Lufta për pavarësi e patriotëve shqiptarë në parlamentin turk!

olti

Neo
Lufta për pavarësi e patriotëve shqiptarë në parlamentin turk!

Pas shpalljes së Kushtetutës Osmane, turqit e rinj filluan të bëjnë propagandë të madhe për fushatën paraelektorale për parlamentin Xhonturk, të cilin kishin nisur ta përgatisnin që në gushtin e vitit 1908. Me gjithë premtimet e turqve të rinj se në perandorinë e tyre do të kishte liri dhe barazi për të gjithë popujt e shtypur nga despotizmi i sulltanëve deri atëherë, të gjitha u hodhën poshtë me ligjin për zgjedhjet. Ky ligj i kufizonte të drejtat e popullit për pjesëmarrje në zgjedhje. Në Vilajetin e Kosovës, një pjesë e mirë e popullsisë nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në zgjedhje për shkak se ishte në marrëdhënie feudale, s'kishte prona të veta, siç i kërkonte ligji në fjalë, që kishte vënë një censurë të rreptë ekonomike e me këto zgjedhje u shkundën nga demokratizimi, ndërsa kandidatët për deputetë ishin të detyruar të dinin gjuhën turke.

Me këto kufizime që vunë turqit e rinj për zgjedhjet parlamentare treguan fytyrën e tyre të vërtetë, të cilën qenë përpjekur ta maskonin gjer në atë kohë.


Zgjedhjet

Për të siguruar shumicën në Parlament, xhonët i kishin propozuar kandidatët e vet gjithkund. Natyrisht, ata që i propozonin për kandidatë qenë njerëz besnikë që u shërbenin me zell të madh, sepse interesat e tyre personale ishin të lidhura me ato të xhonëve; ose klerikë myslimanë, që e hiqnin veten si njerëz të drejtësisë dhe të perëndisë para popullit, ndërsa në anën tjetër qenë veglat më të ulëta të pushtetit turk. Në njërën dorë mbanin uratat dhe në tjetrën thikat, me të cilat godisnin me pabesi popullin mbas shpine, i cili u besonte uratave të tyre.

Turqit e rinj bënë një luftë të madhe kudo në Shqipëri, që të mos zgjidheshin si kandidatë për deputetë përfaqësuesit e Lëvizjes Shqiptare, të cilët ishin dalluar për veprimtari revolucionare kombëtare siç ishin: Ismail Qemali, Hasan Vuçiterna (Prishtina), Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj. Megjithë kundërshtimin e xhonturqve, këta tre patriotë u zgjodhën deputetë. Pasi u bënë zgjedhjet me vonesë, më 17 dhjetor 1908 u mbajt mbledhja e parë e parlamentit të ri xhonturk. Në këtë parlament u përfaqësuan edhe shqiptarët me 26 deputetë, 10 prej të cilëve ishin nga Vilajeti i Kosovës, 5 ishin klerikë myslimanë, 1 me kombësi serbe, dy të tjerë ishin vegla të xhonturqve, Sahid Hoxha në Shkup dhe Fuad Pasha në Prishtinë. Kështu që nga 10 deputetë, dy ishin që luftonin pa kompromis për interes të kombit: Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Ky i fundit ishte për luftë parlamentare dhe jo për revolucion. Pra, revolucionar i vendosur dhe konseguent deri në fund i parimeve të tij kombëtare në Kosovë mbetej vetëm Hasan Prishtina, i cili ishte përfaqësues edhe i Gjilanit. Po kjo gjendje ishte edhe në vilajetet e tjera. Nga 16 deputetë, vetëm dy ishin të njohur për veprimtarinë patriotike: Ismail Qemali dhe Shahin Kolonja.

Përpjekjet në Parlament

Përshkruam një pasqyrë të shkurtër të gjendjes për të kuptuar më mirë se në çfarë kushtesh të vështira kanë punuar deputetët shqiptarë, përparimtarë revolucionarë për çështjen kombëtare.

