LETER E BASHKESHORTES SE KOMANDANT TELIT PER OPINIONIN PUBLIK

Komandant Teli në Betejen e Haraçinës, beteja më e lavdishme ku 300 shqiptarë si të ishin spartanët e historisë përballuan një shtet me tanke e avion e artileri supermoderne dhe jo vetëm që nuk u mposhtën, por trimat shqiptarë dolën edhe fitimtare.Ende pa u mbushur dhjet vjet nga rënia e këtij kryetrimi, i hidhen femijet në rrugë.​

LETER E BASHKESHORTES SE KOMANDANT TELIT PER OPINIONIN PUBLIK
GJITHASHTU PER AUTORITET SHQIPTARE NE SHQIPERI, KOSOVE DHE MAQEDONI

Tiranë 27 qershor 2011


Ju drejtohem Ju i nderuar Popull im, ju drejtohem Ju, Burra të Luftës bashkluftëtarët e burrit tim. Ju drejtohem të gjithë Juve bashkëkombasit e mi kudo ku ndodheni në trojet etnike dhe gjitha skajet e Globit, të gjithë atyre që e ndjejnë veten shqiptarë dhe atdhetarë. Ju drejtohem Ju, nënave shqiptare që dini ç`është dhimbja, ç`është gjaku i derdhur i bijve për kombin e larine, që edhe ju ta thoni fjalën tuaj. Ju lutem veproni, sepse sot unë, bashkëshortja e dëshmorit të Atdheut Komandant Teli dhe dy fëmijët tanë kemi nevojë më shumë se kurrë për ju.
Sot unë dhe dy fëmijët e mi të vegjël të mbetur jetimë, në gjendje të papunë e pa përkrahje, jemi tragjikisht në rrugë të madhe, diku në Tiranë pranë Bulevardit “Bajram Curri”. Pa çati mbi kokë dhe me lot në sy po na merret nëpër këmbë dinjiteti prej disa njerzve që dinë si ta vërtisin ligjin e të na na përdorin si mish për top.
Në vitin 2003 Komandantët dhe Shtabi i UÇK-së duke parë gjendjen tonë vendosën që të na ndihmonin në kujtim të bashkluftëtarit të tyre të rënë, i cili tregoi aq trimëri gjatë luftës, që u bë aq i dashur për shqiptarët e Maqedonisë sa edhe sot e kujtojnë me dashuri dhe i thurin këngë, vendosën pra, që shtëpinë bazë të luftës së UÇK-së në Tiranë të na e dhuronin.
E gëzuam këtë shtëpi 8-vjet, kur papritur një tufë burrash nga Kosova ia behën dhe pa pritur të sqarohen se cilët ishin, ai që i printe na tha: - “Zonjë kjo banesë është e imja!”
Ata nuk dinin as në emër të kujt është kjo banesë, as sa dhoma ishin e të tjera dhe si ikën këta, pas tre ditësh, në mes të acarit na vjen Florin Krasniqi (sot deputet i Vetvendosjes në Parlamentin e Kosovës) dhe na deklaron që banesa ishte në emër të tij. Unë iu përgjigja se banesa nuk ishte në emrin e tij dhe ai më paraqiti dy fatura nga shoqata bamirëse që i kishin dhënë të hollat. Unë iu shpjegova se në këtë shtëpi më kanë futur ish-komandantë të UÇK-së, mirëpo me djallëzitë e tyre këta shpirtzinj nuk kishin pushuar nga intrigat e tyre, kishin bërë gjyq në mungesën tonë dhe pa na njoftuar në kundërshtim me ligjet shqiptare të drejtësisë.
Papritur një ditë, me aktin e ekzekutimit për të dalë nga shtëpia, na vijnë 30 veta, të dërguarit e deputetit Florin Krasniqi, duke na kërcënuar që të dalim nga shtëpia edhe pse jemi në çështje gjyqësore të hapur.
Sot që po ju shkruaj këtë letër, mua me dy fëmijët e mi, policia e përmbarimit më kanë kërkuar të dal në rrugë të madhe sepse ne jemi pa mbrojtje.

Ne u dashkemi vetëm atëhere kur duhet derdhur gjak për këtë komb e për këtë popull. Përtej kësaj ne jemi të humbur, pa përkrahje, jetime, të pastrehë, të papunë e nën mëshirën e fatit. Po a e meritojmë ne këtë? A e meriton bashkëshorti dhe babai atje në varr këtë shpërblim mizor për sakrificën e tij sublime.
A e dini të dashur bashkatdhetarët e mi cila është letra që i ka dërguar Komandant Teli, fëmijëve të vet vetëm pak ditë para se të binte dëshmor i Atdheut? I shkruante: “ Ta doni nënën, ta doni njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ta doni Atdheun. Edhe sikur të mos kthehem një ditë, Atdheun do ta keni si prind!” Po tani që na nxorrën në rrugë, çfarë do t`i thonë fëmijët e mi babait të tyre tek varri.
Fjala ime e fundit plot dhimbje është kjo:
Na ndihmoni! As familjet e dëshmorëve, as fëmijët e tyre dhe as dëshmorët, ata që pushojnë në panteonin e atdheut, nuk e meritojnë këtë barbarizëm!


Bashkëshortja e Komandant Telit
me dy fëmijët.
 

Sweety el

Locus omnem
nje leter jashtezakonisht mallengjyese dhe me vjen keq per ate gruan dhe dy femijet qe kane kaluar shume vuajtje...ku ka me shume vuajtje sa te mos kesh strehe ku te futesh se ajo eshte e rendesishmja se avash avash te tjerat i siguron pak nga pak.....te pakten shteti shqiptar ti siguroje nje ndihme ekonomike ....te pakten per ata dy femijet qe jane e ardhmja e vendit....si mund ta ndihmojme kete zonje me dy femije qe ka mbetur ne mes te rruges .....?????
 

Sekreti

Forumium praecox
HESHTJA E SHTABIT- FRIKE APO TRADHTI?


Masakra në Gazi Babë, Shkup 7 gusht 2001
e quajtur nga populli dhe ish luftëtarët "Tradhtia e madhe"

