Lëvizjet në Polici: pas drejtorëve, radha e shefave të komisariateve

Lëvizjet në Polici: pas drejtorëve, radha e shefave të komisariateve

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e fundit me të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit paralajmëroi vazhdimin e ndryshimeve në postet drejtuese të policisë. Të njëjtën gjë tha edhe drejtori i përgjithshëm i uniformave blu. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, pas lëvizjeve të drejtorëve të policive në shumicën e qarqeve, reforma e firmosur nga ministri i Brendshëm, zbret dhe në nivele më të ulëta, siç janë shefat e komisariateve. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur për “Shqip”, se duke nisur që nga dita e hënë, ndryshimet do të fillojnë të bëhen në të gjithë komisariatet e policisë në vend, duke nisur nga kryeqyteti që ka gjashtë komisariate. Sipas tyre, ndryshimet do të bëhen pas porosive të ministrit Basha, me qëllim për të rritur nivelin e sigurisë në vend dhe për specifika të ndryshme sipas rretheve. Gjithashtu konfirmohet se dje janë ndryshuar drejtorët e kufirit në qarqet Kukës dhe Korçë, ndërkohë që lëvizje në këtë sektor do të ketë që nga dita e hënë në të gjitha qarqet e vendit. Kjo përkon me strategjinë e re që është në funksion të marrëveshjeve dhe “detyrave të shtëpisë” me Bashkimin Europian, sipas të cilave, prioriteti kryesor do të jetë kufiri. Përveç drejtorive ekzistuese në Tiranë dhe rrethe, numri i punonjësve dhe specialistëve të kualifikuar, apo që do të trajnohen nga homologët ndërkombëtarë në këtë sektor, do të shtohet, pikërisht për të rritur sigurinë dhe luftën ndaj trafiqeve të ndryshme në vijën kufitare. Kjo strategji është pra një nga kushtet kryesore të BE-së, që shqiptarët të lëvizin pa viza në Europë. Gjithashtu pritet që brenda këtij viti, duke nisur që javën në vazhdim, të ketë një riorganizim të Policisë Rrugore, e cila do të jetë një drejtori e përgjithshme më vete, që do të ketë në varësi disa zyra rajonale në rangun e drejtorive. Sipas të njëjtave burime, organizimi i kësaj force policore bëhet me qëllim që problemi më gangrenë me të cilin përballet policia dhe komuniteti, aksidentet, të minimizohet sa më shumë të jetë e mundur. Mësohet se kjo minireformë tashmë është hedhur mbi letër me emra konkretë të shefave që do të qarkullojnë apo edhe do zbresin në detyrë, dhe pret vetëm firmat e ministrit të Brendshëm Basha dhe drejtorit të përgjithshëm, Hysni Burga. Vetëm pak ditë më parë ata firmosën lëvizjet e drejtorëve të policisë në nëntë qarqe të vendit. P.H.(Shqip)</p>
0Xl97t38eiU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26798. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26798
 
Top