Luhatjet dhe diferencat e Kampionatit

Luhatjet dhe diferencat e Kampionatit

Nga java në javë, kampionati shqiptar i futbollit po shfaq luhatjet dhe diferencat e tij. Ndeshjet e mira të duket se janë me pikatore dhe përgjithësisht niveli i shfaqur lë për të dëshiruar.
Realisht është krijuar një diferencë mes grupit të skuadrave që mendojnë për titullin dhe atyre që kërkojnë mbijetesën në superligë, apo zonën e Europës. Tashmë Dinamo, Besa apo Apolonia, kanë krijuar polet e renditjes dhe të duket se të tjerat shohin me kokë lart ngjitjen drejt majës së dinamovitëve, kavajasve dhe fierakëve, të cilët kanë objektiv titullin kampion.
Të tjerat nuk e dinë edhe vetë se ku janë, aq më tepër kur mendon që ekipe të tilla historike, si Vllaznia e Flamurtari, janë në fund të tabelës, ndoshta si rrallëherë në gjithë historinë e tyre. Vllaznia kishte 49 vjet, që nuk e kishte parë veten në shkallën e parafundit, me të njëjtën kuotë pikësh me vendin e fundit. Kur sheh lojërat, apo rezultatet që kanë marrë këto skuadra, vërtet që nuk e beson, nëse janë ato apo jo. Ky disnivel shfaqet befasisht nga një ekip futbolli që kaloi edhe një tur në Kupat e Europës, pra Vllaznia, ndërsa Flamurtari, që vetëm pak muaj më parë fitonte Kupën e Shqipërisë. Paradoksi i dyshes në fjalë vjen edhe për faktin që ekipe të tilla nuk vuajnë mungesën financiare, madje janë ndër skuadrat më të mirëpaguara, në shuma dhe në kohë reale. Në përgjithësi, tek skuadrat tona mungon impenjimi dhe përgatitja e duhur për ta përballuar një ndeshje, mungon virtuoziteti në lojë dhe fantazia për të shkuar te porta. Kur mendon që në javën e 8 të janë shënuar vetëm 10 gola, kupton që kjo shterpësi e ka një hall. Sipas një prej specialistëve të njohur në futbollin shqiptar, Perlat Musta, skuadrat dhe futbollistët tashmë nuk respektojnë të qenit profesionist dhe nuk stërviten dy herë në ditë. Madje ka prej atyre lojtarëve që nuk përballojnë edhe një seancë stërvitore në ditë.
Pasoja është pastaj fragmentarizimi në lojë dhe luhatjet nga njëra ndeshje te tjetra. Bukuria e një ndeshjeje natyrisht që është goli, por edhe kur ai mungon, të paktën skemat dhe lufta për të shkuar drejt tij duhen demonstruar. Një 90-minutësh që nuk shkon as në shifrën e 5 rasteve për gol, kuptohet që është i bezdisshëm dhe kalon në një mërzitje, duke larguar edhe spektatorin nga shkallët e stadiumit. Sjellja e tifozëve fanatikë të Tiranës me skuadrën e tyre duhet të merret edhe si një model opozitar, për të kundërshtuar mosimpenjimin, apo mungesën e sedrës sportive.
Ka mjaftuar një humbje e Tiranës së madhe, përballë Luzit të Vogël në Kupë, që ata të hakmerreshin, duke shfletuar faqet e gazetës në shkallët e stadiumit, kur ekipi i tyre luante përballë Teutës. Kësaj i thonë mospajtim me të keqen. Por një tjetër dukuri që shfaqet është edhe diferenca e skuadrave nga njëra-tjera. Kemi vetëm një bllok tresh, që lufton kreun, ndërsa të tjerat janë mjaft të shkëputura. Kemi një Dinamo që nuk njeh humbje, por edhe një Besë e Apoloni që kërkojnë të jenë në garë pranë saj. Po sipas Mustës, kjo vjen ngaqë lojtarët e mirë në Shqipëri janë të paktë dhe ata grumbullohen tek një, dy, apo tri skuadra. Të tjerat mbeten me gisht në gojë. Por kampionati nuk luhet me dy, apo tri ekipe. Partizani, Elbasani, apo ndonjë skuadër e nivelit iku që sezonin e kaluar. Tani në këtë udhë po ecin edhe Vllaznia e Flamurtari.
Atëherë a mund të bëjmë fjalë për histori, apo traditë? Të vjen vërtet keq, kur sheh ndeshje të cilat transmetohen në ekranet e televizioneve. Më shumë kartonë sesa raste, apo gola. Luhatjeve dhe diferencave në futbollin shqiptar iu shtohet edhe kalendari tashmë i copëtuar i kampionatit, që nuk merret vesh, kur fillon e kur mbaron java. Madje kopjohen edhe modelet e kampionatit anglez, apo spanjoll, duke i luajtur ndeshjet edhe të hënën. Por ne mbetemi kopjacë të këqinj, sepse imitojmë vetëm ditët, apo oraret, por jemi shumë larg cilësisë dhe nivelit të tyre. Tashmë rubrikat sportive në ekranet televizive asnjëherë nuk do të kenë interesin e dikurshëm, përderisa rezultatet merren vesh, disa prej tyre të premten, të shtunën, apo do të merren vesh kur të luajnë të hënën.(Shekulli)</p>
mVdxGLcgbbo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25292. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25292
 
Top