Për herë të parë në vendin tonë do të ketë një ligj të posaçëm për transplantimin e indeve, qelizave dhe organeve. Shërbimi do të ofrohet në spitalet publike dhe private, brenda të cilave do të ngrihen qendrat e kryerjes së transplantimeve. Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj të ri “Për transplantimin e indeve të qelizave dhe organeve në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin janë përcaktuar të gjitha rregullat e reja që do të ndiqen për këto ndërhyrje mjekësore, si dhe penalizimet për mjekët që do të abuzojnë. Ky projektligj është miratuar më 29 prill edhe nga Këshilli i Ministrave dhe tashmë është depozituar për shqyrtim pranë komisioneve parlamentare, për të marr më pas edhe miratimin përfundimtar nga Kuvendi. Për përgatitjen e këtij projektligji, Ministria e Shëndetësisë është konsultuar me grupet e interesit, ndërkohë që drafti është hartuar edhe në përafrim me direktivat e Komunitetit Europian. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, hartimi i këtij projektligji është shumë i nevojshëm, për faktin se teknikat mjekësore në vendin tonë kanë përparuar dhe fusha e transplantit të indeve dhe qelizave është një fushë pothuajse e parregulluar. Gjithashtu, hartimi i një projektligji të ri në këtë fushë është i domosdoshëm, pasi ligji në fuqi për transplantimin e organeve është i vjetër dhe i paadaptuar me legjislacionin komunitar. Sipas ligjit të ri, strukturat shëndetësore të shërbimit të transplantimeve janë: bankat e indeve, qelizave dhe organeve; qendra për koordinimin e transplantimeve; qendra e kryerjes së transplantimit. Bankat e indeve, qelizave dhe organeve janë struktura shëndetësore që do të kryejnë përzgjedhjen, vlerësimin, testimin e indeve, qelizave dhe organeve; ekzaminimin dhe përpunimin e tyre; konservimin, ruajtjen, etiketimin dhe paketimin e indeve, qelizave dhe organeve dhe dokumentimin e të dhënave për to; shpërndarjen e indeve, qelizave dhe organeve të destinuara për transplantim. Kurse qendra për koordinimin e transplantimeve do të krijohet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, për të organizuar dhe për të ndërmjetësuar procesin e transplantimit ndërmjet bankave dhe qendrave që kryejnë transplantim. Kjo qendër do të mbajë edhe regjistrin e personave që presin transplantimin e indeve, qelizave dhe organeve, (që zëvendëson listat e pritjes); regjistrin kombëtar të dhuruesve të transplanteve; regjistrin kombëtar të transplanteve të realizuara etj. Në projektligj përcaktohet se qendrat që kryejnë transplantimin janë pjesë e shërbimit spitalor, ato janë publike dhe private. Qendrat publike të transplantimit ngrihen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, ndërsa ato private licencohen sipas legjislacionit në fuqi. Këto qendra duhet të raportojnë për personat e regjistruar për transplantim pranë qendrës për koordinimin e transplantimeve. Ndërkohë që ato do të kryejnë implantimin, vetëm për përfituesit e regjistruar në regjistrin kombëtar të personave që presin për transplant. Ligji do të zbatohet për të gjitha transplantimet që kryhen: brenda të njëjtit individ nga një pjesë e trupit te një tjetër; midis individëve identik nga pikëpamja gjenetike; për indet dhe qelizat, përfshirë qelizat gjakëformuese nga gjaku periferik, për kordonin umblilikal (gjaku) dhe qelizat nga palca e kockave, për qelizat riprodhuese (vezët, sperma), indet dhe qelizat fetale. Në ligjin e ri për transplantet janë parashikuar edhe penalizime për mjekët që do të abuzojnë, të cilat variojnë nga gjoba 500 mijë deri në 1 milion lekë, heqje e së drejtës së ushtrimit të profesionit për 3 vjet, mbyllje e strukturës përkatëse për një periudhë 12-mujore dhe në rast përsëritjeje, mbyllje të përhershme të strukturës përkatëse. Ndëshkimi më i ashpër për bluzat e bardha që shkelin ligjin do të jetë kryerja e importit dhe eksportit të transplanteve pa autorizimin e ministrit të Shëndetësisë, që përbën vepër penale dhe dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal. Autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e gjobës është Ministria e Shëndetësisë, kurse autoritetet përgjegjëse për heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit janë urdhrat profesionistë.