Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

shqipguest

Primus registratum
Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin
nga Astrit Lulushi, SHBA

Shumëkush që i ka hedhur një vështrim qoftë edhe kalimthi një libri të historisë mund të ketë vënë re se pyetjet e para që historianët përpiqen të shtjellojnë janë; Cfare ndodhi? Si vepruan personazhet historike? Cfarë qëndrimi mbajtën ata? Gjithashtu historia shpesh tregon se për arritjen e qëllimit të njëjtë, njerëzit shpesh përdorin mjete të ndryshme, të cilat jo gjithmonë justifikojnë qëllimin e anasjelltas.

Michel Montainge, filozof francez i shekullit të XVI, tregon se në një rast Skënderbeu i zemëruar po ndiqte një ushtar të tij për t’a vrare pasi e kishte fyer. Ky ushtar, pas shumë thirrjeve dhe lutjeve per t’a falur, kur pa se asnjëra prej tyre nuk zbuti zemërimin, vendosi të nxjerrë shpatën e t’i dilte përballë prijesit të tij. Guximi i ushtarit, bëri që Skënderbeu të ndalej dhe zemërimi i tij të zbutej përballë burrërisë. Ai ia fali jetën ushtarit e kurrë nuk ia kujtoi fyerjen që i kishte bërë. Kjo sjellje bëhet dy herë kuptimplote nëse kihet parasysh se kush ishte Skenderbeu; me famën e madhe si luftëtar e fuqinë fizike sa që shpaten e tij, thotë Barleti, me vështirësi e ngrinin dy duar bashkë.

Por kjo nuk do të thotë se guximi, trimëria, forca janë mjetet e fundit për arritjen e qellimit. Zgjuarsia duket se është e para.

Perandori Konrad, pasi rrethoi dukën Gulef të Bavarisë, ra dakord që grate e rrethuara të kalonin duke marrë në supe cdo gjë që mund të mbanin. Dhe keto gra, thotë gojëdhëna, vendosën të ngarkonin në kurriz fëmijët, burrat dhe Dukën e tyre. Kjo e mallëngjeu perandorin, zgjoi zemërgjerësinë e tij dhe i la të gjithë te rrethuarit me udhëqësin e tyre të kalonin duke i trajtuar ata me dinjitet.

Aftësia e komunikimit duket se është një tjetër mjet për arritjen e qëllimit, pasi c’mund të thuhët për banorët e Tebës, kur nxorrën në gjyq gjeneralët pasi këta kishin tejkaluar kompetencat e tyre? Banoret votuan për denimin e njërit që e pranoi fajin dhe kërkoi falje, por abstenuan kur erdhi radha për dënimin e një tjetri, i cili u mbrojt duke folur plot krenari e mburrje për veprat që kishte kryer për të mirën e tyre. Në këtë rast, kuvendi u shpërnda, duke lavdëruar gjeneralin për heroizmat e tij.

Ndërsa tek Aleksandri i madh historia regjistron dy shembuj të kundërt. Gjatë betejës për marrjen qytetit të Gazës, ushtria e tij hasi në qëndresë të fortë. Ajo që tërhoqi vemendjen e Aleksandrit ishte komandanti i forcave kundërshtare, Betis i cili luftonte ashpër edhe pse e dinte se betejën e kishte të humbur. Nderi e kërkonte që Betis të vdiste duke luftuar. Por Aleksandri ishte i zemëruar. Gjatë betejës ai kishte marrë dy plagë, prandaj u dha urdhër ushtarëve që Betis të mos vritej. Ai e donte të gjallë. Kur Betis ra në duart e tyre, Aleksandrit bëri c’mos për t’a gjunjëzuar, duke përdorur cdo torturë, por pa sukses. Më në fund, Aleksandri dha urdhër që Betis të torturohej derisa të vdiste. Sot vështirë të thuhet nëse këtë vendim Aleksandri e mori i shtyrë nga zemërimi e hakmarrja për plagët, apo nga një ndjenjë e thellë frike, pasigurie, xhelozie e dobësie kur pa një kundërshtar i cili duronte tortura nga me te rëndat vetëm për të mos rënë në gjunjë. Apo ishte kokëfortësia ballkanase që e shtynte Aleksandrin të vepronte kështu, ose ishte thjesht një taktikë për të arritur një qëllim, por që doli pa sukses?

