Liria e medias, gazetarët protestë para Kryeministrisë

Liria e medias, gazetarët protestë para Kryeministrisë

Në mbrojtje të fjalës së lirë dhe si kundërpërgjigje e dhunës ndaj të vërtetës, personalitetet më të rëndësishme të shtypit të shkruar dhe medias elektronike së bashku me qytetarë të tjerë protestuan dje përpara godinës së Kryeministrisë. Gazetarë, analistë, drejtues të mediave dhe qytetarë ngritën zërin dje për ti thënë “stop” dhunës ndaj fjalës së lirë. Protesta është zhvilluar paralelisht me mbledhjen e qeverisë, e cila ishte duke u mbajtur me dyer të mbyllura. Shoqatat e gazetarëve e organizuan protestën për tu solidarizuar kundër dhunës së ushtruar ndaj kolegut Mero Baze. Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, tha se “jemi të shqetësuar për dhunën, për sjelljen informale që ushtrojnë pushtetet e tjera mbi pushtetin mediatik. Shprehim shqetësim mbi informalitetin në media”. Ai u shpreh i shqetësuar jo vetëm për rastin e fundit, por për dimensionin e frikshëm që ka dhuna mbi fjalën e lirë.</p>


“Përderisa nuk kapet agresori, atëherë shteti është agresor ndaj gazetarit Mero Baze dhe jo vetëm, por edhe ndaj gjithë kolegëve të tij”, u shpreh botuesi Ylli Rakipi. Më tepër se dhunë ndaj një personi Shoqatat e Gazetarëve e cilësojnë atë si censurë mediatike ushtruar nga kreu i qeverisë. “Sot kemi vetëm një agresor, që është Kryeministri Berisha, i cili e ka treguar çdo gjë me fakte”, u shpreh Filip Çakuli, drejtues i “Fiks Fare” në “Top Channel”. “Aktet e dhunës janë banditeske. Pyetja që shtrohet pas kësaj dhune është sesa të sigurt duhet të ndihemi ne tani”, tha Rezart Xhaxhiu. Të pranishëm në këtë protestë emra nga më të njohur të gazetarisë në vend deklarojnë se nuk do të lejojnë askënd të cenojë fjalën e lirë, por ti japin asaj pushtetin që meriton. Protesta e shoqatave të gazetarëve u mbështet edhe nga qytetarë të thjeshtë, të cilët në fund të protestës lëshuan këpucë drejt selisë së Kryeministrisë, si simbol i përuljes së qeverisë para këmbëve të një biznesmeni, si Rezart Taçi. Analisti Andrea Stefani tha se po rritet fryma kundër gazetarëve. Sipas tij, Kryeministri Berisha njihet për dhunën ndaj fjalës së lirë.</p>


“Por pa lirinë e medias nuk do të ketë demokraci. Pushteti i medias duhet të ketë të njëjtën fuqi që kanë pushtetet e tjera”, tha Stefani. Sulmi ndaj gazetarit Mero Baze nxori gazetarët në protestë përpara Kryeministrisë në momentin kur Berisha po zhvillonte mbledhjen e qeverisë. Gjatë kohës kur po zhvillohej protesta një pjesë e ministrave si ai i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm dolën nga selia e Kryeministrisë me makinat e tyre. Pjesë e protestës ishin qytetarë të thjeshtë, por edhe lëvizja “Mjaft!” dhe G99. Në përfundim të saj, Kryeministria u godit me këpucë, duke risjellë në mendje veprimin e gazetarit irakian ndaj Presidentit Xhorxh Bush.(Shqip)</p>
hT3RKwwIPfQ

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25719. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25719
 
Top