Leter Pangallosit
Letër nga Shqipëria
I nderuari zotëri Teodor Pangallos,
Mbase nuk e dini fare se kush jam. Unë e di kush jeni dhe çfarë posti keni pasur në qeverinë e Greqisë. Tani mësova me shumë kënaqësi dhe me mjaft habi se keni deklaruar publikisht që jeni arvanitas. Edhe jemi takuar bashkë, pavarsisht se mund të mos mbani mend. Kam pasur rastin ( nuk po them “dhe kënaqësinë” që të mos mendoni se tani po filloj nga hipokrizitë) të takohem me ju kur ishit ministër i puënve të jashtëme të Greqisë dhe keni qenë në Tiranë në delegacionin e kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, presidenti i Greqisë Kostis Stefanopullos, për vizitë shtetërore në Shqipëri në mars të vitit 1996.
Gjatë asaj vizite presidenti i Greqisë dhe ju patët mirësinë të prisnit me radhë, përfaqësuesit e 8 partive politike shqiptare.
Partia e tetë në këto takime ishte ajo e “Rimëkëmbjes Kombëtare Shqipëtare”, delegacionin e së cilës e kryesoja unë. Mbase ju nuk ju interesojnë më këto takime, por unë ruaj mbresa të çmuara nga biseda që u zhvillua me atë rast. Një gazetë shqiptare “Dita Informacion:” e datës 24 mars 1996 këtë veprimtari të takimeve të delegacionit grek me partiakët e Shqipërisë e raportonte nën titullin “Baleta përballë Stefanopullosit sulmom dhe mbron...”. Unë do të kisha parapëlqyer që për saktësi, seriozitet dhe gjuhë diplomatike gazeta të kishte përdorur një titull më të goditur “Baleta flet sinqerisht për marrëdhëniet shqiptaro-greke”. Por gazetaria e re e Shipërisë edhe atëherë ishte disi provokuese ndaj politikanëve nacionalistë shqiptarë.
Në atë takim me sinqeritetin më të madh kam shprehur admirimin tim për presidentin grek, për ju e qeveritarët e Greqisë, për të gjitha qeveritë që ka pasur Greqia, duke u nisur nga fakti i pamohueshëm se të gjithë janë kujdesur në maksimum për t’u shërbyer interesave kombëtare greke, gjë që duhet të bëhet shembull për qeveritarët e funksionarët e shtetit shqiptar. Natyrisht në atë takim pati njëfarë nervozimi nga ju dhe ambasadori juaj në Tiranë, kur nuk ishim në një mendje se si duhet kuptuar e zbatuar reciprociteti në marrëdhëniet shqiptaro-greke, që duhet të jetë e vetmja bazë e sigurtë për zhvillimin fatlum të këtyre marrëdhënieve. Sot këto marrëdhënie janë gjymtuar, sepse janë futur në kallëpet më paradoksale që ka njohur historia, quhen marrëdhënie të shkëlqyera “miqësie vëllazërore” por në kushtet e “gjendjes së luftës”, të cilën Greqia vazhdon ta mbajë me Shqipërinë për më se 6- dhjetëvjeçarë.
Kur u ula në tryezën e punës të shkruaj këtë letër as zyrtare, as private, por gjithsesi politike vura përpara një sërë librash për referim. Në librin që mua më ndihmon shumë “Historia botërore. Një këndvështrim i ri”, shkruar nga profesori i Universitetit të Uellsit, Clive Ponting dhe botuar në Britani në vitin 2000 u ndala tek pjesa ku ai përmend “Luftën 100-vjeçare”, para disa shekujsh, në Europë midis Francës e Anglisë dhe “Luftën fetare 30-vjeçare” që u zhvilluar po në Europë nga viti 1618 deri në vitin 1648 ( Paqa e Vestfalisë). Në këtë luftën e dytë shumë shtete e minishtete europiane u përplasën pa kurrfarë rregulli si veturat në rast aksidenti automobilistik në autostradat e sotme moderne. E pra “Gjendja e Luftës” së pashpallur, të pazhvilluar dhe “të papërfunduar” midis Greqisë e Shqipërisë, që zgjat prej 60 vitesh, e ka kaluar dyfishin e kohëzgjatjes së luftës fetare 30-vjeçare në Europën e shekullit të XVII dhe po konkuron për rekord në kohëzgjatje me “Luftën 100-vjeçare”.
Ju, i nderuar Pangallos, keni qenë ministër i jashtëm i Greqisë në një qeveri të kësaj partie që është në fuqi edhe sot. A mendoni vallë se Greqia, që pretendon rol të veçantë në Ballkan, si qahja i Bashkim-beut Europian, ka vendosur vërtetë që “Gjendjen e Luftës” me Shqipërinë ta çojë deri në një cak kohor sa të kapërcejë kohëzgjatjen e “Luftës 100-vjeçare”? Greqia nuk e ka të vështirë ta bëjë këtë dhe Shqipëria s’ka si e ndalon këtë sepse qeveritë e pushtetet e të dy vendve janë shumë të kënaqur që po i japin botës një shembull unik të zhvillimit të “miqësisë vëllazërore ” edhe në “gjendje lufte”. Mos vallë kështu, në mënyrë kaq spartane, konceptohet në Greqi “miqësia luftarake” midis dy popujve fqinj?!
Ne në Shqipëri nuk kemi asnjë perceptim të qart për këtë. Por kemi një kryeministër, që ju patjetër e njihni, Fatos Thanas Nanon, që na ngushëllon e na mashtron me fjalët se “gjendja e luftës” me Greqinë qenka vetëm një relike e rrallë, që u dashka pranuar e toleruar në qafën tonë të vrarë nga zgjedhat e huaja, edhe si talisman që të mos na e zërë syri i keq “miqësinë vëllazërore” shqiptrao-greke të ndërtuar më shumë kujdes gjatë 25 viteve të fundit, pra qysh nga koha kur me ndihmën vëllazërore greke u “ftoh në prapanicë” miqësia e madhe shqiptaro-kineze.
Atëherë drejtuesit e politikës e të diplomacisë shqiptare u kthyen nga “miqësia shqiptaro-greke në gjendje lufte”, jo sepse ishin të prirur të respektonin mençurinë popullore shqiptare se “kur nuk ke më pulën, ha sorrën”, por sepse Greqia, zotëri Pangallos, kur kryeministër u bë Andreas Papandreu dhe ministër i jashtëm, Karolos Papulias, shpërtheu me një “stil të ri” ofensivën për ta bërë Shqipërinë një vasale greke, siç është sot. Në atë kohë ( viti 1987) diplomacia greke nuk e pati aspak të vështirë të mashtronte se u hoq “ligji i gjendjes së luftës”, sepse qeveritarët dhe shefat e diplomacisë në Shqipëri ishin shumë të gatshëm ta gëlltisnin për vete dhe t’ua servirnin shqiptarëve si dhuratë të ëmbël greke këtë mashtrim.
