Kur thahet gjuha

Kur thahet gjuha

“Antigona kërkon të atin” i Mihal Luarasit tenton t’i flasë publikut në teatër për krimet e komunizmit. Teksti bie në retorikë dhe individët shpallin: E drejta është në anën tonë

Është prezantuar më shumë se një herë edhe në këto faqe të përditshme drama “Antigona kërkon të atin”, e shkruar nga Mihal Luarasi dhe vënë në skenë nga vetë ai në Teatrin Kombëtar, vjeshtë 2009.

Në shtatë vitet e fundit emri i Luarasit identifikohet me një dramaturgji shqipe, duke kuptuar me këtë jo thjesht që autorët e tekstit dhe të regjisë janë shqiptarë dhe as vetëm ndjeshmërinë dhe reagimin e drejtpërdrejtë ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve në vend.

Luarasi, sot 80-vjeçar, e ka thënë se është regjisor i angazhuar, fjalë që nënkupton një regjim të përditësuar publik të intelektualit qytetar në opozitë me politikat e ditës.

Kurse dramaturgjia e tij, si kur është autor po edhe regjisor (Gomonet 2003, Streha e të harruarve, Korbi i bardhë 2007, Antigona kërkon të atin 2009), shfaq një prirje sociale, diku-diku me kundërvënie të përgjithshme politike.
Po ashtu ai është regjisor i “teatrit të fjalës” dhe para së gjithash lëndë të parë ka tekstin, është gjuhë e tij.

Teksti “Antigona kërkon të atin” dhe kumtet që komunikon ai, janë një temë me interes për t’u ndalur te elementët e teatrit dhe tek qëllimet e tij.

E prezantuar nga autori si vepër me mision, apelin ndaj krimeve të komunizmit dhe vënien në vend të së drejtës njerëzore, drama ka një shmangie gjer në zgrip nga ai që mund të ishte tekst dramatik dhe jo retorikë e zbrazur, që ka sakrifikuar edhe çështjen etike të së drejtës humane.

Personazhi i Antigonës i referohet antikitetit grek. Publiku a priori mban parasysh se çfarëdo që të ndodhë, kur përplasen e drejta kanunore dhe e drejta hyjnore, siç sugjeron tragjedia e Sofokliut, “E drejta është në anën e Antigonës”.

Tek Antigona e Sofokliut kjo nuk është luftë e thjeshtë. Palët që përfaqësojnë dy nivele të drejtash antagoniste, dalin të humbura. E drejta njerëzore për një varr, përballet me ligjin e pushtetit që ia refuzon varrin “tradhtarit të atdheut”.

Antigona e antikitetit tregon se një sakrificë, që të jetë e tillë kërkon një tjetër sakrificë. Për paradoks nga vepra të këtij lloji, vjen një dritë dhe fiton një çlirim kur sheh se çfarë disfate pësojnë dëshirat e njeriut për ta marrë në krah të drejtën, sado e shenjtë qoftë, si të ishte pronë.

Pse i mungon disfata Antigonës së Luarasit? Përse ajo duket një heroinë e ngritur nga kanone të përmbysur të realizmit socialist: flet në emër të grupit, nuk ka jetë personale, është autoritare dhe bën gjyqësi?

Vepra vuan nga skematizmi i ligjërimit të personazheve. Ata flasin si përfaqësues grupi, kolektivi, mase, çka përjashton komunikimin me ata qytetarë spektatorë, që s’janë as të grupit armik, as të grupit të të përndjekurve dhe të persekutuarve nga regjimi i Hoxhës.

Protagonistja, një e re që kërkon eshtrat e të atit, inxhinier i pushkatuar në vitet shtatëdhjetë në grupin armiqësor të naftës, flet me “NE”. Ajo thotë në krye se nuk do t’ju tregoj kaluarin, por do t’ju tregoj për varrin.

