Re: Lufte ne Mitrovice
Pershendetje,
Ja nje analize mbi Kosoven, te gjetur ne gazeten analitiko-politike "Rimekembja". Eshte shkrim i gjate, por eshte per ata qe duan te kuptojne:
- - - - - - - - - - - - - - - - - - - -
KOSOVA HYN NË NJË EPOKË TË RE…SI NË VITIN 1981?
Nga komentet e para politike që erdhën prej Kosovës nëpërmjet mediave të Tiranës menjëherë pas shpërthimit të ndeshjeve të dhunshme serbo-shqiptare në Kosovë më mbresëlënës ishte konstatimi i Veton Surroit: “Ngjarjet dëshmojnë se ka dështuar politika shqiptare dhe e UNMIK-ut” dhe përfundimi politik i Jakup Krasniqit “Kosova po hyn në një epokë të re”. Vetoni njihet si analist që nuk e ka shumë qejf të shprehë pakënaqësi për rolin e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Jakupi më shumë se për pozicionin e tanishëm qeveritar do të mbahet mend si zëdhënësi i parë i UÇK-së në vitin 1998 dhe sidomos për deklaratën e mirëpritur që bëri atëherë se do të lufta do të bëhej për bashkimin e gjithë trojeve etnike shqiptare.
Nga mendimet që dëgjuam prej Jakup Krasniqit kuptojmë se tani ai është midis atyre politikanëve të Kosovës të cilëve u drejtohen qortimet inatçore të Harri Holkerit pse në qëndrimet politike morën anën e protestuesve shqiptarë në Kosovë. Pavarësisht nga kjo dhe nga mendimet mospajtuese politike që kemi me Krasniqin për qëndrime politike fjalët e tij të cituara më lart i pranojmë si një shprehjen e vlerësimin më të saktë nga këndvështrimi politik të rëndësisë e të thelbit të zhvillimeve më të fundit në Kosovë. Kosova ka hyrë me të vërtetë në një epokë të re në këtë fillim pranvere të vitit 2004 kur po në shumë aspekte po përsëritet Kosova e përgjakur e vitit 1981.
Nuk duhet të nxitohen shumë të gatshmit për spekulim që të na shpallin “mëkatarë” se po bëjmë krahasimin mdis Kosovës së “çliruar” të vitit 2004 nën “protektorat ndërkombëtar” të NATO-s e UNMIK-u dhe Kosovës së vitit 1981 që ishte në sundmin e Jugosllavisë dhe nën thundrën e pushtimit nga Serbia. Nga një këndvështrim i përgjithshëm i gjendjes në të cilën shqiptarët ndodheshin atëherë dhe të gjendjes ku ndodhen ka një ndyshim thelbësor dhe shumë të favorshëm për shqiptarët. Nga ky këndvështrim nuk ka vend për të bërë krahasim. Por nga këndvështrimi më specifik, nga këndvështrimi i zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës në përputhje me të drejtat e shqiptarëve dhe normat ndërkombëtare dhe sidmos nga këndvështrimi i ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Kosovë në fillim të pranverës së vitit 1981 dhe në fillim të pranverës së vitit 2004 krahasimi është jo vetëm me vend, por dhe i domosdoshëm të bëhet. Madje ngjashmëritë janë aq të mëdha në rrafshin e detyrave që duhet zgjidhur, në parashtrimin e mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare sa do të ishte e pafalshme të shmangeshim nga një krahasim i tillë dhe nga paraqitja e një krahasimi të tillë para politikës e diplomacisë ë ndërkombëtare dhe para opinionit publik.
Në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës, të prirë nga rinia studentore, u ngritën në demonstrata të fuqishme që pushteti dhe makina ushtarake e Jugosllavisë në urdhërat e Serbisë i ktheu në përleshje të dhunshme me të vrarë e të plagosur, të arrestuar e të burgosur, duke i etiketuar në mënyrën më të pacipë si barbarizëm të shqiptarëve, si përpjekje për “spastrim etnik” në dëm të serbëve, si kundërrevolucion, si separatizëm e irerdentisëm shqiptar për t’i diskredituar para botës, në një kohë që shqiptarët po kërkonin vetëm republikën e tyre në kuadër të Jugosllavisë.