Kështu bënë dhe pushtetarët dhe shefat e diplomacisë së Shqipërisë në kohën e “tranzicionit demokratik”. Në vitin 1994 unë, si deputet, kërkova interpelancë me ministrin e jashtëm, Alfred Serreqi, të sqaronte nëse ishte hequr apo jo në Greqi “Ligji i luftës” me Shqipërinë. Para se ministri shqiptar të vinte në parlamënt reagoi ambasada e Greqisë në Tiranë nëpërmjet këshilltarit Failadhis. Ato që deklaroi publikisht Failadhis na i përsëriti ministri ynë i jashtëm në parlament për të krijuar përshtypjen e rreme se Greqia e kishte abroguar “Ligjin e luftës”. Natyrisht unë e kundërshtova në bazë të fakteve dhe dokumenteve që kisha, se nuk ishte ashtu. Më pas ministri tjetër i jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, na fshehu për gati një vit shkresat zyrtare greke se “Ligji i luftës” ishte në fuqi. U detyrova ta denoncoja këtë fakt në sshtyp dhe të theksoja se pas deklaratve greke të vitit 1987 se ky ligj kishte rënë nga fuqia këto shkresa greke ishin si n jë shpallje lufte për herë të dytë nga Greqia kundër Shqipërisë. Tani vonë, më në fund, dolën disa pushtetarë të lartë si Godo, Meidani dhe e pohuan se kishte qenë ashtu siç kisha thënë, se Greqia e ka bërë të qartë që nuk e ka hequr “gjendjen e luftës” me Shqipërinë.
Të gjitha këto kanë ndodhur sidomos gjatë 25 viteve të fundit. Kam qenë diplomat i ri në Ministrinë e Jashtëme të Shqipërisë kur Greqia kërcënoi me ndërhyrje ushtarake Shqipërinë në vitin 1967 dhe udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha në një kongres të Frontit Demokratik kërcënoi me kundërgoditje të ashpër. Nuk mund ta dinja, as e di edhe sot, se ku e gjeti ai atë guxim; nëse ishte ky kërcënim që frenoi ofensivën ushtarake greke, apo ndonjë presion ndërkombëtar! Mbase ju në Greqi jeni në pozicion më të mirë për të ditur ose mësuar diçka për këtë. Më kujtohet se për diplomacinë shqiptare vendosja e diktaturës ushtarake të kolonelëve në Greqi solli shumë shqetësime. Por si për çudi ishte diplomacia ushtarake e kolonelëve që bëri atë që duhej bërë në marërdhëniet midis dy vendeve, pranoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Diplomatët civilë grekë edhe këtë hap nuk e bënë pa bizantinizma. Në Nju Jork, ku zhvilloheshin bisedimet midis përfaqësuesit grek, Bicios ( më vonë kur u bë ministër i jashtëm kam pasur nderin ta takoj edhe unë në OKB dhe kur jepte pritje në “Hotel Pierre” në Avenynë e famshme të pestë në Manhatan) dhe përfaqësuesit shqiptar, Sami Baholli, pala greke ngulte këmbë që të kishte qoftë dhe një pusullë nga Shqipëria se do të respektoheshin të drejtat e minoritetit grek. Edhe pasi u paraqit një broshurë me fjalimin e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut, ku trajtohej ky problem , përsëri pala greke donte që kjo broshurë t’i përcillej asaj me një shkresë zyrtare shoqëruese nga Misioni diplomatik i Shqipërisë. Dhe ashtu u bë. Ja një fakt konkret përse unë admiroj politikanët e diplomatët grekë që ia bëjnë hyzmetin punës së tyre deri me vogëlima të tilla që duken sherrake e qesharake. Politikanët e diplomatët shqiptarë janë shumë larg këtij arti e kësaj teknike diplomatike greke.
Sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike merr fund “ipso facto” (vet vetiu) ajo që quhet “gjendje e luftës”, edhe nëse ajo kishte ekzistuar deri atëherë. Por nuk ka shkuar e nuk po shkon në këtë rrugë logjika e politikës së Greqisë. Politikanët civilë grekë më në zë, duke përfshirë edhe Konstantin Karamanlisin, e mallkuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe akuzuan pushtetin ushtarak se “shiti interesat e Greqisë për disa lëkurë kecash”. Kjo ironi bëhej se sapo kishte filluar një tregti simbolike midis dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë. Pas këssaj tregtie me “lëkurë kecash” në Shqipëri erdhi një gazetar grek me një mbiemër që shkaktonte buzagazje tek shqiptarët, Filipidis. Një miku im me origjinë nga Mati e shoqëroi këtë Filipidisin në vizitat e organizuar në mënyrë shumë rreptë nëpër Shqipëri, sepse ishte vizitë me shumë rëndësi e spec, ishte siç thuhet në të folmen zhargon “eveniment”.
Pastaj edhe mua, po me origjinë nga Mati, më erdhi radha të isha “protagonist” në zhvillimet e marrëdhënievet shqiptaro-greke. Si përfaqësues i Ministrisë së Jashtëme kam shoqëruar në udhëtimin e parë zyrtar dhe të organizuar në Shqipërinë e jugut ambasadorin e parë grek në Tiranë, zotëri Denis Karajanis, këshilltarin e tij Vikas, sekretarin e dytë, shqiptarin diplomat grek Ilia Papas, që e fliste gjuhën shqipe në nëndialektin e Shkodrës nga ishte nëna e tij. Sipas rregullit unë dhe një kolegu im (Th.N.) kemi bërë një relacion për këtë udhëtim. Këtë relacion e ka përmendur kalimthi edhe Enver Hoxha në njërën nga veprat e tij. Ndonjëherë do të shkruaj më gjërë mbresat nga ky udhëtim. Nuk ka dyshim se edhe ambasadori grek, një njeri shumë i kulturuar dhe i sjellshëm, ka bërë raportin e tij. Sikur të botoheshin këto dy raporte krah për krah në ndonjë gazetë! Do të ishte një kuriozitet diplomatik.
Kjo do të kishte dhe një vlerë të vogël praktike sepse tani në Shqipëri, i nderuari Pangallos, dalin dhe shegertë të propagandës së çakërdisur në favor të tezave shoviniste greke që më paraqesin mua person me ndjenja progreke meqenëse u zgjodha në fillim të viteve 1970 për të bërë atë shoqërim diplomatik në atë udhëtim të parë të diplomacisë greke në zonat e minoritetit. Këta janë “paradokset shqiptare” që të njëjtin njeri disa e shpallin si antigrekun më të tërbuar, disa të tjerë si progrekun e maskuar vetëm se bën punën që i duhet Shqipërisë, edhe për të kundërshtuar veprimet armiqësore të Greqisë edhe për të kërkuar marrëdhnëie normale midis dy vendeve e popujve. Në Greqi sikur nuk ju ndohdin gjëra të tilla dhe politikanët e diplomatët grekë kanë shumë më tepër fat se ne këtu në Shqipëri.
“Miqësia vëllazërore” në “gjendjen e luftës” përparoi me hapa të shpejta gjatë 10 viteve kur politikën e jashtëme shqiptare e dominonin Sofokli Lazri e Ramiz Alia. Në atë kohë e botuan në Shqipëri edhe ta ë librin “Dy popuj miq” me autor Enver Hoxhën, kur ky ishte shumë i drobitur nga shëndeti dhe ishin të tjerë që vepronin në emër të tij.
