Libri Ali Tepelena nga Fransua Pukëvil (Francois Pouqueville)

Albforumi

Primus registratum
Libri Ali Tepelena nga Fransua Pukëvil (Francois Pouqueville)

“Ai që nuk mbron dot pronën e vet, e meriton t’ia rrëmbejnë të tjerët. ”

ali-pashe-pouqueville-v.gif
…Kjo ekspoze më shtyn të vendos në planin e parë të tablosë sime një njeri që sundoi për një kohë të gjatë në Greqi dhe që e mbushi skenën deri në atë shkallë, saqë Greqia u përgatit për fatin e vet të lartë nën hijen e ambicies së këtij tirani.

Do të hyjë në tregimin tim gjithë ajo që arriti të bëjë gjenija fatale e një skithi muhamedan, i cili kalkulimet e arsyes i përdorte vetëm për të turbulluar rendin publik; kurse talentet e jashtëzakonshme me të cilat e kishte pajisur një natyrë e egër, për t’u ngjitur, krim pas krimi, në rangun e sovranëve, të cilët arrinte t’i sfidonte si i barabartë mes të barabartëve.

Një përzierje mendjehollësie dhe injorance, naiviteti dhe pabesie, maturie dhe kuturisjeje, trimërije dhe vetëruajtjeje, mizorie dhe bestytnije, tolerance dhe fanatizmi; kam për të treguar se si Ali Tepelenë Veli Zadeja, si krijoi një nga ato famat e përbindshme që kanë për të jehuar gjatë në të ardhmen, erdh u rrokullis nga maja e pushtetit teposhtë, duke i lënë Epirit, atdheut të tij, trashëgiminë ogurzezë të anarkisë, dinastisë tartare të osmanllinjve të këqija që s’llogariten, grekëve shpresat e lirisë dhe Europës tema ndoshta afatgjate grindjesh dhe mosmarrëveshjesh.

I panjohur ashtu si dhe farërat e pavarësisë që po mugullonin në Greqi, Ali Tepelena lindi së bashku me to aty nga viti 1740….

Ai thosh se rridhte nga një familje e moçme e Azisë së Vogël, i pari i së cilës i quajtur Isa ose Jezu, pat kaluar në Epir bashkë me hordhitë e Bajazit Ilderimit; mirëpo nuk përmend asnjë titull që të përligjë origjinën e vet.

Gjurmimet që kam ndërmarrë për të nxjerrë prejardhjen e tij ma tregojnë më tepër vendas sesa aziatik, pasardhës shqiptarësh të krishterë që përqafuan muhamedanizmin pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit.

Ky fakt duket pozitiv; kurse sa për gjenealogjinë e tij, që zbret deri në fundin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, ajo do të kishte mbetur pa ndonjë interes sikur ambicja e tij të mos e ngjiste përpjetë në shkallët e famës.

Myftari, gjyshi i Aliut, thuhet se gjeti vdekjen në shpeditën e turqve kundër Korfuzit, të cilin e pat shpëtuar nga furia e të pafeve zotësia e mareshalit dë Shulemburg. Kur vdiq la tre djem, nga të cilët më i vogli ishte Veliu, babai i satrapit të Janinës, njërit nga personazhet kryesorë të kësaj historie.

Veli beu, një i humbur mes turmës së mtonjësve të kurorës, bashkë me të vëllezërit që kishin lindur në qytetin e vogël të Tepelenës, zotëronin në periudhën për të cilën po flas të ardhura vjetore prej gjashtë mijë piastrash, çka ishte atëherë e barabartë me njëzet mijë franga nga monedha jonë.

Këto të ardhura ishin goxha të mëdha asokohe për kokë, pasi ushqimet gjendeshin me çmime fare të ulta; por qenë të pamjaftueshme për bejlerët që pajtonin luftëtarë me armë, që duhej të ushqenin kuaj e shërbëtorë të shumtë; ndaj dhe familja shumë shpejt nisi të përçahej për punë interesi.

Dhe meqë grindjet familjare rrallëherë përfundojnë pa dhunë në një vend që qeveriset nga mallkimi më i rëndë, juridiksioni i kordhës private, vëllezërit rrokën armët.

Dy më të mëdhenjtë Saliu dhe Mehmeti u lidhën së bashku për të dëbuar Veliun e lindur nga bark skllaveje, që u detyrua ta lëshonte atdhenë dhe ta kërkonte fatin gjetiu me zejen e kalorësit arratiak shqiptar, i quajtur popullorçe edhe hajdut i rrugës së madhe.

