alinos
Forumium maestatis
Letër Burrave
Letër Burrave
Naser Aliu
Gati çdo ditë përplaset dera te ne. Gati çdo ditë në këmbë, herë para vjehrre, herë para kunatave, herë para kunatit, herë para shokëve të tij, herë para kushërinjve, kushërinj të kushërinjve, gjithmonë duhet të jem e buzëqeshur, mikpritëse... Dhe, askush nuk paralajmëron ardhjen, shumica janë të papunë, zyrtarisht të papunë... Si edhe burri im personal: Sherifi.
Nëse më dhemb koka, duhet të shtirem se jam shëndoshë e mirë, sepse mysafirët, dhembjen e kokës e shpjegojnë si qëllim i fshehtë për t´i dëbuar. Ata nuk e konsiderojnë vetëm kështu, por edhe analizojnë qëndrimin tim, dhimbjet e mia dhe gjendjen time shpirtërore.
Ata shkoqisin dhe shtjellojnë tundjen e kokës, rrudhjen e buzëve apo edhe lëvizjen e duarve dhe të gishtave. Shtrirjen e këmbëve, lëvizjen e gishtave të këmbës dhe ngritjen e vetullave. As në banjë nuk duhet shkuar kur ke mysafirë, thonë është marre!
Për shembull, nëse ngre vetullat, kunata thotë se po i shikoj mysafirët me dyshim, nëse i ngrys vetullat, thonë se po i shikoj me habi. Nëse shtrij këmbët, e shpjegojnë si indiferencë. Këtë gjest, vjehrra e shpjegon ndryshe: mosrespektim ndaj saj dhe mysafirëve.
Kur lëviz gishtat e këmbës, thonë se jam nervoze. Nëse lëviz gishtat e duarve, thonë se jam e paqejf. Çdo lëvizje imja ka interpretues dhe analizues. Madje, këto shpjegime mbështeten, sipas tyre, edhe me fakte shkencore, sepse shumë herë, vijat e karakterit tim ravijëzohen në filxhanin e kafesë. Kunata e madhe është eksperte për interpretimin e filxhanit.
Para dy javëve më ranë gotat e çajit nga dora, mu para vjehrrës, (thënë sinqerisht, gëzohem kur bëj çaj, sepse gotat e çajit nuk lexohen, për fat!). Aty brofi Sherifi, burri im personal, më qëlloi me grusht në hundë dhe unë u përplasa pranë dritares, në prehër të kunatës.
Ajo u largua anash, duke më vështruar me një shikim përbuzës dhe qortues. Vjehrrës i ra vetëm pak çaj në gishtat e këmbës, (po ata gishta që, kur i lëviz unë, shpjegohen si nervozizëm i theksuar), por ajo u ngrit duke kuisur, duke hequr çorapen me forcë dhe duke gjëmuar, sikur t´i kishte rënë një bombë.
Sherifi më qortoi me zë të ashpër për mungesë përqëndrimi, se ku e di se ku i kisha pasur mendtë dhe se kisha tentuar t´ia përvëloj nënën (ai e thërret: nanushi). Kur pa se më rridhte gjaku nga hunda, për ta arsyetuar dënimin apo për të krijuar një ekuilibër mes veprës dhe dënimit, shtoi me zë të zbutur: "Desh na e vrave nanushin!"
Atë ditë pata menstruacionet, i kam çdo muaj, por askush nuk duhet ta dijë; më dhembte koka, por njerëzit e mi kishin nevojë për shërbim; ata nuk ishin të sëmurë, mirëpo në familjen tonë, gratë e sëmura quhen shtirake. (që shtirren)
Ka dhjetë vite që jetoj në Gjermani. Këtu jetohet ndryshe dhe femra trajtohet me respekt, por në shtëpinë time nuk ka ndryshuar gjë. Gati po ato orendi, po ato ushqime dhe kursejmë shumë. Kemi mundësi fantastike të vdesim të pasur, sepse jetojmë tepër varfërisht.
Shumë njerëz kanë ndërtuar shtëpi në vendlindje, Sherifi ka ndërmend ta bëjë më të madhe se kushërinjtë e tij, me katër kate. Tre kate për djemtë dhe në të katërtin duhet të banojmë ne. Sherifi preferon katin e fundit, për t´i mbikëqyrë hyrjet dhe daljet nga ballkoni.
Në mëngjes bëj gati fëmijët për shkollë. Pak para orës tetë nisen. Janë shumë të zellshëm dhe i dua shumë. Në orën tetë shkoj unë në punë. Sherifi fle. Në orën katërmbëdhjetë e gjysmë e mbaroj dhe nxitoj në shtëpi për të gatuar drekën. Sherifi, në kompjuter. Fëmijët kthehen pak para meje.
