Largohen nga policia për shkelje betimi 10 oficerë e 14 nënoficerë.NDESHKIMI

Klinton

Primus registratum
Largohen nga policia për shkelje betimi 10 oficerë e 14 nënoficerë.NDESHKIMI

NDËSHKIMI

Policia e Shtetit ndëshkon 24 efektivë për implikim në trafiqe, falsifikim dokumentesh dhe mitmarrje
Largohen nga policia për shkelje betimi 10 oficerë e 14 nënoficerë

TIRANË – Vetëm në një muaj e gjysmë, ka mjaftuar që nga fillimi i këtij viti dhe 24 punonjës policie janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu. Masat e rënda disiplinore të firmosura nga drejtori i Përgjithshën i policisë, kolonel, Bajram Ibraj, janë marrë pasi këta punonjës kanë kryer shkelje të rënda, të cilat në pjesën më të madhe kanë patur të bëjnë me shkelje të betimit të punonjësit të policisë. Sipas një njoftimi për shtyp të dalë dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë që nga data 1 janar dhe deri me 13 shkurt janë përjashtuar nga policia 10 oficerë dhe 14 nënoficërë. Po sipas të njëjtit burim, arsyet e këtyre përjashtimeve kanë të bëjnë me implikime të këtyre punonjësve të policisë në trafiqe të paligjshme, me falsifikime dokumentesh, abuzime me atributet e policisë, mitmarrje apo përdorim të pijeve alkoolike. Ndërsa në disa raste përjashtimet janë bërë për shkelje të disiplinës në punë. Sipas burimeve nga Ministria e Rendit Publik, pjesa më e madhe e këtyre punonjësve të policisë, të cilët janë përjashtuar nga policia kanë qenë nën hetim gjatë kësaj kohe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (ish-SHIR), për shkelje që kjo strukturë ka konstatuar vetë, apo ka marrë denoncim nga qytetarë të cilët kanë qenë viktima të këtyre punonjësve. Pas hetimeve të bëra nga SHKB-ja, me materialet dhe provat e mbledhura është njohur dhe Drejtori i Përgjithshëm i policisë i cili ka vendosur më pas që “t’u heqë kapelen” vartësve të tij. Po sipas të njëjtave burime nga Ministria e Rendit Publik, punonjësit e policisë të përjashtuar në këtë fillim viti kanë qenë efektiva në komisariate të ndryshme të vendit dhe të struktuarve të ndryshme si të policisë se rendit, kriminale, apo asaj të qarkullimit rrugor. Në njoftimin për shtyp të dalë dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë i bën një ftesë publikut që të denoncojë në numrat e telefonit 24 71 55 dhe 27 17 35 rastet kur punonjës të policisë përpiqen që të përfitojnë abuzivisht me pushtetin që iu jep ligji, në mënyrë që të ndihmojnë në procesin e pastrimit të radhëve të policisë. Gjatë vitit të kaluar më shumë se 860 punonjës policie në niveleve dhe struktura të ndryshme kanë marrë masa disiplinore nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndërkohë që rreth 150 prej tyre janë pezulluar dhe për to kanë filluar dhe çështje penale, por gjatë vitit të kaluar vetëm për 16 uniforma blu është provuar fajësia për akuza të ndryshme dhe janë denuar nga drejtësia. Ardita Bala
 
Top