Re: Liceu francez ne Korce!
Fjala “Francophonie” ka gjasa të jetë shpikur nga gjeografi pak i njohur, Onesime Reclus (1837-1916), por në të vërtetë ajo filloi të përdoret shpesh duke filluar nga viti 1962, kur revista “Esprit” publikoi një artikull të poetit belg (ëallon) që fillonte me “Ne jemi 180 milion frankofonë në botë……. Përsa i përket konceptit të frankofonisë, ai është i lidhur me idetë e promotorëve të parë si Senghor, Bourghiba, etj, nga të cilët asnjë nuk ishte francez. Ideja e këtyre themeluesve të këtij koncepti ishte “se vendet frankofonë të pavarur duhet të ruanin lidhje të privilegjuara bashkëpunimi dhe të përfitonin nga përdorimi i një gjuhe të përbashkët (frëngjishtes) për zhvillimin e komunikimit dhe trashëgimisë multikulturore të shprehur në këtë gjuhë. Më vonë, ishte presidenti francez Francois Miterrand që mblodhi Samitin e parë të Frankofonisë në Paris, Shkurt 1986, duke lançuar një frymë të re të frankofonisë, që ai e konsideronte kryesisht si “një formë origjinale të dialogut të kulturave dhe si një shans të një solidariteti Veri-Jug”.
Të jesh frankofon do të thotë të ndash një gjuhë të përbashkët dhe vlerat kulturore që ajo shpreh, por gjithashtu edhe vlera të tilla si demokraci, liri, drejtësi, solidaritet, zhvillim, diversitet kulturor. Këto vlera kulturore-politike, të ngulitura prej kohësh në traditën dhe ndërgjegjen shqiptare, veçanërisht në një pjesë të madhe të elitës sonë intelektuale, zhvillohen së bashku me evoluimet demokratike të vendit tonë. Gjuha frënge përbën lëndën lidhëse të ndërtimit progresiv të institucioneve të Frankofonisë: themelimi më 1950 i shoqatës së gazetarëve frankofonë, shoqatës së universiteteve frankofonë (1961), shoqatës së parlamentarëve frankofonë (1967), krijimi më 20 Mars 1970 i Agjensisë së Bahkëpunimit Kulturoro-Teknik, sot Agjensia Ndërqeveritare e Frankofonisë (datë që njihet tashmë si Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë). Aktualisht, 28 vende e përdorin frëngjishten si gjuhë zyrtare dhe ka në botë mbi 180 milion folës të kësaj gjuhe. Frengjishtja, gjuhë e shkrimtarëve dhe e mendimtarëve të mëdhenj, si Moliere, Balzac, Hugo, Descartes, Voltaire, Rousseau, etj. Frengjishtja, gjuhë e madhe e botës, gjuhë ndërkombëtare, gjuhë e diplomacisë. Gjuha frënge, së bashku me anglishten, janë të vetmet gjuhë që mësohen në të gjithë kontinentet. Megjithë rënien e saj, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të XX (për disa kohë ajo ka qenë gjuhë e parë e diplomacies, e pëlqyer sidomos për saktësinë e saj në shprehje), ajo sot mbetet një nga gjuhët kryesore në organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe institucionet europiane. Frengjishtja, gjuhë e Europës. Ajo është një nga gjuhët e mëdha të Bashkimit Europian, por është gjithashtu edhe gjuha e investitorëve francezë, belgë, zvicerianë e luksemburgezë. Gjuha frënge mund të rigjejë rolin e saj si gjuhë bashkëpunimi në rajonin e Europës Jug-lindore, dhe në të njëjtën kohë mund të ushqejë një aks të ri bashkëpunimi të këtij rajoni me vendet e Mesdheut dhe të jugut. Frengjishtja, gjuhë e të drejtave të njeriut. Gjuha frënge komunikon vlerat europiane dhe në veçanti ato franceze, nga të cilat respekti për njeriun, liria, drejtësia, dhe gjithë