Lidhja shqiptare e Prizrenti II

Mirditor

Primus registratum
Lidhja shqiptare e Prizrenti II

Kuvendi i Prizrenit (janar 1881) dhe formimi i qeverisë së përkohshme shqiptare

Deri nga fundi i vitit 1880 Porta e Lartë nuk i kishte përfillur kërkesat e Lidhjes për autonomi. Për më tepër, mareshali Dervish Pasha, pas dorëzimit të Ulqinit u sul me egërsi kundër organeve të Lidhjes në vilajetin e Shkodrës dhe filluan përgatitjet për ta shtypur Lidhjen Shqiptare në mbarë vendin. Në një thirrje të sulltanit drejtuar shqiptarëve, të gjithë ata që kërkonin autonomi cilësoheshin si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane. Dorëzimi i Ulqinit dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në Shqipëri dhe i acaruan në kulm marrëdhëniet e shqiptarëve me sunduesit osmanë. Qysh në dhjetor 1880 në Kosovë filluan veprimet e armatosura kundër administratës osmane. Patriotët menduan se tani kishte ardhur çasti i përshtashëm për të vënë në jetë programin për autonomi. Kështu, në fillim të vitit 1881, ata organizuan në Prizren një kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Shqiptare. Në të morën pjesë vetëm përkrahësit e autonomisë. Kuvendi përjashtoi nga organet drejtuese të Lidhjes kundërshtarët e autonomisë dhe Komitetin Kombëtar e shpalli qeveri të përkohshme. Në këtë qeveri bënin pjesë Ymer Prizreni (kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi etj.
Qeveria e përkohshme e Prizrenit organizoi menjëherë forcat e rregullta ushtarake dhe ngriti administratën e re shqiptare në viset që po çliroheshin. Repartet e qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi dhe të përkrahura nga populli, çliruan, gjatë janarit 1881, gjithë Kosovën, si dhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën etj.

Lufta e Lidhjes kundër ushtrive osmane

Sukseset që arriti Lidhja në vilajetin e Kosovës e deri në Dibër ngjallën optimizëm të madh te shqiptarët dhe pritej që autoriteti i qeverisë së Prizrenit të shtrihej edhe në krahinat e tjera të vendit. Por, në të njëjtën kohë ato kishin shqetësuar mjaft autoritetet qeveritare të Stambollit. Megjithatë Porta e Lartë nuk kundërveproi menjëherë, sepse ndërkohë Mbretëria Greke, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, e kërcënoi atë se do t’i merrte me luftë Çamërinë e Tesalinë. Për shkak të ndërlikimeve politike që mund të krijoheshin në Ballkan, fuqitë e mëdha ndërhynë energjikisht për ta detyruar Stambollin dhe Athinën t’i jepnin fund sa më parë çështjes së kufirit turko-grek. Duke i bërë lëshime njëra-tjetrës, më 27 mars 1881, qeveria e Stambollit dhe ajo e Athinës nënshkruan marrëveshtjen e re kufitare. Porta e Lartë i lëshoi Greqisë pjesën më të madhe të Tesalisë, por në vilajetin e Janinës, vetëm qytetin e Artës me rrethinë.
Pas kësaj marrëveshtjeje, Porta e Lartë i kishte duart e lira për të vepruar kundër autonomisë shqiptare. Ajo organizoi një ekspeditë të madhe ushtarake të përbërë nga 40 batalione me rreth 20 mijë ushtarë të komanduar nga mareshali Dervish Pasha. Drejtimi kryesor i kësaj ekspedite ishte vilajeti i Kosovës. Qeveria e Prizrenit lëshoi kushtrimin për të rrokur armët kundër ekspeditës osmane. Ajo u dërgoi gjithashtu një memorandum fuqive të mëdha, me anën e të cilit kërkonte ndërhyrjen e tyre. Rreth 6 mijë shqiptarë u vunë nën drejtimin e shtabit të Lidhjes me në krye Sulejman Vokshin. Por në këto çaste vendimtare disa elementë të lëkundur e turkomanë dolën kundër qëndresës së armatosur antiosmane dhe e penguan mobilizimin e forcave vullnetare. Pas rënies së Shkupit, forcat osmane iu drejtuan Kosovës. Qëndresa e parë u bë në Grykën e Kaçanikut më 7 prill 1881 dhe forcat osmane hynë në Ferizaj. Më 20 prill ato sulmuan forcat shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtime. Në betejën e parë, në Slivovë, ra heroikisht edhe komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli, i cili me guxim të rrallë iu hodh topit në grykë. Beteja e dytë u zhvillua të nesërmen, më 21 prill, në Shtime, ku luftimet qenë edhe më të përgjakshme. Forcat shqiptare të udhëhequra nga Sulejman Vokshi qëndruan me heroizëm më tepër se 5 orë, por u detyruan të tërhiqeshin. Pas Shtimes forcat e Lidhjes iu bënë edhe tri prita të tjera ushtrive osmane që iu drejtuan Prizrenit, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në Suharekë, por nuk mundën t’ua ndalnin marshimin. Si rrjedhojë, më 23 prill 1881 forcat e ekspeditës osmane hynë në Prizren, në qendrën e qeverisë së përkohshme dhe në vatrën kryesore të Lidhjes Shqiptare. Aty u shpall menjëherë shtetrrethimi dhe filloi një valë arrestimesh.
Pushtimi i Prizrenit e tronditi thellë opinionin publik të vendit, por nuk shënoi fundin e qëndresës së forcave shqiptare, e cila vazhdoi edhe për disa muaj në Malësitë e Gjakovës, të Lumës dhe të Dibrës. Pas shpërndarjes së Lidhjes Shqiptare, autoritetet osmane dhe forcat e ekspeditës ushtarake ushtruan një terror të pashembullt në Kosovë dhe në gjthë vendin. Kudo u bënë arrestime dhe u ngritën gjyqet ushtarake, të cilat dënuan mijëra shqiptarë me burgime të rënda dhe i internuan në vise të largëta të Perandorisë. Përpjekje të shumta u bënë për të kapur udhëheqësit e Lidhjes dhe të qeverisë shqiptare. Kryetari i qeverisë, Ymer Prizreni, u detyrua të mërgonte jashtë Perandorisë, në Ulqin, ku qëndroi deri sa vdiq, pa pranuar faljen që i ofroi sulltani. Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjetë i arratisur në Malësinë e Gjakovës dhe u kap më 1885 gjatë shtypjes së kryengritjes antiosmane që ai organizoi në Kosovë. Abdyl Frashëri, në fillim u arratis, por u kap nga forcat që po e ndiqnin dhe u dërgua në Prizren, ku u dënua me burgim të përjetshëm, por më vonë u lirua.

