Marrëdhëniet ndërkombëtare

Marrëdhëniet ndërkombëtare

Marrëdhëniet ndërkombëtare kanë qenë një nga pikësynimet e Profetit Muhamed a.s. qysh në gjallërinë e vet dhe këtë na e bëjnë me dijeni të gjitha biografitë e hartuara nga biografët e tij, të hershmet dhe të vonshmet. Qysh në fillimet e veta në Medine për ta plotësuar sa më mirë misionin e vet universal për të cilin ishte dërguar, ai i drejtohet sundimtarëve më të mëdhenj të asaj kohe. Janë shumë të mirënjohura mesazhet e Muhamedit a.s. drejtuar disa sundimtarëve të fuqishëm të botës së atëhershme si: Heraklitit të Bizantit, Khosroes së Persisë, Nexhashiut të Etiopisë, Mukokasit të Egjiptit etj, që ishin në kufi me arabët. Disa prej tyre janë ruajtur në arkivat dhe muzetë osmane siç është edhe rasti i Kuranit të Osmanit, një nga kopjet më unikale të ruajtura deri sot.

Teksti i Mesazhit ishte i njëjtë në atë që ftonte ndërsa reagimet e këtyre sundimtarëve ishin të ndryshme. Normalisht ai niste me “Bismilahin” dhe vazhdonte “Prej Muhammedit, robit të Zotit dhe të dërguarit të Tij...”; ose “Prej Muhammedit, Pejgamberit të Allahut...”. Këto mesazhe përmbanin Thirrjen Islame drejtuar këtyre mbretërve e sundimtarëve, nga të cilët vetëm Nexhashiu, perandori i Etiopisë e pranon Muhamedin si të dërguarin e Zotit. Ndërsa të tjerët në një mënyrë ose tjetrën e refuzuan atë por që shumë shpejt do të shihnin perandoritë e tyre t’i nënshtroheshin ushtrive muslimane. Pra, përpara se ta shihnin fundin e sundimit të tyre, Muhamedi iu është drejtuar ta pranonin Islamin në mënyrë paqësore.

Le të kalojmë më tej. Thuhet se Harun Er-Rrashidi (766-809) ka shkëmbyer dhurata me Karlin e Madh, duke i dhuruar atij një orë dhe një tabelë shahu të vyer. Madje Karli i Madh u tremb prej orës duke e kujtuar atë një djallëzi të “të pabesëve”.

Ndërsa Mehmet Fatihu i famshëm përpara se të niste pushtimin e Kostandinopojës vendosi marrëveshje armëpushimi e traktate miqësie me Hungarinë, Raguzën, Venedikun etj. Ndërsa më 1456 Franca lidh një aleancë të ngushtë me Perandorinë Osmane dhe për të vazhduar më tej rreth kësaj çështjeje mund të flasim pambarimisht por synimi i këtij shkrimi nuk është ky. Pra, siç mund të vërehet qartë ka pasur gjithmonë një vijimësi në praktikat e marrëdhënieve diplomatike dhe më pas me sulltan Sulejmanin e Mrekullueshëm (Kanunin) dhe nën sulltan Selimin, Perandoria Osmane nëpërmjet pushtimeve në Evropë dhe marrëveshjeve diplomatike e fut në gjendje varësie të gjithë Evropën, kështu që ia arrin të kontrollojë të gjithë politikën botërore të asaj kohe, duke mos pasur rivalë politikë dhe ushtarakë për çastin.

Osmanët dhe kohët moderne

Qysh nga shekulli XIII monarkë të ndryshëm mbajtën shumë herë padrejtësisht titullin e kalifit. Këtij titulli që e mbajtën edhe sulltanët osmanë, iu dha një rëndësi e veçantë prej tyre nga fundi i shekullit XIX me afrimin në Lindje dhe fuqizimin e shteteve të krishtera, duke e emfatizuar rolin e kalifit në përpjekje për të gjetur mbështetje nga muslimanët që jetonin jashtë sundimit të tyre. Perandoria Osmane u rrëzua gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Pas lufte nacionalistët turq shfronëzuan sulltanin dhe më së fundi kalifati pushoi së ekzistuari (Mars 1924) nga Asambleja e Madhe Kombëtare Turke. Heqja e kalifatit solli druajtje dhe hutim në shumë pjesë të botës muslimane dhe shumë protesta u drejtuan kundra qeverisë turke për këtë veprim. Një pas një, mbreti Hysen ibn Ali i Hixhazit (tashti krahinë e Arabisë Saudite), drejtoi thirrje për titullin e kalifit nën cilësinë e pasardhësit të drejtpërdrejtë të familjes profetike dhe kontrolluesit të të dy qyteteve të shenjta, Mekes dhe Medines. Megjithatë, thirrja e tij u prit pa vëmendjen e duhur jashtë Palestinës, Sirisë dhe pjesëve të ndryshme të Arabisë Saudite. Nënshtrimi i Hixhazit më 1925 nga Abdyl Aziz ibn Saud (krijuesi i Arabisë Saudite moderne), sundimtari i Nexhdit në Arabi, e bëri thirrjen e Hysenit edhe më të pavlefshme.

