MEDIAT QE KULLOJNE GJAK

MEDIAT QE KULLOJNE GJAK

Nga Mentor Kikia


Dy janë artikujt kryesorë që ofron menuja mediatike në Shqipëri: politikë dhe vrasje. Gazetat dhe televizionet, në 90 % të rasteve, në faqet e para ose si lajme kryesore kanë mitingjet, replikat parlamentare ose konferencat e shtypit. Në mungesë të këtyre, titujt bombastikë u kushtohen krimeve. Rrugët e Shqipërisë, ku të pashtruara e ku të shtruara e pa asnjë masë mbrojtëse, janë një morg i vazhdueshëm për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve. Statistikat tregojnë se çdo ditë në rrugët e vendit tonë humbin jetën apo plagosen të paktën 3 persona. Ne gazetarët tregohemi korrektë që asnjë viktimë të mos kalojë pa u shfaqur në gazeta apo televizione. Ku më shumë e ku më pak, kameramanët janë në garë se kush të tregohet më horror. Ata që nuk filmojnë dot kufomën në vendin e ngjarjes, nxitojnë të kapin pllanga gjaku dhe editorët e tyre në redaksi nuk ngurrojnë aspak ta përskuqin ekranin me të tilla pamje. E kam ende të fotografuar në memorie, deri në çdo detaj, një skenë të para pesë vjetëve, kur në "TV Klan" u shfaqën trupat e dy të rinjve, të cilët ishin vrarë dhe ishin ngarkuar në një makinë për t'u zhdukur në periferi të Tiranës. Mundohuni të përfytyroni pak: trupa të mavijosur, flokë të lagur e të ngrirë nga gjaku i mpiksur, kafka të shpuara dhe duar të ngrira me gishta të hapur. Dy njerëz pa jetë, të hedhur kapicë mbi njëri-tjetrin në bagazhin e një makine që ecte mes një rruge fshati në kërkim të gropës. Një makabritet më të tmerrshëm nuk mund të shohësh. Televizioni ishte treguar i kujdesshëm që asnjë detaj të mos i shpëtonte transmetimit. Një skenë të tillë unë nuk do ta harroj kurrë. Por, sa të tilla serviren çdo ditë, nën etiketën e së drejtës për informim? Gazetat nuk qëndrojnë më pas. Një plagosje me armë në Tropojë, në Tiranë shitet nën titujt: "Atentat në kullën e …". Atje nuk ka qenë askush dhe se si ka ndodhur ngjarja e di vetëm ai që shtiu me armë. Por gazetarët ndezin fantazinë e tyre dhe mbushin faqe gazetash me "detajet" e ngjarjes që kurrë nuk e kanë parë dhe askush nuk ua ka treguar. Dhe e gjitha është një fantazi-horror, shumë herë pa pikë letrarizmi brenda. Rrëfimi i detajeve nuk mungon as edhe në lajmet që i referohen një njoftimi që vjen nga Ministria e Rendit, i cili fare shkurt thotë se "shtetasi T.S. u arrestua sepse kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen A.L.". Mbi këtë fakt gazetat tjerrin pa fund artikuj nën tituj të mëdhenj: "Ja detajet se si u përdhunua e mitura". Fantazia-horror vazhdon, megjithëse përdhunimi ka vetëm një detaj dhe ngjarja ka ndodhur në një fshat që askush në redaksi nuk e di se nga bie dhe askush nuk e ka parë. Një garë e tillë e shfrenuar kriminalizimi të medias nuk është parë ndonjëherë dhe për fat të keq është shndërruar në një tendencë që rrezikon ta dëmtojë atë në mënyrë të pariparueshme. Ajo që rëndom quhet kronika e zezë, tërheq doemos vëmendjen e medias edhe në vendet e tjera, por etika e transmetimit dhe publikimit është korrekte. Të pafuqishme për të investiguar - në gjithë këto vite punë nuk mbaj mend që hetimet gazetareske të kenë hedhur dritë mbi ndonjë krim dhe për këtë ka një mijë arsye - mediat rrëmojnë mbi informacionet memece të shtetit dhe i shumëfishojnë ato sipas hapësirës që duhet të mbushin në gazeta apo televizione. Të gjithë pamë me ankth, për ditë të tëra, atë që ndodhte në Nju-Jork pasi u rrëzuan dy kullat binjake. 3 800 njerëz u vranë, u copëtuan dhe u dogjën. Por askush dhe asnjëherë nuk pa në ekrane dhe gazeta një kufomë, një trup pa gjymtyrë apo një tjetër pamje të këtij lloji. "Gazeta Shqiptare" angazhohej dje të mos reklamonte më aktet e vetëvrasjes, pasi brenda 5 ditësh dy vajza të mitura vranë veten duke u vetëvarur sipas të njëjtit skenar. Gazeta mendon se vajza e dytë u vetëvar me shallin e saj në banjë, pasi kishte dëgjuar në TV pikë për pikë (pra, "të gjitha detajet e krimit") çfarë kishte bërë bashkëmoshatarja e saj 4 ditë më parë. Nuk bëj asnjë gabim po të them se mediat shqiptare kullojnë gjak. Shumë herë gazetat dhe edicionet e lajmeve janë filma horror, që duhen ndaluar të shihen nga njerëzit nën moshën 18 vjeç. Ndaj mendoj se nuk mjafton të mos publikosh lajmin e vetëvrasjes së një fëmije apo të një gruaje. Por duhet ndryshuar shumë më tepër. Pas një aksidenti ne nuk duhet të shohim pellgjet e gjakut, por tabelën sinjalizuese që mungon dhe shoferin e dehur, të cilit polici nuk i ka hequr patentën. Pas një krimi në familje ne nuk duhet të shohim gruan me kafkën e çarë, por nivelin e zhvillimit, civilizimin e shoqërisë tonë dhe varfërinë që bëhet shkas për të tilla konflikte. Nëse ne do të vazhdojmë të rendim si hienat pas aromës së gjakut, atëherë misioni ynë është i dështuar, apo edhe më keq, kriminal.

MARRE NGA BALKANWEB.COM
 

MLK

Primus registratum
Re: MEDIAT QE KULLOJNE GJAK

Eshte mese normale pasi ne Shqiperi duke filluar nga drejtori i RTSH Artur Zheji e deri te Prengaj & co nuk kane asnje lloj kulture televizioni ndaj dhe mediat televizive jane bere paçaure. Njerezit qe drejtojne mediat tek ne kurre nuk kane jetuar ne demokraci te vertete e te reagojne si njerez te lire dhe me principe. Keta njerez qe drejtojne mediat jane mesuar me nje tip tjeter media siç ishte makina e propagandes komuniste e keshtu qe nuk kane se si te ndertojne nje media interesante. Kam pare disa here emisione televizive shqiptare dhe e kam pothuajse te pamundur ti ndjek deri ne fund pasi absurditeti dhe dilentantizmi arrijne kulmin. Mediat shqiptare nuk kane se si te zhvillohen pasi nuk kane konkurence te mirefillte, nuk kane nje linje editoriale te mirefillte dhe egzistojne vetem per te marre para nga nje krah apo nga nje tjeter ne politike keshtu qe mos prisni te kemi media shqiptare. I vetmi suprot mediatik shqiptar qe eshte i lexueshem eshte Albania Daily News, i shkurter, informatidh dhe sintetik. Pjesen tjeter hidheni ne plera.
 
Top