Si bëri disa vjet punën e banditit, Veli beu, i pasuruar me këtë zanat dhe i përforcuar me një bandë të rreptë kaçakësh, u shfaq krejt papritmas para Tepelenës. Kapërcimi i lumit të Vjosës, përshkimi i qytezës nga kreu në fund dhe shtytja e të vëllezërve nën çatinë prindërore ishte çështje minutash.

Më kot u munduan këta, rrasur pas barrikadash, që të qëndronin. Veliu shpërtheu portat dhe i ndoqi të dy deri në një qoshk të shtëpisë, së cilës pastaj i vuri zjarrin, duke u marrë shpirtin kësisoj mes flakëve dy vëllezërve të vet, atyre që pa asnjë dyshim do të kishin bërë me të të njëjtën punë sikur ai t’u kishte rënë në dorë.

Pas kësaj shpedite Veli beu, zot i gjithë kamjes familjare, i pasuruar edhe me plaçkën e grabitur karvaneve në gjithë ata vjet, u bë aga i parë i qytetit të Tepelenës, ku erdh e u vendos duke hequr dorë nga zanati, sidoqoftë i rrezikshëm, i kalorësit arratiak. E kishte tanimë një djalë prej një robine, që pas pak kohe e bëri rishtas baba me një mashkull të dytë dhe me një vajzë.

Megjithë këtë vijë të siguruar, e aftë për trashëgim, mendoi të lidhej me një nga familjet e para të vendit duke bërë martesë me kurorë. Kështu, kërkoi dhe fitoi dorën e Hankos, vajzë e një beu të Konicës, lidhje që e vinte në krushqi me familjet kryesore të Toskërisë, mbi të gjitha me Kurt pashën, vezirin e Beratit, për të cilin thuhej se zbriste nga raca fisnike e Skënderbeut.

Brenda pak vjetësh nusja e re i dhuroi Veli beut Aliun dhe Hajnicën, të cilët do t’i ndeshim në ngjarjet tragjike që pllakosën Epirin. Pas kësaj kohe Veli Tepelena, që të mos i harronte krejt doket e vjetra, dëfrehej duke grabitur herë pas here deshër e cjepër e duke hapur sherre me fqinjët, punë këto që i shkaktuan humbjen e një pjese të pasurisë.

E kapi pastaj një sëmundje që thuhej se ia shpifën teprirat në orgji, dhe vdiq në moshën dyzetepesëvjeçare, duke lënë pas pesë fëmijë, mes të cilëve edhe Aliun dhe Hajnicën që ishin ende në moshë të njomë.

Këto hollësi, të cilat i kam dëgjuar nga vetë vezir Aliu së bashku me faktet më kryesore të jetës së tij, i kam të vërtetuara edhe nga goja e një njeriu që e ka ndjekur që prej fëminie.

Është fjala për Jérome de la Lance, një bujar savojas, të cilin një ngatërresë fatkeqe e pat detyruar të lëshojë vendin e vet e të gjejë strehë pranë Veli beut. E kam njohur në vitin 1806 atë plak thuajse njëqindvjeçar, i cili bënte punën e mjekut në Janinë, ku edhe vdiq.

“Shpirti i tij i trazuar, më tregonte ky plak, dukej më së miri në të dalë të haremit; sepse i shihej aty një temperament i rrëmbyer dhe një gjallëri që është e pazakonte ndër turqit e rinj, natyrisht kryelartë dhe e vetëpërmbajtur. Sa arrinte të shkëputej pak nga shtëpia prindërore, merrte vrapin ndër male ku endej mes borërave dhe pyjeve.

Sa kokëfortë aq dhe i prapë, i shpëtonte nga duart mësuesit të vet të cilin e nëpërkëmbte edhe kur e kish të sigurt se do të hante dënim. Vetëm në vitet e adoleshencës, pasi humbi babanë, mësoi të lexonte dhe u duk sikur po zbutej.

Atëherë dashuria iu kthye për nga e ëma; iu nënshtrua kështu vullnetit të saj të thjeshtë dhe s’njohu më rregull tjetër veç këshillave të saj. Ajo i mësoi, mbi të gjitha, që t’i urrente vëllezërit e vet të një gjaku, duke nxitur në kraharorin e tij pasionet idhnake që do ta gërryenin më pas.”