Në atë kohë më larguan edhe mua nga diplomacia shqiptare njerëzit të cilët e dinja si ishin filogrekë të shpallur dhe që përveç të tjerash hakmerreshin se në OKB për rezolutën për Qipron unë kisha mbajtur një qëndrim që nuk i pëleqente diplomacisë greke. Unë kam thënë disa herë poblikisht se ka qenë edhe presioni nga Athina mbi politikën e Tiranës që ka ndikuar për të më larguar mua nga diplomacia në fillim të vitit 1983. Mos vallë kamë bërë gabim që jam shprehur kështu, i dashur arvanitas Pangallos, se mund të mos jetë kështu ?! Mos vallë kam përgojuar padrejtësisht politikën e Athinës, sepse ndoshta ajo nuk bën punëra të tilla në Tiranë, pasi diplomacia greke e njeh mirë parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një vendi tjetër?!
Edhe gjatë 10 viteve të “tranzicionit demokratik” në Shqipëri kur skenën politike e kanë dominuar Fatos Nano, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, “miqësia shqiptaro-greke” në kushtet e “gjendjes së luftës” ka lulëzuar më tej. Unë pranoj se këtu është edhe ndihmesa juaj shumë e madhe, i nderuar arvanitas Pangallos. Por ju them sinqerisht se nuk më bën zemra t’ju përgëzoj për këtë. Vetëm ia kam zili Greqisë të cilës edhe arvanitasit i bëjnë shërbime të çmuara në kurriz të Shqipërisë, kurse kësaj Shqipërisë sonë shërbime të tilla nuk ia bëjnë as ata që njihen për dyzim ndiesishë të përkatësisë etnike, dhe as ata “burra malsie” shqiptare që u hapet rruga për në majat e pushtetit. Besoj se shumë nga këta pushtetarë e politikanë shqiptarë i keni njohur edhe ju, i nderuari Pangallos, dhe ua keni blerë mendjen, ndjenjat e qëllimet me kohë. Unë nuk kam çfarë të them për politikanë si Fatos Nano ( i Pitulenjve), Gramoz Pashko, Genc Pollo, Paskal Milo, Aleksandër Meksi që në Greqi duhet t’i njihni në disa breza. Edhe Berishës iu pa hairi qysh kur u tha minoritarëve “ i gëzofshi tokat e shqiptarëve”. Po kështu edhe shumë të tjerëve.
Gjëja më paradoksale në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe në praktikën ndërkombëtare, i nderuari ish-ministër i jashtëm arvanitas i Greqisë, besoj se është nënshkrimi i një “Traktati miqësie dhe bashkëpunimi” edhe në kushtet kur njëra palë (Greqia) mban në fuqi “Ligjin mbi gjendjen e luftës” dhe pala tjetër Shqipëria bën sikur kjo nuk ka ndonjë ndikim.
Ky traktat turpi për diplomacitë e të dy vendeve dhe talljeje vetëm për Shqipërinë është nënshkruar kur kryeministër i Shqipërisë ishte Aleksandër Gabriel (Gavril) Meksi, ortodoks shqiptar, bizantinist, jo minoritar, jo arvanitas si ju, por gjithsesi bir i një oficeri grek. Gazeta “Athens Njuz”, që unë nuk e di sa autoritet ka në Greqi, në prill të vitit 1992 është mburrur se në Shqipëri u bë kryeministër bir i një oficeri grek që kishte luftuar për Greqinë në Azinë Vogël, Aleksandër Meksi, i biri i Gabrielit. A mund t’i shpifë gjëra të tilla shtypi i Athinës?! Unë nuk jam fare i mërzitur që gazeta greke është mburrur për këtë. Edhe ne këtu në Shqipëri mburremi, sikurse jeni mburrur ju kohët e fundit, që arvanitasit në Greqi janë bërë presidentë, qeveritarë, gjeneralë, kanë qenë heronj të revolucionit grek. Unë do të mburresha që ju si arvanitas të ishit përsëri ministër i jashtëm i Greqisë. Do të dëshiroja që sa më shumë arvanitas të ishin në vende me rëndësi në Greqi në çdo lëmi. Do të kërceja përpjetë nga gëzimi sikur ndonjë nga emigrantët e shumtë shqiptarë në Greqi të arrinte të bëhej kryeministër i Greqisë, e sidomos sikur dikush nga Çamëria të arrinte në të tilla ofiqe. Por nuk besoj se kjo do t’u pëlqente shumë grekëve!
Hyra në këto arsyetime sepse tani ky Aleksandër Meksi, që ka nëshkruar në emër të Shqipërisë traktatin e turpshëm të miqësisë me Greqinë pa përfunduar “gjendja e luftës”, më kërkon mua 100 000 dollarë amerikanë si dëmshpërblim për moralin e tij gjoja të cënuar pse e kam përmendur edhe unë shkrimin mburrës të gazetës greke. Nuk e di si veprohet në Greqi në raste të tilla, sepse sherri për e mua nga Greqia ka ardhur. Kur një grek në Amerikë, Spiro Agnju, i cili ishte nënpresident i SHBA, u demaskua në shtyp me fakte që ende nuk ishin provuar gjyqësisht me vendim të formës së prerë, asnjë gazetar nga ata që e denoncuan dhe e demaskuan në publik nuk u padit në gjykatë. Kurse Spiro Agnju dha dorëheqje. Kur kongresmenin amerikan Xhejms Trafikant, të cilin shqiptarët e njohin mirë, e demaskuan gazetat për vepra penale ende të pagjykuara, asnjë gazetar nuk u detyrua nga gjykata amerikane ta dëmshpërblente dhe Trafikanti u dënua e tani është në burg. Kur presidentin Bill Klinton e demaskuan sa nuk ka ku të vejë më gazetat për punë flirtesh seksuale asnjë gazetar nuk u gjykuar pse kishte përmendur gjëra të tilla pa u vërtetuar më vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kurse kur unë në Shqipëri citoj atë që ka shkruar një gazetë e Athinës për babain e ish-kryeministrit tonë se ka qenë oficer grek, na ndëshkojë me vendime gjyqëssore sepse nuk duhet të shkruajmë asgjë që nuk është vërtetuar më parë me vendim të formës së prerë. Mos është ndonjë drejtësi e llojit biznatin që nuk e njohim ne dhe na vjen nga Greqia, ku po përgatiten tani juristë për Shqipërinë?! Sikur të ndihmonit, jo mua, për vëllezërit e një gjaku, shqiptarët, ta merrnin vesht përfundimisht të vërtetën për këtë punë : ka pasur apo jo Greqia një oficer të quajtur Gabriel Meksi nga Labova pranë Gjirokastrës. Besoj se nuk është ndonjë punë e zorshme për ministrinë greke të ushtrisë të hapë dokumentet, as për ndonjë zyrë vërtetimesh në Athinë të lëshojë dëshminë për të vërtetën. Meksi këtu në Shqipëri nuk më ndahet me gjyqe pse unë nuk po i vërtetoj me vendim gjyqësor se çfarë ka bërë babai i tij në Greqi. Po unë nuk mund të vë në lëvizje gjykatën greke për punë tëtilla, sepse si jurist, mendoj se asnjë gjykate greke me të drejtë nuk do të më quante të legjitimuar për të ngritur padi. Kurse ju në rrugë administrative mund të bëni diçka. Qetësojeni ju lutem ish-kryeministërin tonë, Aleksnadër Meksi.