Dy pistat e vrasjes së Komandant Telit me 5 bashkëluftatarët e tij, pra vrasje politike apo hakmarrje personale me derivatin e tretë ku këto pista si dy shina treni bashkohen fatalisht e tradhtisht e krijojnë tragjedinë, ekziston dhe janë të besueshme në të treja këto aspekte, sa kohë që nuk është zbardhur e vërteta dhe sa kohë që ata që ishin direkt apo indirekt, me dëshirë apo pa dëshirë, me faj apo pa faj ishin të implikuar në këtë ngjarje.
Por së pari të flasim për rrethanat që janë si një prolog tragjik i orëve të para të mengjezit të 7 gushtit 2001 në Gazibabë të Shkupit.
Ish koha kur kishin nisur bisedimet për paqe dhe kishte një farë statukuoje armëpushimi, në pritje të një marrëveshje të ndërmjetsuar nga ndërkombëtarët. Le të kujtojmë gjithashtu dy presionet që u janë bërë Shtabit të UÇK-së nga ndërkombëtarët dhe shteti maqedon që armëpushimi e paqja do të ketë si kusht dorëzimin e armëve dhe dorëzimin e atyre që ishin përzier në krime. Kjo e fundit ka qënë një lojë dinake sepse në këtë klauzolë përfshiheshin të gjithë, se fundja ku ka luftë pa krime, vetë lufta në aspektin human është një krim se vret. Pra duke lozur me këto fjalë me siguri që atyre që negoconin u janë parashtruar këto kushte me presion.
Pa hyrë në hollësi se si e pse u nis Teli në Shkup, pse ai dhe jo një tjetër, (që do të shqyrtojmë në një shkrim në vete) mund të themi se nisja fatale e Komandantit Telit, luftëtarit më të sprovuar për në Shkup, i ka të gjitha mundësitë të ishte edhe në kuadrin e dorëzimit të atyre që quheshin se kanë bërë krime, gjithnjë sipas pikpamjes së maqedonasve mbi krimin kur ata vetë kishin bërë krime të përbindëshme mbi shqiptarët e nuk po i hynte ferra në këmbë.
Emrin e Telit e kanë vënë në krye në kerkesat e tyre, sepse ai ka qënë tmerri i ushtrisë e policisë maqedonase. Vetëm me një aksion personal pa pyetur për shtab-komandën, Teli me shokët e vet besnikë të njësitit vrau brënda një nate 30 ushtarë maqedonë.
Pra, thënë hapur, duke patur urrejtjen e shfrenuar të maqedonasve dhe armiqësinë e disa antarëve të shtabit (jo më kot shtabistët kishin nxjerrë urdhër për ta arrestuar por komandantin e mbrojtën ushtarët e UÇK-së) ai ka qënë i skeduar për tu sakrifikuar. A ka këtu një skenar. Janë të gjitha mundësitë. Por atij që më shumë i ka dhëmbur kjo histori ka qënë padyshim Komandant Hoxha-Nezir Shaqiri tek i cili Komandant Teli kishte besim të verbër,besim që në rrethana lufte ishte motivuar sepse Komandant Hoxha e ka ndihmuar Telin në konfliktet që ishin krijuar me Komandant Malen- Maliq Ndreca. Por Komandant Hoxha, miku i Komandant Telit, i cili e ngarkoi atë me misionin e Shkupit nuk flet. Dhe duke e njohur mirë psikologjinë e ish shtabistëve e rrethanat që janë krijuar janë gjasat që megjithë deklarimet se ai do te flasë kurrë nuk e ka hapur gojën për të thënë të vërteten. Dhe gjasat janë që nuk ka për të folur kurrë sepse në këtë punë janë mpleksur edhe të tjerë. Komandant Hoxha nuk thotë as se kujt ja ka besuar sekretin e lëvizjes së Telit për në Shkup. Më tej a i ka lajmëruar eprorët e tjerë për këtë mision, të cilët, mbase të lodhur nga lufta do të kenë vënë duart në kokë të tmerruar. Dhe dihet pse. Një aksion i Telit në Shkup do të ishte një veprim që do të terhiqte vemendjen e ndërkombëtarëve dhe statukoja do të prishej.Ata me këtë rast do të gjëndeshin nën akuzë prej ndërkombëtarëve. Pra vetë shtabi e inicoi nisjen e Telit në Shkup dhe vetë ky shtab e denoncoi.
Eshtë njësoj sikur ti japësh dikujt një bombë për ta vënë diku dhe pas tre kater hapave ta plasësh bombën me telekomandë në duart e njeriun të cilit ja ke dhënë. Krejt kështu ka ndodhur me këtë mision të inicuar nga shtabi. Tani çfarë mund të themi e ka vrarë bomba njeriun apo e vranë ata që inicuan shpërthimin?!
Natyrisht këtu në sakrifikimin e këtij luftëtari legjendar mund të kenë ndikuar edhe disa rrethana të pafavorëshme për të. Në një kohë të shkurtër ishte bërë një komandant i lavdishëm. Ka fakte që ushtarët maqedonas sa i afroheshin rajoneve të çliruara të UÇK-së, me të dëgjuar një krisëm pushke, ktheheshin me vrap duke thënë në gjuhën e tyre “Të ikim se po vjen komandant Teli”.
Nga ana tjetër armiqësia personale ndaj tij dhe cmira për lavdinë e krijuar. Por një gjë dihet, për Komandant Telin ushtarët e njësitit të tij, por edhe më gjërë, linin kokën sepse ai ishte jo vetëm trim i jashtëzakonshëm por edhe shumë njerëzor. I donte e i mbronte luftëtarët e thjeshtë ndërkohë që kishte ndonjë komandant famekeq që i rrihte. Kjo nuk është një shpifje por dëshmi e ish ushtarëve të UÇK-së.
Pra të gjitha pistat të çojnë në Shtab dhe jo tek një kokë e vogël shtabi por në kokat më të mëdha. Ata e nisën dhe e bitisën atë aksion turpi. Kurrësesi njësiti i Telit nuk shkoi në Shkup me inisiativen e vet por mori detyrë dhe ata që i dhanë atë detyrë kishin një platformë.Po pse nuk e thonë se cili qe qëllimi. Një zë është, por ai nuk vjen nga shtabi por nga një luftëtar i thjeshtë që thotë se kishte në shtab që donin të dërgonin njësitët në Shkup sepse nuk pranonin dorëzimin e armëve. Po nëse nuk donin dorëzimin e armëve, ku mund të ishin më të sigurta armët në duart e luftëtarëve në Slupçan, Mateç, Likovë, Hotelë apo në Shkupin e kontrolluar aq rreptë nga policia maqedone?
Do të thosha, pa pikë droje se e tejkaloj kufirin e respektit ndaj këtyre figurave të nderuara se, pse nuk është pronuncuar asnjë herë për çka ndodhi Gëzim Ostreni? Pse as Faslli Velija nuk dimë të ketë bërë ndonjë aludim a të ketë ngritur zërin për të akuzuar dikë.A për tu thënë se keni gabuar dhe keni marrë në qafë njësitin me 6 luftëtarë. Thuhet se është bërë një hetim nga shtabi, por një hetim në të cilin janë përfshirë vetë ata që e dinin misionin e dekonspiruar të Komandant Telit dhe njësitit të tij.
Ali Ahmeti as nuk vihet në dyshim që nuk do të flasë kurrë për këtë çeshtje sepse është vezë e nxehtë nën sqetullat e politikës E çfarë mund të thotë? As komandant Hoxha që ka çfarë të thotë nuk ndjehet.Sikur asgjë të mos kish ndodhur. As Maliq Ndreca nuk ka çfarë të pohojë për armiqësine e tij të çuditshme me luftëtarin më të spikatur të UÇK-së për Maqedonin. Mendojmë se gjithë këta shtabistë anipse tashmë të përçarë politikisht u ka plasur grindje e sherri me njëri tjetrin, në një gjë janë të një mendje e të një bese, të mos kujtojnë litarin në shtëpinë e të varurit. Të gjithë heshtin. I vetmi që foli dhe akuzoi antarët e shtabit për këtë tradhti ishte denoncimi publik i Ridvan Nezirit një luftëtar e komandant i UÇK-së, i cili përfundoi i vrarë në mes të ditës e në mes të Shkupit në vitin 2003. Pra mesazhi ishte i qartë, kush flet vritet, kush ka guximin të thojë të vertetën, kryqëzohet.
Me këtë nuk duam të themi se Ridvan Neziri kishte apo jo të drejtë, por akti i vrasjen së tij e të 3 vetëve të tjerë prej segmente policore në bashkëpunim me shqiptarë që punojnë për policinë e fshehte maqedonase, treguan se hapja e dosjes “Teli “kërkon shumë kokë luftetarësh.
Gjithësesi qoftë e verteta e sado mizorë të jenë në zhdukjen e dëshmitareve duke përfshirë dhe njeri-tjetrin, ata nuk do të mund ta mbulojnë të vertetën. E verteta nuk mund të varroset bashkë me viktimat. Nuk ka varr që e zë të verteten. Vrasja barbare e Telit dhe e shokëve të tij të njësitit në gjumë, para se një akt mizor i falangave maqedonase është një plagë e një turp që do ti ndjekë si hije të gjithë ata që diçka dinë e nuk rrefehen sa të jenë gjallë. Mbase do të rrëfehen në ferr.
Gjithësesi ta analizojmë, nuk kemi në këtë masakër as dhe një fakt se për rrjedhjen e informacioneve ka dorë a është zbulim i shërbimeve inteligjente maqedone, sepse tre personave, që fillimisht dinin ditën orën, vëndin dhe misionin e trimave që u nisën për në Shkup, pra Komandant Hoxhës, Myrteza Islamit,(nën toger), por edhe Milazim Arifit (baba dëshmori dhe luftëtar i UÇK, që pranon të dëshmojë burrërisht çfarë di), nuk besojmë se sherbimi inteligjent maqedonas u kishte vënë ndonjë mikrofon në xhep dhe i përgjonte. Fjala ka dalë nga goja. E goja e ka shitur komandant Telin e njësitin e tij tek sherbimi sekret maqedonas nën pretekstin e evitimit të një akti terrorist, kur në mes të dy palëve në konflikt vendosej paqa.
Pra Teli u bë kurban për paqen që ndodhej në tryezen e Ohrit. Shtabi e shtabistët nuk kanë as dhe një alibi të vetme për tu mbrojtur nga stuhija e 10 vjet fjalë,shqetësime, akuza,mallkime për turpin e madh të tradhtisë së Shkupit natën e 7 gushtit 2001. Ata që e kanë bërë spiunimin e tradhtinë mbase nuk kanë menduar se puna do të arrinte në një masakër të përbindëshme duke i vrarë njerëzit në gjumë, sepse mund tu jenë dhënë premtime se thjeshtë do të bënin neutralizimin e njësitit. Fakti që e kanë propoganduar aq shumë në shtyp këtë masakër, si fitorja më e madhe e maqedonasve mbi UÇK-në, do të thotë se çdo gjë është e parapergatitur. Në tryezen e bisedimeve në Ohër në vend që Gëzim Ostreni a Faslli Velia apo kush tjetër ka qënë atje, të tërhiqej e të riniste lufta, si presion për më shumë të drejta, përkundrazi kanë ulur kokën dhe kanë pranuar një kompromis i cili nuk premtonte më shumë se sa të qënurit të shqiptarëve një minoritet me një farë identiteti, por kurrësesi shtet formues. Nënteksti i triumfit të maqedonasve në Ohër duket botërisht, ju vramë komandantin më të shquar, vramë 6 luftëtarë pa na hyrë ferrë në këmbë, firmosni tani e hidhni vallen tonë se s’ka rrugë tjetër. Dhe ashtu bënë burrat e kombit duke i lënë luftëtarët në baltë. E sotmja tregon më së miri drejtësinë apo padrejtësinë e veprimeve të djeshme dhe parë në këtë sy, Marrëveshja e Ohrit është një dështim.
Sot pas një dekade as në Maqedoni por as në Shqipëri autoritetet shqiptare nuk e zënë në gojë këtë masakër, shtypi e anashkalon, media TV as që e prek sepse është si nje prush nën hi për duart e politikanëve shqiptarë, dhe kështu ata që duhej të konsideroheshin heroj e dëshmorë nuk merren në konsideratë kurrkund as në Tiranë e as në Shkup.
Eshtë t’u thuash këtyre derdimënëve që bëjnë politikë bythabrekë me, more njerëz përse luftoi aq heroikisht Komandant Teli ynë? A ka kush të flasë e të thojë dy fjalë për këto djem, të shprehë dëshpërimin e thellë të babait e nënës së Komandant Telit që jetojnë varfërisht në një fshat të thellë ku bashkohen e ndahen Berati me Skraparin e ku prehen eshtrat e luftëtarit legjendar?
Duke i bërë jehonë kësaj ngjarje “Masakras se Shkupit”, sa tragjike aq të turpshme në të cilën u vranë, Komandant Teli- Lefter Goxhaj nga Nishova e Shqipërisë 33 vjeç, Abaz Beqiri nga Haraçina e Shkupit 38 vjeç e baba i 6 fëmijëve, Ndriçim Kozhaj,nga Librazhdi 30 vjeç, Pajtim Roçi nga Kruma e Hasit 21 vjeç, Arben Bajrami nga Bojana e Shkupit 24 vjeç e Adem Hasani nga Hasanbegu i Shkupit 22 vjeç, nuk duam as të hetojmë e as të zbulojmë duke u vënë gishtin tradhëtarëve, atë le ta bëjë historia dhe populli me qëndrimin përbuzës ndaj tyre, por thjeshtë duam të bëjmë me dije e të tërheqim vemëndjen për një akt të turpshëm e mizor që nuk ka të bëjë me cilësitë e shqiptarit si besa e burrnia, por me pabesinë e tradhtinë e njerëzve pa karakter e pa dinjitet.
Kush hesht sot për këtë masakër, siç kanë heshtur shtabistët prej 10 vjetësh, direkt apo indirekt në opinionin publik dhe para ish ushtarëve trima të UÇK-së, që sakrifikuan shumë e fituan shumë pak, ai pra i heshturi e pranon se është pjesë apo segment i kësaj tradhtie.

