LEAVING LAS VEGAS

Blendi

Primus registratum
LEAVING LAS VEGAS

Leaving Las Vegas
nga emigrant
Botuar fillimisht tek http://www.Peshkupauje.com

……Avioni që më kthen nga Vegasi e kupton dramën time; dramën e gjithkujt që po ikën nga magjia për në botën e zakonshme, racionale, ku bëhet ajo zuska, paraja, që harxhohet në Vegas. Shkëputja nga magjia dhe shafraja vazhdon ngadalë…. Vegasi nuk don të të vrasi, edhe kur i largohesh...

**********************************

Avionët që të kthejnë nga Vegasi kanë dicka prej funerali. S’është vështirë të dallosh kufomat e aventurave, të dashurive 24-orëshe, të sekreteve të vogla që qyteti premton ti mbajë të ndryra në përjetësi me moton e vet “cfarë ndodh në Vegas, mbetet në Vegas”. S’është vështirë të dallosh trillet e marrëzite që ngjanin aq të mençura atje; tani ato janë gjethe të thara që këmbët e stuardesave i shtypin pa mëshirë: “What would you like to drink, sir”? Në Vegas njerëzit nuk venë të bëhen milionerë. Qofsh edhe gjeni, nuk ndihmon, “kazinoja” ose “shtëpiza” fiton gjithmonë. Pyesni Dastin Hofmanin dhe Tom Kruizin po s’besuat. Në Vegas njerëzit venë të marrin dozën e marrëzisë që u privohet aq mizorisht tjetërkund. Ata mezi ç’presin të hapin valvolat nga ku del gjithë zhurmë avulli i grumbulluar në mbledhje pafund korporatash, në orë pafund përballë monitorësh pa shpirt, në torturën e pafund të të qenurit politikisht korrekt.

Unë Vegasin nuk e dua se jam bixhozçi, por se jam statisticien. Një statisticien që nuk do Vegasin është si një kërcimtar që s’do muzikën. Pa qenë kumarxhi, më pëlqen prapë se prapë të shoh një “tryezë të nxehtë”. Emocionet e njerëzve nuk të mërzisin kurrë. E në Vegas ato janë emocionet më të sinqerta në botë! Atyre duarve të bixhozçinjve që përshkruan Cvajgu duhet tu ngrihet një monument. Nëqoftëse “dora e bëri majmunin njeri”, një palë letra bixhozi i bëjnë duart pasqyrë të shpirtit, te homo sapiens-it puro njëqind përqind. “Asgjë njerëzore s’është e huaj për mua”, mund të ishte pa frikë logoja e Vegasit, ashtu si për shumë qytete të tjera mund të shkonte për mrekulli “cdo gjë njerëzore është e huaj për mua”.

Kthimi nga Vegasi i ngjan mëngjesit gri pas një nate pasionesh gjigande. Trupat janë ftohur. Përjashta s’ka ngjyra, vec bardh e zi me nuancat e hirta në mes. Ata pak që vazhdojnë lojën në “slot machines” në aeroport u ngjajnë më shumë dashurive surrogato të mëngjesit, ku tendosja është për të përmjerur dhe jo për dashuri. Edhe emri “slot machine” më tepër tingëllon si “slut machine” këtu. Vullkani i vërtetë ishte atje, në qendrën që përmbledh gjithë botën, gjithë njerëzimin, nga Egjipti i Lashtë te Statuja e Lirisë, nga Forumi romak te kulla Eiffel.

Vegasi është shumë më tepër se dritat llamburitëse dhe arkitektura. Ato janë thjesht lëvozhga me të cilin mbështillet shpirti i Vegasit, për të cilin s’dëgjoj të flitet. Rrallë kam parë njerëz më të qeshur dhe të shkueshëm se aty. Edhe shoferi i taksisë që të çon nga aeroporti në qytet është ndryshe. Unë nuk di vend tjetër ku do të jetoja më mirë, te thotë ai, një plak me flokë të bardhë, që flet një anglishte tejet të artikuluar mirë për një shofer taksie. Provo të shkosh me taksi nga La Guardia në Manhattan, ku do dëgjosh lloj lloj ankimesh nga shoferë që edhe erën e duhanit, edhe akcentin e kanë të rëndë; lloj lloj rusësh e aziatikësh të tjerë, apo nga lindja e mesme, që të mbushin kokën me duhma militante, që qahen se kapitalizmi ua hëngri jetën me taksa e me toll-e urash, që s’besoj se lahen më tepër se një herë në javë siç tregojnë mjekrat e tyre të lyrshme…… Kurse taksisti vegaslli ka vetëm një shqetesim: shumë njerëz po vijnë në Vegas…tetë mijë vetë çdo muaj ngulen këtu, thotë i pakënaqur.

