Re: Letersia angleze e '800.
Ja dicka qe lexova sot tek Shekulli /pf/images/graemlins/smile.gif
Ribotohet pas 30 vjetësh vepra e Çarls Dikens me plotësimin dhe redaktimin e shqipërimit të Vedat Kokonës
“David Koperfildi”, udhëtimi i fundit i Kokonës
Kornelja Shima
Midis veprave më në zë të letërsisë botërore të përkthyera në shqip, “David Koperfildi” i Çarls Dikensit ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë artistike të përkthyer, dhe mbetet një ndër romanet më të lexuara.
Është pikërisht ky roman që e mahniti lexuesin shqiptar në shqipërimin e tij të parë nga anglishtja, bërë nga mjeshtri i përkthimit, prof.Vedat Kokona në vitin 1960.
Ai bëri të mundur që Dikensi të flasë shqip, duke i dhënë kështu kulturës së atëhershme të persekutuar shqiptare, pasaportën e madhe të letrave. Me një gjuhë të pasur, të pastër e të zhdërvjelltë, duke vënë në jetë potencialin e vet kulturor e artistik, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mënyrat e shqipes, ne ndiejmë bukurinë, forcën përshkruese të veprës monumentale të Dikensit.
Pas dy botimesh (i pari në vitin 1960 dhe i dyti në 1974) ky roman vjen sërish për lexuesin shqiptar në një ribotim të ri i cili sapo ka dalë në qarkullim. Përkthimi është po ai, me ndonjë saktësim, plotësim e redaktim më të mirë të shqipërimit, krahasuar ky, edhe me botimin e tij të parë.
Ribotimi i “David Koperfildit” ndihmon për të njohur e studiuar më mirë veprën e Dikensit, e cila përbën një univers më vete, me tipa të shumtë e të ndryshëm, të skalitur me mjeshtëri, me ngjarje tronditëse që lënë mbresa që nuk shlyhen lehtë nga kujtesa e lexuesit. Po cili ishte Dikensi dhe ç’përfaqësonte vepra e tij. Lindur në vitin 1812, bir i një nëpunësi të vogël, fëmijëria dhe rinia e Dikensit, kaluan në lagjet më të varfra të Londrës, ku ai njohu kontrastet e mëdha të këtij qyteti, e mbi të gjitha mjerimin e anës lindore të tij, çka la gjurmë të thella tek Dikensi i ri. Që në moshën 16 -vjeçare, i privuar nga ëndrra e tij për arsimin për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes, ai filloi jetën si shkrues e pastaj si agjent në një zyrë avokati. Më vonë u bë skenograf e më tej reporter i Dhomës së Komnneve-----------------. Më vonë vendosi të provojë forcat në fushën e letërsisë artistike, duke shkruar njëra pas tjetrës skica të vogla nga jeta e Londrës, të cilat i mblodhi më pas dhe i botoi nën titullin “Skicat e Bozit”, të cilat patën një sukses të madh. Në fund të vitit 1836 Dikensi fitoi një popullaritet të madh me botimin e “Ditari i klubit të Pikvikut”. Lavdia rritet më tej me tregime si “Vdekja e pijaneces”, “Velloja e zezë”, “Vizita e burgut Njuget” të cilat u përmblodhën më vonë në vëllimin e parë të veprave të Dikensit.
Pas vitit 1848 kur në Francë kishte plasur revolucioni, Dikensi botoi romanin “Jeta e David Koperfildit, ashtu siç e ka treguar ai vetë”. Romani është pak a shumë autobiografik dhe është quajtur me të drejtë si një nga veprat më të shquara të këtij shkrimtari realist anglez.
Në figurën e heroit kryesor të romanit, David Koperfildit, autori zbulon shumë tipare e ngjarje të jetës së vet. Nuk është e rastit që Dikensi ka marrë për të treguar historinë e Davidit që nga lindja e gjersa arrin në moshë të pjekur. Kjo e ka ndihmuar autorin për ta paraqitur karakterin e heroit në zhvillim duke treguar luftën e Davidit kundër fatkeqësisë së jetës. Përkrah figurës kryesore të romanit, David Koperfildit, gërshetohen figura të tjera të goditura, të cilat skaliten me mjeshtëri të rrallë nga autori, që bëhen të dashura a të urryera, por gjithsesi mbeten të pashlyeshme në kujtesën e lexuesit. Ato përfaqësojnë grupe të ndryshme shoqërore të Anglisë së mesit të viteve 1800. Personazhe si Pegoti e familja e saj, Mikoberi, Hemi, Emili vogëlushja janë skalitur me mjeshtëri të rrallë, por pa harruar atë që mbahet si personazh mbi personazhet, shegertin Uriah Hipi.