© KOLEC TRABOINI
2010
 

Sweety el

Locus omnem
269404_133452183401944_100002114892748_229850_4828722_n.jpg
 

Sweety el

Locus omnem
Vendimi i Komandantave te UÇK-se per Maqedonine per tia kaluar shtepine familjes se Heroit Komandant Teli.
260068_133452520068577_100002114892748_229851_6208692_n.jpg

Akti i blerjes së shtëpisë që Florin Krasniqi. Familja e Komandant Telin thekson se kjo banesë është paguar me parat e Fondit të ndihmave për UÇK-në.
 

Sweety el

Locus omnem
Nese banesa eshte blere me parane e popullit,atehere nuk e kuptoj arsyen,perse t'i merret ,edhe pse figuron ne emer te dikuje tjeter e ne kete rast ne emer te ketij deputeti te vetevendosjes.

Turp,edhe sikur te ishte prone e ketij deputeti kjo banese,eshte dashte t'ia fale ate familjes se komandant Telit. Deri sa nuk prononcohen nenshkruesit e vendimit (fatkeqesisht njeri me nuk eshte fizikisht ne kete jete),eshte veshtire te jepet ç'fare do komenti.Me mire kishte me qene,populli shqiptare,ata qe kan zemra te pastra,ata qe kan meshire,t'e organizohen dhe kesaj familje te nderuar,t'ia blejne nje banese tjeter.Mendoj se familja ne fjale dhe familjet tjera te deshmoreve ne pergjithesi,meritojne me shume.
 

Sweety el

Locus omnem
nga KOMANDANT TELI

Bija ime!

