Kur shteti grek zbulonte shqiptarët

alinos

Forumium maestatis
Kur shteti grek zbulonte shqiptarët

Kur shteti grek zbulonte shqiptarët
Historiani e helenisti i shquar gjerman, J. Ph. Fallmerayer hetoi i pari në mënyrë shkencore praninë shqiptare në Greqi. Në dy vepra monumentale, “Histori e gadishullit të Moresë”, dhe “Elementi shqiptar në Greqi” ai zbuloi përmasat e këtij fenomeni, duke dalë në një konkluzion, që, i formuluar me ftohtësinë proverbiale gjermane, tronditi rëndë sensibilitetin nacional të grekëve

Nga prof. Pëllumb Xhufi

Përpara se Kapodistria, Rigas Ferreos e ideologët e tjerë grekë të merrnin flamurin e lëvizjes për çlirim, kishin qenë personalitete evropiane të politikës, kulturës e të artit që në kapërcim të shekujve XVIII-XIX i kishin paraprirë ata, duke hedhur farët e para të rilindjes e të ndjenjës kombëtare greke. Idetë e iluminizmit evropian, të shoqëruara me magjinë që Greqia e lashtë ushtronte në kulturën evropiane, joshën atë kohë personalitete evropiane nga më të shquarat të viheshin në kërkim të thesareve të Greqisë antike apo të admironin atë që po dukej se ishte rilindja e dytë e popullit të helenëve. Ishin pikërisht ata, që ringjallën mitin e Greqisë së lashtë e të Athinës së kohëve të Perikliut, duke e kthyer atë në boshtin e nacionalizmit të rilindur grek.



Evropianët e parë në Greqi
Por, evropianët që vizituan Greqinë në kohën e kryengritjeve për pavarësi (1821), patën rastin të konstatojnë se Greqia moderne shumë pak kishte ruajtur nga Greqia e lashtë. Populli i dikurshëm i demiurgut Solon e i tribunit Perikli; populli i filozofëve, i Sokratit, Platonit e Aristotelit, ishte kthyer në një popull barinjsh e bujqish të kredhur në mjerim e injorancë të papërshkrushme. Dhe të cilët, në vend të gjuhës së Platonit flisnin një greqishte vulgare e të pakuptueshme për helenistët e filo-helenët e ardhur nga akademitë e Evropës. Por surpriza më e madhe për të gjithë këta, nga Lord Bajroni, tek Holland, Lear, Hughes, nga Pierre Lebrun tek Chateaubriandi i famshëm, ishte fakti që kudo në Greqi këta ndeshën në pinjollët e një race, që shume prej tyre nuk e kishin njohur më parë. Ishin shqiptarët, që ç’prej shek. XIV ishin vendosur në mënyrë masive në provincat e Greqisë, duke ndryshuar pejsazhin etnografik të saj. Impakti me këtë popullsi mbizotëruese në krahina të tëra, e shtyu në vitin 1798 një agjent të Napoleon Bonapartit, ta quante krejt spontanisht Peloponezin “Shqipëria e Greqisë” (L’Albanie grecque).
Vetë Athina, kryeqendra kulturore e Greqisë dhe e krejt botës antike, në vitet 1820 ishte katandisur në një qendër rurale: shumica e fshatrave rreth saj banoheshin nga shqiptarë, ndërsa jeta në Athinën e mirëfilltë përqëndrohej rrotull kodrës së Akropolit, në lagjen Plakë, të banuar edhe kjo nga shqiptarë. Akropoli i famshëm ishte kthyer në një vendqëndrim të garnizonit turk. Ajo çka i impresionoi më shumë udhëtarët e shumtë të huaj, ishte fakti që protagonistët kryesorë të lëvizjes çlirimtare greke të vitit 1821, nga Boçari e Xhavella, tek Andruci, Miauli, Bubulina, Karaiskaqi, Kollokotroni, Kanaris e të tjerë, ishin që të gjithë shqiptarë.
Miti i Greqisë dhe i Athinës së lashtë (të cilin vetë intelektualë grekë e identifikojnë me një gjendje të sëmurë, duke e quajtur me shpoti progonopleksi, apo ancestoritis) që u bë flamuri ideologjik i luftrave për pavarësi të Greqisë, rezultonte kështu një mit i papërshtatshëm, një mit që nuk gjente justifikim në realitetin etnik e kulturor të vetë qendrës së helenizmit, të Athinës.



