Leku drejt stabilizimit në kuotën 137

Leku drejt stabilizimit në kuotën 137

Dita e djeshme qe e mbushur me lëvizje të forta në treg, por leku fitoi 0.8 për qind

GJERGJ EREBARA

Leku shqiptar fitoi rreth 0.8 për qind kundrejt euros gjatë ditës së djeshme, sipas kursit fiks që publikohet në mesditë nga Banka e Shqipërisë, duke shënuar ditën e parë pozitive në më shumë se dy javë. Euro ndërroi duar në kuotën mesatare prej 136.74 lekësh në mesditë, pasi e kishte nisur ditën në kuotën 138 lekë. Pasdreke, leku u luhat në 136-137 lekë, duke e mbyllur ditën e punës në kuotën e sipërme. Tregu i këmbimit valutor vijoi të jetë i trazuar me tension të lartë. Shumica dërrmuese e bankave dhe agjencive valutore ruajtën një diferencë të lartë mes kuotës së shitjes dhe asaj të blerjes, fenomen që pasqyron pasiguri të lartë. Një pjesë e ekspertëve të bankave ia veshën të gjithë fajin deklaratës çorientuese të Kryeministrit Berisha javën e kaluar, për tronditjen e kursit të këmbimit.

Reagimet

Opozita politike hodhi poshtë dje akuzat e ministrit të Financave, Ridvan Bode, për hapje paniku. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se opozita qe treguar korrekte përgjatë të gjithë krizës së muajve të fundit, por në të njëjtën kohë, kishte informuar publikun mbi gjendjen ekonomike të vendit.

Shoqata e biznesit Konfindustria, kërkoi përmes sekretarit të përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për shmangien e zhvlerësimit të mëtejshëm, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të besojnë te vlera e monedhës së tyre kombëtare.

Stringa: Duhet të analizohen shkaqet

Dekani i Fakultetit të Ekonomiksit në Universitetin e Tiranës, Omer Stringa, mendon se Banka e Shqipërisë duhet të marrë masa, por më parë duhet të analizohen shkaqet që sollën zhvlerësimin. Sipas Stringës, i cili foli për një televizion lajmesh, paniku është një faktor shtesë që ndërlikon problemet e zhvlerësimit të lekut, por përmendi edhe shkaqet e tjera të lekut të dobët si kriza ekonomike, forcimi i euros në tregun ndërkombëtar, rënia e dërgesave të emigrantëve apo financat publike.

Ftohen importet, rigjallërohen eksportet

Të dhënat e bilancit tregtar të vendit për muajin gusht, të cilat u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë, bëjnë të ditur për rënie të fortë të importeve në Shqipëri, gjë që mund të ndikojë pozitivisht në kursin e këmbimit të lekut. Gjatë gushtit, vendi importoi 257 milionë euro mallra, me rënie 12 për qind kundrejt gushtit 2008. Shkaqet e rënies së importeve lidhen drejtpërsëdrejti me zbutjen e shpenzimeve për investime të qeverisë gjatë po këtij muaji. Importet në Shqipëri qëndruan në nivele të larta gjatë këtij viti, pavarësisht rënies së eksporteve dhe të ardhurave nga remitancat, përgjithësisht si pasojë e shpenzimeve të larta buxhetore. Për këtë arsye, deficiti i llogarisë korrente të vendit mbeti i lartë, gjë që solli edhe presion mbi lekun.

Gjatë periudhës janar-gusht, eksportet e Shqipërisë kanë rënë me 19.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kulmi u shënua në prill, kur eksportet shënuan rënie në masën 27 për qind në bazë vjetore. Por pas muajit qershor, situata filloi të përmirësohej. Në gusht, Shqipëria eksportoi 55.11 milionë euro mallra, me rënie vetëm 14 për qind kundrejt gushtit 2008. Ky qe edhe muaji me rënien më të vogël të eksporteve që nga janari.

Tek importi situata është krejt e ndryshme. Importet totale për periudhën janar-gusht kanë rënë me 7.8 për qind në 2.1 miliardë euro, por për muajin gusht, rënia qe 12 për qind, më e larta e shënuar që nga janari. Ndërsa rënia e importeve teorikisht sjell më pak valutë të larguar nga Shqipëria, pasojat janë ndjerë sakaq në buxhetin e shtetit, ku të ardhurat doganore kanë qenë shumë të dobëta. Rënia e importeve sjell edhe rënien e të ardhurave buxhetore dhe kjo e fundit rrit rrezikun që qeveria ti drejtohet huamarrjes për të përmbushur detyrimet e veta.

Roli i qeverisë

Shumë ekspertë besojnë se çelësi drejt stabilizimit të lekut është ulja e shpenzimeve të qeverisë. Qeveria dje miratoi në Parlament një buxhet të ri për vitin 2009, duke rritur deficitin buxhetor në 6.36 për qind. Shkaku kryesor qe rritja e kostos së rrugës Durrës-Kukës. Sipas buxhetit të ri, ky projekt do të hajë 40 miliardë lekë, nga 30 miliardë që ishte planifikuar. Vetëm ky segment rrugor do të shkaktojë 54 për qind të deficitit buxhetor për këtë vit. Rruga patriotike është edhe një nga shkaqet e vijimit të importeve të larta, pasi sipas vlerësimeve të FMN-së, rreth 80 për qind e kostos së saj përkthehet në importe dhe deficit. Qeveria thotë se rritja e deficitit buxhetor nuk do të ndikojë në kursin e këmbimit, pasi do të financohet tërësisht nga të ardhurat nga privatizimi.(Shqip)

YJtNDGTmoF8

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23022. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23022

Top