"Bëhu vajzë e mirë, e ndershme, e dëgjueshme ndaj nënës, bëhu vajzë e di...turisë, e sinqertë. Mos lejo që kjo botë mashtruese të të kapë me thonjtë e saj të fëlliqur e të të cojë ku janë shumë vajza të mbetura rrugëve të Italisë e Evropës."

Aq e kisha dashur që të jem afër teje, të shoh se sa je rritur. Por edhe pse jam larg, larg saqë na ndajnë dy botëra, unë e ndjej veten krenar dhe shumë afër teje, kur e di se për cka u sakrifikova, e ti bija ime e dashur, duhet të jesh shumë krenare, gjithmonë të ecësh me kokë të ngritur lart, të mos dorëzohesh edhe pse disa të mendojnë për jetime.

Unë jam larg, thash sa dy botëra, por shpirti im cdo mbrëmje vie në natë, në dhomën tënde ti përkdhel flokët e arta, flokët e gjata, që aq shumë i desha. Pas ca kohësh me anë të kësaj letre, nuk dëshiroj që të të arsyetohem për ikjen time pa fjalë, pa gjurmë, por të të them se edhe pse unë vdiqa, këtij populli të përvuajtur duhej t'i dalë dikush në krah. Unë isha i fundit që mora këtë guxim, sepse shokët e vëllezërit e mi, mu atëherë kur u paraqita për në luftë, ata vetëm se kishin ujitur tokën me gjakun e tyre, e lulet e lirisë sa vijnë e rriten. Bija ime! Ngre kokën lart, se nuk dëshiroj të të shoh se si e ndjen veten jetime. Ta lash nënën, e cila ishte frymëzimi im për të shkuar në luftë, zemra e cila gjakoi për mua, që juve t'ju shoh të lirë, të kënaqur në atdheun tonë të shkelur nga cizma e fëlliqur. Ajo prej tani do të jetë udhëzimi yt, por të përkujtoj, kujdesu shumë për të.

Bija ime!

Letrën që po e lexon, është shkruar mu në front, ku dominon fryma e barotit, fryma e lirisë, sepse llomotitjet e askujt nuk vlejnë, e as shitjet e patriotëve nuk bëjnë para, nëse nuk je në front të luftës, e të shikohesh me armikun nëpërmjet shënjestrës. Kjo është kënaqësia e vetme, që mund ta përjetojë secili që dëshiron të vdesë e jo të luftojë me shpresë që të kthehet në familje. Të lutem bija ime! Mos ma kërko varrin se nuk do të ma gjeshë. Dije edhe mbaje mend se varri im është në Sllupcan, në Tanushë, në Kalanë e Tetovës. Këtu prehen eshtrat e mia. Të lutem mos ngurro, dhe thuaju të gjithëve që mos të ngurrojnë që të më ngrisin përmendore, sepse nuk dhashë jetën për përmendore e për strofa këngësh, por vetëm e vetëm që të fitoj kënaqësinë e Zotit që e falënderoj shumë që më gatoi aq mirë. E di se tash duke i lexuar këto rreshta të pikojnë lotët, por më vie shumë e qartë se ato janë lotët e krenarisë, e jo lotët e dhimbjes për babanë e vdekur, për babanë i cili flijoi veten sikur shumë baballarë tjerë.

Bija ime!
Janë këto fjalët e mia të fundit, sepse pas kësaj nisem në një betejë në të cilën nuk ka mbrapa. Bëhu vajzë e mirë, e ndershme, e dëgjueshme ndaj nënës, bëhu vajzë e diturisë, e sinqertë. Mos lejo që kjo botë mashtruese të të kapë me thonjtë e saj të fëlliqur e të të cojë ku janë shumë vajza të mbetura rrugëve të Italisë e Evropës. Nëse bija ime nuk përfundon kjo luftë e ti rritesh, do të kisha dashur që edhe ti të jesh në rradhët e ushtrisë së popullit, sepse vdekja nuk është asgjë për ata që i ofrohen vullnetarisht. Ajo është fazë që kërkon haracin e saj, por që shpërblehet me një botë, me një jetë tjetër për të cilën po ta dinte mirë bota, do të ngarendnin të gjithë që ta marrin me shpatë. Të lutem bija ime, përshëndeti të gjithë njerëzit që më kanë njohur, të gjithë miqtë. Përshëndete nënë tënde dhe ruaje si sytë e ballit, sepse shumë e respektova dhe më respektoi. Mirë u pafshim në botën e amshuar, në botën ku nuk ka më brenga. Dhashtë Zoti që të jemi të gjithë bashkë, në njërin kopsht të Xhenetit.

P.S. E dashur, mos ia trego dhe mos ia lexo letrën cupës tonë deri sa të rritet e deri sa t'i mësojë shkronjat. Ju dua shumë....

 

Sweety el

Locus omnem
Reagim i Shoqatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së Tiranë




265080_235325139813225_100000072238335_1047289_370072_n.jpg


Reagim i Shoqatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së Tiranë​


KUSH DHUNON DËSHMORËT, DHUNON KOMBIN​

Në fundin dhe fillimin e dy shekujve që zëvendësuan njëri-tjetrin, në trevat etnike të Shqipërisë veriore dhe lindore, u zhvilluan tri luftra çlirimtare, njëra më e rreptë se tjetra. Për ato përpjekje luftarake, është folur e shkruajtur nga shumë luftëtarë, analistë, historianë e shumë dashamirës të popullit tonë. Në këtë shkrim, nuk do të ndalemi e pasqyrojmë vlerat dhe rëndësinë e këtyre luftërave, por për një problem shumë serioz dhe të paparë në historinë e njerëzimit. Bëhet fjalë për një paradoks shqiptar, fenomen i perifrazuar nga i madhi Konica, i cili në shkrimet e tij ka lënë një amanet duke theksuar “se e keqja e Shqiptarëve janë vetë Shqiptarët”.

Tri luftërat e zhvilluara nga Shqiptarët, patën lidhje të gjithanshme njëra me tjetrën, por ajo që doli në dukje dhe që ka të bëjë me problemin për të cilin po reagojmë, është gatishmëria e popullit, për të ndihmuar këto luftëra, me mjete financiare, për t`i përdorur ato, atëherë kur i kërkonte koha dhe vendi, në përputhje të plotë me situatat që parashtronin këto luftra. Shqiptarët u mblodhën dhe u bënë një e të pandarë. U krijua fondacioni “Vendlindja thërret” dhe secili sipas mundësisë, hoqi pjesë nga kafshata e gojës, për ta vënë në dispozicion të atyre, që u përballën me murtajën e zezë Serbe.

Me këto fonde u blenë dhe disa banesa, për të strehuar luftëtarë të ndryshëm dhe materiale ndihmëse, për Ushtritë Çlirimtare përkatëse, të kohërave në të cilat u zhvilluan këto luftëra. Ato banesa u blenë nga disa individë të cilët, sot në këto pasluftra, me veprimet e tyre marramendëse, po shpalosin para Shqiptarëve dhe krejt botës dyfytyrësinë që ata kanë në realitet. Ato banesa u blenë me gjakun e këtij populli dhe ndihmat që i erdhën nga popujt e tjerë anë e kënd botës humanitare e demokratike. Poshtërsia në këtë rast qëndron në atë që hajnat i mblodhën këto ndihma, nuk i regjistruan në emër të Ushtrive Çlirimtare, por në emër të pjestarve të familjeve të tyre e të ndonjë të afërmi, në mënyrë që tani në pasluftë, ai gjak i dhuruar nga populli, të kthehet në pronë e tyre.