Rëndësia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Megjithëse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe. Në krahasim me besëlidhjet e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, Lidhja e Prizrenit shënoi një hap të rëndësishëm përpara sepse pati një shtrirje territoriale mbarëshqiptare, krijoi një front patriotik luftarak për gjithë popullin shqiptar, pavarësisht nga përkatësia fetare ose shtresa shoqërore, përpunoi një platformë kombëtare të plotë dhe me kërkesa politike, ekonomike dhe kulturore, përdori të gjitha format e luftës çlirimtare: kuvendet, protestat politike, misionet diplomatike, luftën e armatosur dhe veprimtarinë kulturore.
Vitet 1878 - 1881 shënojnë një ngritje të dukshme edhe për nga pikëpamja organizative, me krijimin e një qendre drejtuese të Lëvizjes Kombëtare me degët e saj në të gjitha krahinat shqiptare. Lidhja jo vetëm që kërkoi e luftoi për krijimin e shtetit shqiptar, por arriti më në fund të formonte qeverinë e përkohshme, pothuajse të pavarur nga Porta e Lartë. Me rëndësi të madhe historike është lufta e vendosur diplomatike dhe me armë që zhvilloi Lidhja për të mbrojtur viset shqiptare në veri dhe në jug që rrezikoheshin të copëtoheshin. Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes së Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën diplomatike ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.

ARSIMI DHE KULTURA NË ÇEREKUN E FUNDIT TË SHEK. XIX

ARSIMI DHE KULTURA SHQIPTARE NË KOHËN E LIDHJES SË PRIZRENIT
Ndikimi i Lidhjes në lëvizjen arsimore e kulturore
Formimi i Lidhjes së Prizrenit dhe veprimtaria e saj patriotike i dha një shtytje të re lëvizjes arsimore e kulturore. Madje përpjekjet për arsimin e kulturën kombëtare u gërshetuan me luftën politike dhe i shërbyen luftës së Lidhjes për mbrojtjen nga copëtimi dhe për çlirimin kombëtar. Arsimi dhe kultura ndikonin në rritjen e vetëdijes kombëtare, për bashkimin dhe mobilizimin e popullit në luftën e udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit. Përveç kësaj, arsimi e kultura kombëtare do të ndihmonin për ta bërë të njohur kombin shqiptar përpara opinionit të huaj publik e diplomatik dhe për të mbrojtur të drejtat e tij, aq më tepër kur atij i mohoheshin qëllimisht historia e kultura e deri edhe ekzistenca e tij. Në protestat dhe memorandumet e Lidhjes së Prizrenit, përveç problemeve të ngutshme politike, theksohej gjithnjë se shqiptarët ishin një popull i lashtë, me gjuhën e me kulturën e tyre të veçantë dhe se kishin dhënë ndihmesë edhe në qytetërimin europian. Kërkesat për gjuhën dhe kulturën shqiptare ishin pjesë përbërëse e programit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Në të kërkohej njohja zyrtare e gjuhës shqipe, përdorimi i saj në administratën dhe në shkollat e Shqipërisë si dhe përdorimi i një pjese të të ardhurave të vendit për zhvillimin e arsimit.

