Lëkura e zezë e kinezes Lou Jing

Lëkura e zezë e kinezes Lou Jing

Eshtë 20 vjeçe dhe ka një zë të mrekullueshëm. Vajza ka marrë pjesë në një program, i cili zbulon talentet e reja të muzikës. Zëri i saj e çoi në pesëshen e finalistëve, e megjithatë ajo që shkaktoi polemika nuk ishte talenti, por të qenit zezake</p>


Shpesh ndodh që imazhi i një njeriu të prishet sa hap e mbyll sytë. Kjo ka ndodhur para disa muajsh në një televizion të Shangait, “Dragon Tv”, i cili transmetonte një spektakël për talentet e reja të muzikës. Mes shumë konkurrentëve u veçua edhe një njëzetvjeçare. Është kineze, e gjatë, simpatike dhe këndon shumë bukur. Por ajo çka e dalloi nga të tjerët këtë vajzë ishte ngjyra e zezë e lëkurës. Quhet Lou Jing dhe ka një zë të mrekullueshëm. Për të, vizita e Presidentit amerikan Barack Obama në vendin e saj, Kinë, do të thotë më shumë se një takim i thjeshtë institucional. Në fakt, Jing është diskriminuar për shkak të ngjyrës së zezë të lëkurës, duke sjellë në qendër të debatit mediatik çështjen e racizmit. Jing ka marrë pjesë në një spektakël televiziv “Lets Go! Oriental Angel”, program i cili merret me zbulimin e talenteve të reja të muzikës kineze. Zëri i saj e çoi mes pesë finalistëve, megjithatë ajo që shkaktoi polemika nuk ishte talenti, por të qenit zezake. Vajza ka lindur nga një nënë kineze dhe baba afrikan, i cili e braktisi menjëherë pas lindjes. Jing flet një gjuhë perfekte mandarine dhe ndihet kineze në të gjitha kuptimet, por kjo nuk ka mjaftuar për tu pranuar nga publiku. Janë thënë shumë gjëra kundër saj, sidomos në internet. “Presidenti Obama ka arritur ti japë një dritë të re imazhit të afro-amerikanëve në botë. Ndoshta edhe te ne do të sjellë plot risi dhe një sens të mirë”, ka thënë Lou.
Halle Berry e Kinës
Gjatë spektaklit, prezantuesi e thërriste “Halle Berry e Kinës”, duke e krahasuar me një aktore bukuroshe amerikane të vlerësuar me një çmim “Oskar”. Asaj i pëlqente, por në të njëjtën kohë ishte shumë serioze. Lou Jing studion për Dramaturgji në Akademinë e Arteve të Shangait. Kur të rritet dëshiron të bëhet prezantuese. Në spektaklin e talenteve të reja të muzikës e dërguan profesorët e saj. Por që kur u bë e famshme, në internet filluan të qarkullonin komente ironike, harbute, dashakeqe dhe shumë vulgare, si për shembull “kinezët e zinj nuk ekzistojnë”. Lou Jing është shprehur për mediat se tani është mësuar me vështrimet kurioze të njerëzve, por ajo që nuk arrin të kuptojë janë komentet e padrejta dhe kritikat e ashpra të bëra online kundër saj. Kur e pyetën se a ka racizëm në Kinë, Lou u përgjigj: “Unë do të flisja më shumë për agresivitetin sesa për racizëm. Para ofendimeve qëndroj gjakftohtë. Reagoj vetëm kur jam me humor të keq”. Njerëzit nuk i kursejnë sharjet as për të ëmën, e cila akuzohet se ka qenë një grua e përdalë, sepse mbeti shtatzënë nga një i huaj zezak, që ka gjasa të ketë qenë afrikan.
Babai amerikan
Pavarësisht ofendimeve të shumta, talenti artistik i Lou Jing është shndërruar në një çështje mjaft të rëndësishme. Jing thotë se ndihet mirë me veten dhe është më shumë se kurrë kineze. Ajo ka lindur më 28 prill të 1989-s, në vitin e gjarprit. Babanë as nuk e ka njohur dhe as nuk e ka kërkuar kurrë. “Vinte nga Shtetet e Bashkuara dhe iku menjëherë pasi linda unë”, thotë ajo. Ishte zezak dhe Lou Jing i la trashëgim një lëkurë që njerëzit e kanë pagëzuar me emrin “vajza çokollatë”. Në fakt Lou-s i pëlqen të jetë si Halle Berry, por dëshiron ta thërrasin në emër jo me pseudonime.
Kurioziteti
Lou Jing buzëqesh, sepse u tërheq të gjithëve vëmendjen. Është e rrethuar nga një kuriozitet i madh, shpesh më shumë naiv se sa djallëzor. “Që e vogël jam mësuar me shikimin e të tjerëve, nuk e kam pasur kurrë problem. Madje edhe ata që më afroheshin nga afër për të më parë me imtësi nuk më bezdisnin. Më mërzisin vetëm ato që shkruhen në internet. Ende nuk jam mësuar me kritikat online. Nuk mund ta imagjinoj se deri ku shkon ligësia e njerëzve? Por tani i kam vënë vetes një qëllim, që nuk do të mërzitem më për asgjë”.
Racizmi
Prej 20 vitesh, Lou Jing përpiqet ti shohë gjërat në një mënyrë më të thjeshtë. Kur e ëma ishte e ftuar në një emision për të treguar historinë e saj dhe për të folur për vajzën, tha: “Lou është një fëmijë i mbarë që nuk më ka sjellë kurrë shqetësime. I pëlqen kompjuteri dhe është tifoze e çmendur me skuadrën e Milanit. Adhuron Maldinin dhe Kakanë”. Gruaja ishte e shqetësuar për ofendimet e shumta që njerëzit shkruajnë në internet kundër së bijës.
Por ajo që të çudit më shumë është se duke ndjekur fillin e nacionalizmit janë zbuluar gjëra të reja nga repertori i tyre: nëse ajo grua ka pasur një fëmijë jashtë martese, kjo nuk do të thotë se është e përdalë; ajo që e njollos personalitetin e kësaj zonje është fakti se ka shkuar me një të huaj dhe për më tepër me një zezak.
Mentalitet mesjetar
Gazeta e përditshme “China Daily” i kushtoi një faqe mbrojtjes së Lou Jing, duke folur hapur për racizmin dhe profetizoi se një kineze me lëkurë të zezë “mund të sfidojë një ushtri fanatikësh me mentalitet mesjetar”. Lou Jing është një vajzë që falë aftësive të saj ka ecur vetë në jetë: “Kam karakter të fortë dhe jam shumë optimiste. Gjithashtu më duhet shumë punë për tu përmirësuar në këngë, sepse ndonjëherë edhe stonoj”. Lou-s i pëlqen aktrimi dhe do të dëshironte të luante ndonjë rol. Nga këngëtaret e huaja i pëlqen Bionse. Adhuron mënyrën se si ajo qëndron në skenë. Vajza është pak e trishtuar, sepse nuk mundi të siguronte një biletë për të parë spektaklin e Bionses në Pekin. “Kishin mbetur vetëm biletat e shtrenjta”, ankohet ajo.
Momentalisht nuk e ndihmon asnjë agjent, e drejton gjithçka vetë dhe nëpër takime e shoqëron e ëma. Pas dy vjetësh do të diplomohet, më pas do të lërë shtëpinë dhe do të shkojë jashtë shtetit për të studiuar sërish.(Shqip)</p>
qeXIAGaH_bs

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26911. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26911
 
Top