Por një mbresë veçanërisht të dhimbshme lë për lexuesin dashuria e parë e Davidit, dashuria për Dorën. I goditur nga kjo dashuri që në takimin e parë ai thotë: “Për mua ajo nuk ishte njeri si gjithë të tjerët në këtë botë. Ishte një Zanë, një Silf, nuk e di se ç’ishte-diçka të cilën nuk e kishte askush, por të cilën e dëshironim të gjithë. Brenda një grimë, gremina e dashurisë qe hapur e më kishte gëlltitur.”
Por martesa e tij e parë e pasukses-fatkeqësi reale e jetës-la gjurmë në shpirtin e heroit.
Eshtë karakteristikë e veprave të Dikensit që fatkeqësitë personale të heronjve të tij shpërblehen me një fund të lumtur, siç ndodh për shembull me heronjtë tek “Nikolla Nikëlbi”, “Dombi dhe i biri”, “Martin Çezëlluit”, etj.
Rikthimi tek Anjeza, e cila me zërin e saj të bukur e të qetë e pushton më në fund zemrën e Davidit dhe arrin të ketë një ndikim frutdhënës gjatë gjithë jetës së tij. Siç thotë vetë Davidi “atje ku është Anjeza është mirësia, paqja dhe e vërteta”.
Do të doja t’i mbyllja këto radhë, pikërisht me ato që Davidi thotë për Anjezën në fund të romanit: “O Anjezë, o shpirti im, kështu ta pafsha fytyrën pranë meje edhe atëherë kur t’i mbyll sytë përgjithmonë! Edhe atëherë kur sendet e kësaj bote do të zhduken nga sytë si hijet që po veniten tani, të pafsha pranë meje!”
*Redaktore e romanit “David Koperfild” dhe Fjalorit frëngjisht-shqip të Vedat Kokonës
Bija Kokona: Ribotojmë veprat 30 -vjeçare
Duke marrë shkas që janë vepra të përkthyera 30-40 vjet më parë ato të prof.Vedat Kokonës, bija e tij Mirvjen Kokona ka bërë qëllim botimin e tyre nga shtëpia botuese “Kokona”. Sipas bijës Kokona, vepra në fjalë “David Koperfild” ishte e nevojshme të ribotohej edhe pse me një tirazh 500 kopje, pasi pas 30 vjetësh atë nuk e gjeje në qarkullim dhe lexuesi e kërkonte. Mirvjen Kokona ka marrë përsipër botimin e veprës së atit të njohur e të panjohur dhe në këtë sipërmarrje ajo preferon të ecë ngadalë dhe të jetë e matur. Gjatë ditëve të Panairit të Librit “Tirana 2003” ajo hodhi në qarkullim një vepër të re “Mbi përkthimin, me përkthimin” një traktat mbi përkthimin nga një mjeshtër i këtij zanati si Vedat Kokona. Në këtë vepër didaktike,
janë përfshirë poezi dhe prozë, përkthime nga gjuhët “e mëdha” anglisht, frëngjisht e rusishtja, gjuhë prej të cilave Kokona ka sjellë në shqip shumë vepra.
Në projektet e afërta të Mirvjen Kokonës janë pikërisht ato vepra që tashmë kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë botërore, përkthime të të atit. Vitin e ardhshëm ajo ka projektuar botimin një serie përrallash, “Stuhi në Gangë” e nobelistit indian Rabindranat Tagora, përkthyer 40 vjet më parë, si dhe “Gobsekun” e Balzakut.
Ndërsa për botimin e dorëshkrimeve të panjohura të Vedat Kokonës, Mirvjen shprehet e rezervuar, se edhe nga ajo lëndë ajo pret të botojë në një të ardhme të afërt.
15/11/2003
Marre nga:Shekulli.com.al