Alfabeti shqip i Stambollit

Për organizimin dhe për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e të kulturës kombëtare, Komiteti i Stambollit krijoi një komision të veçantë, i cili u ngarkua të zgjidhte dy detyra të ngutshme dhe të rëndësishme: caktimin e një alfabeti të përbashkët për shqiptarët dhe formimin e një shoqërie qendrore kulturore. Meqenëse deri atëherë për shkrimin e shqipes përdoreshin alfabete të ndryshme, në vitet e Lidhjes rifilluan përpjekjet e nisura qysh më parë për t’a njësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Në fillim të vitit 1879, përpara komisionit të krijuar u paraqitën katër projektalfabete (të përshtatura nga alfabeti latin, grek, origjinal dhe me bazë latine, por i plotësuar me shkronja të tjera). Pas shumë diskutimesh me karakter shkencor, politik dhe praktik, komisioni miratoi alfabetin e propozuar nga Sami Frashëri. Ky alfabet i njohur me emrin alfabeti i Stambollit, nga vendi ku u miratua, bazohej në alfabetin latin dhe ishte ndërtuar mbi parimin fonetik, për çdo tingull një shkronjë. Për të plotësuar tingujt e veçantë të shqipes që nuk i përmbante alfabeti latin, u huajtën disa shkronja nga alfabeti grek ose u krijuan të veçanta.
Caktimi i këtij alfabeti shënonte një hap të rëndësishëm përpara për lëvizjen kulturore. Ai ishte alfabeti i parë i vendosur kolegjialisht, u mirëprit nga rrethet patriotike brenda e jashtë atdheut dhe pati përhapje mjaft të gjerë. Por meqë ishte i përzier, ky alfabet nuk ishte shumë praktik, prandaj, krahas tij, u përdorën edhe alfabete të tjera dhe çështja e alfabetit të përbashkët u diskutua përsëri më vonë. Nuk kaluan as dy-tre muaj pas caktimit të alfabetit të Stambollit dhe me të u botua në Stamboll ,,Alfabetarja e gjuhës shqipe’’. Në faqet e para të saj jepet alfabeti i ri dhe mënyra e përdorimit të tij. Pastaj vazhdonin disa shkrime të Sami Frashërit, Pashko Vasës dhe të Jani Vretos, që kishin karakter pedagogjik e shkencor për gjuhën shqipe, për historinë e Shqipërisë, për gjeografinë, për aritmetikën etj. Alfabetarja u përhap kudo brenda dhe jashtë atdheut dhe shërbeu për të mësuar shkrimin e leximin e shqipes dhe për të përhapur idetë kombëtare e demokratike të Rilindjes.

Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip

Krahas punës për njësimin e alfabetit dhe për përgatitjen e alfabetares vazhdonin edhe përpjekjet për të formuar një shoqëri kulturore kombëtare, por ato zgjatën më shumë sepse Porta e Lartë e kundërshtoi kërkesën e patriotëve shqiptarë. Megjithatë patriotët, duke parë se Porta e Lartë jo vetëm që e zvarriste çështjen, por edhe ngurronte të ndërhynte kundër shqiptarëve, organizuan në Stamboll një konferencë më 12 tetor 1879. Në të përfaqësoheshin shqiptarët e të tri besimeve fetare dhe të krahinave të ndryshme të vendit. Kjo konferencë themeloi shoqërinë kulturore shqiptare me emrin ,,Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip’’, ose shkurtimisht shoqëria e Stambollit dhe miratoi statusin e saj. Kryetar u zgjodh Sami Frashëri. Ndonëse Shoqëria e Stambollit nuk varej drejtpërdrejt nga Lidhja e Prizrenit, qëllimet i kishte të përbashkëta me të. Në një letër që Sami Frashëri i dërgonte në atë kohë Jeronim de Radës në Kalabri i shkruante se qëllimi i shoqërisë ishte: ,,të ngjallurit e gjuhës shqip dhe të bashkuarit e dialekteve të saj e të ndritësuarit e kombit tënë që është një punë shumë e vjejturë e e shenjtëruarë’’.
Siç del qartë nga kjo letër dhe nga statuti i saj, qëllimi i shoqërisë ishte të nxirrte popullin shqiptar nga prapambetja, duke zhvilluar arsimin dhe kulturën kombëtare. Shoqëria do të krijonte degët e saj në Shqipëri dhe kudo ku kishte shqiptarë jashtë atdheut. Me fondet që do të grumbullonte, shoqëria do të hapte shkolla shqipe, shtypshkronja dhe do të botonte tekste shkollore, gazeta dhe revista shqipe. Në këtë mënyrë Shoqëria e Stambollit do të merrte në dorë organizimin dhe drejtimin e gjithë lëvizjes kulturore kombëtare.