Që në mbledhjen e parë të parlamentit Osman u dalluan për guxim, vendosmëri dhe drejtësi deputetët Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, të cilët kërkuan që kushtetutën e re që do të hartohej nga turqit e rinj, t'ua njihte të drejtat e plota të gjithë popujve joturq të pushtuar e të shfrytëzuar pa mëshirë nga despotizmi i sulltanëve, në mënyrë të veçantë nga ai Hamitjan. Për këtë arsye, deputetët e kombësive të tjera jo turke, duke parë se deputetët shqiptarë ishin të vendosur, u propozuan bashkëpunim. Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën i zgjodhën përfaqësues të tyre, sepse kërkesat shqiptare për të drejta kombëtare sa më të plota, puqeshin plotësisht me ato të tyre. Kjo ua forcoi shumë pozitat këtyre patriotëve në parlamentin osman.

Një rol shumë të rëndësishëm luajtën deputetët shqiptarë për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zhdukjen e dasive fetare dhe krahinore të vendit që ishin krijuar gjatë sundimit shekullor Osman. Këta patriotë e çuan më tej rrugën e rilindasve, të cilët vunë bazat në këtë drejtim. Në radhë të parë i dhanë rëndësi të madhe mësimit në gjuhën shqipe nëpër shkolla, pranë atyre turke dhe shkolla me vehte. Po ashtu, krijimit të klubeve kombëtare shqiptare, nëpërmjet të cilave bëhej një punë e madhe për kombinimin e luftës parlamentare me atë revolucionare, në mënyrë që t'u jepnin të kuptojnë turqve të rinj se me hir apo pahir shqiptarët do t'i fitonin të drejtat e tyre. Një rëndësi të madhe i dhanë botimit të gazetave dhe revistave. Me përkrahjen e tyre botoheshin shumë gazeta e revista në të katër anët e Shqipërisë, në të cilat pasqyroheshin kërkesat dhe aspiratat kombëtare të popullit. Gjithashtu, nëpërmjet tyre bëhej një luftë e madhe për botëkuptimin e formimin e vetëdijes kombëtare. Një punë e madhe bënë edhe për konsolidimin e alfabetit latin, kundër të cilit ishin hedhur veçanërisht xhonët, nëpërmjet veglave të tyre për ta zëvendësuar atë me atë arab. Konkretisht, një punë e tillë antikombëtare bënte njëri nga dy deputetët e Shkupit, Sahid Hoxha, i cili hartoi një abetare me shkronja arabe dhe propagandonte se gjuha shqipe mund të mësohej më lehtë me të se sa me atë latin, të cilin e paraqiste si alfabet të "kaurrëve". Po këtë bënte kolegu i tij në Prishtinë, deputeti Fuad Pasha. (Ja çfarë shkruan gazeta "Shqiptari" me titull "Një letër nga Prishtina": "Deputetit të Prishtinës këtu, Hasan Beut iu dërgua një letër nga Prishtina me nja 40 nënshkrime, në krye të të cilave ishin 3 nga Ulemajtë si dhe shumë të ditur, e gjithë parësia, e protestojshin kundër Fuad Pashës, deputetit tjetër, që përpiqet për të bërë abc-në shqip me shkronja turke; duke kërkuar që jo vetëm shkronjat të mos trazohen, por edhe gjuha turke të jetë e dyta nëpër shkolla dhe e vetmja gjuhë që do ta ndriçojë popullin me dituri është gjuha e ëmbël shqipe"). Me këtë letër kuptojmë, se sa i etur ishte populli dhe patriotët shqiptarë në vilajetin e Kosovës për arsim e kulturë kombëtare, si kudo në Shqipëri, por në anën tjetër, sa luftë e punë u është dashur patriotëve për t'ja arritur qëllimit.

Me përpjekjet e patriotëve në përgjithësi dhe me përkrahjen e deputetëve në veçanti, u organizua në Elbasan më 2 shtator Kongresi Kombëtar. Në këtë kongres u mor vendimi përfundimit që në shkollat shqipe të përdoret vetëm alfabeti latin, të cilin e përdorim sot edhe ne. Gjithashtu u vendos që të hapej një shkollë e mesme normale ku të përgatiteshin mësues për shkollat kombëtare. Pak më vonë, po në këtë qytet u hap kjo shkollë, aq shumë e dëshiruar nga shqiptarët.