Një nga këto banesa, është dhe ajo në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë. Pas luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në këtë banesë, u strehua familja e dëshmorit të Kombit Lefter Koxhaj. Por nuk ishte thënë që kjo familje të jetonte e qetë pas asaj ndodhie tragjike. Fill këtu nis kalvari i vuajtjeve dhe keqtrajtimit të kësaj familje dëshmori. Ka dalë në skenë një farë Blerim Muharrem Krasniqi, nga fshati Vërnoc i Komunës Pejë, si blerës i kësaj banese të UÇK-së. Shprehemi në këtë mënyrë, sepse deri tani për të përvetësuar banesën, janë paraqitur disa, si Florin Krasniqi, deputet i “Lëvizjes për Vetvendosje” dhe një farë Flora Krasniqi, punonjëse e një administrate diku këtu në Tiranë. Nga këto raste, më i avancuari, është Blerim Krasniqi, i cili është paraqitur këto ditë me një vendim gjykate të vitit 2009, për të nxjerrë në mes të katër rrugëve, dy fëmijët e mitur të mbetur jetimë, të dëshmorit Lefter Koxhaj.

Nuk duam të zgjatemi në shpjegimet përkatëse, se si kanë rrjedhur dhe ecur ngjarjet e deritanishme, sepse ato janë shpjeguar me shumë hollësi nga gazetari Kolec Traboini në faqen e tij të internetit. Kushdo që do të njihet me realitetin e hajnit të mandatuar si deputet në kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, mund të të hyjë në atë faqe dhe të lexojë tragjikomedinë e shkaktuar nga deputeti i “Lëvizjes për Vetvendosje” të Albin Kurti, i cili bërtet brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Hashim Thaçin dhe nuk sheh brenda vetes hajnitë e rafinuara të Florin Krasniqit, i cili kërkon të përvetësojë djersën e mundin e popullit Shqiptar dhe gjakun e derdhur të bijve të tij më të mirë gjatë tri luftrave të fundit.

I drejtohemi opinionit Shqiptar në Prishtinë, Skënderaj, Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Preshevë, Bujanovc, Kumanovë, Tetovë , Gostivar, Shkup, Dibër, Strugë, Ohër, Manastir dhe kudo ku jetojnë Shqiptarë e bir Shqiptari, të ngrihen të gjithë në këmbë, për t`i treguar këtij hajni, se Ushtritë Çlirimtare e luftëtarët e tyre janë gjallë. Nëse ai nuk tërhiqet nga manipulimet dhe fallsifikimet e kryera me matrapazin e quajtur Blerim Krasniqi, do të mbajë përgjegjësi për pasojat, që mund të ndodhin për mbrojtjen e fëmijëve të dëshmorit të Kombit Lefter Koxhaj. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Presidentes, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit të Kosovës, që të ndërhyjnë për rastin konkret, sepse ata duke qenë ish-udhëheqës e drejtues të UÇK-së, e dinë më mirë se kushdo tjetër, se cili është Florin Krasniqi dhe hajnitë e tij, në fushën e grumbullimit të ndihmave për luftën dhe abuzimet e kryera prej tij.

Në këtë reagim të luftëtarëve të tri Ushtrive Çlirimtare të tri luftrave të fundit të Shqiptarëve, duam të theksojmë, se këto vuajtje që i shkaktohen familjes së dëshmorit Lefter Koxhaj, vijnë si pasojë e sistemit gjyqësor të korruptuar të Tiranës, ku zhvillohen e gjykohen çështje e merren vendime në vitin 2009, pa u thirrur e lajmëruar familja e dëshmorit me dokumentet që zotëron. Të korruptuarit e atij sistemi, shkojnë dhe më tej në paudhësitë e përbashkëta të Florin e Blerim Krasniqit, duke angazhuar tani pas dy vitesh përmbaruesit privatë për zbatimin e një vendimi të padrejtë.

Shqiptarë të Pejës e të krejt Shqipërisë Shqiptare! Ngrehuni në këmbë të gjithë njëherësh, se ajo që po ndodh sot me familjen e dëshmorit Lefter Koxhaj, është një sinjal ogurzi për të nesërmen, që mund t`i ndodhë kujdo.

Familjarë të dëshmorëve! Tregojini vendin ku e ka bastardi e aventurieri Blerim Krasniqi i arrestuar si i dyshuar për pamjen e tij prej Binladeni nga FBI amerikane, i cili vjen në mes të Tiranës me disa hajna të tjerë shoqërues e i ushtron presion fëmijëve të dëshmorit Lefter Koxhaj. Shqiptarë të kudondodhur! Ato toka Shqiptare në ato tri luftra u mbuluan me gjak Shqiptari, pjesë e të cilit është dhe gjaku i heroit të tri luftrave e dëshmor i kombit Lefter Koxhaj. Gjaku i tij ashtu si dhe i mijëra të tjerëve është shumë i rëndësishëm dhe vlera e tij, kurrsesi nuk mund të barazohet me një banesë që i është akorduar asaj familje nga ish drejtuesit e Ushtrive Çlirimtare. Mos lejoni që dhe kjo përkujdesje kaq e vogël, të nëpërkëmbet nga hajni i rafinuar Florin Krasniqi e njerëzit e tij hajna.

Luftëtarët e tri ushtrive Çlirimtare, nisen nga parimi se kush dhunon dëshmorët, dhunon kombin. Ne nuk e lejojmë një veprim të tillë edhe nëse të tjerë njerëz mbyllin sytë e veshët. Ne jemi ata që kemi qënë e do të mbetemi të tillë deri në vdekje. Nuk duam gjakderdhje, por nëse individë të veçantë e kërkojnë atë, ne në mbrojtje të gjakut të derdhur, do t’u qëndrojmë besnik idealeve tona.

