Lavatriçet e rërës po shkatërrojnë autostradën

Lavatriçet e rërës po shkatërrojnë autostradën

Mosrespektimi i rregullave ka bërë që rruga e re të “shtrohet” veç asfaltit dhe me gurë e zhavorr

RUBIK – Dhjetëra lavatriçe rëre të ngritura përgjatë segmentit autostradal Milot-Rubik-Rrëshen (një nga pjesët e autostradës Durrës-Kosovë), janë kthyer në shkatërruese të rrugës së re teksa makinat e tonazhit të rëndë që dalin prej aty, po gropëzojnë keqas asfaltin, ashtu siç ka ngjarë prej disa vitesh në segmentin e vjetër.

Fenomeni është bërë shqetësues dhe për drejtuesit e automjeteve të shumta që lëvizin në drejtim të Kukësit e Kosovës dhe anasjelltas, pa përmendur ato që janë brenda këtyre zonave, pasi jo pak herë janë shkaktuar aksidente nga gurët e shumtë dhe inertet që hidhen në rrugë nga karroceritë e makinave që bartin rërë dhe zhavorr që nga daljet e këtyre lavatriçeve për në autostradë.

Dhjetëra lavatriçe rezultojnë të jenë ndërtuar rrëzë rrugës së re, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe urdhëresat, por askush nuk penalizohet për një fakt të tillë. Ministria e Transportit i ka të qarta udhëzimet dhe ligjet e dala nga dyert e saj dhe të qeverisë, por duket as që e vë ujët në zjarr për të parë se çfarë po i ngjet rrugës së re.

Ka vende ku makinat duhet të bëjnë para-prapa për të shkarkuar zhavorrin dhe kjo ndodh në mes të rrugës, ndërsa nga kahjet e ndryshme shtegtojnë makina të tëra me shpejtësi të mëdha për t’u përballur sakaq me rreziqe aksidentesh të rënda.

Vetëm në afërsi të urës së Skurajve, në afro 500 metra funksionojnë 5 lavatriçe rëre, dhe që të gjitha me dalje direkte në autostradën e re. Shihen qartë gjurmët e makinave të tonazhit të rëndë nga hyrje-daljet prej nga ku merren inertet, ndërsa rruga e re mbushet me baltë dhe me zhavorr pikërisht prej këtyre ngarkesave.

Është në detyrim të dikastereve përkatëse që të urdhërojnë çmontimin e menjëhershëm të këtyre lavatriçeve, duke i larguar në distancat e lejuara, si dhe për të përcaktuar detyrimin ndaj këtyre subjekteve për të asfaltuar rrugicat nga ku hyhet për në autostradë e deri në larjen e gomave të makinave, si dhe mbulojat e detyrueshme sipër materialit inert që ai të mos rrëshqasë në rrugë.

Por me sa shihet, duke qenë se poseduesit e këtyre subjekteve i kanë mjetet “të rënda”, as policia rrugore nuk ka mundur të vërë rregull pasi udhëzimet i kanë. Por mbetet dhe fakti tjetër se kjo autostradë, sidomos pjesa tjetër katërkalimshme, ende nuk mbulohet me polici rrugore. Ndaj dhe rrezikohet që dhe kjo autostradë e parametrave evropiane duke u futur makina vend e pavend, si dhe ngritjen e lavatriçeve afër saj, të kthehet në rrugë rurale!(Shekulli)

U1iJQ4Ml3Bc

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23464. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23464

Top