Re: Manifest kritike ndaj z. Fatos Nano
Po shpresën për të ardhmen kush na e ofron?
Genc Burimi
Harbimi kryeministror në buzuk ishte një episod më tepër në serialin “Nano tallet me shqiptarët”. Veçse këto episode janë gjithmonë e më tepër ritransmisione që nuk sjellin më asgjë të re në perceptimet tona karshi kryeministrit. Ai është tashmë një figurë e djegur. Por edhe pse “i diskredituar deri në vetëvrasje politike”, siç e cilësoi një gazetar disa ditë më parë, Nano vazhdon të përbëjë një alternativë në një peizazh politik pa alternativa. Eshtë ky kurth që opozita dhe opinioni duhet bashkarisht ta evitojnë.
1.
Opozita është në rolin e saj kur shfrytëzon për kapital politik çdo gabim të kundërshtarit. Gafa e kryeministrit që shkoi për të vënë vetulla, e vuri natyrshëm opozitën në një gjatësi vale me popullin. Opinioni publik u kanalizua nga tubat katodike të “TV Klanit” në një autostradë indinjate deri në rrethinat e Selanikut. Por është më pak e sigurt që të njëjtët votues ta vazhdojnë më pas rrugën e tyre drejt selive opozitare shqiptare. Çuditërisht ajo që na mobilizon sot, është forca negative e përçmimit legjitim ndaj Nanos në vend të entuziazmit pozitiv që duhet të mishëronte opozita. Vetëm duke pozitivuar, ajo mund të pretendojë të marrë pushtetin. E ardhmja më e begatë nuk ndërtohet, vetëm duke folur për Nanon dhe bëmat e pështira të tij. Besimi shoqërisë i rikthehet duke i treguar asaj një pikëz drite që shfaqet qoftë dhe vobekët, në fundin e tunelit. Vështrimi që gozhdohet tek kufoma që bie erë, nuk është mirë as për opozitën. Nuk e kupton kjo e fundit që kemi nevojë për ajër të pastër, kemi nevojë për ëndrra për një jetë tjetër sesa për një megafon që na komenton imazhet e buzukut? Kur znj.Topalli thotë: “çifti Nano gëzonte mbi vdekjen e fëmijëve”, opozita në këtë rast vetëm sa na shton dhimbjen por nuk na jep forcën të shkojmë përpara. Imazhet e buzukut vërtet fundosin Nanon, por ato nuk nxjerrin blutë nga internimi i gjatë opozitar.
Imazhe të tilla kanë për vokacion të dënojnë një realitet, por ato nuk ndërtojnë asgjë mbrapa. Politikën nuk e bëjnë televizionet, por partitë opozitare që opinioni i financon nga taksat e tija. Në këtë tunel me kufomën politike “Nano” jemi prej tetë vjetësh dhe nuk kemi nevojë të endemi për të kërkuar se në ç’labirinthe bredh shpirti i shkallmuar i kryeministrit. Drita që të dalim sa më parë që andej, ku është? Këtij kombi nuk i nevojiten opozitarë që t’i heqin patkonjtë kalit, por personalitete me vizion të qartë se ku duan ta çojnë këtë vend po e morën të ardhmen e tij në dorë. “Sa i poshtër ky Nano” është lejtmotivi i përbashkët që nga PD-ja e deri tek PDr-ja në krahun e djathtë, e që nga LSI-ja e deri tek PSD-ja në të majtën. Ku është dallimi? Shqiptarët nuk janë as miopë e as naivë. Konkurrencën në radhët e opozitës, besimin në radhët e votuesve, e sjellin vetëm propozimet e shëndosha e të larmishme mbi mënyrën sesi do të kapet ekonomia nga brirët. Përndryshe Nano do të vazhdojë ngeshëm të bëjë qejfe në buzuqe jashtë, e të na flasë bajatisht për Europën brenda. Sa të bëhen programet e “vëllezërve opozitarë”, Nano rrezikon ende të ketë ditë “të bardha” para tij .
2.