Për sa kohë kish qenë gjallë Veli beu, Hankoja linte përshtypjen e një femre të zakonshme; mirëpo sa pa i mbyllur sytë mirë i shoqi, hoqi dorë aty për aty nga zakonet e seksit të vet, braktisi furkën, shqeu duvakun dhe, mu si një amazonë e re, rrëmbeu armët me pretendimin se duhej të mbronte të drejtat e fëmijëve të saj; mblodhi përreth ithtarët e të shoqit, që i joshi me hiret e veta korruptonjëse; ia mbërriti kështu, pak e nga pak, të afronte gjithë ç’kish Toskëria burra imoralë e të rrezikshëm.

Popullatat fqinje të Hormovës dhe të Kardhiqit, të alarmuara nga ky ndikim i jashtëzakonshëm i një gruaje, të trembur se mos humbnin pavarësinë e tyre, nisën të gatiten që ta luftonin hapur zonjën krenare të Tepelenës, e cila u doli përpara duke e shpallur vetë luftën.

Menjëherë pas këtij vendimi u pa në krye të bandave të saj, ballë për ballë rreziqeve, aty-këtu duke luftuar, por më shumë duke thurur intriga pa fund, gjersa një ditë, e lënë në baltë nga fati, ra në një pusi të armiqve të vet, që e hoqën zvarrë bashkë me dy fëmijët, Aliun e Hajnicën, në burgjet e Kardhiqit, fitore kjo tepër fatale për ngadhnjyesit, siç do të dalë më pas në këtë histori.

…Si e fitoi përsëri lirinë, Hankoja nuk u përzie më në luftërat civile të Epirit. Tanimë e përpinte të gjithën çështja e ngritjes më këmbë të pasurisë, pa harruar tabiatet e shthurura të jetës së vet.

E rriti Aliun e vogël me frymën e shpagimit, e edukoi me ato urtësi të frikshme që do t’i tregonin rrugët e fatit në jetë, si p.sh.: biri im, ai që nuk mbron dot pronën e vet, e meriton t’ia rrëmbejnë të tjerët.

Mos harro që malli i botës është i botës vetëm pse ata që e kanë janë të fortë; po arrite t’ua marrëç, është yti. Me këshilla të tilla të mbrapshta mbruajti cubërinë në gji të të birit, duke i përsëritur orë e çast se suksesi ligjëron gjithçka.

Aliu, që ka qejf të rrëfejë hollësira nga jeta e vet, gjallërohet shumë kur flet për këtë lloj edukimi fillor: “Nënës sime i detyrohem për gjithçka, më thoshte një ditë, sepse im atë, kur vdiq, një vrimë më la dhe ca pak fusha.

Fantazia ime e ndezur nga këshillat e asaj gruaje që më fali dy herë jetën, sepse ajo më bëri burrë dhe vezir, më zbuloi të fshehtën e fatit tim. Qysh nga ajo kohë Tepelenën e shihja vetëm si një vendlindje, prej nga duhej të lëshohesha për t’iu vërsulur gjahut që përpija në mendimet e mia.

Ëndërroja vetëm pushtet, thesare, pallate, në fund të fundit atë që kohërat e kanë bërë jetë dhe më premtojnë akoma, sepse pika ku ndodhem sot nuk është ende fundi i shpresave të mia.”

Me ç’shpresa të tjera ushqehej vallë Aliu, i ngritur ndërkohë në pikën më të lartë të madhështisë ku mund të ngjitej një individ? Ky ravgim më shpie në gjurmimin e pikënisjes së tij, atje ku ai mori ngjitjen lart nëpër karrierën e ambicies.

Postshënim:

“Ali Tepelena: Historia e vezirit të tmerrshëm“, nga Fransua Pukëvil (François Pouqueville) nën shqipërimin e Ardian Klosit, pajisur me një pasthënie të gjatë prej tij. Është biografia kyçe e historianit frëng për vezirin e Janinës, botuar për herë të parë më 1825, si gjysma e parë e veprës së tij në tri vëllime “Historia e ringjalljes së Greqisë”.

Prej saj u nisën gjithë shkrimtarët, historianët, artistët e mëpasëm që vunë në qendër figurën e Aliut ose episodet e ndryshme rreth karrierës së tij. Mjerisht në Shqipërinë komuniste dhe paskomuniste kjo vepër e Pukëvilit u quajt si “jo dashamire ndaj shqiptarëve”, “me mllefe kundër Ali Pashës” etj. dhe nuk arriti deri më sot të shohë dritën e botimit.