Historitë e mëvonëshme tregojnë se gjenerali romak Pompei kur pushtoi një qytet, pranoi kërkesën e banorëve që ata t’i dorezonin një njeri për të marrë përsipër fajin kolektiv dhe me ekzekutimin e tij, merrte fund cdo zemërim a reprazalje. Por e njëjta taktikë nuk ishte e suksesshme për banorët e një qyteti tjetër, kur gjenerali romak Sula nuk e përfilli një kërkesë të ngjashme dhe e vazhdoi betejën deri në shfarosjen e banorëve.

Strategji e taktika të ndryshme vihen re edhe në sferën politike a diplomatike. Dikush që shërben me besnikëri e zgjuarsi, jo gjithmonë ka sukses, por të paktën lë pas një emër të mire, ashtu se një tjetër që shërben me servilizëm, shpesh ka sukses, por gjithmonë lë pas një emër të keq. Persiani Besus e provoi këtë kur në ditët më të veshtira braktisi perandorin e tij Darius duke e tradhëtuar tek Aleksandri, i cili tregoi percmim për këtë tradhëti, edhe pse Darius ishte armiku i tij më i madh.

Të njëjtin fat do të pësonte mijëra vjet më pas edhe një mendje e ndritur, kur ai braktisi republikën dhe për hir të një posti u vu në shërbim të tiranisë. Emri i tij është Nikolo Makiaveli (1469-1527), sot sinonim me korrupsionin dhe tiraninë. Dhe arsyet për këtë emër janë jo veprat e tij të shumta filozofike, por vetëm një libër pak fletësh, i quajtur Princi.

Makiavelli kishte shërbyer si diplomat në periudhën kur Fiorentina ishte republikë. Por kur Lorenco Medici erdhi në pushtet duke vendosur tiraninë, Makiaveli humbi vendin e punës. Për të fituar simpatinë e diktatorit dhe vendin e punës, ai shkroi një libër me titull Princi, për t’i treguar Medicit se si t’a mbante pushtetin tani që e kishte fituar.

Këto ide të Princit do të përvetësoheshin më pas nga shumë diktatorë të cilët për të mos humbur pushtetin përdorën strategji tashmë të njohura me emrin Makiavelizëm, parimi kryesor i të cilit është “qëllimi justifikon mjetin”.

Por Lorenco Medici nuk i pranoi këshillat e Makiavelit, ndoshta sepse nuk kishte besim tek një ish politikan i regjimit të pëmbysur ose sepse parimet e tij iu duken tepër amorale.

Pak vite më vonë, Medici u rrëzua nga pushteti, republika në Firence u rivendos dhe Makiaveli u përpoq për t’u kthyer në postin që kishte patur. Por shija e hidhur që libri Princi i kishte lënë publikut, i bëri njerëzit të mendonin se filozofia e tij ushqente tiraninë dhe i shërbente vetëm asaj, prandja ata nuk e rizgjodhën në ndonjë post qeveritar. Kështu ky libër, Makiavelit nuk i solli asnjë sukses; ai jo vetëm që nuk rifitoi postin e humbur, por njollosi edhe emrin e tij të mirë si filozof që mbante deri atëherë.

Por nëse Makiaveli u kritikua sa ishte gjallë, kritikat ndaj tij u bënë edhe më të ashpra pas vdekjes. Në fakt shprehja Makiavel është sinonim me një qeveri të korruptuar dhe vetëm kohët e fundit me ribotimin e veprave të tij, studiuesit duket se përpiqen të rikrijojnë imazhin e nje atdhetari e politikani gjeni, imazh që Makiaveli gëzonte përpara se të shkruante Princin. Sot disa historianë thonë se pikëpamjet e tij janë keqkuptuar ose janë marrë jashtë kontekstit kohë. Makiaveli, thone ata, e shkroi Princin, kur Fiorentina ndodhej e pushtuar dhe Italia e percarë, kështu që idetë e tij perfaqësonin nevojën e vendit për qëndrueshmëri politike e bashkim.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se Makiaveli është edhe sinonim i ironisë së historisë, e cila sikur kërkon të paralajmerojë se e keqja është si nje rrugë e shtruar dhe shpesh shembulli më i lehte që ndiqet, ndërkohë që Makiaveli edhe për shumë kohë duket se do të vazhdojë të përfaqësohet me Princin-pushtetin e korruptuar.
-----------------------