vlerat e tjera të lidhura me të drejtat e njeriut, që u adoptuan në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut më 1789, rimarrë dhe adoptuar më 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut. Ja pse me të drejtë gjuha frënge quhet gjuhë e të drejtave të njeriut, por kjo s’do të thotë që ajo ka ekskluzivitetin e këtyre vlerave. Frengjishtja, gjuhë “moderne”. Cili është përcaktimi ‘modern”? Eshtë të jesh karakteristikë e epokës dhe shijes aktuale që ngjit me tendencat dhe me nevojat, por edhe të përfitosh nga të rejat e fundit të shkencës dhe teknikës. Në një kontekst ndërkombëtar që konsideron në mënyrë implicite dhe eksplicite anglishten si vektor “par excellence” të modernitetit, si gjuhë e biznesit dhe e makinave, e teknologjive të fundit dhe e produkteve të suksesshëm, frengjishtja, ashtu si edhe gjuhët e tjera, duket e dënuar për shkak të një “rendez-vous” të munguar me modernitetin. Cili është vendi i frëngjishtes në nivel të komunikimit mediatik botëror: shtypi, libri dhe edicionet, mediat audio-vizuale, kinemaja, publiciteti, etj. Gjuha dhe kultura franceze po lëshojnë terren në sektorin e komunikimit në favor të modelit anglo-sakson. Ato duket se po rezistojnë më mire në nivelin e shkrimeve se sa në atë audiovizionit dhe internetit. Kështu p.sh. anglo-amerikanët zenë më tepër se 87% të “cyberspace”, ndërsa frengjishtja vetëm 8%, spanjishtja 2%, etj. Pra, është imperative promovimi i një hapsire frankofone në fushën e teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit, duke respektuar vendin e frengjishtes në pluralizmin kulturor dhe duke inkurajuar bashkëpunimin ndërmjet hapësirave linguistike. Frengjishtja, gjuhë e diversitetit. Një nga avantazhet e mëdha të gjuhës frënge është diversiteti i saj. Ajo është një gjuhë që komunikon kulturat më diverse falë përhapjes së saj në pesë kontinente, duke lidhur universe aq të ndryshëm si Europa, Afrika, Lindja e mesme, Amerika veriore, Karaibet, Azia-Pacifiku.
Duke grupuar vende të ndryshme dhe aktorë të shumtë të kulturave, traditave dhe besimeve të ndryshme, Frankofonia pretendon të jetë një pikëtakim mes kulturave të ndryshme dhe një lehtësues i dialogut të kulturave si një element thelbësor në marrdhëniet mes popujve dhe kombeve. Në këtë optikë, në Tetor 2001, në Bejrut të Libanit, u zhvillua Samiti i IX i Frankofonisë me temë “ Dialogu i Kulturave”. Eshtë i paneglizhueshëm fakti që Frankofonia është një mjedis që po mundohet të rezistojë e të mbrojë idenë që kultura të mos jetë thjesht një mall që trajtohet si gjithë të tjerët, por të ketë një konsiderate të veçantë në një botë gjithnjë e më të globalizuar dhe me një liberalizim të përshpejtuar. Presidenti Shirak është shprehur se “kultura nuk duhet gjunjëzohet para tregëtisë”. Më tepër se 20% e këmbimeve tregtare sot kanë të bëjnë me këmbimet kulturore, gjysma e të cilave i takon vendeve frankofonë. Frankofonia përgatiti kontributin frankofon lidhur me projektin e një konvente ndërkombëtare mbi diversitetin kulturor. Adoptimi, kohët e fundit nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, i një resolute në favor të përpunimit të kësaj konvente shënon vetëm fillimin e një proçesi që do të kurorëzohet pas dy vjetëve me adoptimin përfundimtar të saj.
