Re: Masakrohet Ilir Frroku!!!
Aktualitet
vrasja e emigrantit
intervista
Tonin Doda tregon edhe emrin e vrasësit
“Si u përlesha me grekun që vrau Ilirin”
Fatos Veliu
Një nga dëshmitarët okularë të ngjarjes së vrasjes së Ilit Frrokut është kthyer për të ngushëlluar familjen e të ndjerit, tre ditë pas varrimit të Frrokut.
Ai është Tonin Doda, nga fshati Kulme i Mirditës, bashkëmoshatar i Ilir Frrokut. Edhe pse dhimbja për humbjen e shokut të tij nuk e le të flasë lirshëm, ku vazhdimisht nga sytë i rridhnin lotë, ai sjell në kujtesën e tij çdo gjë që ka ndodhur natën e 16 marsit 2005, në një lokal në kryeqytetin grek, Athinë. Ndërkohë që Tonini deklaron me forcë se vrasësi i Ilirit është grek, pasi edhe nëna, edhe i ati i tij janë grekë dhe jo siç pretendon policia greke, (nëse e ka thënë ajo një gjë të tillë apo janë thashetheme), se bëhet fjalë për një turk. Ja si shprehet Tonin Doda për gazetën “Panorama” për masakrën me thika, ku mbeti i vrarë Ilir Froku dhe u plagosën dy shokë të tij.
Sa kohë keni që punoni në Greqi?
Kam 11 vjet që punoj në ndërtim në Greqi dhe jam me dokumente të rregullta për të vajtur vazhdimisht për të punuar atje.
Kur jeni njohur me Ilir Frrokun?
Që kur ai ka ardhur në Greqi, pasi unë kam edhe rrethana miqësore me të. Një kushëri i imi ka marrë motrën e Ilirit për grua. Gjatë ditës punonim në punë e vende të ndryshme, por në mbrëmje mblidheshim së bashku dhe qëndronin duke biseduar gjatë, pasi kur të mungon familja, detyrimisht do të qëndrosh me shokët. Kishim një shoqëri shumë të mirë, pasi Iliri ishte më shumë se shok për mua.
Kur jeni mbledhur dhe futur në lokal natën e 15 marsit?
Na mori në telefon Iliri dhe jemi mbledhur rreth orës 23.00 të natës, pasi edhe lokali ishte me shërbim 24 orë. Sapo mbaruam punën u bëmë gati për të shkuar atje. Në këto rrethana shkuam pak vonë, pasi menduam se nuk do të kishte grekë në lokal dhe donim të qëndronim në qejfin tonë, pasi ne do të festonim ditëlindjen e shokut tonë.
Sa veta ishit gjithësej?
Kemi qenë shtatë vetë, Ilir Frroku, Tonin Deda, Arben Preçi, Pashk Domgjoni (Filipi) Zef Domgjoni, Kujtim Frroku dhe Tonin Kola.
Kur u futët në lokal, gjetët klientë grekë brenda?
Po, ishin tre persona.
U ulët së bashku apo të ndarë nga tavolinat?
U ulem katër veta në njërën tavolinë, ku ishim unë, Ilir Frroku, Arben Preçi dhe Tonin Kola. Ndërsa ngjitur me ne ishin Pashk Domgjoni, vëllai i Ilirit, Kujtim Frroku dhe Zef Domgjoni. Erdhi kamarieri, mori porosinë dhe filluam të festonim. Pas dy apo tre orësh filluam të këndonim dhe të kërcenim, jo vetëm valle shqiptare, por edhe valle greke. Më pas kemi paguar detyrimet, rreth 100 euro dhe kemi dalë nga lokali.
Kishit mosmarrëveshje në kohën që po festonit me pronarin e lokalit. A ka ndërhyrë ai ndonjë moment për t’ju thënë që të uleshit apo të pushonit?
Jo, nuk kemi patur asnjë problem. Pasi ne as nuk u dehem dhe ne i morëm leje pronarit që të festonim. Ai ishte i kënaqur, pasi punë donte.
Çfarë ndodhi më pas?