Tiranë 28.06.2011 Kryesia SHVL UÇK Tiranë
 

Sweety el

Locus omnem
FLAKEN NE RRUGE FEMIJET E KOMANDANT TELIT




Nga KOLEC TRABOINI

Një telefonatë nga familja e komandant Telit, i cili para disa muajve u shpall nga qeveria shqiptare “Dëshmor i Atdheut” dhe familja e tij “Familje Dëshmori” më bëri të drithërohem. Po i flaknin pa mëshirë në rrugët e Tiranës nga apartamenti ku jetonin që nga marsi vitit 2003, i cili u është dhuruar nga Shtabi i UÇK-së me firmat e tre komandantëve të njohur. Por tronditja akoma më e madhe do të më vinte kur do të mësoja se ai që po i flakte në rrugë ishte deputeti i “Vetvendosjes” Florin Krasniqi. E rëndë për t`u besuar, por e vertetë. Dhe sipari i hipokrizisë njerëzore pritet të bjerë në Tiranë me 11 korrik 2011.
Mbas disa ditësh u gjënda pranë familjes së Komandant Telit. Më vunë në dorë tërë dokumentat e një procesi gjyqësor të bërë në mungesë të kësaj familje dhe avokatit të saj.
Duke i parë këto dokumenta që datojnë që në vitin 1999, kur ky apartament u ble për nevojat e UÇK-së si bazë logjistike e deri më sot, vura re se ky gjyq është një prej absurdeve të cilat po i takojmë përditë në drejtësinë shqiptare. Po kësaj rradhe absurdi rëndone mbi familjen e një dëshmori me të tillë dimensione që shumëkush, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e konsiderojnë hero mbarëkombëtar që meriton ti ngrihet një monument në Shkup, “atje tek Ura e Gurit ku Teli donte të ngrinte Flamurin” siç këndon populli për të.
Po çfarë dokumenta ka në dorë gjykata e shkallës së parë që ngutet habitshëm ta ekzekutojë vendimin e saj? Si e pse ajo vendosi pa praninë e familjes së dëshmorit Lefter Koxhaj , që kjo familje të dilte nga apartamenti ku jetonte prej vitit 2003, për t`ia lëshuar personit të quajtur Blerim Muharrem Krasniqi që mendohet të jetë vëllai i deputetit Florin Krasniqi ose tek e fundit kushuri i afërt i tij?
Le t`i hedhim një veshtrim kronologjik tërë kësaj situate dramatike për familjen e dëshmorit e cila ka mundur të mbijetojë me sakrifica të mëdha, pa të ardhura, me dy fëmijë të vegjël, e që banon në një apartament të falur nga shtabi i UÇK-së për meritat e jashtzakonëshme që ka treguar luftëtari i madh Komandant Teli nga Shqipëria në luftën e UÇK-së.
Familja e fëmijët e Komandant Telit zotërojnë dokumentin original me firmat e tre komandantëve të lartë UÇK-së, ( njëri prej të cilëve, Komandant Kushtrimi, ka rënë dëshmor vitin e kaluar) në të cilin dokument në të tekstualisht thuhet:
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare sot me datë 10 mars 2003 pasi analizuam shumë probleme të karakterit politik dhe ushtarak, u diskutua dhe për prona të blera në Shqipëri e Maqedoni për nevojat e me paratë e UÇK-së, objekte të cilat janë përdorur gjatë luftës si baza dhe qëndra grumbullimi, armatimi, logjistike dhe strehimi për luftëtarët në ilegalitet. Ndër të tjera u vendos që:
“Apartamenti i blerë në Tiranë në emrin Blerim Krasniqi (pseudonim) të kalojë në pronësi të familjes së dëshmorit Lefter Goxhaj, i cili ra në luftë kundër forcave maqedone me 7 gusht 2001.
Përpilohet ky dokument, më të cilin do të kryhet kalimi i pronësisë së këtij apartamenti pranë Zyrës së Regjistrimeve të Pasurive të Palujtshme Tiranë….
Komandant Hoxha( Xhezair Shaqiri), Komandant Sokoli( Sami Ukshini), Komandant Kushtrimi (Harun Aliu) - me firmat origjinale dhe vulë të Shtabit të UÇK-së.”
Familja e Komandant Telit ka qënë në proces të kalimit të pronësisë, kur pas 7 vjetëve që jetonin në atë banesë, pra në fillimin e vitit 2009, i trokitën në derë një tufë burrash nga Kosova. Menduan se kishin ardhur nga Kosova në kujtim të Komandant Telit, por jo. Fytyrëngrysur e hijerëndë ata hynë brënda në shtëpi e thanë që i kish dërguar Florin Krasniqi për t’i lajmëruar se duhej ta lëshonin sa më parë këtë shtëpi se është pronë e tij. Duke qënë se nuk kishin asnjë dokument me vete, e shoqja e Komandant Telit u ka thënë se nuk e njihte Florin Krasniqin dhe në një dokument që ajo kishte nxjerrë në noteri rezultonte emri pseudonim, sipas UÇK-së, i Blerim Muharrem Krasniqit i datëlindjes 22.2 1966. Duke mos mundur të sjellin farë argumenti, tufa e burrave kanë ikur duke turfulluar drejt Prishtinës.
Tre ditë më pas janë gjëndur në derë të apartamentit një tufë akoma më e madhe, rreth tetë burra të ardhur nga Kosova. Njëri nga ata është paraqitur si Florin Krasniqi i cili ka përsëritur kërkesën për lirimin e banesës. Kur i është paraqitur dokumenti i Shtabit të UÇK për dhurimin e pronës, ai ka thënë se nuk njihte asnjë vendim të saj (UÇK-së), sepse këtë pronë e kishte blerë vetë ai, Florin Krasniqi . Shënojmë fjalët e tij autentike “e kam blerë me para të dhuruara nga dy Shoqata Bamirëse Islamike.”Pastaj ka nxjerrë dy fatura dhe ja ka treguar shumat e parave të kaluara nga shoqatat islamike në emrin e tij. Duke hasur kundërshtinë e të shoqes së Komandant Telit, Florin Krasniqi ka thënë prerë: “Edhe sikur motrës sime ti qe vrarë burri në luftë, nuk do ta lija në këtë shtëpi. Shtëpinë do ta marr e do ta shes se më duhen paratë!”
Pas kësaj bisede të tensionuar, të bërë diku nga shkurti i 2009, familja e Komandant Telit nuk ka dëgjuar më për Florin Krasniqin dhe as për karvanin e burrave hijerendë që i vinin nga pas në linjën Prishtin-Tiranë e kthim.
Do të kalonin shumë kohë, aq sa të mendohej se këtë familje që mezi mbijeton(e shoqja e komandant Telit nuk ka një punë të përhershme), do ta linin rehat e nuk do t`ua prishnin jetën fëmijeve. Por nuk qe e thënë. Së fundi ju kanë ardhur në shtëpi nënpunsit e përmbarimit gjyqësor shqiptar me policë dhe u kanë kërkuar të dalin jashtë në bazë të vendimit të gjyqit në favor të kosovarit Blerim Krasniqi.
Po cilit gjyq, lind pyetja? Cili qënka ai gjyq që bëhet pa patur dy palë në zgjidhjen e një konflikt-ankese apo padi civile. Por gjyqinë Tiranë qënkesh bërë se ashtu deshën gjyqtarët. Gjyq në mungesë që të kujton kohën trishtueshme të komunizmit.
Familjen e komandant Telit nuk kanë begenisur ta thërrisnin dhe ata, gjyqtarët,( që merret me mend se si e kanë zhvilluar atë gjyq) kanë nxjerrë vendimin duke u ngutur ta ekzekutonin pa asnjë lajmërim. E habitshme, e paimagjinueshme, vetëm në shtete diktatoriale e jo në një vend demokratik mund të ndodh kësisoj. Nuk e di çfarë do të mund të thoshte Kreshnik Spahiu që merret me Kuq e Zi e çeshtje atdhetare e që është nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për ato që ndodhin në Drejtesinë e Poshtme.
