Margarita Simonyan, fytyra e re e TV rus

Margarita Simonyan, fytyra e re e TV rus

“Unë gjithmonë, që nga dita e parë e punës e kam ditur se kërcënime dhe rreziqe do të ketë, por nëse mendon se frika është më e madhe se dëshira për të thënë të vërtetën, atëherë- dhe kjo vlen për çdo vend të botës -është më mirë që ta braktisësh profesionin.</p>


Margarita Simonyan, e qetë, me xhinse dhe një xhaketë lëkure, është vetëm 29 vjeçe dhe kryeredaktore e RT, stacionit botëror të lajmeve ruse, që konkurron me BBC dhe CNN. Dhe ajo çka është më interesante qëndron në faktin se ajo mund të konsiderohet si “një veterane” në këtë pozicion, duke qenë se ndodhet në këtë detyrë që prej 4 vitesh. “Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme në Rusi, edhe pse mund të konsiderohet paksa e çuditshme në Perëndim”, thotë shefja e lajmeve. “Në Rusi ekziston një hendek i madh brezash mes gazetarëve të kohës së komunizmit dhe atyre të rinj. Ne nuk jemi mësuar dhe nuk jemi rritur në kohën e lajmeve-propagandë, por në Rusinë e re, me një mentalitet të ri për lajmin dhe një respekt për klientin. Kur Bashkimi Sovjetik u përmbys, njerëzit që ndodheshin në krye të stacioneve televizive e panë të arsyeshme që të punësonin më mirë 16-18 vjeçarët, se sa të mbanin gazetarët që ishin mësuar me mënyrën sovjetike të formulimit dhe transmetimit të lajmit. Këtyre të rinjve iu mësua gjithçka nga e para dhe për fat një pjesë e mirë e tyre arritën që ta kapnin shumë shpejt situatën dhe të shndërroheshin me lajmin e kohës në profesionistë të vërtetë”, thotë Margarita. Ajo vetë i përket një brezi dhe një përvoje të tillë. Karrierën e filloi kur ishte vetëm 18 vjeçe. Kishte një shoqe që ishte caktuar korrespondente për Nju Jorkun në një stacion të madh televiziv në moshën 22-vjeçare dhe një tjetër që ishte bërë shefja e një kanali lajmesh 24-orësh kur ishte vetëm 25 vjeçe. Sipas saj, shumë nga gjërat që mund të konsiderohen në Perëndim “të çuditshme” në lëmin e gazetarisë, përbëjnë një normë në Rusi. Një nga këto gjëra është edhe mosha e re e drejtuesve të medias ruse dhe futja me shumicë e femrave në pozicionet kyçe të saj. Sipas saj, Rusia nuk ka qenë kurrë e zonja që tu shpjegojë të huajve situatën dhe mënyrën e saj të jetesës. Pikërisht këtë pikë të dobët brezi i ri i drejtuesve të medias, kryesisht asaj elektronike, po përpiqet që ta ndryshojë. Përpjekja e Margaritës quhet “Russia Today”, dhe është pronë e shtetit, pra e agjencisë së lajmeve, RIA Novosti. “Unë dua që bota të dëgjojë këndvështrimin tonë. Shteti nuk ndërhyn në përmbajtjen editoriale dhe paratë që na financojnë nuk vijnë drejtpërdrejt nga Kremlini, ndaj ne nuk jemi të detyruar që të bëjmë politikën e tij”. Ajo është krenare me pavarësinë që ka arritur nga shteti, sepse sipas saj, ndërsa BBC ka të njëjtën politikë të jashtme si Ministria e Jashtme britanike, “Russia Today” ndjek linjën e vet të pavarur.
Kanali që ajo drejton po krijon një numër gjithnjë e më të madh ndjekësish, duke u përhapur me shumë sukses tani edhe në vendet e Amerikës Latine, madje ky është edhe tregu i ri i kanalit ku ai ka nisur konkurrencën me CNN dhe BBC. Historitë që ai mbulon nuk janë domosdoshmërish ruse, dhe nuk kanë domosdoshmërish lidhje me Rusinë. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet Europa dhe veçanërisht Britania e Madhe. Në këtë vend ajo ka bërë një marrëveshje me “Sky News” dhe pritet që të ketë një shpërndarje shumë më të gjerë në të ardhmen. Në Londër filiali i këtij kanali rus drejtohet nga një gazetare britanike dhe synimi i zyrës është që të krijojë një pasqyrim sa më të imtësishëm të ndërmarrjeve dhe iniciativave të përbashkëta të rusëve dhe britanikëve. Në këtë stacion shfaqet herë pas here edhe miliarderi rus me banim në Londër, Aleksandër Lebedev, që është aktualisht pronari i “Evening Standard”. Për drejtuesen ruse, puna kryesore është ndryshimi i imazhit të vendit të saj. “Sigurisht që ne kemi shumë probleme, por në shtypin e huaj flitet vazhdimisht vetëm për anën e errët dhe problematike të Rusisë, duke harruar se ka edhe shumë aspekte të tjera për të cilat njerëzit që jetojnë jashtë Rusisë nuk e kanë as më të voglën ide. Kjo ka ndodhur sepse me imazhin e Rusisë, deri tani janë marrë të huajt dhe këtë e kanë bërë sipas interesave të tyre. Tashmë ka ardhur koha që të flasim ne për veten tonë dhe këtë do ta bëjmë përmes medias profesionale dhe të pavarur. Njerëzit të cilët shohin stacionin që unë drejtoj, e dinë shumë mirë se ne nuk druhemi që me lajmet tona të sfidojmë edhe shkallët më të larta të pushtetit rus, nëse kemi prova se gjërat nuk shkojnë siç duhet”, thotë Margarita. Në një ambient si Rusia, jo shumë miqësor për gazetarët që thonë të vërtetën, Margarita është e ndërgjegjshme që profesioni i saj është i lidhur me rrezikun. “Unë gjithmonë, që nga dita e parë e punës e kam ditur se kërcënime dhe rreziqe do të ketë, por nëse mendon se frika është më e madhe se dëshira për të thënë të vërtetën, atëherë- dhe kjo vlen për çdo vend të botës -është më mirë që ta braktisësh profesionin”.(Shqip)</p>
MTlQDLyy9qY

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24026. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24026
 
Top