Në disa numra do të botojmë nga Pukëvili portrete të Ali Tepelenës në periudha të ndryshme të jetës së tij, shoqëruar me fragmente nga pasthënia. Jetuan gati 9 vjet pranë e pranë, të vëmendshëm, dyshues, pa ia hequr sytë njëri-tjetrii Veziri u trembej letrave të konsullit dhe zotërisë së tij, perandorit, konsulli u trembej kurtheve dhe vrasësve të vezirit.

Veziri admironte fuqinë që fshihej prapa konsullit, Bonapartin e madh, pushtuesin e Europës, konsulli magjepsej nga errësirat që fshihte shpirti i tiranit. Veziri shpresoi ta përdorte në makinacionet dhe kombinimet e tij, pa sukses, konsulli u betua se do t’ia tregonte gjithë botës karrierën e tij gjakatare, me sukses, vetëm se më pas, atëherë kur koka e tij qe porositur për në Stamboll.

Pa Fransua Pukëvilin Ali Tepelena do të kishte mbetur një nga ata sundimtarët e Orientit që bëjnë emër sa janë gjallë, shkaktojnë edhe tërmete, pastaj i përpin historia. Do kishte mbetur diku në një varg të Bajronit ose në shënime ekzotike udhëtarësh europianë.

Kurse biografia që Pukëvili nisi ta botonte qysh në gjallje të pashait e që e mbylli të plotë 3 vjet pasi koka e tij u ekspozua në Bab Humajum, që u përkthye në gjuhët kryesore europiane me një shpejtësi prej shekulli 21, i dha një famë që mbajti me dhjetëvjeçarë të tërë. Ajo u ngacmoi fantazinë disa prej penave më të mëdha të kohës, Hygoit, Dymasë, ajo dha lëndë për vepra skenike ose për tablo madhështore të cilat mund t’i kundrosh edhe sot në galeritë e Luvrit.

Krahasimi mund të bëhet vetëm me një figurë tjetër shqiptari, tre shekuj e ca më parë, atë të Skënderbeut, vetëm se në drejtim të kundërt: Barleti, biografi i Gjergj Kastriotit, i dha Europës shembullin frymëzues të heroit të krishterë që është në gjendje ta pengojë vërshimin osman, kurse Pukëvili, biografi i Ali Tepelenës, i tregoi kontinentit shembullin tmerrues të tiranit oriental që s’ndalet para asgjëje në karrierën e vet, e që pastaj papritur bëhet pishtari që i vë flakën perandorisë së tij.

Vepra e Pukëvilit u mirëprit kudo, vetëm në vendin e lindjes së protagonistit të tij jo, sidomos pas Luftës së dytë botërore dhe ngritjes në Shqipëri të një historiografie të vetme, me vendosjen e një diktature të vetme. Edhe pse qëndrimi ndaj Aliut nuk u shpreh në mënyrë krejt eksplicite si në rastin e Skënderbeut ose rilindasve e të tjerëve, u nënkuptua se ai ishte një figurë e shquar e kombit. U përkrah botimi i disa veprave zbukuruese për të, dalëngadalë në vitet 70 e 80 u poq edhe qëndrimi zyrtar i historiografisë që thoshte pak a shumë se Ali pashë Tepelena punoi për një pashallëk të pavarur shqiptar, i nënkuptuar gati si pararendës i pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë frymë as që mund të mendohej botimi i biografisë së parë dhe kryesore për të, asaj të Pukëvilit.

Njëkohësisht u përhap opionini, përsëri zyrtar, se Pukëvili nuk kishte qenë dashamirës ndaj shqiptarëve dhe se kishte shtrembëruar faktet historike. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas vitit 1991, megjithë liberalizimin e botimeve. Me sa duket biografia e Ali Tepelenës nga Pukëvili ka qenë kafshatë e fortë edhe për periudhën e pluralizmit të mendimeve. Çka tregon edhe një herë se e kemi vështirë të merremi haptas me historinë tonë, me ngjarje dhe fakte që mund të luhatin skema të ngulitura nëpër koka prej kohësh. - Ardian Klosi

Postime të tjera me interesVjen në shqip Dielli i Skortave nga Laurent Gaude (0)Zbuloni librat e Profesor Kristo Frashërit (0)Britania dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia (3)Cështja dhe historia shqiptare parë nga të huajt (0)Librat më të shitur gjatë vitit 2008 (16)
ShtepiaeLibritBlog

ShtepiaeLibritBlog

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shtepiaelibrit.com/blog/?p=1210. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shtepiaelibrit.com/blog/?p=1210

Top