Lika: Afrimet janë elementët e duhur për ekipin

Aquarius

Valoris scriptorum
317483_149071341940032_1948649201_n.jpg
Trajneri i skuadrës së kuqe ka shprehur vlerësimet e tij për afrimet e kryera te Partizani, duke i cilësuar si të denjë për ekipin e drejtuar prej tij

Partizani ka arritur të zyrtarizojë katër lojtarë në dy ditët e fundit, duke arritur të bëjë për vetë katër lojtarë për sezonin e ardhshëm në superligë. Trajneri i Partizanit, Hasan Lika i ka cilësuar afrimet të denja për skuadrën e kuqe. “Lojtarët e afruar i kemi vëzhguar prej shumë kohësh.

Në fund klubi arriti t’i afrojë në skuadër. Mendoj se lojtarët e afruar janë cilësorë dhe të denjë për ekipin”, tha Lika. Trajneri i skuadrës së kuqe ka pranuar se duhet pak kohë për lojtarët e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia që të përshtaten me futbollin tonë.

“Normalisht, lojtarët e afruar janë cilësorë, por edhe përshtatja e tyre do të kërkojë kohën e duhur në dispozicion. Gjithsesi, mendoj se përshtatja e tyre me kampionatin tonë nuk do të jetë problem”, theksoi Lika. Në lidhje me merkaton në vijim, trajneri theksoi se lojtarë të tjerë priten në ekip. “Jemi në kontakte me lojtarë cilësorë, si brenda kampionatin tonë, ashtu edhe jashtë tij.

Lojtarët e afruar nuk janë të vetmit, por ata paraprijnë afrime të tjera te Partizani”, tha Lika. Tre lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia konsiderohen goditje të forta për ekipin, nisur nga cilësitë që ata kanë shfaqur me skuadrat e tyre. Lojtarët janë studiuar me shumë hollësi nga stafi i skuadrës së Partizanit gjatë kohëve të fundit.

Lojtari i Shkëndijës, 19-vjeçari Mevlan Murati u evidentua gjatë miqësores, që Partizani zhvilloi me ekipin e seleksionit nga Maqedonia. Nga ana tjetër, Partizani ka parë nga afër lojtarët e Prishtinës, Besnik Krasniqin dhe Labinot Ibrahimin, të cilët kanë bindur stafin drejtues me lojërat e tyre.

Me goditjet e kryera, skuadra e kuqe duket se ka kompletuar fazën mbrojtëse, ku tashmë ka tre lojtarë të afruar, duke llogaritur edhe Rrahmanin në këtë repart. Portieri Hoxha cilësohet gardiani i duhur për katërkëndëshin e të kuqve. (Sporti Shqiptar)
 
Top