Nuk po tregon kurrfarë origjinaliteti politik presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kur tani klith në Kremlin se në Kosovë po u bëka spastrim etnik mbi serbët dhe Rusia duhet të vrapojë në ndihmë të vëllezëve të vet të gjakut e të fesë. Putini po përsërit ato akuza që u janë bërë shqiptarëve nga nacional-komunistët shovenë të Beogradit në vitin 1981, nga Milosheviçi në vitin 1986, nga milosheviçianët kur i hoqën autonominë Kosovës në vitin 1989, apo kur nisën fushatën më të madhe e më të egër të spastrimit etnik në pranverën e vitit 1998. Në këto raste Carët e rinj të Kremlinit nuk janë kujtuar asnjëherë të shqiptonin fjalët “spastrim etnik”, apo t’iu tërhiqnin serbëve vëmendjen për krimet kundër njerëzimit, për të cilat i adhuruari i tyre Milosheviç po gjykohet në Hagë.
Thelbi politik i protestave shqiptare në vitin 1981 ishte zgjidhja e një detyre politike madhore themelore për shqiptarët në kushtet e atëhershme: Kosovës t’i njihej e t’i garantohej një status i caktuar politik-juridik në kushte e baza barazie me kombet e tjerë të përfshirë në një njësi shtetërore shumëkombëshe që quhej Jugosllavi. Shqiptarët kërkonin statusin e “Republikës së federuar” në federatën jugosllave, sikurse kombet tjerë të përfshirë në këtë shtet. Pra shqiptarët po kërkonin barazinë brenda një mjedisi të caktuar politiko-shtetëror dhe kjo barazi arrihej duke dalë jashtë suazës së Republikës së Serbisë. Me një fjalë shqiptarët po kërkonin njohjen e “Pavarësisë së plotë dhe të shkëputjes nga ?xml:namespace prefix = st1 ns = "urn:schemas-microsoft-com

ffice:smarttags" />Serbia, në përputhje me të drejtën e popujve për vetvendosje” për të qenë pjesë e barabartë e federatës jugosllave.
Edhe tani në vitin 2004, pas 23 vjetësh, në kushte thellësisht të ndryshme faktike nga ajo kohë, kërkesa politike e shqiptarëve mbetet ajo që ka qenë në thelbin e vet: të njihet pavarësia dhe shkëputja e plotë, tashmë e bërë faktike, e Kosovës nga Serbia për të qenë si njësi e barabartë me të, jo më në kuadër të një federate si ish-Jugosllavia, por në kuadër të një Europe të bashkuar. Jugosllavia e vitit 1981 nuk ekziston më, ka gati 15 vite që ka vdekur. Por, mbetet pa u larguar era e keqe që ka lënë mbrapa kufoma e saj. Serbia e sotme, ashtu si Serbia e vitit 1981, shpall me kryeneçësi se nuk do ta lëshojë Kosovën, se do të rikthejë gjendjen e dikurshme të sundimit të saj kolonial në Kosovë, pra ka ndërmend të bëjë ripushtimin e aneksimin rishtas të Kosovës, qoftë edhe me anë të luftës.
Dhe për fat të keq edhe pse Jugosllavia nuk ekziston më, edhe pse Kosova është faktikisht jashtë sundimit të Serbisë, edhe pse është fare e qartë se shqiptarët nuk mund të pranojnë që të vdesë Kosova shqiptare që të ringjallet mbi të si lugat Serbia e Madhe, bashkësia ndërkombëtare që vet dëboi Serbinë me forcë nga Kosova ende nuk bën atë hap që duhet të bëjë: të njohë pavarësinë dhe shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Putini i Rusisë kërkon rezolutë të re nga Këshilli i Sigurimit, në vend të asaj 1244 për ta vënë haptas fare e përfundimisht Kosovën nën thundrën e serbe, si para ndërhyrjes së NATO-s. Këtu qëndron shkaku madhor e kryesor i të gjitha të këqijave që po ndodhin këto ditë në Kosovë dhe jo tek “urrejtja e verbër etnike” apo “reagimi çmendurak” i shqiptarëve, sikurse shprehen me cinizëm, me papërgjegjësi, apo me poshtërsi shumë politikanë e diplomatë ndërkombëtarë dhe mjaft politikanë e intelektualë shqiptarë.