Tani nuk mund të them me siguri cili ka qenë roli juaj në përgatitjen e nëshkrimin e atij traktatit të miqësisë në luftë. Por në verën e vitit 1993, në një drekë të shtruar nga presidenti i Turqisë, Sulejman Demirel, në kopshtin e pallatit “Dollma Bahçe” në Stamboll për delegacionet parlamentare e qeveritare të Konferencës së vendeve të Detit të zi ( unë kryesoja delegacionin parlamentar shqiptar) kam pasur një bashkëbisedim të acaruar me deputetin grek Efremollu. Prej tij mësova se vizita e Aleksandër Meksit në Athinë pak më parë ishte konsideruar e dështuar , madje nuk u nëshkrua as traktati i miqësisë. Për mua ishte i qartë shkaku. Aleksandër Meksi në valixhen e tij diplomatike nuk mundi të merrte në Athinë dhuratën që donin patjetër mikpritësit, një nen në ligjin kushtetues për të drejtat e njeriut që u lejone shtetasve të Shqipërisë të zgjidhnin vet sipas qejfit e tekave se cilës kombësie i përkasin.
Pranoj edhe para jush atë që e kam bërë me vetëdije para kombit tim dhe para Zotit se jam “mëkatari” kryesor që e pengoi Meksin t’jua sillte këtë dhuratë. Mos i vini asnjë faj atij! Në prill të vitit 1993 në kundërshtim të acaruar me pushetarët e Shqipërisë dhe me kryesinë e PD-së , unë me ndihmën e dy deputetëve të tjerë e bllokova këtë nen të shkatërrimit të kombit shqiptar dhe të poshtërsisë në “miqësinë vëllazërore në kushtet e gjendjes së luftës “ midis shqiptarëve e grekëve. Sikur të ishte miratuar ai nen dhe gjithë ata shqiptarë që ka rregjistruar si grekë Janullatrosi me organet e shtetit grek, gjithë ata që kanë ndërruar emrat në zyrat e Shqipërisë si të ishte ndërrimi i emrit njeë ndërrrim papuçesh do të ishin bërë “grekë”. Atëherë mbase ju do të ishit i kënaqur dhe pak i habitur se deklarata juaj se ka 600 000 grekë në Shqipëri do të kapërcehej të paktën deri në një milion. Mirëpo tani kjo do të bënte që pohimi juaj se jeni arvanitas të mos kishte vlerën që merr.
Tani unë e di se këto qëndrime që kanë mërzitur politikën në Athinë e grekofilinë në Shqipëri kanë qenë njëri ndër shkaqet kryesorë që Berisha me Meksin në vitin 1996 sajuan dispozitë ligjore të posaçme që të më pengonin të rikandidoja për në parlamentin shqiptar. Ndërsa tani Meksi, biri i oficerit grek, përpiqet që të më pengojnë nëpërmejt gjykatave të Shqipërisë të merrem me publicistikë nacionaliste shqiptare. Ju arvanitasve ndoshta nuk ju ndodh kjo nga bijt e oficerëve grekë në Greqi. Ne shqiptarëve na ndosh këtu brenda në Shqipëri kjo gjë. Çudi, apo jo?!
Për shkak se nuk desha të pengoj rrjedhjen spontane të ndjenjave e të mendimeve u vonova pak në parashhtrimin e sebepit që mora penën për të shkruar këtë letër, domethënë që u ula para kompjuterit, megjithëse një grekofil i tërbuar këtu në Shqipëri më ka qortuar që përdor kompjuter, meqenëse kjo vegël pune qenka vetëm shpikje e prodhim i të krishterëve perëndimorë dhe unë si mysliman ( ai thotë si fondamentalist islamik) nuk paskam të drejtë ta përdor. Sebep, pra, u bë një shkrim nga Athina i botuar para disa ditësh në të përditshmen tiranase “TemA” me titullin shumë të gëzueshëm dhe intrigues për mua : “‘Teodor Pangallos: ne shqiptarët e vjetër” dhe me një nëntitull : “ Deklarata befasuese e ish-ministrit të jashtëm grek ( duhej të ishte më saktë të Greqisë AB) dhe një prej personaliteteve më të spikatura europaine”.
Ishte dhe një sebep i dytë. Më 4 nëntor në një të përditshme tjetër të Tiranës, “Shekulli”, që unë herë pas here e kam quajtur gazetë grekofile është ribotuar shkrimi “Grekët, shqiptarët dhe amerikanizmi” marrë nga “National Revië” , me autor Jay Nordlinger. Sipas tekstit në gjuhën angleze të marrë nga “Internet” ky shkrim paska titullin “Bashkësitë Europiane, reportazh nga Greqia e Shqipëria”, madje dhe një titull dytësor që i referohet posaçërisht Shqipërisë si “Izraeli i Ballkanit”. Pra gazeta e Tiranës “Shekulli” ka bërë një manipulim të vogël, por shumë të dëmshëm në titull. Për më tepër titulli i gazetës shqiptare nuk pasqyron sakt thelbin e shkrimit dhe të mesazhit të autorit Jay Nordlinger. Ky u flet hapur lexuesvet se grekët jan thellësisht antiamerikanë edhe pse kanë përfituar shumë nga Amerika, ndërsa shqiptarët janë tmerrsisht pro-amerikanë, sa ë Europa me qesëndi po i quan “ Izraeli i Ballkanit”, edhe pse për gjysmë shekulli nuk ia panë hajrin Amerikës, por mbetën në komunizmin më të ashpër në botë.
Janë shumë të çuditshme këto punë. Grekët kanë përfituar në maksimum nga Perëndimi , sidomos nga SHBA dhe përsëri tani shfaqin “antiamerikanizëm”, si në rastin e bombardimeve kundër Serbisë dhe në rastin e luftës kundër terrorizmit. Kurse shqiptarët, që mbetën më të varfërit e më të përbuzurit e Europës, autorët e huaj po i barazojnë tani për pro-amerikanizmin e tyre me sionizmin dhe Izraelin. Sjelljen e shqiptarëve që i kanë drejtuar sytë tek Amerika unë nuk e konsideroj aspak si paradoksale apo të tepruar, sepse qysh herët shqiptarët i varnin shpresat tek Amerika. Këtë e ka shpjeguar shumë mirë në librine tij Xhorxh Fred Uilliams, ish-përfaqësues diplomatik amerikan në Athinë në fillim të shekullit XX. Edhe autorë të tjerë përmendin se në fillim të viteve 1920 një gazetë amerikane u detyrua të shkruante “Një republikë amerikane në Europë” duke pasur parasysh që shqiptarët kërkonin me këmbëngulje një protektorat amerikan në vend të atij italian, ose në vënd të coptimit të Shqipërisë së mbetur londineze midis Greqisë e Serbisë. Pra, nuk është ndonëj kapërcim i madh nga emërtimi “Republikë amerikane në Europë”, i përdorur në fillim të viteve 1920, tek emërtimi “Izraeli i Ballkanit” në vitin 2002. Tjetër punë nëse është apo jo kështu që Shqiptarët duan të bëhet dhe amerikanët duan ta bëjnë Shqipërinë ( cilën Shqipëri nuk është qartësuar ende) një “Izrael të Ballkanit”, përsa i përket përkujdesjes amerikane për të. Kam frikë se është më shumë një xhelozi europiane që sajon të tilla terminologji për të na prishur përsëri punën ne shqiptarëve.