E megjithë se thonë se ka drejtësi në këtë botë, gjyqtari shqiptar ka marrë vendimin për nxjerrjen në rrugë të madhe në mes të Tiranës, të fëmijëve të një luftëtari që konsiderohet si kryeheroi i shqiptarëve në betejat e vitit 2001, i cili as më pak e as më shumë, por u masakrua barbarisht në gjumë bashkë me 4 shokë prej forcave maqedone, por të informuar nga tradhtarët.
Nuk dimë si mund të spjegohet ai gjyqtar e ajo trupë gjykuese e Tiranës. Ne do ta ndjekim këtë çeshtje sepse kjo jo vetëm që është një akt antihuman por bie erë korrupsion, si një vendim me porosi e i nxjerrë shpejt e shpejt e në fshehtësi. Aq më tepër që jo vetëm është bërë në mungesë të pjestarëve të kësaj familjeje apo përfaqesuesit te saj ligjor, por edhe sepse vendimi që ka nxjerrë gjykata mbështetet mbi një dokument që mund të konsiderohet i pavlefshëm sepse ka pasaktësi që rrëzon çdo besushmeri ndaj saj.
Si mund ta konsideronte Gjykata e Tiranës të rregullt një dokument kontrate shitje ku shkruhet: “Sot me datë 17.05.1999 në Dhomën e Noterisë në Tiranë, në mbështetje të neneve 83 dhe 246 të Kodit Civil, redaktohet kjo kontrate shitje….”
Dhe më poshtë në fund të dokumentit noterial shkruhet “ Shoqëria ( Teknoprojekt-shënimi im KT), ia shet apartamentin bashkë me një garazh Z. Blerim Krasniqi me një shumë 50,000(Pesdhjetmijë) USD, të cilat janë likujduar me mandat arkëtimi të xhiruara në llogarinë përkatëse të llogarisë me Nr.145 datë 18.05.1999, të cilat i a ka paguar shoqërisë “Teknoprojekt” para nënshkrimit të kësaj kontrate.”.
Në vështrim të parë të bie ne sy se ky dokument është i dyshimtë sepse ka pasaktësi të tilla si, data e hartimit të këtij dokumenti është 17 maj, ndërsa brenda dokumentit thuhet se paratë janë paguar para se të hartohej ky dokument çfarë supozohet para datës 17 maj, por çudia është se trajta e kryer e plotë “I ka paguar para nënshkrimit të kësaj kontrate” shoqërohet me datën e derdhjes se parave 18 maj 1999, pra çfarë tregon se paratë nuk janë paguar para datës 17 maj kur është nënshkruar ky dokument. Kjo mospërputhje në mënyrë të padyshimtë do të bënte që të mos merrej shumë në konsideratë për të dhënë një vendim gjyqësor të mbeshtetur mbi të sepse në drejtësi një gënjeshtër sado e vogël e rrëzon dhe e bën të pavlefshëm një dokument sado i rëndësishëm të jetë. Vetëm për ngatrrimin e një germe në dokumenta të indentitetit detyrohesh të bësh kerkësë për ndryshim e madje edhe gjyq.
Si ka mundësi që Blerim Krasniqit nuk i tregohet vendbanimi, shtetësia siç (në vitin 1999) kërkohej në çdo dokument që hartohej për ata që nuk kanë patur nënshtetësi shqiptare. Shkruhet një nr. Pasaporte 524494, por jo e shtetit që i ka lëshuar atë pasaportë Blerim Krasniqit. Shkruhet se është banor i Tiranës, por vendbanimi tregohet pikërisht adresa e shtëpisë të cilën ai ende nuk e ka marrë në pronësi dhe nuk i pa paguar ende paratë. Po cila është adresa e këtij njeriu në momentin që e blinte një pronë Shqipëri? Çudia më e madhe që e bën këtë dokument krejt të dyshimtë është se tregon një llogari rrjedhese ku janë derdhur 50,000( pesëdhjetë mijë dollarë) por nuk thuhet se në cilën bankë është kjo llogari rrjedhëse e shoqërisë “Teknoprojekt”. Sepse po të shënohej se cila bankë, shumë lehtë gjyqtari mund ta verifikonte se në çfarë rruge kanë ardhur ato dollarë tek llogaria rrjedhëse e “Teknoprojekt”. Mos vallë dollarët kanë rrjedhur nga llogaritë e shoqatave bamirëse( shpesh herë ndër thonjëza) islamike apo mbase nga ndonjë bankë amerikane nga llogaria rrjedhse e Florin Krasniqit ku kanë kaluar jo pak por diç më shumë se 30 milion dollarë ndihma të shqiptaro-amerikanëve, duke përfshirë edhe kontributin modest të autorit të këtij shkrimi.
Si mund një gjykatë me të tilla pasaktësira të marrë një vendim pa marrë fare në konsideratë faktin e pretenduar besueshëm se është pronë e UÇK-së, blerë me paratë e shqiptarëve dhënë fondit të luftës “Vendlindja thërret”. Si t`ia kalojë pra me aq lehtësi vëllait të pretenduar (ose real) të Florin Krasniqi pa patur asnjë dokumet tjetër plotësues veç aktit noterial me gabime që e bëjnë të pavlefshëm e që të bëhet i vlefshëm duhet të paktën një gjyq tjetër i veçantë.
E gjithë kjo tregon se Florin Krasniqi ka ditur të merret vesh me gjyqtarët të cilët në Shqipëri kanë një emër e nam tmerrësisht të keq. Ne nuk i dimë prapaskenat, por ajo çfarë kemi në dorë me këtë dokument na bind se edhe një njeri dritëshkurtër në rreze shikimi, do të mund të dallonte këto pasaktësi që e bëjnë çdo dokument të dyshimtë për një séancë gjyqësore. Ndoshta ky ka qënë shkaku që gjyqi është bërë në fshehtësi e pa lajmëruar familjen e dëshmorit të UÇK-së, të cilës i është falur kjo pronë, por nuk e ka kthyer mbi vete me kohë, vetëm me shkakun se donte aq para sa ajo nuk ishte në gjëndje ta paguante për shkak të një gjendje ekonomike katastrofike.
Me t`i shkuar Përmbarimi në derë, familja e komandant Telit ka vënë kujën tek shokët e miqte e dëshmorit, të cilët disa i janë gjëndur duke e ndihmuar për të bërë gjyqin për anullimin e Përmbarimit, apo shtyrjen për të fituar kështu kohë e mundësi që të bëjë një gjyq tjetër ku familja banuesë në apartament prej 7 vjetësh, të paraqesë pretendimet e saj e ku Komandantët e UÇK-së nga Kosova e Maqedonia të thonë fjalën e tyre për këtë aktdhurim.
Çeshtja e pezullimit të përmbarimit derisa procesi të zgjidhet prej organevë më të larta të drejtësisë po zvarritet. Gjyqtarja që ka marrë përsipër këtë ankimim deklarohet se as nuk do të dijë për vendimin e shtabit dhe komandantëve të UÇK-së, çfarë të bën çudi se janë fjalë krejt të ngjashme me ato që i ka thënë Florin Krasniqi familjes së komandant Telit në vitin 1999, e për më tepër ajo, ashtu si dhe gjyqtari i mëparshëm as që nuk po vè re se dokumenti i blerjes me emrin Blerim Muharrem Krasniqi, është me aq parregullsi e pasaktësi sa e bën të pavlefshëm për pretendimet që paraqesin të dërguarit e Florin Krasniqit, tashmë deputet i “Vetvendosjes” në parlamentin e Kosovës. Gjykata as po e merr mundimin të kërkojë tek firma “Teknoprojekt”( nëse ende ekziston) apo tek përfaqësuesi i saj Edmond Pinguli për të sjellë dokumenta e të dhëna se më çfarë është blerë apartamenti, nga cila llogari rrjedhëse kanë ardhur dhe në cilën bankë është derdhur shuma në fjalë. Të spjegojë se si kjo firmë nuk deklaron bankën ku kalojnë shuma të tilla të mëdha në një akt shitje që paraqitet krejt i dyshimtë. Të shpjegojë se çfarë kriteresh janë ndjekur apo ndiqen kur një pronë i shitet një personi që nuk e ka shtetësinë shqiptare dhe as vendbanimin në Shqipëri. Të kërkojë dokumenta apo fatura pagese apo taksa, që shtetasit i një vendi tjetër ka qënë i detyruar, konformë ligjeve, të paguajë kur blen prona në Shqipëri, dhe a janë paguar taksa për këtë blerje. Nese jo a nuk ka të drejtë shteti të ndërhyjë?