Këtë përfundim duhet të nxjerrim edhe nga intervista më e re që i ka dhënë Blerim Shalës, diplomati i mirënjohur amerikan Riçard Hollbruk, (“Tema” 21 Mars 2004) që problemin e Kosovës dhe të Bosnjes i ka trajtuar me shumë kujdes për të plotësuar në maksimum edhe ambiciet e Serbisë e të Milosheviçit. Por, Hollbruku tani thotë hapur se: “SHBA u vonuan për pavarësimin e Kosovës”. Të këqijat vijnë nga kjo, ngaqë Kosova nuk u pavarësua juridikisht qysh para 2-3 vitesh kur, sipas shumë vëzhguesve, ishte më e lehtë, sepse as Putini nuk do të ishte kaq agresiv sa tani. E ndërsa SHBA duhet qortuar, sipas përfundimit të Hollbrukut, se “u vonua për pavarësinë e Kosovës”, Rusia e disa shtete të Europës Perëndimore duhen mallkuar se qëllimisht kanë vepruar të vonojnë pavarësimin e Kosovës dhe janë kështu përgjegjësit kryesorë për tragjeditë që mund të ndodhin përsëri në Kosovë.
Shqiptarët i kanë paguar dhe po i paguajnë më shtrenjtë e më shpesh se gjithkush pasojat e rënda të zgjidhjeve të padrejta, të rregullimeve gjysmake, të vonimit të zgjidhjeve të problemeve të Ballkanit nga diplomacia ndërkombëtare, e cila ka disa shekuj tashmë që ka monopolizuar trajtimin e këtyre probemeve. Mospërfillja, kalimi përciptas, apo ndërlikimi i qëllimshëm i problemeve të Ballkanit nga diplomacia europiane është e keqja më e madhe e shqiptarëve, duke përfshirë edhe shpërthimin e ri në Kosovë. Zhvillimet gjatë 23 viteve të fundit dëshmuan se sikur kërkesat e shqiptarëve në vitin 1981 të ishin dëgjuar me kujdes, mirëkuptuar e plotësuar, sikur të ishte bërë Kosova republikë e shtatë në federatën jugosllave shumë gjëra me siguri do të kishin pasur një rrjedhë më të qetë e më të lumtur për Ballkanin dhe më e fituara do të kishte qenë Serbia, sepse mbase nuk do të ishte zhytur në një dhjetëvjeçar luftërash agresive dhe federata jugosllave mund të ishte modifikuar e të ekzistonte ende mbi baza kompromisi në një formë tjetër.
Por, në vitin 1981 zëri i arsyes nuk u dëgjua, logjika politike, sidomos në Beograd, nuk funksionoi, rreziqet potenciale nuk u përfillën dhe zgjidhja u kërkua në kurriz të shqiptarëve, me anë të dhunës. Edhte tani po ndiqet një logjikë e tillë e mbrapshtë në Beograd. Por e keqja më e madhe është se diplomacia ndërkombëtare nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga problemet që shkaktohen duke u mohuar shqiptarëve atë që u takon dhe që u është njohur të tjerëve, duke e trajtuar rastin shqiptar me një filozofi politiko-diplomatike të ndryshme. Tani diplomacia ndërkombëtare po bën atë gabim të rëndë e trashanik që u bë nga shovizimi serb e jugosllav në vitin 1981, duke i besuar vetëm metodës së detyrimit e të mashtrimt të shqiptarëve që këta të kapitullojnë në kërkesat e tyre. Prandaj shpërthimet e tanishme të zemërimit shqiptar në Kosovë kanë shumë gjëra të përbashkëta në përmbajtjen, synimin e motivimin politik me shpërthimet e vitit 1981.
Politikanët e intelektualët shqiptarë që nuk i mbajnë parasysh këto, por për modë servilizmi politik europianist, për angazhime të dyshimta politike, apo përtaci mendore gjejnë rrugën më të lehtë t’u vërsulen shqiptarëve me akuza se janë emocionale, janë të verbër, se nuk ditkan të sillen si fëmijë të urtë, si “çuna mamaje” të Europës që kjo t’i shpërblejë me sheqerka të ëmbla integrimi me ambalazh serb, marrin mbi vete po aq përgjegjësi mëkatare e turp qytetar para kombit të tyre shqiptar sa ata që u vërsulën me etiketime, e sharje kundër demostratave të vitit 1981. Atëherë politikanët e intelektualët shqiptarë të zemëruar me demonstratat ankoheshin e qaraviteshin se gjoja këto u prishnin shumë punë shqiptarëve duke i dhënë shkas Serbisë të ndërpriste atë proces “magjik” që ishte filluar në Kosovë për ta bërë Kosovën “republikë de facto” edhe pa qenë “republikë de jure”.