Për t’u sqaruar më mirë vet dhe për të sqaruar më tepër ndonjë lexues që nuk është i njohur me shumë materiale iu referova librit të gazetarit amerikan Robert D. Kaplan “ Fantazmat e Ballkanit”, botim në gjuhën angleze në vitin 1994. Roberti ka jetuar shumë vite në Athinë. Libri i tij siç kanë shkruar disa gazetarë shqiptarë që kanë marrë leksione gazetarie në Athinë qenka shumë i urryer në Greqi. Kapitujt e fundit të këtij libri, që tërbuakan bashkëqytetarët tuaj, tashmë janë përkëthyer edhe në gjuhën shqipe. Mua libri i Kaplanit më ka pëlqyer dhe më ka shërbyer shumë, sidomos pjesa që bën fjalë për Greqinë. Kam lexuar diku se ky libër i ka shërbyer edhe ish-presidentit amerikan Bill Klinton për të kuptuar se çfarë po ndodhte në Ballkan para se të merrte vendime serioze për ndërhyrjen amerikane në rajon. Por mbi të gjitha më ka lënë mbresë arsyetimi i fuqishëm që bën Kaplan për mendësitë dhe poltikën greke dhe përfundimi që nxjerr ai se grekët nuk mund të bëhen kurrë perëndimorë, se ata stomakun duan ta kenë në Perëndim, por zemrën nëLindje, në Moskën e ortodoksisë. Këtë ndoshta nuk e ka pasur mirë parasysh Jay Nordlinger kur ka përshkruar me mllef antiamerikanizmin e grekëve dhe ka përshkruar me qejf e zell të madh pro-amerikanizmin e shqiptarëve.
Kjo mënyrë të shkruari, veç kënaqësisë që në Perëndim po fillojnë të kuptojnë e vlerësojnë se shqiptarët janë shumë të dashuruar pas Amerikës e amerikanëve, me ka lënë edhe njëfarë shije të pakëndshme. Jo vetëm pse me grekët jemi fiqnjë e “vëllezër në gjendje lufte”, dhe pse ju, i nderuar Pangallos, tani jeni vetdeklaruar grek me origjinë shqiptare, por edhe për hir të të vërtetës. Më duket se Nordlinger e ka tepruar si me akuzat ndaj grekëve për antiamerikanizëm, edh në interpretimin me ngjyrime sioniste të pro-amerikanizmit të shqiptaëve. Ai madje na ka cënuar pak në sedër e në ndjenjat fetare ne, myslimanët shqiptarë, se na quan myslimanë të kotë . Sipas tij qenkan vetëm ca marifete që bëjnë Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit që ende krijohet ideja se paska mbetur ende ca myslimanë dhe paska ende Islam në Shqipëri.
Nuk më vjen mirë që pro-amerikanizmi i shqiptarëve të reklamohet në mënyrë spekuluese për të nxjerrë më në pah anti-amerikanizmin e grekëve. Jemi apo nuk jemi demokratë, intelektualë të kohës moderne, pastaj fqinjë, madje disa na thonë se paskemi dhe prejardhje të njëjtë, nga pellazgët e lashtë, për të cilët flitet si për fantazmat, dhe për të cilët si dëshmi më konkrete kemi muret me gurë ciklopikë dhe njëfarë trashëgimie terminologjike që ruhet në gjuhën shqipe, kuptohet dhe në të folmen më arkaike të arvanitasve në Greqi.
Për të kuptuar pse pro-amerikanizmi tradicional i shqiptarëve nuk u shpërblye me kohë si anti-amerikanizmi ose pro-amerikanizmi i dyshimtë i grekëve më ndihmoi libri i trashë në gjuhën angleze i Stefen Dorill me titull “M16. Pesëdhjetë vite opercaionesh speciale”, një histori e veprimeve agjenturore të Perëndimit në shumë vende. Kapitulli XVII i këtij libri është titulluar “Greqia dhe krijimi i para-shtetit”.Në faqen 305 është shkruar : “Qysh nga Lufta e Dytë Botërore britanikët kanë qenë kundërshtari më i mrekullueshëm i Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe ishin të vendosur që Greqia e pasluftës të ishte jo-komuniste, me qëllim që të ruante interesat jetike të Britanisë në vijat e komunikacionit nëpër Mesdheun Lindor deri në Suez dhe për naftën në Lindjen e Mesme”. Pas këtij citimi nuk ka nevojë për shumë koment pse Anglia dhe SHBA e shpëtuan Greqinë nga rënia nën sundimin e komunizmit sllavo-bolshevik, i cili kishte baza shumë më forta në Greqi dhe lanë Shqipërinë e shqiptarët, që ëndërronin për “republikë amerikane në Europë” nën sundimin e komunizmit jugosllav e sovjetik. Kështu që qenkan disa interesa konkrete e konjuktura politike ndërkombëtare që edhe anti-amerikanizmin e grekëve e marrin për pro-amerikanizëm, dhe pro-amerikanizmin e shqiptarëve e trajtojnë në atë mënyrë që të zëvëndsohet me anti-amerikanizëm, sikurse u zëvendësua gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Tani duket se ndjenjat pro-amerikane të shiqptarëve po sjellin dy lloj reagimesh ndaj nesh. Njëri është reagimi xheloz europian për interesimin që mund të kenë SHBA për faktorin shqiptar në Ballkan. Tjetri është reagimi ende konfuz amerikan për të vlerësuar si duhet këtë simpati tradicionale të shqiptarëve për Amerikën dhe për ta trajtuar më ndryshe faktorin shqiptar, si mbështetjen më të natyrshme për gjeopolitikën amerikane në Ballkan. Diçka duket po ndryshon në të mirë të shqiptarëve, në zbatim të asaj strategjie politike që senatori Helms propozonte në vitin 1983 në Kongresin amerikan, që SHBA të përpiqëeshin për një shtet të bashkuar shqiptar si digë pritëse e vërshimit sovjetik, sot pansllavisto-ortodoks.
Kur mësoj se një angleze, antare e Partisë Komuniste Greke, Miranda Vikers, që ka bredhur shumë në trojet shqiptare dhe ka shkruar shumë për të larguar idenë e bashkimit të shqiptarëve, tani ka bërë libër për të trajtuar problemin e Çamërisë filloj e besoj se diçka shumë serioze po lëviz për çështjen shqiptare në tërësi. Kjo po ndodh pasi senati amerikan shtroi për disktim “çështjen e Çamërisë”, madje e bëri këtë para se ta bënte ai që i takonte në radhë të parë, parlamenti i Shqipërisë, i cili ka ende frikë të madhe nga Athina të ecë në gjurmët e komisionit të senatit amerikan. Por, besimin që diçka po lëviz ma shton edhe prania juaj, i nderuar Pangallos, në atë veprimtarinë për “prezantimin e Antologjisë së Këngëve të Arvanitasve të Greqisë”, ku ju i paskeni thënë ato mendimet vyera e fjalët e bukura për domosdoshmërinë e njohjes e të ruajtjes të vlerave kulturore e të të folmes së lashtë arvanitase në Greqi.