Duke parë një dokument krejt të parregullt nga pikpamja juridike, nga ana e gjyqit ishte dashur të thirrej noterja Hatixhe me mbiemer krejt të palexueshëm( po e paraqesim dokumentin origjinal bashkë me shkrimin) të jepte shpjegime se pse ky akt shitje është në këtë gjendje konfuze.
Por asnjë nga këto nuk është bërë e as nuk po bëhet sepse….kush e di, deputeti i “Vetvendosjes” Florin Krasniqi di si t`i rregullojë punët e veta. Por megjithatë, meqënëse është deputet i Parlamentit të Kosovës, disa pyetje publike duhet t`ia bëjmë.
1- Me cilat para e keni blerë shtëpinë në rrugën “Anton Zako Çajupi” pallati teknoprojekt në Tiranë, në maj të vitit 1999, i nderuar zoti deputet i Kosovës Florin Krasniqi?
2- Në një emision televiziv amerikan( transmetuar edhe në Shqipëri, ku mund të verifikohet) keni deklaruar se keni marrë ndihma për UÇK-në edhe nga disa burime që ligjërisht mund të duket si shkelje por që nevoja na bënte t`i merrnim. A mund ta konkretizoni këtë me dokumenta hyrëse në fondin “Vendlindja thërret” në New York.
3-Mos vallë ndër këto ndihma janë edhe dy dokumentat të Shoqatave Bamirëse Islamike Arabe me 50 mijë dollarë që ja ke treguar në shtëpinë e saj familjes së Komandat Telit, ku shprehimisht keni thënë pa t’u dridhur qërpiku se “Apartamentin e kam blerë me paratë e shoqatave bamirëse.”.
4- Meqë keni qënë mbledhësi i dollarëve ndër shqiptaro-amerikanë( mbi 30 milion të deklaruara për të blerë armatime), a i keni deklaruar në instancat përkatëse në Amerikë paratë që keni marrë nga “Fondacionet Bamirëse Islamike” dhe a i keni derdhur ata në ndonjë bankë? A keni dokumenta për këtë?
5- A keni blerë me paratë e Fondacionit”Vendlindja thërret” prona të patundshme duke përfshirë apartamente banimi në Shqipëri apo vende të tjera në Europë dhe çfarë është bërë me këto prona të UÇK-së. Kjo pyetje bëhet për faktin se në Tiranë ka dalë emri i Xhavit Halitit, epror i lartë i UÇK-së i cili rezulton që në Tiranë të ketë ( a të fshehur apo të hapur) një kat pallati me tre apartamente, jo shumë larg shtëpisë që keni blerë ju Florian Krasniqi, tek shkolla “11 Janari” Tiranë. Të dyja këto prona, sipas dyshimeve( që mbetet të vertetohen apo përgënjeshtrohen prej jush), të blera me paratë e UÇK-së dhe të vëna nën emra miqëve të afërt apo të pjestarëve të familjeve tuaja.
6- A keni obligim si deputet i Kosovës,z. Florin Krasniqi, që të bëni kujdes për familjet ë dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, për fëmijët e mbetur jetimë që nuk arrijnë të mbijetojnë prej varfërisë, kur prindët e tyre kanë derdhur gjakun për këtë liri që ty të jep mundësinë për të qënë deputet.
7- A ju lejohet ju z. Florian Krasniqi të shkoni në një shtëpi ku jeton gruaja e komandantit heroik Lefter Koxhaj me dy fëmijë të vegjël, i pasuar nga 6 -7 burra që i mbaje pas e duke u sjellë një presion psikologjik dhe tronditje të jashzakonshme, sepse e ndjenin veten pa mbrojtje dhe viktimë të egoizmit tuaj për para. A nuk konsiderohet kjo e dënueshme në çdo vend të qytetruar të botës, aq më tepër kur ju vinit nga Amerika dhe nuk duhet të keni të tilla koncepte patriarkale e imponuese që të pakten mendohet se i kemi lënë pas në shekullin e kaluar?
8- A e dini ju, z. Florin Krasniqi se fëmijëve të komandant Telit në moshën fëmijënore ju po u ushqeni urrejtje. A e dini se tashmë ju që kërkoni t`i flakni në rrugë urreheni me po atë forcë sa ata që e tradhtuan dhe vranë babain e tyre në Masakrën e Gazi Babës. E gjithë kjo kur prej jush pritej dashuri e përkujdesje njerzore si respekt për djemtë e baballarët që dhanë gjakun e tyre për liri dhe idealet e larta kombëtare?
9- A e ndjen veten mirë në grupin e deputetëve të Albin Kurtit, zoti Florin Krasniqi, në atë grup deputetësh rinorë, të zjarrtë, ku flitet për ideale të larta mbarkombëtare, ndërkohë që pikerisht ju, personalisht, vini njerëzit e tu dhe të klanit tuaj për të flakur në rrugë fëmijët e dëshmorëve?
10- Dhe e fundit, po të ngjallej për një çast Komandant Teli, para të cilit dridheshin e iknin në panik mijtë armiqtë e shqiptarëve, si do ta ndjeje, i nderuar deputet Florian Krasniqi dhe a do ta përballoje shikimin e tij?
Për Albin Kurtin, kryetarin e lëvizjës( tashmë parti), “Vetvendosja” që ka nxjerrë deputet Florin Krasniqin do të thosha veç një fjalë: “Në mos qofsh i zoti me e bind Florin Krasniqin që të mos flakë në rrugë të madhe fëmijët e komandant Telit, por të veprojë siç ka vendosur Shtabi i UÇK-së, atëherë distancohu prej bëmave të turpshmë të deputetit tënd, përndryshe prano se idealet tuaja partiake janë një mënyrë tjetër e re për të bërë politikë të vjetër, për të mashtruar popullin e për të mbushur xhepat e deputetëve. Eshtë koha e të vertetës pertej fjalëve të bukura në parlament e në metingje populiste.
Cilesia më e poshtër e çdo individi në këtë botë është mosmirënjohja, por kur kjo bëhet në mënyrë institucionale, atëherë kemi një zvetënim të idealeve kombëtare dhe ashtu siç me të drejtë shkruante poeti, shkrimtari dhe analisti i njohur anglez Samuel Johnson: “Patriotism is the last refuge of the scoundrel.”- Nacionalizmi është streha me e fundit e maskarenjve.
 

Sweety el

Locus omnem
DJEMT E NJESITIT TELI TE MASAKRUAN NE GJUME

Veper mizore e tradhtareve dhe krimineleve te shtetit te shpifur sllavo-maqedon.
Gazi Babe, Shkup 7 Gusht 2001 ora 4: 15 e mengjezit.​
 

Sweety el

Locus omnem
260205_133453060068523_100002114892748_229854_2105782_n.jpg

Pamja e shtepise qe ka qene baze e UÇK-se deri sa ju fal familjes se Deshmorit te Atdheut Komandant Teli ne 2003. Ne fasaden e murit foto e Komandant Telit e familjes, duken dhe ty femijet e tij.



Vellezrit Florin dhe Blerim Krasniqi te cilet se bashku po nxjerrin nga shtepia femijet e komandant Telit blere me parate e UÇK-se.​
 
Top