Atëherë, në vitin 1981, dëgjonim politikanët e intelektualët qaramanë të thonin se studentët e rinia u nxituan, u indoktrinuan, u manipuluan nga agjenturat dhe ranë në grackën ngritur me marifet dhe bënë lojën që donte Serbia duke ia lehtësuar kësaj revanshin në Kosovë. Tani pas 23 vitesh nga ajo kohë kemi një material të bollshëm politik e historik për të gjykuar sa utopike dhe demagogjike kanë qenë ato shpresat se procesi që zhvillohej në Kosovë nën drejtimin politikës shqiptare shegerte e Jugosllavisë nga strukturat e drejtuara zyrtarisht nga Mahmut Bakalli para demonstratave të vitit 1981 ishte rruga më e mirë që shqiptarët të përparonin drejt realizmit të aspiratave të tyre kombëtare. Tani kemi përvojën se Serbia me arrogancë e me lehtësi pa çarë kokën për asgjë e përmbysi në vitin 1989 statusin e fituar nga Kosova në vitin 1974. Tani kemi të gjitha arsyet e argumentet të pohojmë se kërkesa që Kosova të bëhej juridikisht republikë jo vetëm që nuk ishte taktikisht e gabuar apo e kotë, se gjoja mjaftonte pozita e “republikës de facto”, por ishte e domosdoshme.
Tani askush nuk mund të vejë në dyshim se pa u njohur pavarësia nga Serbia në formën e statusit të “republikës së federuar” shqiptarët nuk do të fitonin asgjë, edhe sikur përfaqësuesit e tyre të kryesonin në mënyrë të përhershme presidencën e Jugosllavisë, edhe sikur Serbia të mbante vetëm një prani policore e ushtarake simbolike në Kosovë. A nuk po e shohim tani se vetëm me praninë e disa priftërinjëve në kishat ortodokse, të disa murgeshave plaka në manastire, apo të disa pensionistëve Serbia kërkon të rikthejë edhe praninë ushtarake dhe të tentojë kantonizimin e Kosovës? Përderisa nuk u arrit statusi i republikës së federaur në vitin 1981 nuk mund të thuhej se shqiptarët e kishin ndryshuar shumë pozitën e tyre në Jugosllavi.
Edhe sot nuk mund të thuhet se shqiptarët e kanë bërë në mënyrë të pakthyeshme hapin vendimtar drejt asaj që u takon dhe nuk është iluzion se kanë arritur faktikisht atë që duan nëse nuk sigurohet njohja juridiko-ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, edhe pse shqiptarët jetojnë me mendimin se Kosova tashmë është shtet më vete dhe pushteti e ndikimi i Serbisë nuk do të rikthehen aty si dikur. Nuk ishte e siguruar ajo që duhej në vitin 1974 dhe që kërkohej në demonstratat e vitit 1981 edhe pse KSA e Kosovës në sytë e politikanëve shqiptarë e të shumë shqiptarëve ngjante si republikë në federatën jugosllave. Për këtë u bindëm plotësisht kur erdhi dita që diplomacia ndërkombëtare të bënte likuidimin politik-juridik të Jugosllavisë së falimentuar, kur famëkeqi “Komisioni Badinter” në fillim të viteve 1990 rekomandoi që republikat e federuara të Jugosllavisë të kishin të drejtën e shkëputjes e të njohjes si shtete sovrane e subjekte të veçanta të së drejtës ndërkombëtare, kurse dy “krahinat autonome”, Kosova e Vojvodina, të mos e kishin këtë të drejtë.
Kosova e vuajti në mënyrën më të tmerrshme këtë interpretim spekulues të francezit Badinter, sidomos në vitet 1998-99, dhe vazhdon ta vuajë edhe sot kur i mohohet pavarësia e shtetshmëria sovrane ashtu siç i mohohej në vitin 1981 statusi i “republikës së federuar”. Ja pra, si ajo mosnjohja juridike formale e gjendjes faktike kthehet në një tmerr dhe burim fatkeqësish për shumë kohë. Shqiptarët në Kosovë me intuitën e tyre po e ndjejnë këtë kërcënim edhe tani ndërsa shumë nga të zgjuarit në radhët e politikanëve e të intelektualëve nuk e përfillin fort ose e kapërcejnë si pa shumë rëndësi për hir të përshtatjeve ose kapitullimit shpirtëror para diplomacisë ndërkombëtare. Përsa kohë shqiptarët nuk do të arrijnë të sigurojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës ata do të pësojnë të këqija si ato që pësuam nga mosnjohja e statusit të “republikës së federuar” në vitin 1981. Përsëri do të përballemi me rrezik të shtuar për agresione të reja të Serbisë, e cila do të shfrytëzojë çdo rrethanë ndërkombëtare të favorshme për t’u vërsulur me egërsi të kundër shqiptarëve, sikurse po bën Koshtunica tani me ndihmën e Putinit.