Antigona nuk tregon veten, historinë personale, që me siguri do të thoshte më tepër se kjo deklaratë nga skena e teatrit, por atë, që sipas autorit njerëzit presin të dëgjojnë. Duket se nuk është Antigona ajo që flet, por dikush jashtë saj. Është njëlloj si një shtatzëni surrogato që po përdorin nënat jobiologjike: ngjizin fëmijë në barkun e një tjetre.

Kështu që duke folur në emër të atij grupi “NE”, pretendimi se autori dhe personazh i tij kanë të drejtë, jepet i padiskutueshëm, kurse e drejta shihet si pronë.
Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe qasjes shumëplanëshe që i bëjnë studiuesit komunizmit, social-komunizmit apo diktaturave të ngritura mbi atë ideologji dhe pasojave të tyre, kjo gjuhë është aq depersonalizuese, sa edhe gjuha në emër të parimeve dhe idealit komunist për të cilat flasin “personazhet negativë” të Luarasit.

Këta janë drejtuesi i arkivës së dosjeve në Ministrinë e Brendshme, ai që ka dënuar të atin e Antigonës (në rol Ahmet Pasha) dhe babai i pushkatarit, një oficer i bindur dhe i verbër nga doktrina e Hoxhës për një popull ushtar.

Luarasi e fshin sferën private, intime. Marrëdhëniet babë e bir (aktorët Fatos Sela dhe Gjergji Mena), jepen me një tekst të tharë e monoton rreth të njëjtit problem. Është lloj i tekstit që përjashton fjalë, ide apo ndjesi që i përkasin natyrës njerëzore e veshur me uniformë oficeri apo xhuboks qoftë.

Është një gjuhë e riprodhuar, jo e krijuar, me fjalë klishe viktima, xhelatë, pushtet, internim, varr, pushkatim, që i ngjan gjuhës në media. Vepra e tërë jep ndjesinë e një leximi gazete e temës në fjalë.

Dialogët janë të zbrazur nga kuptimi. Për shembull dialogu i nënës (Edi Luarasi) me të bijën (Ina Gjonçi), për çka do të thotë dashuri, apo dialogët me të vdekurin për çka do të thotë mall. Dialogu i gruas që flet me burrin e ndjerë, zëri i tij dëgjohet nga skena, është zhveshur nga emocionet, apo nga ndjenja e misterit të takimit me një shpirt.
Por nuk ka dyshim se ajo që e mban veprën në këmbë, veç retorikës “kurrë më, kurrë më”, është akademizmi dramaturgjik.

Luarasi është nga të paktët regjisorë shqiptarë të gjallë, me formim të mirëfilltë dramaturgjik që i lidh personazhet në një histori dhe i nxjerr pa frikë në fund të saj, edhe atëherë kur duhet të hyjnë e të dalin nga kujtesa, të shkojnë pas në kohë dhe të kthehen atje ku ishin.

Vizualisht, “Antigona kërkon të atin”, ofron pak gjë. Janë kusuret e teatrit të angazhuar? Skenografia është varfër. Qoftë shtëpia e pushkatarit, qoftë e Antigonës dhe nënës së saj duket si gjysma e jashtme e një bunkeri.

Ndërsa dora gjigante, është një figurë patetike dhe cilitdo figuracion ndjenjash që ka pasur për qëllim t’i afrohej, ajo është jo sugjestionuese dhe e stërpërdor si simbol i dorës së pushtetit. Kjo është skena ku Antigona me ndihmën e djalit që ka qenë në togën e ekzekutimit, gjen pas një pirgu dheu eshtrat e të atit dhe një palë pranga. Tani ajo mund ta dashurojë Artanin? Kjo është dilema që ngre në mbyllje Luarasi!

Edhe tabloja e riprodhuar “Pushkatimi i kryengritësve” e Goya-s, është aq statike në raport me figura të tjera, sikur të mos ekzistonte.
Muzika po ashtu është si për “teatrin në mikrofon”.
Në fund, duke riparë angazhimin e një artisti shqiptar, rezultati është: një teatër dhe dramaturgji lokale.(Shekulli)

0XrqKZylkoM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25690. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25690

Top