Dolëm jashtë dhe na erdhi një vajzë në mometin që po ngjiteshim në makinë dhe na tha se i kishim marrë motorin. Ne i thamë se nuk dinim gjë, por të pyeste edhe personat e tjerë, që ishin në lokal. Ndërsa më pas erdhën edhe disa grekë. Na bënë të njëjtat pyetje dhe ne u shpjeguam se nuk kishim marrë gjë. Mirëpo, meqë ata po këmbëngulnin, ne ishim dakord të thërrisnim policinë dhe le ta gjente ajo. Grekët, së bashku me vajzën, që na pyeti u ngjitën në një makinë tip BMV dhe një fuoristradë dhe bënë tre shtëtitje, duke na u sjellë rrotull. Në këto momente i thashë vëllait të Ilirit, Kujtimit, që të largohej se po lajmërojnë policinë, sepse ai nuk kishte letrat. Ai u largua, ndërsa ne kishim makinat. Sapo zbritëm nga makina, Ilia Karadoman ka nxjerrë thikën dhe ia nguli në kokë pas veshit, Ilirit. Në këto momente Iliri bërtiti “më goditi me thikë”, dhe më pas nuk ka folur më, duke rënë në asfalt. Në këto momente e godita unë me bërryl në shpinë Ilian, pasi ai filloi të godiste Arben Preçin, ndërsa unë kisha njërën dorë të thyer. Në këto momente i kapa dorën e majtë me të cilën mbante thikën dhe u shtymë, kur ai u largua me vrap dhe hipi në makinë. Në përleshje janë përfshirë edhe grekë të tjerë, të cilët erdhën në lokal vetëm dhjetë minuta më parë se të ngriheshim ne nga tavolina.
Ku ndodhi ngjarja?
Në oborrin e lokalit.
Ku ishin shokët tjerë në momentin e përleshjes?
Kujtim Frroku, Tonin Kola kishin ikur, pasi Kujtimit i thamë vetë, ndërsa Tonin Kola u ngjit i pari në makinë dhe u largua.
Më pas si rrodhi ngjarja?
U munduam t’i jepnim ndihmë Ilirit, por ai kishte vdekur në vend. Ndërsa pronari i lokalit njoftoi ambulancën, e cila duhet thënë se ka ardhur rreth 40 minuta me vonesë. Pas largimit të grekëve vura re se nuk ishte aty edhe Pash Domgjonaj nga Fani i Mirditës. Por më telefonoi pas 20 minutash, duke më thënë se ishte i plagosur dhe se kishte thyer brinjët, pasi grekët e morën peng në makinën e tyre dhe e rrahën barbarisht me grushta dhe shkelma. E kishin hedhur në anë të rrugës. Në ato momente i dhashë vetëm numrin e telefonit të spitalit dhe erdhi policia. Me të mbërritur policia nuk bënë asnjë reagim as me ne dhe as me të ndjerin. Unë i thashë që të paktën të na ndihmonin ta dërgonim në spital, por ata nuk m’u përgjigjën. Kur erdhi ambulanca, unë vajta në spital me Ilirin dhe mjekët e futën menjëherë në sallën e operacionit, por ishte e pamundur që të ndërhyhej për ta shpëtuar, pasi ai kishte vdekur në moment. Atje erdhën edhe dy policë dhe më morën në postën e policisë, duke më pyetur për ngjarjen.
Përse mendoni se Ilia ka goditur të parin Ilirin?
Sepse ai kishte trupin dhe ishte më me fizik se ne dhe si duket kishin frikë te ai se do të kundërpërgjigjej.
Ju pyetën në polici për ndonjë motor të vjedhur?
Na pyetën, por pasi u siguruan se ne nuk kishim gisht në vjedhjen e tij, na liruan.
Vajza që ju pyeti për motorin, ishte kamariere?
Jo, ajo nuk ishte fare në lokal. Erdhi nga jashtë.
Mendoni se ishte një provokim për t’u konfrontuar?
Ashtu është. Pasi edhe vajza, që na pyeti nuk ishte shtetase greke, njihej nga gjuha. Ajo ishte në makinën e Ilia Karadoma.
Ilia ka qenë badigard i pronarit të lokalit?
Nuk mund të them me saktësi, por ne kështu morëm vesh.
Mendoni se pronari grek njihte autorin e krimit dhe grekët që u përfshinë në konflikt?
Po, për këtë jam i sigurt. I kishte të njohur, pasi ka biseduar me ta.
Ju thatë se ju pyetën në polici për ngjarjen. A keni bërë denoncim për ngjarjen?
Po, më kanë pyetur. Kam bërë denoncimin dhe pasi më kanë sjellë fotografinë e Ilias kam treguar se ai ishte vrasësi. Po kështu jam në gjendje që të njoh nëpërmjet fotografisë edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë goditje kundër nesh.
A reagoi në momentin e konfliktit pronari i lokalit?
Jo, nuk reagoi, vetëm qëndroi si spektator. Ai nuk ka lajmëruar madje as policinë, por atë e kanë lajmëruar fqinjët e tij kur kanë dëgjuar ulërimat dhe britmat.