Prandaj protestat e fuqishme në Kosovë tani janë po aq me rëndësi sa ato të vitit 1981, ndonëse kanë intensitet tjetër e rezultate të tjera, sepse dhe kushte janë të tjera dhe përballja nuk ishte me policinë armiqësore serbo-sllave, por me një polici ndërkombëtare të mirëpritur e të dëshiruar në Kosovë. Prandaj gjithesi këto protesta hapin një epokë të re për Kosovën siç e hapën demonstratat e vitit 1981, pavarësisht se në të dy rastet shqiptarët derdhën gjak e pësuan shkatërrime. Prandaj është mëkat të sulmohen nga shqiptarët protestat e tanishme, apo të flitet për përdorim dhune në Kosovë në mënyrë të përgjithëshme pa bërë dallimin e duhur midis dhunës që ishin të detyruar të përdornin shqiptarët, dhunës provokuese që përdorën serbët dhe tejkalimit të dhunës që përdorën ndërkombëtarët, të cilët mangësitë e politikës e të punës së tyre në Kosovë u munduan t’i kompensonin me lëndimin masiv me armë e deklarata të shqiptarëve.
Po të mos ishin protestat e vitit 19981, nuk do të mundësoheshin zhvillimet e mëpasme në Kosovë ashtu siç shkuan. Viti 1981 hapi rrugën që Kosova të mbërrinte këtu ku është sot. Protestat e tanishme kanë hapur atë rrugë që Kosova të shkojë atje ku duhet, në pavarësi e bashkim me Shqipërinë. Rrugë tjetër nuk ka. Sa më shpejt ta kuptojë këtë diplomacia ndërkombëtare, aq më mirë është. Por të paktën ta kuptojnë njëherë të gjithë shqiptarët, duke përfshirë edhe “mallkuesin e madh” të protestave të fundit, Ismail Kadarenë, të cilin për ironi para pak kohësh intelektualët e Kosovës e vunë në krye të oxhakut duke e përkëdhelur si “Doktor honoris causa”, kurse ai u vërsulet tani serbçe shumicës dërrmuese të shqiptarëve të Kosovës që derdhin gjakun e vet e sakrifikojnë për të drejtën e aspiratën kombëtare të zhgënjyer nga politika ndërkombëtare dhe ajo vendore shqiptare.
Detyrë e mendimit politik shqiptar dhe propagandës së shqiptarëve tani nuk është të vajtojnë apo insinuojnë për “budallallëkun emocional” që paskan bërë shqiptarët e Kosovës duke u ndeshur me ndërkombëtarët e duke djegur objekte të kulteve ortodokse serbe, por të kuptojnë mirë e të shpjegojnë me shqetësim pse ende bashkësia ndërkombëtare po spekulon me një fjali të pakuptimtë se “duhet përcaktuar statusi përfundimtar i Kosovës”. Ende nuk e paska kuptuar diplomacia ndërkombëtare se cili është statusi i Kosovës që duhet të njihet pa vonesë?! Nëse kjo diplomaci nuk e paska kuptuar këtë dhe del me kandil ditën për diell si Diogjeni i lashtësisë të kërkojë një “status për Kosovën”, atëherë është detyrë jo vetëm e “shqiptarëve emocionalë” por edhe e “shqiptarëve racionalë” të përqëndrohen vetëm në një kërkesë “Na njihni pavarësinë” se kështu i sillni Ballkanit qetësinë.
Pas shpëbërjes së Jugosllavisë statusi përfundimtar i Kosovës është de facto i vulosur, PAVARËSIA, jo rikthim në përbërje të Serbisë. Kur ndërkombëtartë thonë se duhet gjetur statusi përfundimtar, ata haptazi nënkutojnë se ky status mund të jetë edhe më pak se ai që kërkuan shqiptarët në vitin 1981 “republikë e pavarur” me të drejtë shkëputjeje, pra nënkuptojnë se mund të jetë statusi i para vitit 1974, siç e pat rekomanduar kryeadministratori i parë i OKB-së në Kosovë, ose statusi milosheviçian i vitit 1989. Radio “Europa e lirë” 2004 ka transmetuar intevistën e një eksperteje të Fondacionit Heritexh nën titullin “Nuk ka konsensus për ardhmërinë e Kosovës” (gazeta “Dita “ Tiranë 23 Shkurt 2004). Me këtë papërcaktueshmëri duket i kënaqur edhe Ismail Kadareja kur e quan të kryer detyrën e tij duke deklaruar në “Europa e lirë” se: “Objektivisht Kosova është sot më afër Europës se Serbisë. Serbët duan të vërtetojnë të kundërtën. Është detyrë e shqiptarëve të Kosovës që me vepra të dëshmojnë afërsinë me qytetërimin demokratik të kontinetit dhe besoj se është në dorën e tyre” (gazeta “Dita” 27 Shkurt 2004). “Orakulli Delfit” në politikën shqiptare më këto fjali ka pranuar gjithsesi një lidhje të veçantë midis Kosovës e Serbisë dhe zgjidhjen e çështjes e sheh vetëm si punë të aftësisë së shqiptarëve për të kënaqur qytetërimin europian.
