Maqedoni, BDI padit Akademinë

Maqedoni, BDI padit Akademinë

Të tjera reagime të ashpra nga qarqet politike dhe shkencore. Dalin në dritë edhe skandalet financiare të botimit

Thaçi: Duam Akademi shqiptare

Botimi i Enciklopedisë së re nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë (MANU), ku shqiptarët paraqiten në një dritë të shtrembëruar dhe larg realitetit, vazhdon të ngjallë reagime të ashpra në pjesën shqiptare të pozitës e të opozitës, si edhe në qarqet politike, publike e shkencore shqiptare në Maqedoni. Këto reagime po i japin çështjes formën e një skandali thuajse ndërshtetëror.

Figura dhe personalitete të njohura shqiptare në këtë vend e konsiderojnë Enciklopedinë maqedonase një racizëm të pastër politik, ndërkohë që kërkojnë përgjigje, nëse pas përmbajtjes së saj qëndron qeveria maqedonase, e cila e ka financuar botimin e saj. Parti dhe organizata shqiptare kanë paralajmëruar se do ti hedhin në gjyq ata që kanë hartuar dhe botuar këtë Enciklopedi.

Partia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeveritar, tashmë ka bërë të ditur se ajo do të hedhë në gjyq kryetarin e MANU-së, Bllazhe Ristovski, dhe vetë Akademinë e Maqedonisë.

Kryetari i Partisë opozitare Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, nga ana e tij ka kërkuar krijimin e një akademie analoge shqiptare. “Kemi të bëjmë me një imitim qesharak të Francuska 7 të Beogradit (adresa e selisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë që njihet për antishqiptarizmin e saj). Është i mjerë ai popull që ka akademikë dhe akademi të tillë! Duke dashur ti vënë vetulla popullit të vet, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse i nxjerrin sytë atij. Nuk ka nevojë të shqetësohen shumë për shqiptarët, sepse, sikurse duket, këtu ka ardhur tamam koha që të ngrihet akademia shqiptare e shkencave”, theksoi Thaçi.

Nga MANU-ja u distancua edhe shkencëtari i njohur i ri shqiptar Veton Latifi, të cilin Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë e shpalli si shkencëtarin më të ri për vitin 2007. “Për shkaqe të natyrës morale, profesionale dhe civilizuese, dua të distancohem dhe të shpreh revoltë kundrejt përpjekjeve dhe lançimit të projekteve të tilla, sepse kur mora çmimin, e mora nga një institucion serioz dhe jo nga një institucion i tillë, sikurse është ky sot, një institucion që ka si produkt degjenerimin e shkencës dhe gjeneron kriza eventuale”, vuri në dukje Veton Latifi, profesor në Universitetin e Europës Juglindore të Tetovës.

Botimi i kësaj Enciklopedie, puna për përgatitjen e së cilës ka zgjatur më se 10 vjet dhe është shoqëruar me një sërë skandalesh financiare, e ka vënë në një pozitë të vështirë Kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili, deri tani, nuk ka bërë ndonjë koment të drejtpërdrejtë për të, por vetëm se është përpjekur të distancohet, duke theksuar se nuk ka pasur dijeni për përmbajtjen e saj. “Nuk kam pasur rastin ta lexoj atë, madje vetëm tani mora vesh se ajo ka ngjallur një interes të madh. Mendoj se duhet të shkoni dhe të pyesni në MANU, që e ka përgatitur Enciklopedinë në mënyrë krejt të pavarur”, i tha dje Kryeministri maqedonas një gazetari, i cili i kërkoi koment për Enciklopedinë në fjalë.

Ndaj Enciklopedisë së re maqedonase, mjaft të përfolur, ka reaguar edhe partia opozitare sllavo-madeqonase kryesore, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila shprehu habinë që MANU-ja e lejoi veten të vendosej në një situatë të tillë, duke kërkuar që historia dhe shkenca tu lihet në dorë historianëve dhe shkencëtarëve të mirëfilltë. “Nuk duam të besojmë se po përsëritet skenari i vitit 2001, kur VMRO-DPMNE-ja, përmes disa individëve në MANU, promovoi projekte për ndarjen e Maqedonisë”, vuri në dukje një nga funksionarët kryesorë të LSDM-së, Emilian Stankoviç.

Enciklopedia e parë maqedonase që, në fakt, ende nuk është promovuar, sikurse dihet, në tekstet e saj, midis të tjerave, i quan shqiptarët me emrat ofendues “shiptarë” e “malokë”, duke vënë në dukje se ata kanë ardhur dhe janë vendosur me forcë në Maqedoni në shekullin e 16-të.

Reagime të ashpra dhe kërkesa për korrigjimin e menjëhershëm të teksteve të caktuara të Enciklopedisë në fjalë kanë ardhur edhe nga ambasadat e SHBA-së dhe të Britanisë në Shkup, pasi në një pjesë të tyre thuhet se specialistët amerikanë dhe britanikë kanë stërvitur në vitin 2001 anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë.(Shqip)

oOJR38oGkyU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22801. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22801

Top