PËRHAPJA E SHKOLLËS KOMBËTARE DHE E LETËRSISË SHQIPTARE PAS LIDHJES SË PRIZRENIT
Gjendja politike e Shqipërisë pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, në Shqipëri u krijua një gjendje e rëndë politike. Qeveria e Stambollit vendosi një regjim terrori politik dhe u dha kompetenca të veçanta organeve të xhandarmërisë dhe të policisë. Si rrjedhojë, Lëvizjes Kombëtare iu dha një goditje e fortë. Këtyre kushteve të vështira politike iu shtua edhe politika armiqësore që ndiqnin në atë kohë ndaj Shqipërisë fuqitë e mëdha dhe monarkitë fqinje. Fuqitë e mëdha ishin për ruajtjen e hartës politike të Ballkanit që ato kishin vendosur, prandaj përkrahnin ekzistencën e Perandorisë Osmane. Kurse monarkitë fqinje ballkanike u përmbaheshin gjithnjë pretendimeve të tyre shoviniste ndaj trojeve shqiptare.
Rrethanat e reja politike ishin të papërshtatshme për të organizuar një kryengritje të armatosur të përgjithshme, prandaj patriotët rilindës i kushtuan një vëmendje të veçantë ngritjes së ndërgjegjes kombëtare të popullit nëpërmjet përhapjes së mësimit shqip, të shkollës kombëtare dhe të letërsisë shqiptare. Megjithatë, në krahina të veçanta edhe gjatë kësaj periudhe pati kryengritje antiosmane, si në Malësinë e Mbishkodrës, në Dibër, në Lumë etj. Por vatër kryesore e kryengritjeve mbeti përsëri Kosova, ku shpërthyen dy kryengritje të rëndësishme në vitet 1884 - 1885 dhe 1892 - 1893.

Shoqëritë patriotike të mërgimit

Për shkak të forcimit të reaksionit osman e fanariot brenda vendit, një rëndësi të madhe mori veprimtaria patriotike e shqiptarëve të mërguar si në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Për t’iu përgjigjur si duhet nevojave të Lëvizjes Kombëtare në atdhe, veprimtaria patriotike e diasporës shqiptare filloi të organizohej më mirë. Në gjirin e saj u formuan një numër shoqërishë patriotike, të cilat dhanë një ndihmesë të çmuar për arsimin e kulturën kombëtare. Gjatë kësaj periudhe vazhdoi veprimtarinë edhe shoqëria e Stambollit, por në kushte tepër të vështira politike. Ajo tani vepronte në ilegalitet dhe mjaft anëtarë të saj ishin të detyruar të largoheshin për t’u shpëtuar ndjekjeve. Në këto vite reaksioni, një rol të veçantë kanë luajtur vëllezërit Sami e Naim Frashëri, të cilët, ndonëse jetonin në Stamboll, zhvilluan një veprimtari të madhe patriotike. Ata krijuan lidhje me patriotët shqiptarë brenda e jashtë atdheut, përgatitën e botuan tekste shkollore, vepra letrare dhe organe shtypi në gjuhën shqipe.
Kështu, pas shumë vështirësishë, në gusht 1884 Samiu dhe Naimi botuan në Stamboll revistën mujore ,,Drita’’, e cila pas dy numrave të parë mori emrin ,,Dituria’’. Për shkak të cenzurës, revista përmbante shkrime me karakter letrar e kulturor. Pjesën më të madhe të shkrimeve e përgatitnin Samiu dhe Naimi, të cilët, për t’u shpëtuar ndjekjeve, nënshkruanin me pseudonime. Në të Naim Frashëri filloi të botonte vjershat e tij të para në gjuhën shqipe. Krahas Shoqërisë së Stambollit vepronin edhe degët e saj të krijuara në Rumani dhe në Egjipt, të cilat e zhvillonin veprimtarinë në kushte më të favorshme.
Në fund të vitit 1884 shqiptarët e Bukureshtit, në vend të degës së Shoqërisë së Stambollit, formuan një shoqëri patriotike më vete me emrin ,,Drita’’. Kjo shoqëri iu përmbajt programit të Shoqërisë së Stambollit, pati disa qindra anëtarë dhe me ndihmat e mbledhura botoi tekste shkollore në gjuhën shqipe, vepra letrare të rilindësve dhe gazeta shqipe. Në vitin 1887 nga gjiri i shoqërisë ,,Drita’’ të Bukureshtit u formuan dy shoqëri të veçanta, njëra me emrin e mëparshëm dhe tjetra me emrin ,,Dituria’’, në të cilat luajtën rol Nikolla Naçoja, Pandeli Evangjeli, Asdreni etj.
Në vitin 1893 edhe shqiptarët e mërguar në Sofje të Bullgarisë formuan shoqërinë me emrin ,,Dëshira’’, e cila ndoqi rrugën e shoqërisë së Stambollit dhe asaj të Bukureshtit. Më 1894 shqiptarët e Egjiptit formuan shoqërinë ,,Vëllazëria e shqiptarëve’’. Në vitet e fundit të shek. XIX Shoqëria e Stambollit u riorganizua dhe mori emrin Komiteti Shqiptar gjithnjë me në krye Sami Frashërin. Një rol të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare vazhduan të luanin arbëreshët e Italisë që kishin në krye Jeronim de Radën. Ata formuan shoqërinë ,, Kombi shqiptar’’ me degët e saj.
Shoqëritë shqiptare të diasporës mbajtën gjallë dashurinë për atdheun, ndihmuan për zhvillimin e arsimit, të letërsisë e të kulturës në përgjithësi, fuqizuan luftën për çlirimin e vendit dhe mbrojtën të drejtat e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Çelja e shkollave kombëtare në Shqipëri

