Kriza politike, Parlamenti Europian i ndarë për Shqipërinë

Kriza politike, Parlamenti Europian i ndarë për Shqipërinë

Bojkoti dhe hapja e kutive përplasin europarlamentarët e majtë dhe të djathtë</p>


Zhvillimet politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kanë shkaktuar debate të ashpra në Parlamentin Europian. Përfaqësuesit e së majtës dhe të djathtës, megjithëse me argumente të kundërta, siç raporton “Top Channel”, vlerësojnë njësoj se kriza politike në Shqipëri duhet të përfshihet në rezolutën e Parlamentit mbi strategjinë e zgjerimit. Dokumenti i komisionit vlerësonte për Shqipërinë se shumica e standardeve ndërkombëtare u arritën në zgjedhjet parlamentare, por pati parregullsi. Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten sfidat kyçe për vendin. Komisioni rikujton se është gati për të përgatitur opinionin, nëse Këshilli pranon kandidaturën e Shqipërisë. Por, si strategjia e përpiluar nga Komisioni, ashtu edhe propozimi i kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Gabriele Albertini, nuk e përmendin situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të qershorit. “Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar Parlamentin. Në amendament do të kërkoj që ti bëhet thirrje opozitës të mos rrijë rrugëve, duhet tu themi e të pozicionohemi qartë që opozita duhet ti kthehet Parlamentit në Shqipëri”, theksoi eurodeputetja e Partive Popullore Europiane, Doris Pack. Sakaq, Kristian Vigenin, një eurodeputet i së majtës, vlerësoi se “sigurisht ne mund tu bëjmë apel, por duhet të marrim në konsideratë faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre. Ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e të shohim më nga afër situatën atje. Nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE duhet të qëndrojë jashtë Parlamentit, por në anën tjetër ne nuk duhet ti mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje”. Ndërsa për vendet e tjera të rajonit janë përgatitur projektrezoluta të veçanta, raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nicolaos Chountis, nuk ishte i pranishëm në këtë debat për arsye shëndetësore. Debati i zhvilluar në Parlamentin europian vjen pas acarimit të situatës politike në Shqipëri. Që prej 7 shtatorit kur ka filluar punën Parlamenti, opozita nuk frekuenton asnjë prej seancave. Kryetari i opozitës, Edi Rama, dhe partia e tij kanë marrë një vendim politik për të bojkotuar Kuvendit me kërkesën e hapjes së kutive të votimit. Kryeministri Sali Berisha ka rënë dakord që të ketë hetim parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, por nuk pranon kurrsesi hapjen e kutive të votimit. Kjo pikë e kërkuar me insistim nga socialistët duket se ka krijuar ngërçin e madh politik në vend. Faktori ndërkombëtar ka insistuar në kthimin e opozitës në Parlament, si shans për vazhdimin e reformave integruese.(Shqip)</p>
HJmasBn3y24

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25830. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25830
 
Top