjatim të pushtetit. Ata nuk përmendin pasojën, por ndalen gjatë tek shkaqet e ndodhisë tragjike të së hënës në mes të Tiranës. Për ta vendi është në krizë të thellë politike. Rakipi insiston se duhen hapur kutitë e mbyllura të votimit, kurse Baze sheh të gjitha shenjat e një shteti paralel në funksion të “Familjes”.

Ylli Rakipi

Deri më sot, nuk kam parë llogari politike më të gabuar se kjo. Në 97′, Berishën nuk e rrëzuan socialistët. Ata asnjëherë nuk e kanë rrëzuar atë. Dhe pikërisht këtë detaj nuk e kanë kuptuar kurrë. Pikërisht ky është fataliteti i socialistëve.

‘97, Berisha pranonte të vdiste dhe nuk ikte

Zgjedhjet e 28 Qershorit nuk kanë më enigma, por mbartin një rezultat që opozita e konsideron të trukuar, ndërsa standardet nuk janë plotësuara në tërësinë e tyre. Si do t´i komentonit ato?

Po mbushen njëzet vjet që shqiptarët, janë ende i vetmi popull në Evropë që nuk arrin të numërojnë votën.
E dhimbshme apo jo, sistemi ku ne duam të shkojmë është fare “i thjeshtë”. Ai mbështetet së pari tek numërimi i votës. Klasa jonë politike për njëzet vjet rresht nuk ka dashur ta bëjë këtë gjë. Për të thënë vetëm një pjesë të së vërtetës, kjo është papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme. Mjafton dhe vetëm ky shkak që misionin e kësaj klase politike ta konsiderojmë të mbyllur.

Politika shqiptare duket se ka hyrë përfundimisht në krizë, opozita vazhdon të bojkotojë Kuvendin dhe të protestojë në rrugë. A mendoni se mund të vazhdojë pafundësisht një situatë si kjo?

Politika shqiptare është në krizë që nga viti 1990. Bashkëpunimi i kësaj politike, bashkëpunimi i pozitës me opozitën në këto njëzet vjet është bërë, ose kur na ka detyruar Komuniteti Ndërkombëtar, ose kur politika e ka çuar vendin buzë greminës. Ajo që ndodh sot është e njëjtë me atë që ka ndodhur njëzet vite rresht, sa herë ka pasur zgjedhje: opozita nuk i njeh zgjedhjet. Maxhoranca bërtet që këto janë zgjedhjet më të mira që ka zhvilluar Shqipëria. Nëse ato janë vërtet të tilla, vërtet të mira, pse të mos i hapim njëzet kuti që t´i mbyllet goja edhe opozitës? Nëse brenda atyre kutive nuk fshihet ajo që thotë opozita, vota e trukuar e shqiptarëve, le t´i hapim ato kuti. Ju pyesni a mund të vazhdojë pambarimisht një situatë si kjo? Unë mendoj që me çdo mënyrë duhet zgjidhur sa më parë problemi i numërimit të votës. Ndarja e pushtetit njeh vetëm dy mënyra. Ne kemi zgjedhur ndarjen e pushtetit me votë. Dikur e kemi provuar edhe me luftë…

Gjatë këtyre ditëve të fundit ka pasur një sërë ngjarjesh të pazakonta, përplasje të dy policive për ARMO-n, në Tiranë apo dhe ndeshjet me policinë në Orikum. Çfarë mendoni se dëshmojnë shenja të tilla?

Shenja të tilla dëshmojnë që qeveria është e kapur nga krimi, tregojnë që shteti dhe zyrat e tij janë të zhytura në korrupsion. Skenat me luftën midis dy policive, Policisë Tatimore dhe asaj të Rendit, ishin skena të denja për një shtet mafioz. Përfytyroni për një moment si mund të jemi ne një vend i denjë për në Bashkimin Evropian, – siç thotë Majlinda Bregu, kur dy policitë e shtetit luftojnë me njëra-tjetrën. Njëra për të mbrojtur ligjin dhe tjetra Rezartin e naftës. Tragjikomike!

Nëse do të duhej të bënit një krahasim, me çfarë periudhe do ta krahasoni nga e djeshmja të sotmen?

Të gjitha të djeshmet tona nuk ndryshojnë nga e sotmja dhe anasjelltas, e sotmja nuk ndryshon nga e djeshmja. Kjo është fatkeqësia jonë e përhershme.

Që të dy jeni nga njohësit më të mirë të zotit Berisha, sidomos në periudhën e Presidencës së tij. Çfarë mendoni se nuk është thënë ende nga ajo kohë? Çdo të thotë të jesh mik me Berishën, sipas jush?