Dy orë pasdite i kaloj me fëmijët, duke u bërë detyrat. Sherifi në divan apo duke telefonuar, ose duke ndërruar kanalet televizive të planetit tonë. Sapo t´i mbarojmë detyrat, nis të përgatis darkën dhe dëgjohet Sherifi: "Ku mbeti ajo dreq darkë"?
Darkojmë. Unë laj pjatat, pastroj tryezën. Sherifi tash lexon gazetën dhe hedh faqet një pas një në dysheme. I përcjell fëmijët në shtrat. Grumbulloj faqet e gazetës që kanë dëshpëruar Sherifin. Sherifi shikon lajmet; televizionin gjerman, nëse nuk kemi mysafirë. Unë nis me hekurosje, pastaj pastroj shtëpinë. Sherifi shikon sërish lajme, kësaj here në televizionet shqip satelitore. Kërkon një gotë ujë, edhe pse ka shishen me gotë para vetes.
Pas orës dhjetë, Sherifi shkon në krevat dhe bërtet: "Eja moj loçkomane t´i bëjmë detyrat e shtëpisë...Laju se po të vjen era djersë!".. Herë pas here thotë se nuk i bëri detyrat mirë dhe se duhet korrigjuar!
Sherifi nuk më ndihmon në punët e shtëpisë. As fëmijët. Djemtë nuk i lejon, sepse sipas tij, kjo është punë grash. Vajzat janë të vogla. Ai thotë se kur djemtë ndihmojnë nënën, atëherë feminizohen dhe ka rrezik për orientimin e tyre të mëvonshëm dhe mund të devijojnë... Ata duhet të mbeten burra me karakter mashkullor, pra si burri im personal, Sherifi.
Më pret ulur mbi krevat, cullak, si zakonisht. I pëlqen të ekspozohet, thotë se ka trup atleti. Ofshan nja dy a tri herë, kthehet në anën tjetër dhe fle i kënaqur, duke gërhitur. Unë shikoj drejt tavanit me sy të zgurdulluar. Aty nga ora një pas mesnate, më vjen gjumi dhe zgjohem në orën pesë e dyzetepesë.
Në orën gjashtë e gjysmë bëj mëngjesin gati. Zgjoj fëmijët, hanë mëngjes dhe në orën shtatë e gjysmë ikin në shkollë. Në një pjatë lë mëngjesin gati për Sherifin kur të zgjohet, edhe kafenë. Pesëmbëdhjetë minuta pas fëmijëve, vrapoj edhe unë shkallëve teposhtë për në punë.
Sherifi është i kënaqur me mua, mirëpo ai ka edhe një cen: sa herë nervozohet, shqetësohet apo dëshpërohet, ai dëshiron seks. Të shtunën, Sherifi e kalon ditën duke luajtur shah në klubin shqiptar, duke pirë çaj dhe duke analizuar, politikën e Shqipërisë, politikën e shqiptarëve të Kosovës dhe atë ndërkombëtare.
Telefonon me shokët dhe flasin për lirinë dhe robërinë, për kombet e shtypur në botë. Këtë javë ndjehet shumë i preokupuar për Rripin e Gazës.
Një herë në javë Sherifi shkon në palestër. Të dielën, luan top me shokë.
Unë, në fund të javës, zakonisht rregulloj shtëpinë dhe shërbej nanushin që vjen me tri bijat te ne. Mirëpo, në klubin shqiptar më merr edhe mua rregullisht: çdo 28 nëntor dhe tani edhe për 17 shkurtin. Çdo 9 mars më blen një lule, pasi të ketë marrë vesh se dje kishte qenë tetë marsi.
Kështu shtatë ditë në javë, kështu çdo muaj, kështu me vite. Nëse refuzoj, bëhet potere e madhe.
Ndjehem një shportë hedhurinash, ku sikush zbrazet për ta fituar ekuilibrin e vet. Unë jam një qoshe e rrugicës, ku ndalet qeni për të bërë shurrën. Seksin nuk e dua. Ai është për mua dhunim dhe nënshtrim, nënshtrim deri në asgjësim, Sherifi është i kënaqur me mua, edhe rrethi familjar, po!
Epilog
Në shoqëri me struktura fisnore, statusi superior fitohet jo në bazë të aftësive, por në bazë të organeve gjenitale...
marre nga http://www.shekulli.com.al/2009/03/20/leter-burrave.html