Një kujdes të veçantë patriotët e Rilindjes treguan për përhapjen e mësimit dhe të shkollave shqipe. Për shkak të pengesave të shumta të sunduesve osmanë, shkrimi dhe leximi i gjuhës shqipe mësoheshin fshehurazi në vise të ndryshme shqiptare. Fillimisht u bënë përpjekje për të futur mësimin e shqipes në shkollat turke e greke që ekzistonin atëherë në Shqipëri. Meqenëse as Porta e Lartë dhe as Patrikana e Stambollit nuk pranuan të futnin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e tyre, patriotët shqiptarë vendosën të çelnin shkolla shqipe të pavarura, ku do të mësonin nxënës të të gjitha besimeve fetare. Për të drejtuar këto përpjekje, u formua në Korçë një komitet i fshehtë. Po në këtë kohë Shoqëria e Bukureshtit kishte botuar disa tekste shkollore të hartuara nga Sami Frashëri, Naim Frashëri etj. dhe filloi t’i dërgonte në Shqipëri, kurse drejtuesit e Shoqërisë së Stambollit po vepronin për të nxjerrë lejen nga autoritetet osmane për të çelur një shkollë shqipe.
Pas gjithë këtyre përpjekjeve të përbashkëta, më 7 mars 1887, u çel në Korçë nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë fillore, me karakter kombëtar e laik, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Çelja e shkollës kombëtare të Korçës shënonte një fitore të rëndësishme për arsimin shqiptar dhe ngjalli entuziazëm në mbarë vendin. Pas saj patriotët çelën edhe shkolla të tjera shqipe në krahina të ndryshme si në Pogradec, Ersekë, në Rekë etj. dhe u bënë përgatitje për t’u hapur shkolla edhe në Elbasan, në Leskovik etj. Për të organizuar e drejtuar këtë lëvizje arsimore që po zgjerohej, në Korçë u formua një shoqëri kulturore me emrin ,,Shoqëria e Mësimit Shqip’’. Po në Korçë në tetor 1891 u çel një shkollë shqipe për vajza nën kujdesin e Gjerasim Qiriazit dhe të motrës së tij, Sevasti Qiriazit.
Këto arritje të arsimit shqiptar i shqetësuan sunduesit osmanë dhe armiqtë e tjerë të kombit shqiptar. Prandaj mësuesit, prindërit e nxënësve dhe përkrahësit e këtyre shkollave u bënë shpejt objekt ndjekjesh, kërcënimesh dhe mallkimesh.
Iljaz Pashë Dibra (Iljaz Qoku)
Ka qenë personalitet i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në Kllobisht të Dibrës. U bë i njohur me pjesëmarrjen e tij më 1844 në luftën e Gjoricës (Dibër) kundër Hajredin Pashës, i cili kërkonte të zbatonte reformat e Tanzimatit në verilindje të Shqipërisë. Më 1861 udhëhoqi forcat dibrane kundër përpjekjeve malaziase për të shtënë në dorë viset shqiptare të Shkodrës. Është një nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryesoi, më 10 qershor 1878, Kuvendin e Përgjithshëm që çoi në themelimin e Lidhjes dhe u zgjodh kryetar i saj. Kryesoi Kuvendin e Dibrës (1 nëntor 1878), që miratoi rezolutën në të cilën kërkohej krijimi i vilajetit autonom shqiptar. Ai ishte një nga të 14 anëtarët e delegacionit që do t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë. Kryesoi edhe Kuvendin e Dytë të Dibrës (20 tetor 1880), në të cilin u paraqit si udhëheqës i moderuar.
Abdyl Frashëri
Ka qenë patriot e demokrat i shquar dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lindi në Frashër (Përmet) më 1839 në familjen e një spahiu të vogël të deklasuar. Pjesën e parë të jetës e kaloi në fshatin e lindjes. Në moshën 18 vjeçare u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877. Në fund të këtij viti (1877), kur ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Dha një ndihmesë të rëndësishme në përpunimin e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare, sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Ai mori pjesë aktive në përpjekjet për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u shqua si udhëheqës, organizator e diplomat i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nuk e shkëputi asnjëherë nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan gjatë viteve të Lidhjes. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i komisionit të punëve të jashtme të saj.
Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e fuqive të mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme, që u formua në Prizren në fillim të vitit 1881.
Pas shtypjes së Lidhjes u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892.
Sulejman Vokshi
Ka qenë veprimtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 1815 në Gjakovë nga një familje me tradita kombëtare. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40 të shek. XIX mori pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, prandaj qeveria osmane e internoi dhe e burgosi shumë herë. Ishte një nga nismëtarët e themelimit dhe një ndër udhëheqësit kryesorë politikë dhe ushtarakë të Lidhjes së Prizrenit. Ai qëndroi në ballë jo vetëm të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin e autonomisë së Shqipërisë me forcën e armëve. Ishte një nga organizatorët e ngjarjeve të Gjakovës, gjatë të cilave u vra mareshali osman Mehmet Ali Pashë Maxhari. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, S. Vokshi ishte një nga udhëheqësit e betejave për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Me krijimin e qeverisë së përkohshme ai u ngarkua me detyrën e komandantit të forcave të armatosura të saj. Nën drejtimin e tij u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtime e Slivovë kundër forcave osmane të Dervish Pashës. Edhe pas shtypjes së Lidhjes, ai e vazhdoi qëndresën kundër pushtuesit osman deri më 1885, madje në këtë vit organizoi një kryengritje tjetër në Kosovë. U kap me pabesi. Pushteti osman e konsideroi si një nga udhëheqësit më të rrezikshëm të Lidhjes, prandaj gjykata e jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje. Por para presionit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ai u detyrua ta lironte pas burgimit.
Ali Pashë Gucia
Ka qenë veprimtar i lëvizjes antiosmane të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe veçanërisht i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pronar çifligar, pinjoll i familjes Shabanagaj nga Gucia. Mori pjesë në kryengritjet që shpërthyen malësorët e veriut kundër Tanzimatit gjatë viteve 60 të shek. XIX. Ai ishte kundërshtar i vendosur i synimeve shoviniste serbe dhe malaziase ndaj tokave shqiptare, ishte një nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga pjesëtarët më aktivë të Kështllit Kombëtar të saj. Për vendosmërinë e tij luftarake, kryesia e Lidhjes Shqiptare e zgjodhi kryetar të Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë. Në periudhën e fundit të veprimtarisë së Lidhjes, Ali Pashë Gucia u bind se autonomia nuk mund të fitohej pa luftë kundër Portës së Lartë. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare, sulltani në fillim nuk mori ndonjë masë kundër tij, madje e emëroi mytesarrif të Pejës. Por 4 vjetë më vonë u vra në një atentat të organizuar, sipas zërave të asaj kohe, nga vetë qeveritarët e Stambollit.
Hodo Sokoli
Ka qenë veprimtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetar i Komitetit të degës së Lidhjes për Shkodrën. Qysh në fillim të vitit 1880 doli hapur kundër vendimit të Portës së Lartë për t’i dorëzuar Malit të Zi Hotin dhe Grudën, dhe në mënyrë demonstrative zhveshi publikisht uniformën e kolonelit të xhandarmërisë turke. Shembullin e tij e ndoqën edhe shumë oficerë të tjerë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane. Në prill 1880, H. Sokoli drejtoi luftimet për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës dhe dha një ndihmesë të rëndësishme për kurorëzimin me sukses të luftës së vullnetarëve shqiptarë kundër ushtrisë së rregullt malaziase. Pas rënies së Ulqinit në duart e Malit të Zi (26 nëntor 1880), komandanti i ushtrisë osmane Dervish Pasha, bashkë me disa veprimtarë të degës së Shkodrës, arrestoi edhe H. Sokolin dhe e internoi në Anadoll, ku edhe vdiq më 1883.