Pyetje interesante. Ndodh shpesh që në kohën që jeton është e vështirë ta njohësh një njeri. Jeton bashkë me të, ecën me të, bisedon me të, mendon, punon me të dhe mund ta njohësh pak. Nëse do të ma bënit këtë pyetje në atë kohë, unë do të kisha një përgjigje tjetër. Më besoni, ky nuk është konformizëm dhe ja sepse. Në vitin 1997, sinqerisht, mua më dukej se mbi Berishën, mbi ne të gjithë, bota po shfrynte në mënyrën më të padrejtë gjithçka. Socialistë, grekë, amerikanë, komunistë, siç thoshim në atë kohë ne, banditë, të mëdhenj e të vegjël, dukej se të gjithë e kishin me ne, me lirinë dhe demokracinë, që në atë kohe mendonim se ishte vetëm monopoli ynë. Ç´të të them? Vonë e kuptova që ne nuk kishim përmbysur sistemin, pra komunizmin, por kishim përmbysur një palë që nuk kishte asnjë ndryshim nga ne.
Kur u ndava me Berishën, kur nuk isha më afër tij mendoja, që ai ishte e keqja më e madhe e këtij vendi. Po të më kishe pyetur atëherë, këto konsiderata do të të kisha thënë. Por ti po më pyet tani, dhe unë po të përgjigjem: Berisha është e gjithë e keqja jonë dhe ndonjë e mirë e vogël qe ne kemi. Berishën nuk na e hodhi Zoti mes nesh. Ne e gjetëm, ne u dashuruam me të, siç kemi bërë me të gjithë. Të jesh mik me Berishën? Besoj e keni fjalën thjesht mik. Në të fakt, kur e ke mik, Berisha është vërtet i tillë. Ky mendim nuk më ka ndryshuar asnjëherë. Por nga ana tjetër, do të thosha dhe diçka tjetër: Në këtë botë ndryshon gjithkush dhe gjithçka. I vetmi që nuk ka lidhje me një gjë të tillë është Sali Berisha. Ai është sot, njëlloj siç ka qenë dhe dje, i pandryshueshëm.

Cili është detaji që ju ka mbetur më shumë në mendje nga ajo kohë?

Ka shumë. Por më ka bërë përshtypje qëndresa e tij në 1997-ën. Nuk kam parë një njeri më të fortë. Besoj se ky element i karakterit të tij e ka ndihmuar që të rikthehet në pushtet. Berisha është vërtet njeri i fortë. Asnjë politikan shqiptar nuk do t´i kishte qëndruar presionit të 97-ës. Berisha pranonte të vdiste dhe nuk ikte. Pas rënies së Berishës, socialistët në llogaritë e tyre, në luftën mes grupeve, shpesh kanë menduar se për të rrëzuar njërin apo tjetrin, do të duhej të rikthenin Berishën në pushtet për disa muaj. Deri më sot, nuk kam parë llogari politike më të gabuar se kjo. Në 1997-ën, Berishën nuk e rrëzuan socialistët. Ata asnjëherë nuk e kanë rrëzuar atë. Dhe pikërisht këtë detaj, ata nuk e kanë kuptuar kurrë. Pikërisht ky është fataliteti i socialistëve. Tjetër detaj… Më ka mbetur në mendje vetmia e Berishës gjatë luftës së Kosovës. Ishte trishtuese! Berisha si natyrë nuk ka shumë miq, por atë e vret vetmia. Gjatë luftës së Kosovës në Shqipëri erdhën një pjesë e njerëzve më të rëndësishëm të botës. Ata takonin vetëm socialistët, kurse Berishën nuk e takonte askush. Kjo gjë e rrudhte, e mpakte, e drobiste, e mundonte.

Si e konsideroni figurën e tij në një të nesërme, si mendoni se do të mbetet ai në mendjen e shqiptarëve?

Një njeri në tranzit, ku gjithë karriera e tij politike është tranzicion.

Mero Baze

“Zakoni i tij i gjithhershëm për të pozicionuar kundërshtarët dhe për të zhdukur opinionin e pavarur, atë që bën diferencën. Berisha do vazhdimisht një luftë pa arbitër, një shoqëri pa gjykatës, një rend me vetëgjyqësi”

“Situata e tanishme, si Maji i vitit 1996″

Zgjedhjet e 28 Qershorit nuk kanë më enigma, por mbartin një rezultat që opozita e konsideron të trukuar, ndërsa standardet nuk janë plotësuara në tërësinë e tyre. Si do t´i komentonit ato?

Rezultati më i rëndësishëm i zgjedhjeve të 28 Qershorit është mosarritja e objektivit tonë kombëtar për të bërë zgjedhje sipas standardeve evropiane. Fjalia më e pakundërshtueshme e çdo raporti ndërkombëtar për atë çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, edhe e atyre pjesëve që keqpërdor Sali Berisha, është se zgjedhjet nuk arritën standardet e pritura. Për këtë shkak, në këto zgjedhje ka humbur Shqipëria dhe ka fituar Sali Berisha me Ilir Metën.

Politika shqiptare duket se ka hyrë përfundimisht në krizë, opozita vazhdon të bojkotojë Kuvendin dhe të protestojë në rrugë. A mendoni se mund të vazhdojë pafundësisht një situatë si kjo?