… Le ta supozojmë që skena do të ndodhë në Paris. Shirak pret Nanon sipas ofertës që ministri i Jashtëm francez bëri kohët e fundit në Tiranë. Për çfarë do të mund të diskutojnë bashkë në Elyséé ndërkohë që presidenti francez nuk denjoi të presë homologun e tij Moisiu? Shirak dhe kolegët e tij të tjerë europianë janë të mirinformuar mbi personin Nano. Ambasadat, shërbimet sekrete, shtypi në përgjithësi janë burime që megjithë disa variacione të vogla, globalisht arrijnë në të njëjtat konkluzione. Shirak e di kështu se ka përpara tij, një politikan të rregjur nga Shqipëria por që ky është qejfli i jetës jashtë zyre sesa të asaj në zyrë. Me fjalë të tjera pak shanse ka që Shqipëria të përparojë me kryeministrin që ka. Nano po ashtu e di se çfarë ka Shiraku në dosje për të. Prandaj biseda midis tyre i bie shkurt, me karta të hapura siç thuhet rrallë në diplomaci. Ia fillon Nano: pas 14 vjetësh demokraci, popullit shqiptar ja arrita t’i “shes” edhe mbas dhjetë vjetësh të tjera integrimin në BE . Asnjë në vendin tim nuk u indinjua për këto afate biblike. Nga kjo pikëpamje, Monsieur Chirak, ju le të qetë që ju dhe europianët e tjerë të merreni me telashet e Turqisë e të Rumanisë. Në lidhje me Kosovën po ashtu, ambasada juaj me siguri e ka parë artikullin lum të ministrit tim të Jashtëm ku ai thotë që mos ta prekim njëherë për njëherë, domethënë për një kohë të gjatë, rezolutën 1244. Si Shqipëri nuk ju mërzisim pra me kërkesa për statusin e aq më pak për pavarësinë e Kosovës. Në Maqedoni shqiptarëve po ua fusin me referendumin (nuk është e habitshme që Nano të shprehet me këtë fjalor pas gotës së tretë të xhinit) por neve as që na bëhet vonë, qeveria ime sheh punën e saj. Shikoni pastaj me Greqinë sa grurë e kemi, paçka se nganjëherë grekët e ekzagjerojnë kur kërkojnë haptaz (domethënë që mund ta bënin të njëjtën gjë, po të paktën- fshehtas) gjysmën e Shqipërisë. Imagjinoni ju zoti Shirak, një tjetër qeveri shqiptare e cila fillon gurgulenë me Greqinë e që Greqia pastaj bllokon një Europë të tërë po nuk u izolua Shqipëria? Imagjinoni ju këto telashe të reja me helenët ? Harruat ju andrallat që ata ju krijuan me Maqedoninë? Pak halle të tjera keni në këtë moment? Jo për ndonjë gjë, por sa më shumë të keni ngatërresa aq më shumë amerikanët fërkojnë duart e vijnë ata pastaj e zgjidhin hallet tona (me një fjalë, kuptoje ti Shirak se para teje kam folur dhe me daje Samin …)
Shirak fërkon mjekrën. Ky Nano gjeopolitikisht i thotë ca gjëra me vend për Europën. E vetmja pyetje që ai dhe europianët e tjerë mund t’i bënin kryeministrit shqiptar për ta kapur mat, do të ishte: “Po ekonominë si e keni? A keni varfëri? Sa e keni papunësinë? A drogohen të rinjtë? A keni siguracione sociale si në Europë? A vetëvriten njerëzit nga mungesa e perspektivave? Pyetje këto që Shirak dhe Europa sigurisht që nuk ia bëjnë Nanos. Për Shqipërinë gjysmë afrikane nga pikëpamja e zhvillimit (domethënë që çdo ide zhvillimi është utopi), s’mund të ketë veçse ato kritere që i vihen Afrikës: stabilitet rajonal, dhe pakësim të flukseve migratore ilegale. Për kriterin e parë Nano u tregua bindës: e ka mirë me të gjithë jashtë pasi e ka opinionin dhe opozitën dele brenda. Për kriterin e dytë, Shirak s’ka aq shumë nevojë t’i mëshojë Nanos, pasi opinionet publike në Europë nuk shohin më rreziqe flukse klandestinësh nga Shqipëria por nga Libia. “Në rregull zoti kryeministër”, -përgjigjet Shirak, “po qetë i zoti fitojini zgjedhjet”. Një fjali e vogël e Shirakut dhe e europianëve të tjerë ( imagjinarë sigurisht) por me përmbajtje të madhe për Nanon. Pasi në zgjedhje mund të jesh “i zoti” për shumë gjëra, mjafton që Perëndimi të të njohë mbrapa.
3.