Dokumenti i parë në frengjisht i gjetur në Shqipëri është i vitit 1614 dhe ruhet në Arkivin Qendror, ndërsa kontaktet gojore me gjuhën franceze datojnë qysh prej vitit 1272, kur Mbretëria e Napolit dhe e Shqipërisë drejtoheshin nga Karli Irë Anjou, vëlla i mbretit të Francës. Revolucioni francez shënoi kthesën e madhe në lidhjen e shqiptarëve me Francën. Të frymëzuar nga idealet e « Lumières », një pjesë e madhe e elitës intelektuale shqiptare i bazoi atje refleksionin dhe angazhimin e saj politik për pavarësi. Studentë të vjetër të Sorbonës si Hoxha Tasim, Said Toptani, Pashko Vasa e Sami Frashëri, qenë në krye të Rilindjes sonë kombëtare. Gjatë luftës së parë botërore, Armata e Lindjes (L’Armée de l’Orient) kaloi nëpër Shqipëri dhe themeloi « Republikën franceze të Korçës », si dhe ngritjen e një liceu francez. Në periudhën 1920-1940, legjislacioni shqiptar ekzistonte në dy gjuhë, shqip dhe frengjisht, me qëllim afrimin e legjislacionit të dy vendeve. Gjatë kësaj periudhe studentë të shumtë ktheheshin në atdhe pas mbarimit të studimeve në Francë dhe nga liceu i Korçës do të dilte një pjesë e konsiderueshme e elitës shqiptare. Deri në vitin 1945 e gjithë korrespondenca me vendet e huaja shkruhej në frengjisht. Pas prishjes me kampin socialist, destinacioni kryesor për studentët shqiptarë ka qenë Franca, e cila në vitet 1960-90 favorizoi këtë hapje duke akorduar mjaft bursa studimi. Në sitemin tonë shkollor frengjishtja ka qenë një nga gjuhët kryesore dhe vazhdon edhe sot të konsiderohet si gjuhë e dytë, pas anglishtes. Këtij sistemi i shtohet edhe ai i Aleancës franceze i përfaqsuar nga 3 antena për mësimdhënien e frengjishtes në Tiranë, Korcë, Elbasan, Shkoder, Fier, Vlorë, Gjirokastër, si dhe shkolla private në gjuhë frënge « Viktor Hugo » në Tiranë. Gjuha franceze në Shqipëri, nëpërmjet mësimit dhe praktikimit të saj, ka shansin të promovohet nga një nivel shumë i mirë profesional i mësuesve të frëngjishtes dhe nga një kontekst bashkëpunimi kulturor historikisht i favorshëm. Aktualisht në Shqipëri numurohen mbi 700 mësues të frëngjishtes që bëjnë pjesë në në Shoqatën e mësuesve të gjuhës frënge të Shqipërisë. Një delegacion i kësaj shoqate mori pjesë për herë të parë në punimet e Kongresit të X-të të federatës botërore të mësuesve të frengjishtes në Paris, Mars 2000. Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik aderojnë në Agjensinë Universitare Frankofone dhe janë të binjakëzuar me universitete frankofonë. Aktualisht, rreth 35% e profesorëve të Universitetit të Tiranës janë formuar ose specializuar në universitete frankofonë. Marrdhëniet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve frankofone janë intensifikuar pas rënies së diktaturës komuniste. Artistë të shumtë shqiptarë, shkrimtarë, piktorë, muzikantë, këngëtarë, kanë paraqitur veprat e tyre më të mira në disa vende frankofonë. Këto dhjetë vjetët e fundit disa ansamble shqiptarë kanë marrë pjesë në manifestime kulturore ndërkombëtare si France, Kanada, Zvicër. Kështu, për herë të parë një delegacion sportivo-kulturor i Shqipërisë, mori pjesë në Lojrat e IV-ta frankofone në Ottaëa-Hull të Kanadasë, korrik 2001. Duhen përmendur këtu aktivitetet kulturore dhe kontaktet me institucionet kulturore zviceriane nëpërmjet fondaciont zvicerian «Pro-Helvetia » në Tiranë. Eshtë për t’u shënuar edhe një numur i madh aktivitetesh letraro-kulturorë dhe artistiko–muzikorë frankofonë si dhe një evoluim i peisazhit mediatik frankofon në Shqipëri (RFI, TV5, bashkëpunim i televizioneve shqiptarë me Canal France International, krijimi i mediatekës Thoma Turtulli në Korce, etj). Janë përkthyer në shqip shumë autorë frankofonë dhe në frengjisht disa autorë shqiptarë. Mund të krenohemi me kontributet që i kanë sjellë letërsisë frënge të këtij shekulli shkrimtarët tanë, ku mjafton të kujtojmë të madhin Kadare, por dhe të tjerë si Jusuf Vrioni, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj, etj. Filmat shqiptarë « Slloganet » i Gjergj Xhuvanit dhe « Tirana Viti zero » i Fatmir Koçit kanë fituar çmime ndërkombëtarë frankofonë duke i bërë nder frankofonisë shqiptare. Krijimi i një Forumi kombëtar frankofon biznesi po favorizon një politikë aktive në drejtim të vendeve frankofonë në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe në favor të një partneriteti ndërmjet ndërmarrjeve frankofone.
Me kërkesë të Qeverisë Shqiptare, në Samitin e Monktonit ( Kanada ) Shtator 1999, Shqipëria është pranuar “membre associé” në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, ndërsa më 30 Nëntor 1999 në Paris, është pranuar antare e Agjensisë Ndërqeveritare të Frankofonisë. Antarësimi shqiptar në Frankofoni mbështetet në llogjikën e mëposhtme : -Frankofonia promovon zhvillimin e gjuhës dhe kulturës frënge si dhe gjithë rrjetit arsimor të lidhur me të.