NGA LETRA E SAMI FRASHËRIT DËRGUAR JEROMIN DE RADËS
Stamboll, më 20. 2. 1881
,,...Punërat që po bën Lidhja e Shqipërisë në Gegëri, që nonjë muaj e tëhu, mbase nuk i kini dëgjuarë, se fletët e Europës nukë bëjnë shumë fjalë, duk me qenë që me nj’anë Turqia nuk le të dëgjohenë nëpër botët, edhe me nj’anë armiqtë tanë... duanë t’i tregojnë të vogëla e të mosgjëjta. Lidhja e Shqiptarëvet, që ka kërthizënë në Prizren, në Gegëri, ka kërkuarë shumë herë, që nga tre vjetë e tëhu, bashkimin e Shqipërisë më një provincë me otonomi, por mbretëria gjer më sot e kish gënjyerë me fjalë, dhe s’ka dashurë të bënjë gjë fare për Shqipërinë. Këtë herë shqiptarët e kupëtuan fare mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, edhe Lidhja e Prizrenit pa nevojë të bashkonjë Shqipërin’ e t’a bënjë një me otonomi a mbase me ç’këputje (indipendencë) fare, pas punës; kështu Lidhja mori emrin e kuvernos të përdormë (gouvernement provisoire), (qeveri e përkohshme) edhe përzuri kuvernatorët (qeveritarët) turq nga gjithë vilajeti i Kosovës, edhe nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosurë kanë zënë Ysqypnë (Shkupin) edhe udhën e hekurtë, 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjurë në Toskëri. Për pakë kohë do të dëgjoni një ngritje (revolution) të madh në Shqipëri. Në u bëftë dot Shqipëria më vet’he, nukë do të kemi nevojë për prensër (princër) as të krishter’ as muhametanë që të na rjepën’ e të na pinë gjaknë; vendi ynë munt edhe do të kuvernohetë (do të qeveriset) prej një farë dhimokratije prej pleqet sikundrë kanë qenë prindët tanë që motit, edhe sikundrë jan edhe sot malësit’ e Shqipërisë, që janë thuajse të dlirë e më vetëhe...’’
Ymer Prizreni
Ka qenë veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryetar i qeverisë së përkohshme të formuar në periudhën e fundit të saj. Pasi kreu studimet për teologji islamike, punoi në medresenë e Prizrenit. Sapo filloi lufta ruso-turke (1877-1878), u ngrit së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe për të kërkuar të drejtat e saj kombëtare. Organizoi komisionin e vetëmbrojtjes për sanxhakun e Prizrenit, i cili mori përsipër të kundërshtonte synimet aneksioniste të Serbisë dhe të sistemonte muhaxhirët e shumtë shqiptarë që u dëbuan nga ushtria serbe.
Më 1877 u zgjodh deputet në parlamentin e dytë osman dhe mori pjesë në formimin e Komitetit Qendror Shqiptar të Stambollit. Në pranverë të vitit 1878 kryesoi komisionin që organizoi në Prizren mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm, i cili themeloi Lidhjen Shqiptare. Kuvendi e zgjodhi Y. Prizrenin anëtar të Këshillit të Përgjithshëm. Në tetor 1879 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare, kurse në janar 1881 kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të Prizrenit. Si kryetar i saj drejtoi veprimtarinë politike që çoi në vendosjen e administratës shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në organizimin e qëndresës së armatosur të Lidhjes kundër ushtrive osmane në pranverë të vitit 1881. Pa s shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Y. Prizreni u arratis për të mos rënë në dorë të autoriteteve osmane. U vendos në Ulqin dhe nuk pranoi të kthehej, anipse sulltani i premtoi falje e ofiqë të larta. Vdiq në Ulqin më 1886.
Mic Sokoli
Ishte një ndër luftëtarët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 1839 në Fang të Bujanit në një familje patriotësh. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja. Mori pjesë në luftimet e Gjakovës kundër Mehmet Ali Pashës, u dallua në betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazias, luftoi në Plavë e në Guci, në Hot, në Grudë, në Tuz, në Prizren, në Gjakovë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Shkup.
Në betejën e Slivovës (prill 1881) kundër forcave osmane të Dervish Pashës kreu një akt trimërie të rrallë, duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës.
Mehmet Béci
Ka qenë veprimtar i dalluar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Ulqin dhe komandant i forcave vullnetare në luftën kundër shovinistëve malazias. Ishte përfaqësues i degës së Ulqinit në Mbledhjen e Këshillit Qendror të Lidhjes më 30. 6. 1880 në Rakoc (fshat afër Gjakovës), ku u mor vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Në nëntor 1880 luftoi si komandant i forcave vullnetare shqiptare kundër ushtrisë osmane për mbrojtjen e këtij qyteti. Pasi Porta e Lartë e shtypi qëndresën e armatosur të shqiptarëve dhe ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi, M. Béci u vendos në Shkodër ku vazhdoi të merrte pjesë në ngjarjet politike të kohës deri sa vdiq më 1907.