Por zgidhja e çështjes së Kosovës vazhdon të mbetet në radhë të parë një zgjidhje politiko-juridike në rrafshin shtetëror-kombëtar e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ende nuk ka mbërritur puna tek Brukseli. Pra, në rrafshin politiko-juridik ndërkombëtar çështja e Kosovës mbetet e gozhduar në kornizën e vitit 1981 kur shqiptarët u ngritën për republikën e tyre të pavarur nga Serbia. Kadareja nëse nuk i di këto duhet t’i mësojë përderisa merr përsipër të japë mësime. Më 26 shkurt 2004 në gazetën “Dita” është botuar dhe një korrespondëncë për strategjinë europiane nën titullin “Strategjia e BE-së perspektiva europiane e Kosovës”. Të tillë tituj që nuk thonë asgjë dhe vetëm përhapin konfuzion janë gati të përditshëm në shtyp për të përcjellë deklarata politikanësh, analiza ekspertësh tuafë ose të pacipë në mospërfillje të të drejtës e të vërtetës.
Ndërsa nga diplomati amerikan Riçard Hollbruk, nga analistë amerikanë si Patrik Mur dhe deri nga Xhorxh Soros kemi dëgjuar shpesh për kënaqësinë tonë deklarata se pavarësia është zgidhja më e mirë për çështjes së Kosovës, madje është zgjidhja e pashmangshme kryeadministratori i Kosovës, Harri Holker, i cili duhet të qëndrojë për misionin që ka më afër një mendimi të tillë, pas një udhëtimi në SHBA i shkurajonte shqiptarët duke u sjellë mesazhin se Amerika nuk mbështet pavarësimin e Kosovës. Edhe nga shumë politikanë dhe analistë shqiptarë kemi dëgjuar deri në tejngopje trullosëse deklarata të rrumbullakosura ose shkurajuese për Kosovën e çështjen kombëtare në përgjithësi. Drejtuesit e politikës në Kosovë kanë pasur një prirje për ta paraqitur në publik mbështetjen ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës gati si të të garantuar e të plotë dhe nuk kanë kursyer llafologjinë për një “Kosovë europiane” a thua se “Kosovën shqiptare” tashmë e kishin bërë në mënyrë të përkryer; për një “Kosovë të integruar në Europë” a thua se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës shqiptare dhe e integrimit shqiptar kiste marrë zgjidhjen e duhur ose nuk kishte më edhe aq shumë kuptim e rëndësi.
Është ky lloj mjerimi politik që i ka zhgënjyer krejtësisht shqiptarët e Kosovës nga politikanët e tyre, siç u zhgënjyen ata edhe nga disa skalione të politikanëve komunistë që vepronin në kohën e Jugosllavisë dhe u ngritën në vitin 1981. Dhe ja tani në fillim të pranverës së vitit 2004 shqiptarëve të Kosovës u duhet të ngrihen në protesta, sepse shohin që duan t’i kthejnë edhe faktikisht në atë gjendje që ishin në vitin 1981, se pavarësinë e Kosovës nga Serbia dhe statusin e saj si shtet sovran në bashkësinë europiane duan t’ua mohojnë siç u mohonin në vitin 1981 pavarësinë e Kosovës nga Serbia për t’u bërë ajo pjestare e barabartë në federatën jugosllave. Edhe tani shqiptarët e Kosovës u mbytën nga zhgënjimi se politikanët e tyre nuk i artikulojnë si duhet ndjenjat e kërkesat e tyre dhe prandaj këta politikanë e panë veten plotësisht jashtë loje kur nisi shpërthimi i dhunës dhe zërat e tyre për “vetpërmbajtje”, për “qetësi”, për “të mos rënë në provokime” nuk bënë jehonë ashtu si zërat e politikanëve të vitit 1981 që përdornin të njëjtat thirrje .