Historiani Fallmerayer
Pavarësisht keqkuptimit historik, nga ky takim i rastësishëm në tokën greke i studjuesve dhe eruditëve evropianë me popullin e shqiptarëve, lindën prodhimet e para të shkencave albanologjike, sprova mbi historinë, folklorin e gjuhën e shqiptarëve (arvanitasve). U shqua mes tyre historiani e helenisti i shquar gjerman, J. Ph. Fallmerayer, i cili hetoi i pari në mënyrë shkencore praninë shqiptare në Greqi. Në dy vepra monumentale, “Histori e gadishullit të Moresë”, dhe “Elementi shqiptar në Greqi” ai zbuloi përmasat e këtij fenomeni, duke dalë në një konkluzion, që, i formuluar me ftohtësinë proverbiale gjermane, tronditi rëndë sensibilitetin nacional të grekëve. Sipas Fallmerayer, në dejet e grekëve të sotëm nuk rrjedh aspak gjaku i grekëve të vjetër, por një përzierje, ku pjesa kryesore i takon gjakut shqiptar. Grekërit e rinj, sipas tij, shumë pak kishin trashëguar nga grekërit e lashtë, pra nuk meritonin të quheshin vazhdues të tyre. Një konkluzion ky, sigurisht i ekzagjeruar, siç u munduan ta tregojnë historianë të tjerë, duke filluar nga bashkëpatrioti e bashkëkohësi i Fallmerayerit, Hertzberger.
Gjithsesi, teza e Fallmerayerit mbi diskontinuitetin historik të grekëve, shkaktoi një krizë të vërtetë identiteti pikërisht në momentin kur shteti i ri grek sapo kishte filluar jetë. Ajo i kushtoi historianit gjerman vendosjen në krye të listës së “miso-helenëve”, dmth. të armiqve të Greqisë. Ndaj, intelektualë grekë, duke filluar nga figura historike si Korais, Rigas e Paparrigopoulos, e konsideruan një mision patriotik të tyre të tregonin pikërisht të kundërtën e teorisë së Fallmerayerit, dmth. vazhdimësinë e pandërprerë të etnisë (kombit) grek nga Greqia e Lashtë, tek Perandoria Bizantine e deri tek Greqia Moderne. Gjë që e bënë më shumë me pathos patriotik, se sa me argumenta të vërteta shkencore. Ambasadori i parë i SHBA në shtetin e pavarur grek, Charles Tuckerman, zbavitej shumë nga ky zell i akademikëve grekë për të hedhur poshtë konkluzionet e Fallmerayer, kur vërente me humor se mënyra më e mirë për t’i shkaktuar apopleksi një profesori nga Athina, është t’i përmendësh emrin e Fallmerayerit.
Por, teoritë e Fallmerayerit mbi diskonuitetin etnik të Greqisë, patën edhe përkrahës të tjerë të shquar, që përndryshe njiheshin si filo-helenë të padyshimtë. Njëri prej tyre ishte konti francez, A. De Gobineau, studjues i antropologjisë dhe i racave njerëzore (idetë e tij frymëzuan edhe teoritë racore të Hitlerit). Gobineau nuk mungoi të konstatojë atë që ai e quan “eklektizëm etnik” të Greqisë moderne dhe të konkludojë se “gjaku grek përmban një sasi mjaft të madhe gjaku shqiptar, pasi elementi shqiptar luan një rol të madh në formimin e tij”. Sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe në Greqi në vitet 1974-1978, Sir Brooks Richard, “sadoqë grekve nuk u pëlqen kur dikush u thotë se ata nuk janë pasardhësit e grekve klasikë, identiteti grek është më shumë kulturor se gjenetik”.
Në këtë mënyrë, pra, që në lindjen e tij më 1821, shteti grek lindte me një problem identiteti, që pasqyrohej qartë deri edhe në strukturat e tij: një pjesë e mirë e “gjeneralëve” të dalë nga kryengritjet për liri, ishin shqiptarë. Ishin pikërisht këta viktimat e para të konflikteve të brendshëme, që karakterizuan jetën politike greke në vitet që pasuan shpalljen e pavarësisë. Miauli, Andruci, Kollokotroni e mjaft prijës të tjerë ushtarakë, u eliminuan në një mënyrë apo në tjetrën, dhe frenat e pushtetit i morrën përfaqsuesit e fisnikërisë greke të ardhur nga vendet evropiane, ku shumica e tyre kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Në një plan më të gjërë, Athina zyrtare vuri në themel të politikave të saj të brendshme homogjenizimin e shoqërisë heterogjene helene. Dëbimi nga territoret e shtetit grek e popullsive shqiptare muslimane, përfaqsoi aktin e parë në zbatimin e një politike të tillë. “Pavarësia e Greqisë u inaugurua me dëbimin e shqiptarëve myslimanë”, i shkruanin më 1878 kryeministrit anglez, lordit Beaconsfield, krerët e lidhjes shqiptare të Çamërisë e të mbarë Epirit, në kohën kur një eksod i ri i shqiptarëve muslimanë rrezikonte të ndodhte, në rast se ajo krahinë do t’i aneksohej Greqisë. Në fakt, në rast se aneksimi i Çamërisë dhe dëbimi i popullsisë shqiptare muslimane të atyshme mbeti për t’u realizuar më vonë, aneksimi i Thesalisë i dekretuar atë vit nga Kongresi i Berlinit u shoqërua me largimin e dhunshëm nga ajo krahinë e dhjetra e qindra mijra muslimanëve, shqiptarë e turq. Për të përftuar përmasat e këtij eksodi, mjafton të kujtohet se sipas regjistrit osman të vitit 1455, qyteti i Larisës kishte 11 lagje muslimane (regjistrat osmanë nuk përcaktonin kombësinë) dhe vetëm një lagje të krishterë. Regjistri i mëvonshëm, i vitit 1520, evidenton në po këtë qytet 693 familje muslimane e 75 të krishtera. Në prag të aneksimit të Thesalisë nga Greqia, më 1745, udhëtari anglez E. Pacocke numëroi 5 mijë familje muslimane në Larisë kundrejt 1500 të krishtera, ndërsa E. Clarke (1812) e J. L. S. Bartholdy (1807) shënojnë në atë qytet një popullsi prej 25 mijë banorësh, prej të cilëve 20 mijë ishin muslimanë.