Edhe ata që më presin në Vegas (këtu vij me punë) janë po ashtu shumë te shkueshëm. Si mabrojmë bizneset, zgjedhim restorantin…. në ka restorante të mira në këtë dynja, ata janë në Vegas, por unë nuk dua të flas për këto, mjafton të hapni guidat turistike dhe bindeni vetë…. Me miqtë e Vegasit flet rehatshëm si me qenë në një ambient te mirë shqiptar…. Kjo është Amerika e vërtetë, të thonë. Ne duam lirinë e individit. Këtu s’ka taksa shtetërore. Ashtu si nuk ka as spitale të mira. Ky vend nuk është per te sëmure. Po u sëmure do vesh në Feniks, Arizona. Por ama ky qytet e ka gjithnjë nje “buzz”; dhe kurrë nuk fle. Kanë të drejtë. Ajo puna e “city that never sleeps” që thuhet për New York-un është thjesht një mit urban. Unë kam qenë në zemër te Manhattanit pak para mesante duke kërkuar me taksi rrugë më rrugë e avenju më avenju për një restorant te hapur… Mezi i ramë më të. Kurse këtu në tre apo katër pas mesnate është i njëjti aktivitet si në nëntë a dhjetë të ditës gjetiu. Këtu nuk ka sens të kohës. Këtu koha sikur ngrin. Ja shikojeni vetë si ndalon koha, ju arrini në Vegas në gati po atë orë që u nisët, të themi nga New York-u apo Washingtoni. Këtu shikoni cifte pleqsh që janë ngulur para makinave të lojrave për dhjetë – dymbedhjetë orë dhe nuk duan tu besojnë syve qe ora vajti pesë e mëngjesit….. Prostitucioni? Askush nuk detyron askënd që të zgjedhi këtë apo atë profesion, më thonë. Është zgjedhje e lirë. Është biznesi i atyre vajzave, që zoti i bekoftë. Kurrë nuk kam dëgjuar të flitet për prostitutat me atë respekt dhe dashamirësi. Respektohet zgjedhja njerëzore. Nuk është fare cudi që këtu kishte vetëm nja 50 mijë banorë aty nga vitet 60-te, sic më thonë, dhe tani ka mbi një milion e gjysëm. Njerëzit e dashurojnë lirine! Gjithkund qytetet zgjerohen gradualisht nga zona e dendur urbane në atë suburbane që ngadalë shkon drejt rurales. Këtu s’ka ashtu; këtu ka zonë urbane dhe direkt shkretëtire. Njerëzit luftojnë me shkretëtiren dhe ngadhënjejne (meqë ra fjala, për mua kulmi i ngadhënjimit është diga Hoover në liqenin Mead). Unë ekzaltohem një çast dhe më vjen të mbledh rraqet dhe të ngulem këtu, tek magjia. OK, më thonë duke qeshur, por ato që llafos ti (dmth termat statistikore) vetëm nja katër veta ti marrin vesh në gjithë Vegasin. Qeshim. A e di si është ketu? vazhdojnë ata duke ironizuar vehten; le të themi, ti keqtrajton gruan tënde - mund tia hedhësh me dhjetë vjet heqje lirie me kusht…., por provo të “keqpërdoresh” një makinë kazinoje, s’të fal njeri; ky po, ky konsiderohet krim kapital…… Dalim përjashta. Një lypëse e zezë, padiskutim e droguar keqas, kërkon parà. Më bën përshtypje mënyra si e heqin qafe. A pranon kredit kardë, i thonë. Nqse po, ngarkojeni ….. asnjë ofendim. No offense. E droguara vazhdon rrugën e vet. None taken.