Kur turqit e rinj u hodhën me tërbim shovinist kundër popullit shqiptar, duke dërguar forca të mëdha ushtarake, siç ishte rasti i ekspeditës së Xhavit Pashës në Kosovë, që dështoi me turp, deputetët patriotë shqiptarë e shtruan në Parlamentin Osman çështjen e sjelljes së paligjshme të qeverisë e sidomos të komitetit "Bashkim e Përparim", i cili i kishte shkelur premtimet dhe ua mohonte të drejtat kombësive të tjera në Perandorinë Osmane. Kritikë të ashpër i bëri deputeti i Shkupit, Nexhip Draga, i cili e sulmoi politikën e jashtme dhe të brendshme të qeverisë… "Kritikoi ministrat që nuk e lajmëronin parlamentin për gjendjen e vërtetë në vilajetin e Kosovës dhe në Maqedoni. Para parlamentit thuhet se gjendja është normale, ndërsa nga ana tjetër, dërgohet ekspeditë ushtarake. Kur deutetët shqiptarë e shtruan para parlamentit dhe kërkuan prej Vezirit të madh që ta arsyetonte ekspeditën e Xhavit Pashës, ai refuzoi me motivacionin se ato kanë qenë incidente të zakonshme dhe se nuk kanë karakter politik"

Patriotët

Të gjitha burimet arkivore si edhe ato gojore na dëshmojnë se që kur u përfaqësuan shqiptarët në parlamentin osman, deputetët patriotë i koordinuan veprimet e tyre me lëvizjen masovike kombëtare shqiptare. Kështu, edhe kryengritja e madhe e vitit 1910 është e lidhur ngushtë me veprimet e tyre. Jo vetëm kaq, por e frymëzuar dhe e organizuar prej tyre, sidomos nga deputeti revolucionar Hasan Prishtina, i cili në mars të atij viti, para se të organizohej mbledhja e Gjilanit, u takua me kreshnikun e maleve të Karadakut, Idriz Seferin dhe i dha udhëzimet përkatëse, duke iu zotuar se do të kishte përkrahjen e plotë të tij dhe të deputetëve të tjerë patriotë, të cilët jo vetëm se do ta çonin jehonën e saj në parlamentin osman, por nën erën e barutit të saj, do të kërkonin që shqiptarët të fitonin të drejtat e plota kombëtare deri në shpalljen e pavarësisë. Gjithashtu do të bënte çmos që kjo kryengritje të përhapej edhe në vilajetet e tjera.

Lidhur me inspirimin dhe organizimin e kryengritjes së vitit 1910, një dokument arkivor serb thotë se në popullsinë kryengritëse kanë ndikim jo të vogël edhe deputetët shqiptarë nga Stambolli. Ata janë, siç duket, inspirues dhe udhëheqës të lëvizjes.

Nga fundi i marsit 1910, me sa duket, qeveria turke mori informata se në Kosovë po përgatitej një kryengritje kundër saj, prandaj vendosi zbatimin e ligjit ushtarak në Kosovë. Kosovarët si kundërpeshë e pritën këtë me armë në dorë. Në Prishtinë e në Pejë u bënë luftime me ushtrinë turke. Më 30 mars 1910, deputetët shqiptarë që ishin fort mirë në dijeni se së shpejti do të fillonte kryengritja, përfituan nga rasti dhe e ngritën menjëherë para parlamentit gjëndjen në Kosovë, duke e dënuar ashpër shpalljen e ligjit ushtarak në atë vilajet, me qëllim që ta çorientonin qeverinë osmane, në mënyrë që të mos dërgonte forca të mëdha ushtarake para se të niste kryengritja.

Kryengritja që solli pavarësinë

Në kohën kur kryengritja ishte në kulm, gazeta "Flamurtari" që botohej në Amerikë shkruante: "Një telegram nga Londra na njofton se deputetët shqiptarë kanë katër ditë që s'venë në Parlament dhe kjo tregon për një marrëveshje të fshehtë".

Këta deputetë kritikuan ashpër masakrat e Shefqet Turgut Pashës pas dështimit të kryengritjes, dënuan mbylljen e klubeve dhe të shkollave shqipe nga Turgut Pasha dhe me luftën e tyre e vazhduan në parlament, qeveria përsëri u detyrua të lejojë hapjen e tyre. Ata përkrahën dhe ndihmuan kryengritjen e vitit 1911 në Malësinë e Mbishkodrës, hartuan kërkesat kombëtare që malësorët do t'ia paraqisnin qeverisë turke, dënuan në parlament mizoritë e ushtrisë turke në atë krahinë, shkruan artikuj nëpër gazeta, duke dënuar politikën barbare që ndiqte qeveria osmane në Shqipëri.