Të them të drejëtn nga aq sa dija unë për veprimtarinë tuaj kam qenë shumë skeptik se mund të vinte kjo ditë që të lexoja në gazetë fjalë kaq me vend të thëna nga ju në sallën e Arkivit Folkloriko-Muzikor në Athinë, kur u paraqit libri kërkimor e studimor i këngëtarit dhe muzikologut arvanitas Thansis Moraitis. Unë deri tani kam qenë nën mbresat dëshpëruese që më kishte lënë nervozizmi juaj në sallën e “Pallatit të Brigadave” në Tiranë, gjatë takimit me presidnetin Stefanopullos kur përmenda se marrëdhëniet shqiptaro-greke do të përfitonin shumë nëse edhe për shqiptarët çamë në Greqi do të respektoheshin po ato të drejta si për popllsinë grekofon në Shqipëri në bazë të të drejtës ndërkombëtare për minoritetet. Të paktën reagimi nervoz të kishte mgbetur vetëm detyrë e ambasadorit tuaj në Tiranë që ishte i pranishëm në atë takim dhe kërceu nga vendi e shkoi të thithte më shumë ajër pranë dritares. Atëherë ende nuk kishta dëgjuar se dhe vet presidenti grek mund të ketë origjinë shqiptare. Por ai më bëri ta admiroj dhe më shumë me qëndrimin e kthjellët që mbajti dhe nuk kërkoi si përgjegjësat e diplomacisë që çështja e reciprocitetit në marrëdhëniet shqiptaro-greke të katandisej në gjetje e dhënie ndërtesash për konsullatat.
Më kishte mbetur një pezm i madh qysh ku ju, i nderuar Pangallos, gjatë një vizite në Shkup e rritët numrin e grekëv në Shqipëri dhjetëfish, nga 60 000, në 600 000, duke ua kaluar edhe shovinstëve më të njohur të politiës e propagandës greke, si Nikolas Geixh, që qysh kur isha unë amsador në OKB,ë vitet 1970 shkruante në “Nju Jork Tajms” se në Shqipërti kishte 400 000 grekë të persekutuar, që brenda një nate i kishin shpallur shqiptarë, kur “Vorip-Epiri” u la në shtetin turko-shjqiptar. Nuk shuhet as shija e hidhur që sa ishit ministër i jashtëm nuk bëtë ndonjë veprim për të ndryshuar qoftë në përmasa simbolike qëndrimin ndaj çështjes çame, por vazhduat të njëjtat spekullime me çështjen e minoritetot grekofon në Shqipëri. Un ëpërdor më shumë termin “grekofon” sepse në fakt minoritarët në Shqipëri nuk janë grekë por vllehë e shqiptarë të greqizuar në gjuhë e vetdije. Kanë pësuar atë proces si shqiptarët e vjetër në Greqi nga kisha greke e mësuesit grekë. Madje grekofonët në Shqipëri janë të vendosur mjaft vonë si argatë.
Kur mendoje shkruaj kështu kam përpara librin e mrekullueshëm të arvanitasit Aristidh P. Kola ( Kolia) të titulluar “Arvanitasit dhe preardhja e grekëve” që sapo është vënë në qarkullim në gjuhën shqipe në Tiranë. Indiferenca, pazotësia, por edhe diknakëria sabotuese në fushën e përkëthimeve e botimeve në Shqipëri e kanë pas privuar lexuesin shqiptar nga ky libër. Veçse ju në Greqi e keni pasur prej shumë vitesh në dorë këtë thesar dhe këtë armë të mrekullueshme për të kuptuar, afirmuar , kërkuar ato që ju i shtroni tani kaq drejt dhe kaq me vend në fjalët që keni thënë për kulturën, gjuhën e historinë e arvanitasve në Greqi.
Duke lexuar librin e të ndjerit Aristidh, vdekja e të cilit ka lënë mbrapa edhe njëfarë misteri, ndjej edhe më shumë se më parë keqardhje që nuk kam patur rastin e mundësinë të mësoja greqisht, të paktën sa për të lexuar. Sado që shërbehem me librat në gjuhët shqipe, frenge, angleze, ruse e italiane shoh se për diplomatin e politikanin shqiptar janë shumë të dobishme njohuritë e përdorimit, të paktën pasiv, dhe të gjuhëve greke, turke, arabe. Këtu në Shqipëri deri tani na janë servirur në gjuhën shqipe mjaft libra greke të shkruar në frymë shoviniste ndaj shqiptarëve. Kanë qarkulluar libra të Sebastianosit e të Janullatosit, të Spiromilos eVasilis Kondis (me origjinë shqiptare).
Për fat të mirë tani kanë filluar të botohen nga autorë shqiptarë edhe libra me peshë për çështjen çame, për marrëdhëniet greko-shqiptare, për subjekte që kur kemi filluar të shkruajmë në shtyp në fillim të viteve 1990 shiheshim si njerëz që po bënim herezi, aq shumë ishte rrënjosur në opinionin e përgjithëshëm ideja se çësshtja çame ishte tabu. Tani një miku im, Albert Kotini, ka bërë e botuar libra voluminozë të rëndësishëm e me shumë vlera për çështjen çame. Folkloristi Fatos Mero Rrapaj me një punë vemohuese ka dhënë thesaret e folklorit çam. Janë botuar edhe përmbledhje dokumentesh arkivale për çështjen çame. Sapo është vënë në qarkullim monografia voluminoze dhe me peshë të madhe shkencore “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949” e përgatitur nga Prof.Assoc.Dr i Shkencave historike, Beqir Meta. Ka edhe botime të tjera. Është një gjë shumë e mirë që këto çështje nuk po mbeten më t’i trajtojnë të parët të huajt, që nuk mbetet puna për të na e shtjelluar çështjen çame vetëm një angleze, antare e Partisë Komuniste të Greqisë.
Pritëm shumë gjatë për të marrë në dorë librin “Arvanitasit” të Aristidh Kolës. Shpresojmë të kemi shpejt edhe atë librin në paraqitjen e të cilit ju mbajët fjalët e dëshiruara të dëgjojmë prej jush. Por mbi tëgjitha na gëzon e na përmallon fakti që ju tani deklaroni në Athinë se gjyshja juaj fliste shqip. Sinqerisht kemi kujtuar se e kishit zët po t’jua përmendnin të tjerët këtë fakt dhe na merrnit inat kur ndonjëherë në shkrimet tona i referoheshim të ndjerit e të nderuarit gjyshit tuaj, ish gjeneral e kryeminisstër i Greqisë në vitet 1920, i cili bëri shumë për të krijuar atmosferë të shëndeshtme në marërdhëniet midis dy vendeve e dy popujve dhe mbi të gjitha pranoi ekzistencën e minoritetit shqiptar në Greqi (gjë që sot mohohet) dhe i bëri zap ato sillogjet vori-epirote që kanë qenë ghjithnjë pararojë e shovinizmit grek kundër Shqipërisë dhe tani janë më agresive se kurrë. Për fat të keq ajo punë e gjyshit tuaj nuk është vazhduar. Për fat të keq nuk pamë as tek ju, kur ishit ministër, shenja dëshire që të ripërtërihej ajo punë. Mund të mos kemi arritur t’ju kuptojmë. Mund të keni pasur asyet tuaja që ne nuk i kemi vënë re mirë. Mund të keni dhe tani arsyet tuaja, ndoshta dhe të karakterit politik, që merrni pozicionin që ne e përshëndesim, mbase me entuziazëm të parakohshëm.