Eliminimi i muslimanëve shqiptarë
Gjithsesi, eliminimi i myslimanëve shqiptarë në kufijtë e asaj që shkenca historike e quan “Greqia e vërtetë” (Greece proper) dhe në viset dora-dorës të aneksuara në Thesali, Maqedoni, Trakë dhe Epir, nuk mundi të krijonte homogjenitetin e pritur etnik. Në Greqi apo në Epir jetonte një masë shumë e madhe shqiptarësh të krishterë, përkatësisht të vendosur prej shekujsh (Greqi) apo autoktonë në tokat e tyre (Epir). Ndaj këtyre popullsive u zbatuar politika e asimilimit, e cila, sipas historianit e politikanit grek, S. Lambros, solli “rezultate të mahnitshme aty ku u zbatua si duhet, si psh. në bashkësitë shqiptare të Peloponezit, të Atikës, të disa ishujve grekë, të Suliotëve e të Himariotëve të Epirit”. Sado paradoksale të duket, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), “aftësia e madhe asimiluese e grekve” u vlerësua si një arsye tepër serioze nga përfaqsuesi anglez, Sir Eyre Croëe, për të mbështetur pretendimin e Greqisë për aneksimin e “Vorio-Epirit”. Shkolla greke, së bashku me kishën, si institucione me rrezen më të gjerë të veprimit, u zgjodhën si faktorët bazë që çuan përpara procesin e helenizimit të popullsive shqiptare. Qysh prej shekullit XIX u evidentuan rezultatet e këtij aksioni asimilues, nëpërmjet imponimit të gjuhës greke, ndërrimit të emrave të njerëzve e të vendeve. Nga ana tjetër, shteti grek, me anë të ligjit, kontrollonte e dënonte si sjellje shoqërisht të dëmshme çdo veprim e qëndrim që nuk përputhej me ideologjinë nacionale e që tentonte t’i shmangej ingranazheve homogjenizuese të tij. Sa i përket shqiptarëve (arvanitasve), linjat kryesore të një politike të tillë asimiluese i pëshkruan me një vërtetësi impresionuese studiuesi T. Neroutsos, në një letër të vitit 1888 për albanologun e shquar Gustav Meyer. “Në Greqi”, shkruan Neroutsos, “shteti ndalon kategorikisht mësimin e gjuhës shqipe. Gjuhës shqipe i rezervohet posaçërisht një trajtim nënvleftësues e përçmues. Të flasësh shqip është njëlloj si ta identifikosh veten me shkallën më të ulët të shoqërisë neohelenike. Kurse po fole greqisht, qofsh ti edhe shqiptar, konsiderohesh pasardhës i nderuar dhe i pastër i grekëve të kohëve të Themistokliut”. Neroutsos tregon gjithashtu se si gazetarët grekë ishin thartuar keq në fytyrë, kur gjatë një pritje, mbretëresha e Greqisë i ishte drejtuar në gjuhën shqipe milionerit me origjinë shqiptare, V. Zhapa (i cili për grekët është një nga lavditë e tyre kombëtare).