Gjithë filozofia e Nanos me të huajt është: unë nuk jam udhëheqësi ideal, por të tjerët në vendin tim janë katastrofë. Nuk është e pamundur që perëndimorët ta kenë besuar e pranuar një opsion të tillë. Sigurisht që kronikat e fundit “people” mbi Nanon qenë katastrofike. Për të huajt nuk ka asnjë dyshim që në këtë pikëpamje Berisha është më serioz, një burrë shteti i vërtetë. Por dëfrimi i Nanos në një buzuk kur të rinj të aksidentuar shqiptarë varroseshin apo luftonin me vdekjen, shokojnë opinionin shqiptar por jo politikën europiane që i kushtëzon ekuilibrat rajonale nga gjëra më “serioze”. Të huajt, fatkeqësisht, nuk ndajnë të njëjtat halle me ne pasi ato kanë të tyret. Përkundrazi ata mund të na krijojnë halle të paparashikuara, siç është bekimi i Nanos në pushtet për një kohë të gjatë, me frikën e destabilizimit të Shqipërisë nga forca të
reja politike, që Europa i njeh pak, apo nga ato të vjetrat që Europa i njeh më mirë se ç’duhet.
Si të veprojë opozita për ta shmangur në 2005 skenarin e 2001-it? Të vazhdojë të kontabilizojë pasive, gafat morale të Nanos me shpresën se, kush e di, ai do të bjerë si fik i kalbur? Mbase. Me këtë strategji mund të fitosh vërtet, por kurrësesi thellë, kurrësesi bindshëm. Veçse nëse diferenca do të luhet tek 5 ose 10% vota më tepër për opozitën, Nano do të kujtohet për fjalët e europianëve, “po qetë i zoti …” . Me një deficit të vogël votash, cili pushtet nuk është “i zoti” ta përmbysë situatën? As opinioni i brendshëm as Europa nuk do të kërkojnë një përsëritje zgjedhjesh po u bë fjala për thërrime. E vetmja mënyrë për të dalë nga kurthi është që pozita të bëjë një skemë fitoreje me një diferencë të tillë votash që ajo të kompensojë matematikisht manipulimet e paevitueshme. Në këtë rast Perëndimi do ta ndiejë se duhet të lëvizë sepse nuk mund të shkojë kundër një shumice jo relative, por absolute të zgjedhësve shqiptarë. Dhe kjo skemë, s’mund të jetë veçse luftarake. Fitorja nuk pritet, ajo përgatitet dhe merret.
4.
Izolimi ndërkombëtar që Nano ka ngritur (me ndihmën e miqve grekë) ndaj opozitës është i atillë që e ka vendosur Berishën në rolin e personazhit të filmit “Gladiatori”. Opozitën mund ta shpëtojë vetëm populli, vetëm arena e luftës ku ajo duhet të korrë një fitore të padiskutueshme. Imagjinoni tani që ky gladiator që është në arenë në vend të mbledhë shokët, t’i organizojë, t’u japë një plan pune për fitore, lë armët në tokë dhe i drejtohet publikut me gisht nga perandori me fjalët: “ajo fytyrë është e poshtër, ajo fytyrë po ju pi gjakun, ajo fytyrë është e pamoralshme, hajdute” etj. Njerëzit kanë paguar biletën jo për të dëgjuar kujën, por për të parë luftë, luftë si do thyesh varfërinë, luftë si do thyesh krizën energjitike, luftë si do thyesh importet, luftë si do të hapësh rrugët, luftë si do të rritësh lindjet, luftë si do ta kthesh çerekeun e kombit nga mërgimi. Ky quhet Mobilizim jo kundër Nanos e buzuqeve, por mobilizim në favor të Jetës, në favor të së ardhmes pasi Nanon shqiptarët kanë kohë që e kanë lënë mbrapa. Ky Mobilizim kërkon një hartë ekonomike. Ky mobilizim kërkon heronj të rinj e jo qarramanë. Kërkon politikanë që të thonë gjëra më inteligjente sesa “çifti Nano gëzon mbi vdekjen e fëmijëve”. Mizerabilizmi nuk është heroizëm, nuk të bën lider. Mizerabilozmi nuk i jep dëshirë opinionit të të ndjekë nga mbrapa, pasi fundi i fundit dhe ti politikan që ankohesh nga poshtërsitë e Nanos, je po aq i pafuqishëm e i zakonshëm sa edhe opinioni. Në një kohë që ne presim që opozita të jetë e përbërë nga më mirët, nga më të aftët midis nesh.
24/10/2004
KATEGORIA: Analiza
WWW.SHEKULLI.COM.AL