Majko: Topi negociator për krizën? E mirëpresim

Majko: Topi negociator për krizën? E mirëpresim

Socialistët e kanë pritur pozitivisht gatishmërinë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të negociuar mes mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ish-kryeministri shqiptar, i cili është një nga udhëheqësit e socialistëve, Pandeli Majko, e ka përshëndetur deklaratën e kreut të shtetit, megjithëse nuk ka qenë shumë optimist për një reagim pozitiv nga ana e Berishës. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Majko deklaroi se “padyshim, gatishmëria e Presidentit është më se e mirëpritur megjithëse vjen pak vonë, pasi zhvillohet në një kohë që opozita po proteston prej kohësh. Dhe kjo opozitë që ka dalë në protestë i përket një spektri të gjerë politik nga e majta deri tek e djathta”. Sipas anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, palët duhet të ulen në tryezë për të negociuar, pasi kërkesat e opozitës nuk sjellin destabilitet, por krijojnë mundësi përfundimtare që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dy ditë më parë, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, në një intervistë dhënë gjatë emisionit “Ora e Debatit”, deklaroi se “u takon partive të marrin një vendim për të filluar dialogun. Nuk fillon në një terren të thatë. Skena politike shqiptare, përveç krizave, nuk ka se si të mos ketë edhe rrugëdalje nga kriza. Unë nuk kam ndërhyrë për të ndërmjetësuar, por duhet që partitë ta shprehin vullnetin për të arritur te ndërmjetësimi”.</p>


Menjëherë pas këtij qëndrimi nga numri një i shtetit kanë nisur edhe reagimet e kujdesshme nga klasa politike shqiptare. Ndërkohë që nga mazhoranca duket se nuk ka ndonjë politikan që të komentojë deklaratën e Topit, nga ana e opozitës ka ardhur një qëndrim pozitiv, edhe pse entuziast për një rol të kreut të shtetit shqiptar për të hyrë në lojë e si aktor i rëndësishëm institucional. Megjithatë, ish-kryeministri Pandeli Majko, shprehet pesimist për një reagim të shpejtë pozitiv të mazhorancës për ti dhënë “mandatin” e negociatave Presidentit Topi. Në prononcimin për “Shqip”, Majko u shpreh se “sipas gjasave do të ndodhemi përpara një pozicioni të ngurtë të PD-së, pasi Berisha nuk e pranon lehtë një protagonizëm të Presidentit Topi”. Në fakt, situata e marrjes përsipër nga ana e kreut të shtetit për të iniciuar një tryezë të përbashkët ose të ndarë bisedimesh mes mazhorancës dhe opozitës, është pjekur pas një serie zhvillimesh politike, ku faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol aktiv. Një ofensivë e vërtetë diplomatike ka ndodhur gjatë kësaj jave, duke u nisur nga Brukseli e duke përfunduar në Tiranë. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, përsëriti sërish qëndrimin se duhet dialog për të zgjidhur krizën. Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, zhvilloi në fillim të javës një takim kokë me kokë me Presidentin Topi, ku u fol gjatë për mekanizmat e zgjidhjes së krizës. Për të ardhur më pas në takimin e dy ditëve më parë të trojkës së përbërë nga diplomatët e SHBA-së dhe BE-së, të cilët patën një bisedë në zyrën e Kryeparlamentares, Jozefina Topalli. Ambasadori amerikan, John Withers, deklaroi pas takimit se “do të donim të shihnim një zgjidhje të kësaj, por mendoj se është me rëndësi jetësore që të kuptohet që kjo është diçka që duhet ta zgjidhë udhëheqja politike shqiptare”. Qëndrimi i diplomatëve është perceptuar me kujdes nga opozita, por sipas Majkos “ndërkombëtarët po flasin gjithnjë e më shumë për krizë politike. Është më se urgjent që klasa politike të nisë zgjidhjen e krizës që të mbyllet përfundimisht ky kapitull”.(Shqip)</p>
n1aDSL3ja0M

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26795. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26795
 
Top