Në vitin 1981 shqiptarët u përleshën me policinë e Jugosllavisë. Atëherë zyrtarisht u shapll se u vranë vetëm 9 shqiptarë. Por dihet se masakra kishte të tjera përmasa. Tani në vitin 2004 shqiptarët u ndeshën pa dashjen e tyre sigurisht me policinë ndërkombëtare. Zyrtarisht është thënë se numri i të vrarëve (serbë e shqiptarë) është 31 dhe i të lënduarve 600. Shifrat janë shifra dhe tregojnë intensitetin e përleshjeve. Por thelbi i problemit është të kuptohet se përse puna shkoi deri këtu që shqiptarët të pësojnë dhunën e atyre që janë pritur me të vërtetë si çlirimtarë e shpëtimtarë dhe të drejtojnë edhe pakënaqësinë e deri dhunën e tyre ndaj çlirmtarëve. Shqiptarët nuk mund të jenë kaq të marrë sa të mos e kuptojnë këtë apo sa të bien masivisht në kurthin që u ngrenë djajtë që veprojnë kundër tyre. Nëse pranohet se shqiptarët janë kapluar masivisht nga një marrëzi e tillë atëherë përgjegjësia më e madhe për këtë u bie pikërisht politikanëve dhe intelektualëve të tye, sidomos atyre që kanë pasur në dorë mjetet më të fuqishme propagandistike, kulturore, pushtetore për të ndikuar mbi opinin publik shqiptar. Këta politikanë apo intelektualë si Kadareja janë më të dështuarit që nuk kanë arritur të përçojnë mençuri tek shqiptarët, ndonëse u kanë rrokanisur pa pushim në frymë europianiste, në frymë tolerance etnike, pajtimi shqiptaro-serb, mirënjohjeje për shpëtimtarët ndërkombëtarë etj., etj.
Ka një ndryshim të madh në vitin 2004 në krahasim me zhvillimet e vitit 1981, por arsyet që çojnë në veprimet dhunshme të protestës nuk janë shumë të ndryshme nga arsyet e vitit 1981. Duhet ngulitur mirë në mendje se më 1981 shqiptarët u ngritën se nuk duronin dot më politikën e mohimit dhe të nëpërkëmbjes së të drejtave të tyre nga Jugosllavia (Serbia), ishin shumë të pakënaqur nga politika e strukturave politike pushtetore shqiptare që punonin në komandën serbe. Edhe tani shqiptarët nuk mundën të durojnë provokimet e pandërprera të Serbisë e të serbëve dhe të largojnë pakënaqësitë e shkaktuara nga një politikë e vakët shqiptare nën një drejtim aspak korrekt të mekanizmave të vendoura në Kosovë nga diplomacia ndërkombëtare.
Që UNMIK-u ka përgjegjësinë e vet për atë që ndodhi në Kosovë e ka thënë dhe kryeministri Bajram Rexhepi. Politika shqiptare, partitë, strukturat e institucionet shqiptare, më shumë dekorative në Kosovë, u zunë në befasi nga reagimi masiv popullor si në vitin 1981. Pra, edhe një herë politika shqiptare e tregoi veten të paaftë për të kuptuar çfarë erërash politike dhe emocionale frynin, si grumbulloheshin pakënaqësitë, si nën hirin e topitjes nga demagogjia digjej prushi i revoltës. Politika shqiptare pësoi një disfatë si në vitin 1981 për të kuptuar shpirtin e popullit dhe për të folur me zërin e tij, për të qenë efektvisht në anën e tij, ose për të mos krijuar rrethana që populli të largohej i dëshpëruar dhe i zhgënjyer prej tyre. Ndërsa në Kosovë grumbulloheshin retë e shpërthimeve apo ngriheshin kurthet kundër shqiptarëve, siç thonë drejtuesit politikë shqiptarë tani, Presidenti i Kosovës shijonte kënaqësitë që po i jepej si për tallje “çmimi Saharov”, apo titulli “Senator nderi i Europës” dhe binte në ekstazë që po i raportonte si kardinal Papës për ndërtimin e katedrales katolike në Prishtinë dhe katolicizimin e Kosovës. Pak a shumë kështu janë ngazëlluar në vitet 1981 e 1989 strukturat pushtetore shqiptare kur Mahut Bakalli, Azem Vllasi, Kaçusha Jashari vlerësoheshin në Beograd ndërsa në Kosovë vlonte kazani i shpërthimit.