NGA STATUTI I ,,SHOQËRISË TË TË SHTYPURIT SHKRONJA SHQIP’’
Stamboll, më 12. 10. 1879
,,Neni 5. Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip do të rritet prandaj pret me krahë hapët këdo shqiptar, që i do zemra të shohë e të këndojë shkronjat ndë gjuhët të vet, edhe do të hyjnë ndër Shoqërinë, edhe prej Muhamedanësh edhe prej Katolikësh edhe prej Orthodoksësh që të gjithë pa ndonjë çquarje, dhe ka me shkruem emërin secilit indivivllët mëmëtore (regjistër) pas radhës që të hyjnë ndë Shoqënit. Edhe prej të huajët, kushdo që do të mirën e njerëzisë edhe do të hynjë ndër këtë shoqëri, e pret me krahë hapëtë dhe me gëzim dhe i ka me shkruar’ emërinë ndë mëmëtoret pas radhësë të hyrit, edhe e ka me qujtunë shok dhe vëlla edhe ndë ballët të shqiptarëvet...’’

NGA LETRA E SAMI FRASHËRIT DËRGUAR JERONIM DE RADËS
Stamboll, më 28. 2. 1881
,,...Pun’ e vëllazërisë shqiptarëvet edhe e bashkimit e e ngjalljes Shqipërisë është pun’ e Lidhjes, që e ka zënë punënë shëndoshë edhe vete gjithnjë mbarë, pun’ e të ngjallurit të gjuhës shqip edhe të bashkuarit të dialekteve t’asaj e të nditësuarit të kombit tonë, që është një punë shumë e vjejturë e e shenjturuarë, është pun’ e shoqërisë sonë, e cila nuk do të muntnjë t’e mbaronjë pa ndihmën e burrave si zotëria jote e si të tjerë djem të ndritur të mëmëdhethit tënë që janë në kolonitë (arbëreshe) e Italisë e gjetkë. Po tani nuk po vemi përpara sa duamë se gjendemi në një vent që s’ka dliri (liberte) e papengim për të këtilla punëra...’’
Sami Frashëri
Ka qenë rilindas i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist. Në literaturën e huaj është njohur me emrin Shemsedin Sami. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Mësimet e para i mori në fshatin e tij. Kreu shkollën e mesme greke Zosimea në Janinë, ku përveç literaturës së përgjithshme, përvetësoi edhe disa gjuhë të huaja.
Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike turke. Ishte ndër organizatorët kryesorë të ,,Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare’’ dhe u zgjodh kryetar i ,,Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip’’ (1879). Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe ,,Drita’’ dhe pastaj ,,Dituria’’ (Stamboll, 1884 - 1885), ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat ,,Abetare e gjuhës shqipe’’ (1886), ,,Shkronjtore e gjuhës shqipe’’(gramatika, 1886) dhe ,,Dheshkronjë’’ (gjeografia, 1888). Sami Frashëri shkroi gjithashtu librin ,,Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhëtë?’’, botuar në Bukuresht më 1899 pa emër autori. Ky libër u bë manifest i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe traktatin e saj. Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Çështjen shqiptare e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke ,,Terxhuman-i Shark’’ (Interpreti i Lindjes). Është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, duke përfshirë këtu edhe gazetat që i drejtoi. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i turki 1901) i cili përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht, turqisht frëngjisht dhe arabisht-turqisht. Vepra madhore e tij në gjuhën turke është enciklopedia ,,Kamus-al alam’’ (1900) në 6 vëllime, ku Samiu i jep një vend të dukshëm botës shqiptare dhe figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Si shkrimtar, Samiu shkroi në gjuhën turke drama e romane.
Për veprimtarinë patriotike dhe për frymën përparimtare që përshkonte veprat e tij, Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Samiun duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Vdiq në Stamboll më 1904.

NGA LETRA E THIMI MARKOS DËRGUAR VISAR DODANIT NË BUKURESHT

Korçë, 8 mars 1887
,,...Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aq shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë.
Më lëftojnë aq sa nuk bëhet më teper; por Zoti i jetës më ka dhënë miq të shëndoshë, të cilët më ruajnë si dritën e syrit tyre edhe nuk trembem kurrë se do pësonj gjëkafshë...’’

NGA POEZIA E NAIM FRASHËRIT KUSHTUAR ÇELJES SË MËSONJËTORES SHQIPE TË KORÇËS

O vëllezër shqipëtarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë!

Hapu, hapu errësirë,
Pa ja kë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë.
Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua.
 
Top