Pronari i lokalit, i lirë
Megjithëse pronari i lokalit ka parë gjithë konfliktin, në mos të ketë qenë ai ideatori i këtij konflikti, është lënë i lirë nga ana e policisë greke. Mendohet se ai mund të ketë bashkëpunuar me policinë për zbardhjen e ngjarjes, duke siguruar dhe lirinë e tij, por kjo pritet që të zbulohet në gjykatë. Megjithatë, policia greke po luan me faktet e ngjarjes. Ajo ka pranuar se autor është një shtetas grek, por nuk bën të ditur personat e implikuar në vrasjen e një emigranti dhe plagosjen e të tjerëve. Ndërsa nuk po mbështet dhe motivin që njëri nga shqiptarët ka dashur të grabisë një motoçikletë, pasi nëse ky fakt do të qëndronte policia nuk do të kishte lënë të lirë të tjerët pas incidentit.
Dëshmitarët
• Tonin Doda nga Mirdita
• Arben Preçi nga Mirdita
• Pashk Domgjoni nga Mirdita
• Zef Domgjoni nga Mirdita
• Kujtim Frroku nga Mamurrasi
• Tonin Kola nga Shkodra
I vdekur
• Ilir Frroku
Të plagosur
• Arben Preçi
• Pashk Domgjoni
Tonin Kola: Erdha kur kishte mbaruar gjithçka. Policia më rrahu
“Policia greke bënte sehir para të plagosurve“
Ai është lajmëruar nga shokët e tij për atë që ka ndodhur dhe pretendon se është ushtruar edhe dhunë policore mbi të.
Ju ishit duke festuar ditëlindjen me Ilirin?
Po, kam qenë së bashku me pesë shokë të tjerë.
Po në momentin e konfliktit?
Jo, nuk jam ndodhur në ato çaste, pasi jam larguar sapo kam dalë nga lokali. Nuk e prisja një gjë të tillë, pasi çdo gjë shkoi normale në festë dhe nuk u shënua asnjë incident. Unë u largova normalisht nga lokali me makinë, pasi kishim shlyer detyrimet.
Kush ju njoftoi për incidentin?
Më telefonoi Arben Preçi, i cili më tha se kishin vrarë Ilirin dhe se ishte plagosur edhe ai. Kam shkuar pas njëzetë minutash, pasi unë isha shumë larg lokalit.
Gjetët njeri në vendin e ngjarjes?
Gjeta Ilirin të shtrirë në asfalt dhe të mbuluar në gjak, ndërsa Arbeni ishte i plagosur. Kur pashë Ilirin të vdekur nuk e mbajta veten. I kërkova policisë që ta dërgonim në spital, por nuk lëvizën. Pasi erdhi ambulanca dhe Tonin Doda u nis për në spital me Ilirin, unë i kërkova sërish policisë që të dërgonte në spital Arben Preçin, të cilit po i rridhte gjak nga plagët e marra. Në këtë moment, policët filluan të më godisnin me grushta e me shkelma dhe më futën në makinën e tyre. Më pas sjellin edhe Arbenin në makinë dhe në vend ta dërgonin në spital na dërguan në polici. Aty filluan të na pyesnin dhe pas gjysmë ore Arbenin e dërguan në spital, ndërsa mua më mbajtën në polici. Më kanë mbajtur tri ditë dhe sot, (dje) më kanë liruar. Kam ardhur nga Greqia për të ngushëlluar familjen e Ilirit.
A ka pasur më parë ndonjë konflikt mes jush dhe grekëve, që u përfshinë në konflikt?
Jo, ne kurrë nuk kemi pasur probleme, pasi ne kemi shkuar të punojmë. Kemi jetuar me djersë dhe po të qe ndryshe, ne nuk do të ishim mbledhur për të festuar së bashku.
Po me Pashk Domgjonin keni biseduar?
Kam biseduar në telefon, pasi nuk kisha mundësi ta takoja. Kam mësuar se është i plagosur dhe ka të thyera brinjët nga goditjet e grekëve.
Ju mendoni se konflikti nga grekët ka qenë i papërgatitur?
Po, unë kështu mendoj, pasi kur hymë në lokal pati vetëm tre grekë dhe ata janë mbledhur para se ne të dilnim.
