Kuzhe: Në Suedi luajmë për të kënaqur tifozët

Kuzhe: Në Suedi luajmë për të kënaqur tifozët

Suedi-Shqipëri është ndeshja që do ti vërë kapak impenjimit të Kombëtares sonë në eliminatoret e Botërorit 2010. Por edhe pse jemi jashtë objektivave për sa i përket klasifikimit në tabelë, tashmë na është imponuar edhe një tjetër objektiv: ruajtja e vendit në vazon 4 të eliminatoreve të ardhshme të Euro 2012. Qipro është një kërcënim serioz pas fitores 4-1 ndaj Bullgarisë dhe vetëm një rezultat pozitiv ndaj suedezëve do të na mundësonte realizimin e këtij qëllim. Pikërisht ky fakt e bën shumë të rëndësishëm për ne këtë sfidë. Por përballë do të kemi një kundërshtar, i cili edhe pse ende nuk është skualifikuar matematikisht nga Botërori, është i demoralizuar, pasi nuk beson në një mrekulli të Maltës në shtëpinë e Portugalisë. Gjithsesi, nordikët nuk mund tia lejojnë vetes luksin e një humbjeje ndaj kuqezinjve, e cila mund të rezultonte shkatërrimtare për ta. Ndaj impenjim i tyre në këtë duel nuk do të mungojë. Ndërkohë, duket se trajneri i Kombëtares sonë, Josip Kuzhe, mendon të mos e shtojë presionin mbi të tijtë dhe kërkon të shtensionojë situatën, kur thekson se kuqezinjtë do të zbresin sot në fushë për të luajtur për tifozët e tyre. Kroati e di mirë se ajo që e pret në stadiumin “Rasunda” të Solnas, nuk do të jetë një shëtitje. “Sigurisht që është ndeshje e vështirë, sepse ata kanë nevojë për tri pikët, të cilat mund të jenë një shpresë e fundit për ta”, pohon tekniku, i cili më pas lë mënjanë synimin real të Shqipërisë në këtë ndeshje (rezultatin pozitiv për qëndrimin në vazon e katërt) dhe kërkon të jetë më populist. “Ne nuk shqetësohemi shumë për Suedinë, as për Portugalinë e as për Danimarkën. Do luajmë një lojë të fortë, që të bëjmë diçka të mirë edhe për mbështetësit tanë. Shpresoj të vijnë shumë tifozë të na shohin. Prandaj duhet vetëm të arrijmë objektivin dhe qëllimin tonë”. Deri tani, nën drejtimin e Kuzhesë Shqipëria ka bërë një ecuri të mirë, duke shënuar në çdo ndeshje, ku loja ka qenë e kënaqshme dhe ky fakt shihet si shumë premtues për të ardhmen e kësaj skuadre. “Smund të them se kemi arritur rezultate të shkëlqyera, por u kemi krijuar njerëzve tanë shpresë dhe besim për të ardhmen, sqaron trajneri kroat. Kështu që mund të them se më pëlqeu rezultati ndaj Qipros e ndaj Danimarkës”. Një tjetër temë e prekur nga trajneri në një intervistë për një televizion shqiptar ishte edhe ajo e vendosjes taktike të skuadrës. Në ndeshjet e mëparshme, skuadra e Kuzhes ka luajtur më shumë futboll sulmues, e mbështetur në modulin 4-2-3-1, që deri tani ka rezultuar e suksesshme. Kështu pritet të luajë edhe ndaj Suedisë, pasi trajneri i shqiptarëve është i dashuruar me filozofinë e tij: “Të luajmë bukur, për të arritur rezultate me një futboll sulmues”. Por ruan edhe një batutë të guximshme për të ardhmen: “Ëndrra ime është që ta shoh Shqipërinë në një turne ndërkombëtar. Mendoj se për Kampionatin Europian mund të luajmë në një fazë më të lartë. Shpresoj se mund të kualifikohemi”, përfundon Kuzhe.(Shqip)</p>
lequLnh3Ht0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24068. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24068
 
Top