LSI zëvendëson pesë rebelët me emra të rinj

LSI zëvendëson pesë rebelët me emra të rinj

Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë mbledhjes së KDK-së ka vendosur të largojë përfundimisht nga gjiri i saj pesë zyrtarët “rebelë”, të cilët u shprehen kundër bashkëqeverisjes së kësaj force politike me PD-në. LSI-ja bën të ditur se KDK ka miratuar disa plotësime në kryesimin e partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme që do të bëhen në pranverën e ardhshme. Pas largimit të zëvendëskryetarit Pëllumb Xhufi, KDK-ja ka vendosur që ta zëvendësojë me Edmond Haxhinaston, në vend të kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së që deri më tani është mbajtur nga Haxhinasto është zgjedhur Edmond Panariti. Në postin e nënkryetarit të partisë është zgjedhur Lefter Koka, i cili ka zëvendësuar Filloreta Kodrën, e cila tashmë është bërë zëvendësministre e Punës. Monika Kryemadhi është zgjedhur në postin e sekretares organizative. Ndërsa anëtarët e Kryesisë, Ndre Legisi, Fatos Klosi, Sabit Brokaj dhe Mustafa Muçi janë zëvendësuar nga emra të rinj. Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së ka vendosur të ketë në kryesinë e kësaj force politike Shezai Rrokajn, Leondard Beqirin, Edmond Hoxhën, Nasip Naçon, Matilda Merxhanin, Bujar Hasën, Pjerin Xhuvanin dhe Qemal Elezin. Këto ndryshime në strukturat drejtuese të LSI-së erdhën pas largimit të pesë anëtarëve, të cilët nuk u pajtuan me vendimin e kryetarit të partisë, Ilir Meta, për të bashkëqeverisur me Kryeministrin Berisha dhe me PD-në. Sipas Xhufit, Legisit, Brokajt, Klosit dhe Muçit nuk është e pranueshme dhe e moralshme që LSI-ja të bashkëqeverisë me PD-në, një forcë politike, e cila vazhdimisht ka qenë në qendër të sulmeve të LSI-së si shkaktare e prodhimit të krizave politike duke filluar nga hartimi i një Kodi Zgjedhor diskriminues deri te ndryshimet kushtetuese për interesa të caktuara politike. Kjo krisje në gjirin e LSI-së erdhi pas zgjedhjeve të 28 qershorit ku asnjëra forcë politike nuk arriti të merrte dot shumicën e kërkuar për të krijuar qeverinë e saj. Për të mos humbur pushtetin, Kryeministri Berisha ftoi publikisht LSI-në dhe kryetarin e saj, Ilir Meta, që të bashkëqeveriste me demokratët në katër vitet e ardhshme për të mirë të vendit dhe për të realizuar ëndrrën 18-vjeçare të shqiptarëve, integrimin e saj në BE. Sipas Berishës, programi i PD-së është afër me programin e LSI-së, pasi të dyja forcat kanë në thelb integrimin e vendit. Por këto argumente nuk kanë qenë bindëse për pesë zyrtarët e LSI-së, të cilët me forcë deklaruan publikisht se LSI-ja duhet të refuzonte ftesën e bërë nga demokratët. Por zëri i të pestëve ra në vesh të shurdhër, pasi me vendim shumice, LSI-ja vendosi të pranojë bashkëqeverisjen me demokratët, ndërsa fati i të pestëve tashmë ishte përcaktuar. Ata ishin larguar nga LSI-ja dhe vendimi zyrtar për këtë u mor dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Drejtues të LSI-së, të cilët vendosën zëvendësimin e tyre me emra të rinj, një pjesë e të cilëve tashmë janë edhe deputetë të LSI-së.(Shqip)</p>
n6ZQE-3LnnE

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23964. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23964
 
Top