Këtë rradhë po bujt në kompleksin MGM Grand, me një super hotel, thonë më i madhi në USA, me nja 5 mijë dhoma, i rëndë dhe pompoz, ndriçuar me të gjelber nga jashtë, me një holl te madhërishem në të cilin pothuaj stonojmë të gjithë, por sidomos redneck-ët (“narët” e USA) që bien shumë në sy. Kompleksi Parisian, për shembull, është më njerëzor, të kujton Europën big time, dhe ndonëse je brenda në hotel të duket sikur je përjashta, ngaqë tavanet dhe muret janë pikturuar si qiell. Shkoj të marr çelësin e dhomës. Vajza sporteliste ka një buzëqeshje kriminalisht të bukur. Si shqipo që jam, i marr gjërat në favorin tim dhe më duket se ajo atë buzëqeshje e ka vetem me mua. Në psikologji ketij duhet ti thonë kompleksi Pitt-Cruise, them me vehte. Gjenet e mija shqiptare e prodhojnë me shumicë atë. Mund të merrni një dhomë të një klasi më të lartë (“upgrade”-ja e famshme) për vetëm 20 dollarë më tepër. E si mund tia prishësh? S’qenka akoma edhe 50 dollarë? Buzëqshja shkatërruese vazhdon. “Për ty, sikur të vish lart me mua, një blank check” – këto fjalë natyrisht nuk i them, por i mendoj me zë aq të lartë, sa që s’do habitesha po të shfaqeshin të shkruara mbi ballin tim me gërma të ndezura si ato lajmërimet në real time të bursës së New York-ut. Pasi sodis Vegasin nga dritarja e dhomës lart, shkoj në atë që e le si ëmbëlsirë për në fund, barin Centrifuge, me kameriere-kërcimtare të tipit “coyote-ugly”, që kërcejnë mbi banak çdo 20 minuta. Unë shikoj ato dhe ve në pikëpyetje gjithë prioritetet e mia. Njëra nga ato ka fizionomi shqiptareje. Dua që të mos i bie në sy që e pëlqej veçanërisht. S’kam asnjë shans. Ndihem ëmbëlsisht qyqar. Fjalët monument të një shkodraneje nga Bronxi më vijnë shpejt në mend: “ne shqiptarëve na asht pre damari i qejfit”. Hmmm, një kameriere e Cenrifuge-s ua heq fatalitetin këtyre fjalëve prej Kasandre si me magji. Ora tre pas mesnate më mbledh në dhomë. Ditën që vjen do kthehem. Will be leaving Las Vegas.

Avioni që më kthen nga Vegasi e kupton dramën time; dramën e gjithkujt që po ikën nga magjia për në botën e zakonshme, racionale, ku bëhet ajo zuska, paraja, që harxhohet në Vegas. Shkëputja nga magjia dhe shafraja vazhdon ngadalë…. Vegasi nuk don të të vrasi, edhe kur i largohesh. Pas shkeputjes prej trillit dhe kapriçios njerëzore, të rezervohet trilli dhe kaprioçioja po aq madhështore e natyrës, The Grand Canyon, që shtrihet poshtë teje i pafund, përshëndetja e fundit e magjisë para se ajo virania, bota reale dhe torturuese, të të perpijë prapë me ritmin e vet vrastar, ku koha vrapon si e çmendur. Jo rastësisht çdo orë që bën tani nga Vegasi të bëhet dy tek ora që mban në dorë. Atje ku po shkon të presin të gjitha ato që kujtove se iu shmange, kalendarët me mbledhje, deadline-t, politika e korporatës, përqindjet e bonusit te sivjetshëm etj. etj. Vehten e kap duke kënduar “Leaving Las Vegas” së bashku me Sheryl Crow në Central Park. Ngushëllim i vogël me të cilin gënjen vehten, si çdo i vdekshëm i zakonshëm, që kurrë s’arriti një dorë Black Jack të shtunën mbrëma.

“Emigrant”
 

true confidental

Forumium maestatis
Re: LEAVING LAS VEGAS

Ky shkrimi shume i bukur Blendi..me kthehu edhe nje here ne Vegas ..merr qindra eksperienca se bashku ne nje hapesire aq te kufizuar ......
kur po beja check out nga hoteli , recepsionistja kishte te shkruar ke name tag ALBANIA ....ishte shqiptare ...lol, si perfundim spagova asgje per mini-barin
 

Blendi

Primus registratum
Re: LEAVING LAS VEGAS

Ashtu mendoj dhe une. Autori ka shkruar shume fuqishem, dhe e ka bere te lehte ta perjetosh vegasin nepermjet tij.

Kjo eshte nje foto qe i kam bere une qytetit nga Stratosphere.

492032793_02c41698f9.jpg
 
Top