Megjithatë është një gjë emrekullueshme kur njihesh me fjalët tuaja : “ Për ne humbja e gjuhës arvanitase është si të kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë që jo në kushtet e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush arvanitasit në Greqi sepsse ishin gjeneralë, kryeminisrra presidentë etj...por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë të bindur se ishin grekë dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën ta zhdukin gjuhën arvanitase, të cilën askush nuk e flet sot të paktën nga mosha ime e poshtë. Tani lavdi zotit na kanë mbetur ende ca gjyshe e gjyshër që flasin. Mirëpo është gjynah që kjo gjuhë të humbasë...”.
Vetëm një herë më është dhënë rasti të qëndroj në Greqi për një javë në një seminar ndërkombëtar në Rodos. Nuk e harroj gazetaren greke që m’u afrua ndryshe nga pjesëmarrësve të tjerë dhe gjithsesi arritëm të komunikonim në gjuhën shqipe të renë e të vjetërn. U habitën disa kolegë të seminarit gjermanë, anglezë , ruse kur gjatë drektës u thamë se po komunikonim në gjuhën shqipe e arvanitase dhe se praradhësit e gazetares kishin emrigruar drejt Greqisë para 700 vitesh. Ajo ishte e re, jo gjyshe. Tani janë kushte që ruajtja e shqipes së moçme dhe modernizimi i saj për t’u afruar sa më shumë me të sotmen të mos mbeten punë gjyshesh e gjyshërish, as punë e mësuesve që duan të zhdukin shqipen tek arvanitasit që të mos mbeten as sgjurmët e fundit të përkatësisë së tyre etnike shqiptare e të lidhjes së tyre të natyrshme me shqiptarët. Unë kështu e kuptoj nëntekstin e fjalëve tuja, zotëri Pangallos. Lumturohem që këto mesazhe të hapura e të nënkuptuara po i përcjell një person me rol e ndikim në politikën e diplomacinë e Greqisë, të cilit duhet t’i bëhet mbështetje në këtë rrugë ai potencial që tashmë zotërojnë arvanitasit dhe ai rol që kanë zënë e luajnë në jetën greke edhe të emigruarit nga Shqipëria.
Libri i Aristidh Kolës përmend edhe dukuri negative se si grekët kanë abuzuar dhe pastaj keqtrajtuar rolin e arvanitasve në historinë e Greqisë, si kanë shtrembëruar të vërtetta historike, faktet jetësore për të thelluar procesin asimilues nda arvanitasve. Ky rrezik sot po kërcënon edhe shqiptarët e tanishëm në Greqi, emigrantët. Por ky rrezik kërcënon edhe shqiptarët në Shqipëri.Një propagandë e madhe bëhet për të përçuar idenë se shqiptarët e Shqipërisë s jugut qenkan grekë. Është ai rrezik që kaq mirë e zbuloni tani ju, zotëri Pangallos, se nuk ishte zotësia greke për dhunë e shtypje që i bëri arvanistasit të harrojnë gjuhën ( pra të humbasin atdheun), por ideja e gabuar që përqafuan se ishin grekë.
Besoj se me fjalët që keni thënë tani së fundi, zotëri Pangallos, na keni përcjellë mesazhin se duhet ta konsiderojmë si një incident fatkeq që duhet nxjerrë nga përdorimi ynë publicistik ( nga kujtesa është vështirë të dëbohet) deklarata juaj se ka 600 000 grekë në Shqipëri. Në Shqipëri ka vetëm shqiptarë dhe pak grekofonë. Shqiptarët nuk duhet të pësojnë fatin e keq të arvanitasve në Greqi në pikpëpamje gjuhësore e kulturore, të mos tjetërsohen nën presionin e helenizmit. Shqiptarët duhet të zënë mend mirë nga fjala juaj, zotëri Pangallos, të kuptojnë se “ gjaku ujë nuk bëhet”, se dhe pas shumë shekujsh kujtesa historike e përkatësisë mund të ringjallet në mënyrë të dhimbshme. Prandaj shqiptarët nuk duhet t’u vënë veshin këngëve të sirenave të helenizimit, sepse vetëm humbasin e nuk fitojnë.
Edhe grekët do të bënin mirë të mos vazhdonin në rrugën e sjellen asimiluese ndaj shqiptarëve. Fjalët e ish ministrit të tyre të jashtëm duhet t’u shërbejnë të kuptojnë se ëshët ndërmarrje e dështuar dhe nuk sjell gjë të mirë për miqësinë e vërtetë, jo “ vëllazërim në gjendje lufte”. Edhe shqiptarët, edhe grekët janë kombe dhe shtete të vegjël dhe në një botë të trazuar ku të përpijnë dallgë të mëdha të politikës së integrimeve e globalizmit kanë nevojë të kultivojnë nacionalizmi e tyre jetik. Por larg shovinizmit. Kur nacionaizmi grek kalon në shovinizëm ndaj shqiptarëve grekët humbasin shumë edhe për vete. Kur shqiptarët mohojnë nacionalizmin e tyre duke kujtuar se kështu marrin me të mirë nacionalizmin grek vetëm inkurajojnë shovinizmin grek.Grekët nuk duhet të gëzohen sepse një ditë gjërat kthehen në shtratin e natyrshëm dhe atëherë ka më shumë dhimbje për të dy palët.
Kur shkruaj këto rreshta, i nderuari Pangallos, kam në dorë librtin “Nacionalizmi. Konceptete kyçe” të studiuesit tëmirëfilltë të problemit të nacionlaimzit, Anthony D. Smith, botuar në Britani në vitin 2001. Ai argumenton dobëinë dhe vlerat e nacionalizmit për gjithë popujt e vendet dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Në kundërshtim me ata që e shpallin nacionalizmin relike të të shkuarës ai thotë qysh në fjalinë e parë “Nëse ka një pikë për të cilën kemi rënë në një mendje është se termi “nacionalizëm” është shumë i kohës”.
Marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të jenë të mbështetura mbi respektimin e të drejtave e të interesave kombëtare të të dy palëve. Kam pasur rast t’u lutem gazetarëve grekë dhe britanikë që në Athinë ta përcillnin mesazhin tim se Greqia nuk do të gjejë mik më të mirë se nacionalistët shqiptarë që i vështrojnë marrëdhëniet me këtë sy dhe nuk duhet të besojnë shumë në gatishmërinë e njerëzve që vihen në shërbim të saj për ekspansionizëm e asilim helen në kurriz të shqiptarëve. Shepsh kam mbajtur qëndrime shumë kritike ndaj politikiës greke që vetëm prish e nuk ndreq punë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kam pasur mundësinë të njihem me diplomatë grekë, duke filluar qysh nga ambasadori dhe personeli i parë i ambasadës së Greqisë që u hap në fillim të viteve 1970 në Tiranë, pas një mungese të gjatë marrëdhëniesh diplomatike midis dy vendve.