Një kongres musliman i mbajtur në Kajro më 1926 për të zgjedhur një zëvendës të pranueshëm dështoi dhe përfundoi në një apel botës muslimane për të punuar së bashku për të ristabilizuar kalifatin. Sidoqoftë qysh prej Luftës së Dytë Botërore preokupimi i kombeve muslimane ka qenë pavarësia kombëtare dhe problemet ekonomike dhe ringritja e kalifatit tashti për tashti nuk duket aq e rëndësishme. Tashmë 51 vende të ndryshme me shumicën e popullsisë muslimane janë grumbulluar në atë që quhet Konferenca e Vendeve Islamike ku bën pjesë edhe Shqipëria. Por ky organizëm nuk ka atë efekt dhe atë shkëlqim që i sollën kalifatet e ndryshme Islamit.


“Përsëri ai mbetej ajo botë e mbyllur e një shoqërie që arriti të bashkojë me dhunë gjymtyrë të reja (compelle intrare), por që i përjashtonte të tjerët, duke u dalluar për një racizëm të vërtetë fetar”. “Qytetërimi i Përëndimit Mesjetar”; Jack Le Goff; B. Toena F. Soros; Tiranë 1998; fq. 185.

 “Për gati një mijë vjet forca kryesore në qytetërimin përëndimor ishte Krishterimi. Më pas rreth vitit 1725; ai papritmas, filloi tatëpjetën dhe në shoqërinë intelektuale praktikisht u zhduk”. “Qytetërimi”; Keneth Clark; Shtëpia e Librit; Tiranë 2000; fq. 251.

 “Letër për tolerimin”; John Locke; Plejad; Tiranë 2002; fq. 14.

 Institucioni i Shejhul Islamit me këshillin e tij, nëse do të bënim një krahasim, i përngjan parlamentit të sotëm dhe kryetarit të parlamentit, me ndryshimin që të parët zgjidheshin nga dijetarët e shquar të fesë.

 Për më gjerë shih: “Për ju, o trashëgimtarë të Profetit a.s.”; Abdullah Nasih Ulvan; Biblioteka “Muhamed Ikbal”; Shkup 1993; fq. 26-32.

 Për më tepër rreth kësaj teme shih: “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; Furkan Ism; Shkup 2000; fq. 236-241.

 Po aty; 236-241.

 “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; Furkan Ism; Shkup 2000; fq. 333.

 Po aty; fq. 339.

 Po aty; fq. 379.

 “Por Muhameti, profeti i Islamit, predikonte një doktrinë më të thjeshtë, e cila u pranua menjëherë dhe u dha pasuesve të saj atë ndjenjë solidariteti të pathyeshëm, që u pat prirë dikur legjioneve romake. Brenda një kohe çuditërisht të shkurtër – rreth 50 vjet – bota klasike u nënshtrua”. “Qytetërimi”; Keneth Clark; Shtëpia e Librit; Tiranë 2000; fq. 29.

 “Qytetërimi i Përëndimit Mesjetar”; Jack Le Goff; B. Toena F. Soros; Tiranë 1998; fq. 148.

 “Europa Islamica, L’Espansione, 1492: La Ricoquista – Il segno di una civilta’”; Pedro Martinez Montavez, Carmen Ruiz Bravo; Istituto Geografico De Agostini; Novara 1991; fq.

 “Mehmet Fatih”, Microsoft® Encarta® 98 Encyclopedia. © 1993-1997 Microsoft Corporation.

 “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; Furkan Ism; Shkup 2000; fq. 341.

 Po aty; 342.

 Historia e Përgjithshme Koha e re (1453-1789); Dr. Skënder Rizaj; Fakulteti Filozofik; Prishtinë 1985; fq. 12.

 Po aty; fq. 14.

Përgatiti.Sabri Selmani
Kiel-Gjermani
 
Top