* Varianti i policisë greke
Në orën 01:15 të datës 16-3-2005, në Anaksagora nr:31 në N.Filadhelfia Atikës, jashtë bar “Kolonës” u zhvillua një ngatërresë ndërmjet katër shtetasve shqiptarë e dy personave të panjohur. Si rezultat i goditjes me thikë vritet shtetasi shqiptar, Ilir Frroku, 25 vjeç. Gjithashtu u plagos lehtë një shtetas tjetër shqiptar 28 vjeç, i cili është i shtruar jashtë rrezikut në spital. Siç u konstatua, arsyeja e ngatërresës ishte për tentativë vjedhjeje të një motoçiklete dhe që u zbulua nga i zoti i motorit. Nga shërbimi ynë po zhvillohen hetimet për këtë ngjarje.
* Dëshmia e Tonin Kolës
Shoku i viktimës, Tonin Kola, mendon se ngjarja në lokal ka ndodhur papritur, pas festës së ditëlindjes. Vetë Tonini u shpreh se, ai është larguar më parë nga festa dhe gjatë kohës që ai ka qëndruar aty, nuk është shënuar asnjë incident. Sipas dëshmisë së tij, në fillim në lokal ndodheshin vetëm tre shtetas grekë dhe para se të dilnin emigrantët, që po festonin, ata janë shtuar në numër. Ndërkaq, Kola ka akuzuar policinë greke se nuk ka vepruar në kohë për të shpëtuar Ilirin nga vdekja, por e ka dërguar në spital, kur ai kishte vdekur. E njëjta situatë, sipas tij ka ndodhur dhe me të plagosurin Arben Preçi.
* Akuzat e Gjovalin Frrokut
Vëllai i Ilir Frrokut, Gjovalini, ka akuzuar pronarin grek të lokalit dhe badigardët e tij për vdekjen e 26-vjeçarit. Sipas tij, kur kanë dëgjuar që të këndohet shqip dhe të kërceheshin valle shqiptare, grekët nuk kanë duruar më, por kanë thirrur dhe shokët të tyre. Ata kanë qëlluar në grindje e sipër emigrantët shqiptarë me thika, ku njëra ka goditur për vdekje Ilirin, ndërsa mbetën të plagosur dy të tjerë. Gjovalin Frroku ka akuzuar dhe mjekët e Athinës, të cilët nuk kanë ardhur me shpejtësi në vendin e ngjarjes për të shpëtuar vëllanë e tij nga vdekja, vetëm pse ishin shqiptarë.
* Fqinji grek kundër policisë
Selio Panurgos, pronar i një dyqani vetëm pak metra larg vendit, ku është ekzekutuar me thikë shqiptari Ilir Froku mohon faktin se sherri mes shqiptarëve dhe turkut ka ardhur si shkak i një tentative vjedhjeje. Sipas tij, klientët e lokalit, përfshirë këtu dhe shqiptarët, kurrë nuk kanë vjedhur mjetet e parkuara në oborrin e tij. Kjo pasi dhe vetë vendi ku ndodhet e bën të pamundur një veprim të tillë, pasi ka lëvizje në çdo orë. Sipas tij nuk përjashtohet mundësia, që sherri të ketë ndodhur për motive të dobëta, pasi në lokal ndodheshin edhe femra.
* Zef Frroku: Dua drejtësi
Sipas të atit të viktimës, Zef Frroku, djali i tij nuk kishte probleme me askënd. Ai këmbëngul në faktin se vrasja e të birit është bërë për faktin se ka kënduar në shqip bashkë me shokët e tij. Zefi ka pohuar se, djemtë e tij e njohin autorin e vrasjes, por ai nuk do të marrë hak, duke pritur që drejtësia greke të dënojë kriminelin. Në intervistë për gazetën, babai i Ilirit ka deklaruar se do të shkojë në Greqi me çdo kusht për të kallëzuar personalisht në polici vrasësit e të birit. Sipas tij, autori duhet të dënohet dhe jo të mbrohet.
* Tonin Doda: Na kapën në befasi
Një nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes, Tonin Doda, tregon se janë sulmuar befasisht nën pretekstin e vjedhjes së një motori. “Pyetjes provokuese së një femre, që nuk ishte greke se ne i kishim marrë mjetin motorik i jemi përgjigjur se ishim të gatshëm të prisnim dhe policinë për të sqaruar gjithçka. Mirëpo vrasësi, që ne e njohim si bodigardi i lokalit, pasi ka bërë tri herë xhiro me makinë sw bashku me disa grekë na janë sulur me thika, ku të parin kanë goditur për vdekje Ilirin meqë ai ishte më i shëndoshë”, ka dëshmuar ai. Pronari i lokalit ishte spekator në atë çfarë ndodhi dhe ai i njeh mirë të gjithë grekët e pranishëm, sikurse edhe unë.
© 2003 Gazeta Panorama