-Frankofonia ka si objektiv të ndihmojë vendosjen dhe zhvillimin e demokracisë, parandalimin e konflikteve dhe mbështetjen e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. -Frankofonia luan një rol të rëndësishëm në intensifikimin e dialogut të kulturave dhe civilizimeve, që përbën një element të rëndësishëm, dhe ndofta të domosdoshëm për afrimin e popujve dhe nxitjen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pjesmarrja e vendit tonë në këtë dialog implikon respektin e identiteteve të ndryshme si dhe promovon gjetjen e vlerave të përbashkëta. -Frankofonia po afirmohet në mënyrë progresive në botën politiko-diplomatike, duke bashkëpunuar me OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe duke marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të rëndësishme. Pjesmarrja e Shqipërisë pasqyron interesin e saj në drejtim të politikës së hapjes dhe bashkëpunimit shumëpalësh. Në këtë kontekst, bashkëpunimi dhe partneriteti frankofon i shërben edhe forcimit të lobing-ut në favor të vendit tonë në organizatat ndërkombëtare. Duhet të kemi parasysh se komuniteti frankofon, në të cilin bëjnë pjesë rreth 60 shtete, përbën rreth 1/3 e vendeve antarë të OKB-së, që duhet të konsiderohet e rëndësishme në raste rezolutash apo votimesh. -Takimet, konferencat dhe samitet e Frankofonisë janë forume “par excellence” që krijojnë mundësi takimesh me personalitete të shteteve që konsiderohen me peshë për prioritetet e politikës sonë të jashtme dhe rajonale, vende të BE-së si Francë, Belgjikë, Luksemburg, vende të rajonit ballkanik si Bullgari, Rumani, Maqedoni, si dhe të shteteve me poteciale ekonomikë-politikë si Kanada, Zvicër, etj.
Megjithë kontekstin e një bashkëpunimi gjuhësor-kulturor historikisht të favorshëm, përballë konkurencës aktuale anglo-saksone, italiane dhe greke, si dhe për faktin që komuniteti i huaj frankofon dhe investimet frankofone në Shqipëri janë jo domethënës, parametrat frankofonë e kanë të vështirë progresin e tyre pa praninë ekonomike-kulturore të Francës. Do të duhet të ndiqet një politikë volontariste franko-shqiptare, si hapja e një qendre kulturore franceze në Tiranë , ruajtja në mënyrë të detyrueshme e frëngjishtes si gjuhë e dytë në sistemin tonë shkollor , zhvillimi i qendrave të aleancës franceze dhe i rrjetit mësimor dygjuhësh në gjithë vendin, promovimi i rregjistrimit të nxënësve shqiptarë në universitetet francezë, të cilët kanë proçedura liberale pranimi pa pagesë. Pa këtë politikë strategjike në favor të Frankofonisë, e kondicionuar nga niveli i marrdhënieve dypalëshe Francë-Shqipëri, elita intelektuale shqiptare do ta ketë të vështirë t’i transmetojë gjeneratës së re dashurinë për një koncept, të cilin ajo ka filluar ta perceptojë me vështirësi. Megjithatë, ndonse masat e mësipërme do të influenconin pozitivisht, ato kurrsesi nuk do të mund të garantonin një progres të sigurtë, sepse përhapja e një gjuhe dhe e një kulture ndjek një tjetër llogjikë nga ajo e vullneteve politikë. Ato përhapen natyrshëm me mënyra të tjera: me kulturat materiale, industrialo-teknike, me tregëtinë, me rrezatime personale të autorëve, artistëve, këngëtarëve, etj. Në shoqërinë tonë post-komuniste, duke qenë se shteti heq dorë nga roli i tij si « prescripteur » në fushën e politikave gjuhësore, i takon shoqërisë civile të ndërtojë argumentime të reja në favor të gjuhës franceze.
Me rastin e 20 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë, dëshirojmë të urojmë të gjithë frankofonët shqiptarë. Ndërkaq, një mendim dhe nderim i veçantë shkon për të gjithë ata si Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Sotir Caci, Vandush Vinçani e shumë të tjerë, që aq bukur dhe me aq finesë kanë ditur të kultivojnë lidhjen e gjuhës shqipe me atë frënge, si dhe për më të rinjtë që vazhdojnë me mund dhe pasion ta ruajnë këtë traditë të mrekullueshme.