Disa burime:
The Complete Essays of Montaigne Translated by D. M. Frame. The Ancient Historians, Michael Grant (1970). The Chief Works and Others, Machiavelli, N., 1965, Gilbert (trans.), Duke University Press. The Prince, Machiavelli, N., 1988, Q. Skinner and R. Price (eds.), Cambridge: Cambridge University Press. The Myth of the State, Cassirer, E. 1946, New Haven, Yale University Press. “Machiavelli's Via Moderna: Medieval and Renaissance Attitudes to History” Coleman, J. 1995
 

Al-Punk

Still here
Re: Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

Parimi Makiavelist dhe ne pergjithesi ishte i njejte! Fituesi merr persiper jo vetem fitoren po dhe ne histori percakton automatikisht Protagonistet dhe Antagonistet. Makiaveli kete donte te tregonte. SHBA kete ka 60 vjet qe ben.

E megjithate dicka qe me ka bere pershtypje kohet e fundit. Ne nje leksion Marketimi, dikush tha: Ne jete udhehiqu nga ajo etike qe ke cilesuar si te mire kur ke qene i ri(femije)! Eshte i vetmi instikt i te mires qe te ngelet! Problemi eshte se me rritjen, e mira qe njihnim kur ishim te rinj dhe naive humbet sens.
E mira ka sot (sipas moshes) nje koncept 'te te mires' kolektive.
E mira Kolektive mund te jete shpeshhere e ashper (si ne rastet e mesiperme te pushtimit te nje populli dhe sakrificave), po shpeshhere kur shfaqet e mira e femijerise zbutet.
(Shih me siper Konrad)
 
M

Mortal

Guest
Re: Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

Teper interesant shkrimi. Me pelqevi se tepermi.

Pjesa e pare me kujtoi 'Nje mije e nje netet' dhe historine e Sheherazades. Ne lidhje me Aleksandrin, s'me eshte dukur gjithenje 'i madh'. Edhe pse ushtria e komanduar nga ai pushtoi pothuajse gjysmen e botes ( edhe yes- mundi Darius( zoteruesin e kopshteve me te bukura ne bote) ne shtepine e vete, gjithemone e kam pare si nje njeri te dobet dhe i pushtuar nga xhelozia. Ndersa per Makiavelin dhe librin e tija Princi dhe per nje lloj menyre interpretimi si 'qellimi justifikon mjetin, pra qe veprime te liga kryhen per te bere nje te mire' nuk jam dakort, pasi vete ne liber Makiavelli krijon limitime te ketyre veprimeve duke quajtur si qellim stabilitetin e nje shteti dhe qeverie, dhe fitimi i fuqise personale nuk justifikon veprimin e lige...etj. Menyra se si e kam kuptuar une Princin ka te beje me menyren se si dikush duhet te fitoje dhe te mbaje fuqine. Nuk godet vlerat e moralit, se shume dijetare te tjere humaniste, ne menyre te vecante Eramusi e keqkuptuan kete liber.

Gjithesesi, shkrim i permbledhur mire.
 

juxhoxhjaj

Primus registratum
Re: Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

mund te jete shkrim interesant po clidhje ka me historine shqiptare?
 
M

Mortal

Guest
Re: Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

Historia e Shqiperise eshte pjese e Historise se Madhe te Botes, keshtu qe detyrimisht ka lidhje. Pastaj shkrimi ka nisur dhe bukur me nje pjese nga Historia e Skenderbeut....keshtu qe : "Po, ben shume kuptim qe te jete ne kete nen-forum."
 

juxhoxhjaj

Primus registratum
Re: Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin

me kete i bie qe te mos kete nen-teme historia shqiptare por vetem boterore nejse me bere per vete dhe e pranoj mendimin tende.
 
Top