Megjithatë, edhe në Greqi nuk munguan zërat kundër politikave të asimilimit të shqiptarëve. Atë gjeti forcë ta denoncojë edhe ndonjë figurë e padyshimtë e nacionalizmit grek, si peshkopi erudit E. Kurilla, apo edhe ndonjë profesor i veçuar, siç ishte rasti i historianit të shquar grek, Prof. K. Paparigopoulos, Kryetar i Shoqatës për Promovimin e Letrave Greke. Në 25 qershor të vitit 1883 ky i shkruante Kryeministrit grek Trikoupis, se kishte ardhur koha që Greqia të jepte shënja miqësie ndaj shqiptarëve, e nuk do të ishte keq të fillonte me mësimin e gjuhës shqipe në shkollat greke në Epir, Shqipëri e kudo ku jetonin shqiptarë. Një këshillë, kjo, që qeveritë greke nuk e kanë dëgjuar as dje e as sot, kur në Greqi një valë e re emigracioni masiv i është shtuar emigracionit shqiptar të shek. XIV.
Nuk ka dyshim, që në këtë vepër asimilimi, përveç instrumentave të tij, shteti grek pati edhe ndihmën e pakursyer të kishës. Madje ishte kjo, që edhe para pavarësisë së Greqisë, zhvilloi një veprimtari të ethëshme asimilimi ndaj popullsive shqiptare të krishtera. Këtë mundësi asaj ja jepte pa dyshim vetë Porta e Lartë, e cila i kishte besuar Patrikanës greke të Stambollit përkujdesjen për të krishterët e perandorisë, duke i ceduar asaj edhe atribute të pushtetit laik, siç ishte ai i shkollimit. Kështu, duke filluar nga shek. XVII, në Epir apo në Shqipërinë e jugut, nën mbrojtjen sovrane të Sulltanit, u hapën me qindra shkolla greke. Helenizimi i popullsive shqiptare ishte padyshim njëri ndër qëllimet bazë të tyre, sidomos pas krijimit të shtetit grek, kur aksioni i Patrikanës në këtë drejtim u koordinua në mënyrë perfekte me qeverinë e Greqisë. Ky qëllim duket fare transparent në një rregullore të vitit 1882 për shkollën e fshatit Nivan (Zagori), shtypur enkas në Athinë me fondet e Ministrisë greke të Arsimit, ku njëri nga nenet e saj i detyron nxënësit të mos flasin në gjuhën shqipe, as në shkollë me njëri tjetrin, e as në familje me prindërit. Pra, përveç vetes, fëmijët duhej të helenizonin edhe prindërit! E njëjta përmbajtje zbulohet në letrën e peshkopit të Paramithisë, Neofitit, i cili në vitin 1908 i kërkonte qeverisë greke të bënte presion pranë Portës së Lartë për të hapur në Çamëri shkolla greke për vajzat. Pse pikërisht për vajzat? Sepse, sqaron Neofiti, “këto vajza shqiptare, nesër duhet të bëhen nëna greke”. Në këtë kuptim, hapja e shkollave greke në treva me popullsi shqiptare, një proces i gjatë ky i filluar qysh në shekujt e sundimit osman, u konsiderua nga Athina zyrtare një ndër argumentet kryesore, mbi të cilat ajo ka mbeshtetur pretendimet e veta territoriale në Shqipërinë e jugut, siç bëri, psh., në Konferencën e Paqes më 1919. Sepse, sipas konceptit të saj pragmatist, “ku ka kishë e shkollë greke, ai është vend grek”.


ABC nr.15-Nga prof. Pëllumb Xhufi
12.12.2005
 
Top