Politika shqiptare në Kosovë më 2004 si në vitin 1981 u zu në befasi nga shpërthimi popullor dhe nuk gjeti mënyrë tjetër reagimi pos të bënte thirrje, lutje dhe ndonjë kërcënim që njerëzit të tregonin gjakftohëtsi, të hiqnin dorë nga veprimet që “më shumë dëmtonin çështjen e Kosovës”, që “pengonin përparimet që po bëheshin” drejt realizimit urtë e butë të aspiratave popullore, drejt forcimit të pozitës së Kosovës në botë. Edhe në vitin 1981 kështu veproi politika komuniste shqiptare e zënë në befasi dhe e vënë në siklet para strukturave sunduese jugosllave. Fatmirësisht tani në vitin 2004 nuk dëgjuam deklarata cinike nga udhëheqësit me pushtet gjysmak shqiptarë të Kosovës si në vitn 1981 për “plehun e Kosovës” (kështu u etiketuan studentët demonstrues atëherë) dhe kërcënimin “bira e miut 500 grosh” (për ata që kishin guxuar të ngriheshin kundër shenjtërisë së “bashkim-vllaznimit” socialist).
Por edhe kësaj radhe dëgjuam nga drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare në Kosovë paralajmërime se mund të ripërtërihet në njëfarë mënyre ajo praktika e “diferencimit politik” që filloi pas demonstratave të vitit 1981. Qysh tani ka ardhur lajmi se është arrestuar Halit Barani, kryetar i qendrës së Këshillit të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë, nën akuzën se është ngatërruar në trazirat që ndodhën. Tani do të presim të kuptojmë nëse kjo është një nisje fushate diferencimi politik të urdhëruar nga UNMIK-u, si në vitin 1981 nga Serbia, apo të do rezultojë një arrestim si arrestimi i Azem Vllasit në vitin 1989! Sidoqë të jetë, ngjashmëritë e ndodhive duken. Edhe ai kujdes i veçantë që filloi të tregohet pas demonstratave të vitit 1981 për serbët në Kosovë ka filluar të duket menjëherë tani me shpalljet për gatishmërinë e pushtetarëve shqiptarë pa pushtet në Kosovë që të rindërtojë kishat serbe, të dëmshpërblejnë serbët etj. Për shqiptarët nuk prish punë, sepse puna e tyre pret! Kështu mendojnë dhe ndërkombëtarët. Pastaj serbët kanë në Prishtinë e në Beograd, madje në Moskë e kryeqytetet të tjera, politikanë që bëjnë namin edhe po të preket me pupël një serb Kosove.
Serbët gjejnë gjithashtu një mirëkuptim mazohist nga shumica e politikanëve dhe shumë intelektualë shqiptarë në Shqipëri e në mërgim. Në vitin 1981 politika, diplomacia e propaganda e Shqipërisë mbajtën heshtje të plotë për një javë rresht, deri në botimin në “ZP” të një artikulli më 8 Prill 1981, pasi Enver Hoxha u kthye nga pushimet në Vlorë. Deri atë ditë nga shumë burime dimë që në rrethet drejtuese politike shqiptare mbizotëronte vlerësimi se demonstratat e studentëve në Kosovë dëmtonin çështjen e afirmimit e të përparimit të të drejtave të shqiptarëve, se shqiptarët kishin rënë në kurthin e serbëve e të sovjetikëve, se ato krijonin tensione të panevojshme në Ballkan e të tjera. Pastaj regjimi komunist i Shqipërisë u detyrua që të jepte mbështetje me propagandë pa shkuar më tej. Edhe në rastin e protestave të tanishme vihet re një erë e tillë, madje shumë më e fortë, në politikën e propagandën zyrtare e jozyrtare në Tiranë e në mjedise të tjera në diasporë. Ka shpërthyer madje një fushatë e turpshme nga disa mjedise dhe individë për të denigruar reagimet e shqiptarëve tamam ashtu siç e kërkon Serbia.
Janë po ato mendësi që nuk pranonin kërkesat e Kosovës për republikë në vitin 1981 ng frika se “prishej fqinjësia me Jugosllavinë” e nga arsye të tjera meskine që edhe tani ndikojnë që të shprehet një mllef i shëmtuar kundër protestave në Kosovë, duke fshehur këtë mllef pas vellos së shqetësimit hipokrit se shqiptarët po tregohen mosmirënnjohës ndaj faktorit ndërkombëtar dhe aventurierë në kërkesat e tyre.
Gjërat pra, janë në shumë aspekte atje ku ishin edhe pse kohët e rrethanat kanë ndryshuar shumë qysh nga viti 1981.
21 mars 2004 Abdi Baleta
- - - - - - - - -
Perme shume klikoni ne
http://groups.yahoo.com/group/rimekembja/