Kjo situatë do përgjigje nga ata të cilëve ju adresohet. Qeveria duhet të paraqesë një plan për zgjidhjen e krizës politike. Kjo situatë, kështu siç është, natyrisht që nuk mund të zgjasë pafundësisht pasi ajo mund të agravojë në çdo çast dhe të degradojë deri në anarki. Ne jemi të rrezikuar të mos kemi më procese zgjedhore dhe të mos kemi më funksionim të demokracisë. Kjo krizë nuk është për t´u marrë lehtë dhe nuk mund të kalojë me deklarata karagjozësh që po nxitojnë të plaçkitin vendin pa u siguruar më parë se ky vend e ka një të ardhme. Jam i sigurt se kjo situatë nuk është e favorshme as për Familjen Berisha, pasi pasuritë e tyre do të jenë të pasigurta në një vend të pasigurt.

Gjatë këtyre ditëve të fundit ka pasur një sërë ngjarjesh të pazakonta, përplasje të dy policive për ARMO-n, në Tiranë apo dhe ndeshjet me policinë në Orikum. Çfarë mendoni se dëshmojnë shenja të tilla?

Kjo është padyshim shenja më e frikshme se kemi një shtet paralel brenda shtetit ligjor. Kemi një polici tatimore që beson ende tek misioni i saj për të mbledhur taksa dhe një polici rendi që komandohet nga familja dhe që kërkon që klientët e saj të mos preken, që klientët e saj të mos paguajnë taksa. Kjo është shenja e dukshme, është prova fatale që Mafia ka kapur shtetin dhe segmentet e tij të fundit, po përpëliten para dorëzimit përfundimtar.

Nëse do të duhej të bënit një krahasim, me çfarë periudhe do ta krahasoni nga e djeshmja të sotmen?

Për nga ngërçi politik dhe papërgjegjshmëria e sjelljes, i ngjan periudhës së pas Majit 1996, kur me zgjedhje të përdhosura në vend të tolerancës dhe dialogut, u kultivua arroganca dhe përpjekja për të zhdukur opozitën dhe për t´i mbyllur gojën gjithkujt që tregonte me gisht nga qeveria. Për nga standardi i lirive besoj se kemi bërë hapa të mëdhenj prapa pasi po jetojmë jo më nën një qeverisje, por nën një regjim i cili dikton të vërtetat e tij dhe prodhon modelet e ndëshkimit dhe shpërblimit.

Që të dy jeni nga njohësit më të mirë të zotit Berisha, sidomos në periudhën e Presidencës së tij. Çfarë mendoni se nuk është thënë ende nga ajo kohë? Çdo të thotë të jesh mik me Berishën, sipas jush?

Nuk besoj se ka ndonjë gjë më shumë për të thënë. Ndryshimi është se në atë kohë Berisha ishte ende një politikan i papjekur dhe në shumë pikëpamje, merrte vendime personale. Tani është më i sofistikuar dhe po qeveris së bashku me Familjen e tij. Miqtë e tij më të mirë janë i biri, e bija, aferat e tyre, klientët e tyre dhe gjithçka që ju intereson atyre. Vini re sesi Berisha lavdëron planin e zhvillimit të Orikumit, i cili po bëhet një Golem i dytë, vetëm pse aty ka blerë toka Familja. Shikoni sesi po përdor deri dhe Qeverinë Kineze për t´i dhënë njeriut të Familjes ndihma të dedikuara për Shqipërinë. Shikoni sesi nuk arrin të ngrejë zërin ndaj Rezart Taçit vetëm pse ai është klient i së bijës. Sali Berisha është modeli i transformimit nga një njeri i pagdhendur, në një kukull në dorë të mafias.

Cili është detaji që ju ka mbetur më shumë në mendje nga ajo kohë?

Zakoni i tij i gjithhershëm për të pozicionuar kundërshtarët dhe për të zhdukur opinionin e pavarur, atë që bën diferencën. Berisha do vazhdimisht një luftë pa arbitër, një shoqëri pa gjykatës, një rend me vetëgjyqësi.

Si e konsideroni figurën e tij në një të nesërme, si mendoni se do të mbetet ai në mendjen e shqiptarëve?

Mos të shpresojmë shumë tek historia në këtë vend. Shoqëria jonë, fatkeqësisht, është një shoqëri pa kujtesë të fortë. E ardhmja e tij në histori, për sa kohë që Shqipëria do të ketë këtë standard demokratik që ka sot, do të jetë e varur nga shumicat politike. Berishën mund ta damkosin me turp ose ta lustrojnë me lavdi, por një gjë e tillë nuk ka shumë rëndësi. Kjo është një tjetër shenjë që ne jemi ende larg një shoqërie me standarde të përcaktuara sipas modeleve që synojmë të përngjasojmë e të arrijmë. Edhe Berisha duket se nuk e ka këtë problem. Ai vetë po punon për të siguruar shtatë breza të tij me pasuritë e gjithë shqiptarëve. Pastaj historinë e shkruajnë fitimtarët./shekulli/

ek7Z4QPvnFk

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25989. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25989

Top