Fola për atë udhëtimin e parë në Shqipërinë e jugut me diplomatët grekë. Atëherë mendoja se ky udhëtim do të shërbente shumë që në Athinë të njihnin realitetin dhe të ndiqnin arsyen për të bërë gjëra të mira jashtë ambicieve shoviniste.Por tani pas 30 vitesh me keqardhje shoh se si është spekuluar nga shteti grek për ta kthyer zonën e Shqipërisë së jugut në një shtojcë të Greqisë dhe për ta përdorur si tramplin që të shtrijë edhe më në veri pa pushim ato praktika që e bëjën një arevanitas, ju zotëri Pangallos, të mjerohet për humbjen që ka pësuar gjuha e kultura arvanitase në Greqi. Ndaj këtyre praktikave ne në Shqipëri nuk duhet të heshtim. As ju në Greqi nuk bën të heshtni, sepse të tilla praktika krijojnë probleme që për t’u ndrequr mund të shkaktojnë fërkime të mëdha.
Kur kam qenë ambasador në OKB kisha kontakte të rregullta e të mira me përfaqëssues të Greqisë. Në Nju Jork nuk mungojnë restorantet e shkëlëqyera greke ku kolegët e mi më nderonin duke më ftuar në darka e dreka. As unë nuk mbetesha borxhli, sepse restoranti “Moby Dick” në “Park Avenu” ishte nga më të mirët për përgatitjen e prodhimeve të detit. Pronari ishte i ndjeri Kosta Trika, grekofon nga Delvina, që fliste mjaft mirë mirë gjuhën shqipe, ndonëse kishte emigruar prej 50 vitesh, së pari në Egjipt pastaj në SHBA. Ai e ndjente veten shqiptar, siç e ndjente dhe e motra që, ndonëse nuk fliste shqip, na priste në shtëpi si vëllezër.
Jay Nordlinger ka pasur arsyet e tij që shkrimin e vet e ka ndërtuar me teknikën e krijimit të kontrastit të theksuar midis anti-amerikanizmit mosmirënjohës të grekëve dhe prop-amerikanizmit gati izrealit të shqiptarëve. Për konjukturë e cic-mice politike mund ta ndjeja veten të kënaqur që amerikanët të moderohen në përkëdhelitë e tepruara që i kanë bër Greqisë për një kohë të gjatë, nganjëherë duke rrezikuar edhe interesat e Shqipërisë. Por as kam besuar , as besoj se anti-amerikanizmi i grekëve është në atë shkallë, në ato përmasa dhe aq pasionant sa e përshkruan Nordlinger nga inati që Greqia nuk ka mbajtur në çështjen e luftës kundër terrorizmit atë qëndrim të radhitjes pa kushte në anën e Amerikës si qeveria shqiptare.
Tani, i nderuar zotëri Pangallos, po marr në dorë librin “Të fundmit terroristë të kuq në Europë”, shkruar nga Geoge Kassimeris, dhe botuar në gjuhën angleze në Britani në vitin 2001. Në këtë libër përshkruhet se si terrorizmi në Greqi për gati 3-dhjetëvjeçarë ka bërë kërdinë, sidmos në diplomatët e funksionarët e huaj. Kassimeris ankohet se asnjë terrorist nuk është zbuluar e jo më të jetë kapur. Libri përshkruan luftën midis dy partive kryesore greke për punën e terrorizmi dhe tolerancën e partisë tuaj ndaj kësaj dukurie. Por, edhe më shumë të bën përshtypje se në libër del që vendet perëndimore, duke përfshirë SHBA, janë treguar për shumë kohë tejet të buta ndaj Greqisë që nuk merrte masat e duhura kundër terrorizmit. Bie shumë në sy që vetëm tani , pasi SHBA mori një qëndrim krejt të ri në luftën kundër terorizmit ndërkombëtar, më shumë për arsye gjeopolitike, se nën tronditjet nga aktet e 11 shtatorit 2001, edhe mbi Greqinë u rrit presioni. Dhe në Greqi u bë fushatë kundër grupeve terrorste, çka do të thotë, sipas mendimit tim, se paska qenë një terrorizëm zyrtarisht i toleruar, në mos i lejuar apo i inkurajuar, sikurse kanë akuzuar njëri trjetërin politiknaët grekë.
Lufta kundër terrorizmit në shkallë vendi e ndërkombëtare duhet bërë patjetër. Por nuk duhet keqpërdorur që të krijohen situata të rënda e tensionuese, sikurse u krijua në rastin e Irakut. Prandaj anti-amerikanzmin e politikës shtetërore apo të opinionit publik në Greqi nuk jam i prirur ta shoh në mënyrë spekuluese sikurse na sugjeron gazetari amerikan. Më duket se Kasimeris e ka paraqitur më mirë problemin e terrorizmit në Greqi. Qëndrimet e Greqisë e të grekëve kundër ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë nuk i shoh si anti-amerikanizëm, por si proserbizëm fanatik e arrogant dhe si anti-shqiptarizëm i hapur. Nëse grekët do të niseshin nga parimet e drejtësisë, interesate Ballkanit kurrë nuk duhej të mbanin qëndrime të tilla. Ky qëndrim ka qenë edhe një armiqësi ndaj arvanitasve.
Qëndrimin e Greqisë e të grekëve ndaj radhitjes pa kushte në krah të Amerikës për luftën globale kundër terrorizmit, e sidomos në çështjen e Irakut përsëri nuk e shoh si rrjedhojë e anti-amerikanizmit, por si një politikë drejtpeshimi të vështirë midis parimores dhe pragmatikes, midis interesave të tashme e të perspektivës. Në këtë rast kam përshtypjen se janë politikanët grekë dhe opinioni grek ata që manovrojnë më me shkathtësi midis rrymave e shkëmbenjëve të nënujshëm në detin e trazuar të politikës e të diplomacisë.
Kur shkruaj në këtë mënyrë për paralelizmat që ka bërë gazetari amerikan midis anti-amerikanizmit grek dhe pro-amerikanizmit shqiptar nuk më pëlqen aspak të jap rast që ndonjë gazetë e Tiranës të përsërisë atë që bënte gazeta e partisë në pushtet “ZP”, e cila më 12 dhjetor 2000 botonte shkrimin “Baleta, i pari dhe i fundit antiamerikan në Shqipëri”. Mund të jeni i sigurtë, zotëri Pangallos, se me këtë letër juve nuk ju drejtohem as nga pozitat e antigrekut, sikurse jam cilësuar shpesh, as të anti-amerikanit siç shkruan kjo gazetë. As kam qenë, as kam arsye personale të jem antigrek, apo anti-amerikan. Antigrekë mund të bëhen ata që hiqen si shumë grekofilë. Anti-amerikanë ka dhe në Shqipëri, jo vetëm në Greqi. Anti-amerikanizmi në përgjithësi është koncept i diskutueshëm.
I nderuar, zotëri Pangallos, ju jam shumë mirënjohës që me fjalët tuaja të fundit për vendin dhe rolin që duhet të kenë arvanitasit në jetën kulturore e shoqërore të Greqisë dhe në ruajtjen e pasurimin e vlerave shumëshekullore të thesarit të përbashkët kulturor e historik shqiptar na jepni shkas për entuziazëm të ri në mbrojtjen e këtyre vlerave nga rreziqet që arvanitasve u kanë kushtuar më së shumti.
Por është edhe kënaqësi kur bie një rreze e re ndriçuese për të mënduar e për t’u shprehur për marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Përshëndetje vëllazërore
Abdi Baleta