Kulmi i veprimtarisë së deputetëve shqiptarë, veçanërisht i Hasan Prishtinës dhe i Ismail Qemalit, arrin kah fundi i vitit 1911 dhe vazhdimi i 1912, kur këta patriotë e morën në dorë organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912 e cila çoi popullin shqiptar në shpalljen e pavarësisë kombëtare në nëntor 1912.

Nga fundi i vitit 1911 nga gjithë ato mizori që kishte kryer qeveria osmane ndaj shqiptarëve, deputetët shqiptarë patriotë e ngarkuan revolucionarin Hasan Prishtina që të demaskonte politikën e brendëshme të qeverisë osmane, t'u bënte ballë presioneve të kryeministrit osman. Në janar të 1912, kur xhonturqit vendosën që të shpërndajnë parlamentin, për shkak të fjalimeve kryengritëse të deputetëve revolucionarë shqiptarë, Hasan Prishtina deklaroi: "Veç kësaj, kam bindje se në zgjedhjet e ardhshme dhe këtë mund ta them me siguri, nuk do të ketë asnjë deputet shqiptar në radhët e tyre… megjithëse as që shpresoj se do të mblidhet prapë dhoma e deputetëve". Një deputet turk e pyeti: "Ç'del sikur të mos mblidhet?" Hasan Prishtina- "del se në këtë rast vendi do të hidhet në kryengritje, do të shpërthejë revolucioni. Dhe, një ndër të parët që do të marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari ndër të parët do të jem unë".

Me të vërtetë ky patriot qe i pari që e ngriti flamurin e revolucionit në maj të 1912, ashtu siç kishte deklaruar pak muaj më parë në parlamentin osman, duke i vënë zjarrin gjithë perandorisë osmane. Pra, gjithë këtë forcë e gjithë këtë energji "titanike" këta deputetë revolucionarë e kishin në popull, nga i cili dolën dhe të cilit i shërbyen me besnikëri deri në fund të jetës së tyre.

Natyrisht, veprimtaria e këtyre deputetëve është shumë më e madhe dhe më e gjithanshme në të gjitha drejtimet; unë u përpoqa të jap vetëm një ide mbi koordinimin e luftës parlamentare me atë revolucionare.

nga Gani Demir (Ratkoceri)*
 

kastriot

Primus registratum
Re: Lufta për pavarësi e patriotëve shqiptarë në parlamentin turk!

Po ti diku tjeter ke postuar nje artikull mbi "Nacionalizmin shqiptar" ku nuk lene gje pa thene mbi rilindasit tane dhe pikerisht deputetet shqiptare(jo deputetet qe perfaqsojne trojet shqiptare) ne parlamentin turk te asaj kohe???

Kastriot
 

olti

Neo
Re: Lufta për pavarësi e patriotëve shqiptarë në parlamentin turk!

Nuk e di ku e pe ti kete qe po pohon me siper?! Atje tregohen defekte i patrioteve shqiptare te meparshem e te sotem. Apo i kemi dhe i kemi pas pa defekte ne ata?! Sigursisht nqs do te kishin qene me te zote e me diplomate ndoshta me shume do te ishte arritur, apo ndoshta per ne ne kete kohe qe jetojme eshte kollaj te flasim e te themi pse nuk bene me shume!! Mgjth ajo qe u be iku, dhe ne vetem se flasim dhe na duhet te mesojme nga sukseset dhe gabimet e te shkuares /pf/images/graemlins/wink.gif
 

Iliri

Primus registratum
Re: Lufta për pavarësi e patriotëve shqiptarë në parlamentin turk!

Kane qene diplomate te zgjuar. E shkeputen atdheun nga perendoria e ngordhur turke ne ate kohe. Luftuan per preservimin e gjuhes, te flamurit, te historise se Gjergj Kastriotit. Treguan se edhe mbas 5 shekujve te sundimit otoman, Shqiptarizmi nuk ishte tundur.
 
Top